Historia e Shqipërisë së viteve 1943-1944, përgatitur mbi burime britanike, gjermane dhe mbi kujtime të personaliteteve të huaja që jetuan aso kohe në këtë vend. Periudha nga kapitullimi i forcave italiane të pushtimit dhe zëvendësimit të tyre me trupat e Gjermanisë hitleriane, deri në fund të vitit 1944 përbën periudhën e një ballafaqimi ushtarak, politik dhe ideologjik, mjaft kompleks për shoqërinë e këtij vendi
Diskutimi më i debatuar është nëse kjo fazë e historisë, është karakterizuar nga një konflikt, luftë me karakter çlirimtar apo është përiudha e një lufte civile? Përgjigja e kësaj pyetjeje ka qenë përherë e vështirë mbasi, Shqipëria 1943-44 ishte një vend i kontrolluar ushtarakisht nga një ushtri e huaj, ndonëse numerikisht jo aq e qenësishme (vetëm 2.5 divizione të pranishme), e cila zbatoi ndaj këtij vendi një politikë të pangjashme dhe pa shembuj analogë në raport me të gjitha vendet e tjera që ajo kishte pushtuar: njohu pavarësinë e vendit, neutralitetin, kufijt maksimalë të Shtetit të endërruem nga nacionalistët shqiptarë dhe u dha autonomi të plotë autoriteteve shqiptare që u thirrën për të administruar vendin: liri të plotë veprimi në planin e politikës së brendshme. Ndërkohë që në vend (shteti ishte gati në kufijt etnikë në Veri dhe në Lindje) ndodheshin divizione me ushtarë të huaj, nga Gjermania, Turkmenistani dhe Armenia, që nga koha e pushtimit të urryer italian në mbarë popullatën ekzistonte një lëvizje e organizuar në mënyrë fillestare nga ana e forcave antifashiste, por edhe komuniste.
Pushtimi italian i vitit 1939 kishte shkatërruar shtetin shqiptar dhe kishte vënë në tronditje të thellë balancën e strukturës tradicionale të këtij vendi, duke nxitur lindjen dhe përforcimin gradual të forcave të ekstremit të majtë. Lëvizja antifashiste dhe antiitaliane, fillimisht ishte me shumë përbërës politikë, socialë e krahinorë, por që me kalimin e kohës, sidomos me ndërhyrjen në shkallë të gjërë të agjentevë jugosllavë brenda PKSH, filloi të diferencohej. PKSH në rrjedhën e verës së vitit 1943 dhe sidomos vjeshtës së po atij viti, do të largojë gradualisht maskën bashkëpunuese dhe gjithpërfshirëse dhe do të fillojë gradualisht, por në mënyrë të qendrueshme, një politikë radikale, intransigjente brenda FNÇ dhe LNÇ, që do shkaktojë një diferencim të thellë politik brenda organizatës, do të minojë të gjitha përpjekjet e brendshme dhe të britanikëve për një marrëveshje me konsensus të gjërë antifashist edhe me BK dhe elementët e parësisë së vendit, e cila do ta shndërrojë përpjekjen çlirimtare në një pjesë jo të qënësishme të aktivitetit ushtarak të LNÇ, do të thyej dhe shkatërrojë përpjekjen për gjetjen e një zgjidhjeje gjithpërfshirëse për Shqipërinë post gjermanike dhe do të zhvillojë më qartësisht brenda segmentit historik nëntor-dhjetor 1943 deri në dhjetor 1944, janar 1945, një luftë të mirëfilltë civile kundër të gjithëve pa dallim, e cila do të bashkëshoqërojë luftën për çlirim.
Lufta civile është zhvilluar paralelisht me aktivitetin luftarak çlrimtar kundër ushtrive gjermane, ka pasur në njërën anë ushtrinë dhe forcat e LNÇ (të “pastruara” nga nacionalistët) të komanduara nga Enver Hoxha, PKSH dhe emisarët jugosllavë, me bazament themelor në Shqipërinë e Jugut, dhe nga ana tjetër, gradualisht të gjithë pjesën tjetër të grupimeve shoqërore shqiptare, të gjitha forcat politike, individët, bashkësitë qytetare dhe përgjithësisht të gjithë Shqipërinë e Veriut, përfshirë Malësinë, Kosovën dhe viset shqiptare në Maqedoni.
