Studiuesi Ymer Maksut Domi vjen nga radhët e teknikëve të ndërtimit dhe jo nga radhët e studentëve të degës Histori-Gjeografi të Fakultetit Histori-Filologji. Për hartimin e librave të tij studimorë, Ymerin e shtyu pasioni dhe dashuria për historinë dhe traditat e popullit tonë. Ai u lind në vitin 1956 në fshatin Domaj, i cili në atë kohë ishte lagje e fshatit të madh Imisht. Pasi mbaroi Teknikumin e Ndërtimit – Shkodër në vitin 1976 ai punoi si terknik i mesëm në disa ndërmaje të qytetit Kukës dhe më tej në zyrën e urbanistikës së këtij qyteti. Në vitin 2004 u sistemua në Tiranë ku punoi në Ndërmarrjen e Ujësjellsit deri sa doli në pension në vitin 2015.
Gjatë viteve 1990-të, kur kishte një përvojë pune të pasur iu fut hartimit të artikujve ku trajtonte punën e kolegëve të tij, ndërtuesve duarartë. Duke hartuar të tillë shkrime iu rrit oreksi dhe vendosi të krijonte dhe libra me karakter historik e demografik për dy qytetet e Kuksit (Kuksin e Vjetër e Kuksin e Ri), ku jetoi e punoi shumë vjet; dhe për fshatrat Imisht e Domaj, ku u lind e u rrit. Deri sot ai ka shkruar e botuar tre libra studimorë:
“Portrete ndërtuesish kuksianë” GEER 2010, 171 f., shoqëruar me recensë të Avni Dervishi; 2. “Imishtasit në trojet shqiptare” GEER 2019, 316 f., shoqëruar me recensën e studiuesit Shefqet Hoxha dhe vlerësimin e redaktorit Besim R. Cengu; 3. “Rrënjët e një fisi”, Shtypshkronja MIRGEERALB Tiranë 2006, 128 f., shoqëruar me një Epilog, ku autori jep të dhëna për gjendjen e sotme të fshatit Domaj mbetur me 10 shtëpi më 2006 dhe shpërndarjen e fisit nepër botë e sidomos në Tirane e Durrës.
Në këto studime bie në sy puna këmbëngulëse e autorit për të mbledhur legjenda nga goja e popullit mbi formimin e këtyre qendrave banimi dhe emërimin e tyre e mbi të gjitha puna e gjerë për të mbledhur dokumente të ndryshëm nëpër zyra e arkiva dhe për t’i sistemuar dhe analizuar ato me kujdes. Pasi i lexon këto tre libra të lind mendimi se me studime historike mund të merren dhe kuadro të tjerë, po të kenë pasion e dashuri për këtë fushë studimore e të punojnë me akribi shkencore. Një autodidakt mund të sjellë ndihmesë serioze në fushën e historisë së qendrave të banimit dhe të lëvizjeve demografike të popullit tonë, etj. Natyrisht nuk është fjala për studime dhe analiza ngjarjesh epokale dhe figurash historike me vlera mbarëkombëtare, që kërkojnë njohjen e thellë të ligjeve të zhvillimit shoqëror, por për libra me fakte e të dhëna të sakta duke dhënë dhe disa përgjithësime.
Duke treguar historikun e ndërtimit të dy qyteteve të Kuksit, autori ka theksuar punën dhe shpenzimet e mëdha që u deshën së pari për krijimin e Kuksit të Vjetër, kur fshati i lashtë me pak shtëpi u kthye në qytet në vitet 1920-1960. Pastaj ndodhi një gjë e paparë në histori: u ndërtua Kuksi i Ri sepse zhvillimi i vendit kërkonte të krijohej liqeni i Fierzës me hidrocentralin përkatës. Vetëm forca dhe buxheti i një shteti të organizuar mund ta realizonte krijimin e liqenit e të hidrocentralit dhe krijimin e qytetit të ri e të shumë fshatrave të rinj që u spostuan në nivelin mbi kuotën e liqenit. Banorëve të qytetit u dhanë apartamente të rinj, kurse fshatarëve krahas shtëpive të reja shteti u dha dhe kopshte dhe toka për mbjellje frutash e zarzavatesh.