E gjithë Shqipëria e Veriut operonte mbi një jetë tradicionale, nën drejtimin e prijësve krahinore, Kishës Katolike dhe komuniteteve të tjera fetare, dhe nuk kishte asnjë lloj afiniteti me komunizmin e propaganden e tij për shkatërrimin e rendit shoqëror ekzistues. Kjo pjesë e Shqipërisë, më e kamur ekonomikisht (përfshihej Tirana, Shkodra, Durrësi, Gjakova, Prizreni etj) prirej të mbante një qendrim pritës në rezultatin e konfliktit botëror për Shqipërinë në tërësinë e trojeve të saj dhe i kanë konsideruar komunistët, si pjesë e një network-u që lidhte me ushtrinë e Titos dhe atë sovjetike e për rrjedhojë të papranueshëm për skemën e tyre të qendrimit politik.
Para agresivitetit të forcave partizane e komuniste me bazament në fshatarsinë, rrezikut që paraqiste rritja e tyre numerike për rendin e gjërave në Shqipëri, kapercimit të mundshëm të përpjekjes çlirimtare drejt një revolucioni social me frymëzim sovjetik, elita tradicionale e vendit, në mënyrë të vetvetishme, por të pamenduar saktë strategjikisht, ndoqi taktikën e pritjes, gjetjes së strehes, duke mos u vendosur në ballafaqim ushtarak me ushtrinë gjermane, duke ruajtur forcat për t’i bërë ballë rritjes së paparashikueme të dispozitivit radikal majtist projugosllav.
Kjo për mendimin tim ka qenë një qasje jo realiste. Strehimi nën “kapelen” e një pushtetit të ri tranzitor nën okupacion, ose qendrimi nën një neutralitet e pritje, pa arritur dot të ndërtosh një konsensus të gjërë të forcave patriotike të Polit të Lirisë, ndërkohë që balanca ndërkombëtare e luftës po shkonte qartësisht drejt humbjes së Boshtit, do rezultonte shkatërrimtare për ata dhe për Shqipërinë e vjetër. Në vend të përbashkimit në kohën e duhur nën një front jo komunist me ndërlidhje me bllokun perëndimor të Aleancës Antifashiste, elita shqiptare u ç’orientua dhe forca e saj politike dhe ushtarake, zyrtare dhe private, u dezintegrua nën egërsinë revolucionit të rinisë komuniste që vuri në lëvizje fshatarsinë nga Jugu i vendit.
Më shumë se sa Luftë Nacional Çlirimtare, lëvizja e ushtrisë së Enver Hoxhës ka qenë, sikurse edhe ai e ka pranuar shumë herë, një Revolucion i Mirëfilltë Komunist, që për mendimin tim kompromentoi në fillesë procesin çlirimtar, që edhe pa luftën e tyre aq barbarisht të programuar, do të kishte ardhur, madje më paqësisht, drejt lirisë.
Revolucioni Komunist, i adresuar kryesisht kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë të ndryshëm politikisht, me pas kundër gjermanëve, i zhvilluar në rrethanat e një procesi tërheqjeje të vazhdueshme të forcave naziste nga Ballkani, pati në themel të vetin një përmbajtje të thellë të luftës civile, ndoqi me rreptësi, me saktësi, vendosmëri dhe largpamësi përfekte, një axhendë të jashtëzakonshme masash. Këto masa të LNÇ-së çuan atë drejt ndërtimit të një pushteti tipik sovjetik e revolucionar, që nxori jashtë nacionalistët, drejt pushtimit dhe masakrimit të popullsisë së pafajshme civile të Shqipërisë Qendrore e Veriore dhe drejt pjesmarrjes aktive bashkëpunuese në procesin e rishkëputjes së Kosovës, Malësisë dhe pjesës veriperendimore të Maqedonisë nga Shqipëria.
Në vend që 17 nëntori dhe 29 nëntor 1944 të festoheshin si dita e çlirimit dhe e largimit të ushtarëve të huaj të një ushtrie pushtuese, ato ditë u shndërruan në ditët më ogurzeza të fillimit të një ankthi të madh për të ardhmen e mijëra e mijëra shqiptarëve normalë, të fillimit të një ndryshimi të thellë strukturor të shoqërisë shqiptare, në ditët e shkatërrimit të arritjeve ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore, intelektuale dhe qytetare të arritura nga Shkodra dhe Shqipëria e Veriut në përgjithësi, Tirana, Durrësi, Korça, Gjinokastra, Berati, Gjakova Prizreni dhe qendrat e tjera urbane me zhvillim të rëndësishëm të qytetnimit shqiptar. Me një fjalë, u shkatërrua sistemi pararëndës dhe nënsistemet përbërëse të shoqërisë shqiptare. Sistemi që kasta e Enver Hoxhës imponoi që gjatë 8 muajve para tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria dhe Kosova dhe pas këitj procesi, ka qenë një sistem ushtarak, një diktaturë sovjetike me gishtin në këmbëzën e pushkës. Për rrjedhojë, Shqipëria, pas 29 Nëntorit kaloi nga një rregjim autoritar nën pushtim në kohë lufte, në një regjim totalitar të tipit stalinist, që fshiu lirinë, sistemet dhe nënsistemet: sistemin konstitucional pararandës, sistemin ekonomik bazuar në liberalizmin, sistemin e pronësisë dhe së drejtës, nënsistemet krahinore, parësinë hierarkike të krahinave, rolin e Kishës Katolike, Orthodokse dhe Komunitetit Musliman Shqiptar mbi jetën e bashkësive, strukturën shoqërore pasurore, etj.
Pozicioni i forcave nacionaliste dhe qeverisë së Mehdi Frashëri
Invadimi gjerman i Shqipërisë ndodhi në një moment kur pjesa më e madhe e vendit, për shkak të propagandës së Aleatëve, prisnin që me kapitullimin e Italisë, të ndodhte zbarkimi i menjëhershëm i trupave anglo-amerikane në Shqipëri. Përpjekje të mëdha u bënë nga britanikët për të koordinuar të gjitha palët, përfshirë edhe divizionet italiane por oportunizmi politik i partive shqiptare, rivalitetit i tyre tradicional, mos kuptimi i saktë i momentit në të cilin kalonte vendi, bënë që avantazhet që mund të merreshin, të eleminoheshin shumë shpejt, sikurse asgjë të mos ekzistonte dhe vendi të shkonte në një anarki të brendshme politike, ushtarake, nga e cila do të dalin gradualisht fitmitarë komunistët, rrenimtarë të të gjithëve dhe të Shqipërisë vetë.
Sipas analistëve të SOE, trajtimi që gjermanët u bënë shqiptarëve menjëherë pas invadimit të trupave, ka qenë delikat i kujdesshëm, nisur nga tre shpjegime themeltare që ato kishin në rastin e Shqipërisë: së pari, trashëgimia e miqësisë që shqiptarët ndjenin për trupat austriake gjatë LPB, së dyti, gjermanët vinin si pasues të trupave pushtuese italiane mjaft të urryera në vend, dhe së treti, nga njohja e mirë që gjermanët kishin për politikën shqiptare. (PRO.HS 7/70, S.O.E History 37/B, Allied Military Mission, Albania 1942-1945, part I faqe 5). Gjenerali gjerman që drejtoi forcat e pushtimit, kërkoi falje publikisht që hyri në Shqipëri pa trokitur, premtoi pavarësinë e plotë politike të Shqipërisë, garantoi ruajtjen e tokave të aneksuara të banuara nga shqiptarët në ish Jugosllavi, avantazhe të ndryshme tregtare dhe financiare të ofruara me anë të marrëveshjeve.