Ymer Domi ka qenë një ndër teknikët e ndërtimit që derdhte djersë bashkë me ingjinierët, teknikët dhe ndërtuesit e qytetit të vjetër e të ri. Ai përjetoi gjatë shumë viteve emocione e mbresa të shumta, të cilat ia forcuan dashurinë për kolegët dhe qytetin. Ai i gëzohej jo vetëm ndërtimit të godinave të mëdha si Hotel Turizmi, Kinemaja, Pallati i Kulturës, Stadiumi, godinës së gjimnazit, kopshteve të fëmijëve dhe shkollave fillore, por dhe çdo apartamenti nëpër pallatet e rinj për strehimin e banorëve. Kuksi i Ri ishte i vetmi qytet në Shqipëri që nuk kishte asnjë lloj prone private. Ai u rrit sa tre fishi i qytetit të mbytur. Zhvillimi i industrisë, ndërtimi i fabrikave të ndryshme kërkoi që në qytetin e ri, krahas banorëve të qytetit të mbytur erdhën dhe shumë banorë të rinj nga fshatrat dhe qytetet e ndryshëm të atdheut.
Faqet ku jepen të dhënat biografike të ingjinierëve dhe teknikëve të ndërtimit janë pajisur dhe me fotot e personave kur ishin diplomuar, ose gjatë viteve të punës. Të gjithë kanë pamje të këndshme dhe dinjitoze, çka dëshmon se Kuksi me rrethinat ka tokë pjellore dhe klimë të shëndetshme, ku bijtë e popullit tonë formuan gjatë shekujve tiparet racore që na nderojnë.
Objektiviteti i studimeve të Ymer M. Domit bie në sy edhe në pjesët ku ai trajton kontributin e banorëve të fshatrave të krahinës së Lumës gjatë Luftës Antifashiste në vitet 1939-1944. Autori tregon se lumjanët, ku bëjnë pjesë dhe banorët e Imishtit e të Domajt, morën pjesë aktive në radhët e ushtrisë partizane, por edhe në radhët e nacionalistëve të ndershëm si Muharrem Bajraktari. Studiuesi Domi nuk e lë pa e përmendur faktin e çeta e madhe e Muharrem Bajraktarit u krijua e luftoi para forcave partizane kundër pushtuesve fashistë italianë dhe më tej luftoi edhe kundër pushtuesve nazistë gjermanë, por forcat partizane e shpallën atë çetë tradhëtare pa bërë asnjë tradhëti. E luftuan pabesisht, deri sa Muharremi u detyrua ta shpërndante atë, kurse vetë të arratisej e të jetonte në Bruksel të Belgjikës, ku më vonë shkoi dhe Gjeneral Preng Pervizi, një tjetër nacionalist i pavarur me origjinë nga Kurbini.
Tri librat studimore të Ymer Domit të ndihmojnë të krijosh një ide të qartë për historikun e krijimit dhe lëvizjen e banorëve të qyteteve Kukës e të fshatrave Imisht e Domaj. Të tillë studime janë të nevoshëm të shkruhen sot për çdo fshat e qytet, sepse vendi ynë po përjeton lëvizje të mëdha demografike dhe zhvillim të ri ekonomik. Po të mos shkruhen sot të tillë studime, në të ardhmen do të jetë shumë vështirë të shkruhen historikët e tyre, mbasi shumë fshatra malore po zhduken dhe po krijohen shumë qendra të reja banimi në zonën bregdetare e fushore të vendit.
Në bisedë me Z. Alban Leka mësova se Kuksi pas vitit 2010 ka bërë ndryshime të tjera shumë të mëdha. Kuksianët e rinj, që emigruan në Angli, po ndërtojnë vila të bukura me gurë të skalitur rreth e rrotull unazës së qytetit. Stadiumi është zmadhuar dhe tek fusha është krijuar një aeroport i madh ndërkombëtar, i cili ka linjë ajrore me Londrën e qendra të tjera të mëdha…