Në kuadrin e njohjes së pavarësisë së mirëfilltë të Shqipërisë, Gjermania do ta ndihmonte këtë vend për të ndërtuar ushtrinë dhe xhandarmërinë e saj të veçantë në mbrojtje të kujfijve etnikë. Përndryshe, trupat gjermane, sipas deklarimit të tij, do të ishin në Shqipëri thjesht për nevojat e veta ushtarake dhe se shqiptarët do të ruanin krejtësisht qartë neutralitetin e tyre në këtë periudhë qendrimi. Fabula politike e Gjermanise hitleriane u besua nga nacionalistët, ose së paku u përpoq të përshtatej për interesat e paqesimit të vendit. Pushtimi i Shqipërisë nga ana e Gjermanisë pati në fakt dy objektiva kryesore, së pari synoi mbajtjen e hapur të rrugëve të komunikimit për të lehtësuar shtypjen e lëvizjes gurrile në rritje e sipër dhe për të siguruar shfrytëzimin ekonomik të vendeve të pushtuara dhe së dyti, për të vendosur dhe ruajtur një sistem të përshtatshëm të mbrojtjes bregdetare që mund të përballonte një invasion të mundshëm të trupave aleate.
Gjermanët nuk krijuan në Shqipëri një administrate konkrete ushtarake të ngjashme me atë që kishin ndertuar ata në momentin e pushtimit të Francës, Belgjikës apo Serbisë.Kjo sepse politikat gjermane në Shqipëri u udhëhoqën nga parimi bazë që ky vend duhej respektuar si i pavarur dhe asnjanës (rasti i mbrojtjes dhe paprekshmërisë së hebrejve në Shqipëri tregues i pavarësisë së autoriteteve shqiptare në vendimarrje), dhe ky parim, sipas shumë analistëve të kohës, dhe deshmitarëve, u respektua në një masë të madhe, me gjithë hapësirën e kufizuar të kuptimit të kësaj sjelljeje të çuditshme e të pangjashme.
Asamblea Nacionale emëroi Këshillin e Regjencës së përbërë nga Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Patër Anton Harapi dhe Fuad Dibra. Këshilli i Regjencës emëroi si kryeministër Rexhep Mitrovicën, i cili zgjodhi një kabinet ministror me aprovimin e Këshillit, të cilën e themeloi me datën 20 nëntor 1943, gjë që përkon edhe me kalimin e kompetencave edhe në kampin gjerman, nga Ushtria (Zyra e Gjeneralit Drejtues Gjerman në Shqipëri, DGA (Deutscher Bevollmächtigter General in Albanien) tek institucioni civil, Ministria e punëve të jashtme e Gjermanisë. (Komisioneri i Posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme (Sonderbevollmächtigter des Auswärtigen Amtes für den Südosten). Duke u përpjekur të respektojë statusin neutral të Shqipërisë, ky institucion u përpoq të kufizonte ndikimin ushtarak gjerman mbi qeverinë e administratën shqiptare kudo ku ishte e mundur. Analistët britanikë mendojnë se nuk bëhej fjalë për figura progjermane, por ata më së shumti janë nisur nga deshira për të shpëtuar vendin nga anarkia.
Nën presionin e propagandes gjermane, por mendoj edhe nisur nga një seri rrethanash të përceptimeve individuale të forcave nacionaliste të parësisë së vendit, duhet të pranojmë se grupimet sociale shqiptare të traditës e mbështeten qeverinë. E mbështeten si një shpresë për ripërtëritje shtetërore, duke ruajtur forcat e brendshme nga ballafaqimet me një ushtri hitleriane që do të kishte sjellë katasrofa për të gjithë.
Në kuptimin e forcave nacionaliste, invadimi gjerman nuk ishte realisht pushtim, por thjesht një mbushje e frontit mbas tërheqjes së Italisë. Në kontekstin ndërkombëtar, Gjermania naziste ishte pushtuese kudo ku kishte vendosur prezencën e saj. Pyetja është: po në rastin e Shqipërisë? Si shpjegohet që figurat më të rëndësishme të elitës së Kombit, etërit dhe bijtë e etërve të Kombit mbajtën një qendrim paqesues ndaj invadimit dhe besuan në oferten gjermane? A mund të konsiderohen kuinslinge figurat më të rëndësishme të elitës intelektuale e patriotike, më të sprovuara shqiptare, që ndoqën një qasje të tillë krejtësisht të pangjashme? Pas kujt do të duhej të shkonin shqiptarët: pas Frashërllinjve, Lef Nosit, Pader Anton Harapit dhe djalit të Aqif Pashës, apo pas një njeriu të panjohur që operonte sipas urdhërave të delegatëve të komunistëve jugosllavë, me objektiva kryesisht rrënimtarë të rendit të gjera shekullore në Shqipëri?
Në këndvështrimin tim, ata që morën përsipër të drejtojnë Shqipërinë, të ndalonin gjakderdhjen e brendshme, dhe zbusnin përplasjen e një makinerie ushtarake shfarosëse mbi popullin, kanë marrë një vendim që vetëm patriotët idealistë, burrat trima të kombit mund ta ndërmerrnin; atë vendim nuk mund ta ndërmerrnin majtistët, servitorët e sovjetizmit, aventurierët, batakçinjtë dhe ushqyesit e vëllavrasjes së kombit. Atë mund ta ndërmerrnin vetëm mendjet më të pastra dhe më fisnike, ata që ishin mësuar përjetësisht, me ideal e për traditë përsonale dhe familjare, të sakrifikoheshin.
Nga paragrafi që do jap më poshtë, kuptohet se ata e kishin të qartë se dalja në ballë të stuhisë mund të ishte fatale për karrieren e jetët e tyre personale, sa edhe ishte rreziku që kanosej mbi perspektiven e Kombit e Shtetit në liri, nën projektin e mundshem sovjetik të Enver Hoxhës. Ata e kishin të qartë se përqindja e suksesit të ndalimit të përplasjes fatale të nazizmit dhe komunizmit mbi komb e shtet, ishte minimale, por dinin se edhe ajo përqindje e vogël e shpresës për shpëtim kërkonte heronjtë e vet dhe do të duhej të shfrytëzohej, si last chance to survive. Ata mbase gabuan për vehten e tyre, por ata bënë veprimin e heronjve, e të sakrifikuarve në rrethanat e një paqartësie dhe kaosi total në vend. Këtë e bënë me koston e prozhmimit të përhershëm e të përjetshëm nga politika e ditëve vijuese, por me vetmohimin e heronjve ata kanë besuar se historia një ditë do t’i kuptojë dhe rivlerësojë.
Padër Anton Harapi në fjalimin programatik me rastin e betimit të tij përpara parlamentit me 13 janar të 1944-e tregon krejt qartë pse e pranoi detyrën e regjentit: “E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkijet…nuk dojshem të krijohej nji Babiloni shqyptare me luftë vllavrase qi zhgatrronte katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet…ndjeva mëshirë, si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni…Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’eme për çashtjen e perbashket? Le të ndodhë ajo qi ka me ndodh, thashë me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnia!…E fillueme me nji poezi e po e perfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujdo…e vetmja gja m’u bamun asht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë fajtorët të mos bajnë ma dame…Nuk duhet të ekzistojnë filogjerman, anglofila apo italofila. Duhet t’jena veç shqyptarë…”
PKSH nga ana e vet, e konsideroi pushtimin gjerman njëlloj të rrezikshëm si ai italian, ndërkohë që forcat nacionalistë bënë ndryshimin mes tyre për një seri rrethanash të kuptimit të ndryshëm dhe vlerësimit nisur nga një seri kriteresh historike, dhe politike të brendshme, të ndryshme me komunistët. Nga pikpamja e strategjisë e rrethanave të pozicionit të neserm ndërkombëtar të Shqipërisë në kampin antifashist dhe prirjes së rezultatit të Luftës së Dytë Botërore, qasja e nacionalistëve ishte ndoshta jo realiste. Por kjo përzgjedhje ka qenë e vetëdijshme si risk, e imponueme dhe ka ardhur për shkak të prioritetit që ata i kanë dhënë shmangies së rrezikut komunist, shkatërrimit të shtetit dhe ndalimit të përplasjes së një makinerie shkatërrimtare naziste mbi popullin. Në këtë pikë ata nuk arritën të bënin vlërësimin edhe të situacionit social në Shqipërinë e Jugut dhe nivelit të shplarjes së trurit që kishin ushtruar komunistët mbi fshatarsinë e Toskërisë: fatale për të ardhmen e vendit e të kombit në liri.
Historia e Shqipërisë së viteve 1943-1944, përgatitur mbi burime britanike, gjermane dhe mbi kujtime të personaliteteve të huaja që jetuan aso kohe në këtë vend. Periudha nga kapitullimi i forcave italiane të pushtimit dhe zëvendësimit të tyre me trupat e Gjermanisë hitleriane, deri në fund të vitit 1944 përbën periudhën e një ballafaqimi ushtarak, politik dhe ideologjik, mjaft kompleks për shoqërinë e këtij vendi
A ishte lufta civile tipari percaktues i segmentit kohor 1943-1944?
Mendoj se ka qenë tipar i rëndësishëm bashkëshoqërues i luftës çlirimtare gjatë gjithë segmentit kohor të pushtimit gjerman të Shqipërisë dhe i procesit të ballafaqimit të UNÇSH e tërheqjes strategjike së trupave gjermane, përmes Shqipërisë, nga jugu i Ballkanit. Kjo sepse, PKSH nën udhëzimin e drejtpëdrejtë të legatëve komunistë jugosllavë, prishi njësinë përbashkuese dhe gjithpërfshirëse të FNÇ dhe e shndërroi atë, në verën e vitit 1943, në rrethanat e kolapsit italian, nga një organizëm i bashkimit mes shqiptarëve në luftën për përballimin e sfides së mbijetesës në Luftën e Dytë Botërore, në një organizëm politik e ushtarak të majtizmit ekstrem, që eleminoi njësinë përballuese të krahëve antifashistë të shoqërisë shqiptare.
Në rrjedhën e muajit gusht 1943, fillimisht u prish kompromisi i arritur në Labinot me 8 korrik 1943, që konsolidoi FNÇ, u prish edhe Marrëveshja e Mukjes, e realizuar pas mbledhjeve të njepasnjëshme mes Abaz Kupit, Ymer Dishnicës, Myslim Pezës, Mustafa Gjinishit nga FNÇ dhe Mithat Frashërit dhe Hasan Dostit nga BK, me ndërmjetësimin e Ihsan Toptanit. Përpjekjet për krijimin e një Komiteti Provizor, mbi bazën e përfaqësimit të barabartë fillimisht u zgjatën në kohe nga ana e KQ të LNÇ, derisa në fillim të shtatorit 1943, Enver Hoxha e hodhi poshtë tërësisht Marrëveshjen e Mukjes mbi bazën e dy arsyetimeve kryesore: 1.Rëndimi i balancës së Komitetit, të projektuar nga ana e djathtë e spektrit politik të vendit, sipas llogaritjeve të Enver Hoxhës; 2.Duke qenë se BK dilte me parullën e “një Shqipërie të Pavarur” për të cilen KQ i LNÇ nuk binte në një mendje, mbasi si koncept përfshinte edhe trevat shqiptare të riintegruara në Shqipëri nga Blloku italo-gjerman dhe kjo binte ndesh PKJ, e cila komandonte tërësisht linjën politike të komunisteve shqiptare.
Duhet të kujtojmë se pas kolapsit të Italisë dhe ardhjes së trupave gjermane, ka ekzistuar si opsion edhe zbarkimi i aleatëve perëndimore në Shqipëri dhe në Ballkan. Kjo do të thoshte që forcat nacionaliste të përforcoheshin dhe të projektoheshin drejt pushtetit në periudhën post LDB. Për rrjedhojë, projekti jugosllav dhe komunist për një rikthim të Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913, do të vihej në një pikëpyetje. Në këto rrethana, PKSH që drejtonte LNÇ urdhëroi në shtator të viti 1943, fillimin e luftës kundër organizatave politike rivale shqiptare.
Anëtarët e misionit ushtarak britanik kanë siguruar një kopje të urdhërit direktiv lëshuar prej KQ të LNÇ. Sipas kësaj direktive: së pari, ishte e nevojshme që në rast të një zbarkimi në Aleatëve në Shqipëri, Këshillat Nacional Çlirimtare duhej të ishin institucionet që ta kishin situatën nën kontroll në Shqipëri; së dyti, LNÇ duhet ta paraqiste BK para popullit si shkaktar i Luftës Civile dhe duhej të nxiste të gjithë popullin për ta bërë këtë organizatë, përgjegjëse para historisë si përçarëse të popullit shqiptarë; së treti. Komitetit Qendror bënte thirrjen që «ne duhet të luftojmë Ballin Kombëtar kudo. Nuk ekziston ma çështja e bashkimit me ata, por vetëm lufta, njëlloj si ajo që jemi duke zbatuar kundër elementeve të tjerë reaksionarë”. Së katërti, populli duhet të bëhej të besonte se reaksioni ishte një instrument në duart e armikut dhe lufta e jonë kundër tyre (reaksionarëve) nuk ishte një luftë ideologjike. Në kuadrin e kësaj taktike të re dhe ndryshimit thelbësor të situatës, u bë çdo përpjekje nga ana e LNÇ për të parandaluar që misioni aleat të kontaktonte me organizatën e Ballit Kombëtar.
Ky dokument konsiderohet nga analistët e SOE, si urdhëri i fillimit të Luftës Civile në Shqipëri dhe përgjegjësia e parë e drejtpërdrejtë bie mbi drejtuesin komunist të LNC, Enver Hoxha, i cili siç duket se e lëshoi këtë urdhër nën ndikimin dhe nën bashkëpunimin reciprok me përfaqësuesit e PKJ pranë shtabit të tij. Kjo ka qenë taktika që ai filloi për ç’orientimin e shkatërrimin e BK, e më pas edhe të organizatave dhe individëve të tjerë, hipotekisht kundërshtarë armiq.
Të njëjtën taktikë do të përpiqet ta ndjekë Enver Hoxha më vonë edhe ndaj Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Gani Kryeziut (PRO.FO.371.48110) dhe (PRO.FO.371.48110, R.10027, Major Boxshall to Mr La, Encloses memorandum signed by Brigadier Hodgson dated May 20th 1945, regarding Gani Kryeziu’s past and his activities with B.L.O’s) e të tjerëve, kur, sidomos Kupi, mbetej pengesa e fundit drejt pastrimit të rrugës së pushtetit në veren dhe vjeshten e viti 1944.
Lufta civile në mes LNÇ dhe BK filloi zyrtarisht gjatë muajve nëntor-dhjetor 1943. BK dhe elita e Shqipërisë së vjetër, në mënyrë të pavetëdijshme, por edhe për rrethana objektive, munguan të organizoheshin politikisht dhe ushtarakisht fuqishëm, në linjë politike pro britanike, në koalicionin kundër fashizmit (bën përjashtim pozicioni i Gani Kryeziut të Gjakovës, Abaz Kupit dhe Ihsan Toptanit. Nuk duhet të harrojmë se Kosova ishte nën Shqipëri). BK është munduar të ruajë forcat e veta për të nesermen e largimit të gjermanëve, por me një llogari krejtësisht të gabuar dhe shumë hapa prapa taktikave dhe strategjive mjaft të stërholluara dhe tinzare të komunistëve shqiptarë të Enver Hoxhës. Madje, letra e 7 tetorit 1943, e Mithat Frashërit bënte thirrje për pushimin e plotë të luftës kundër forcave gjermane, që tregonte naivitetin dhe mungesen e nuhatjes politike në terrenin shumë të ndërlikuar shqiptar të kohës, pamundësisë për të vlerësuar situatën sociale e ekonomike në vend dhe precepitimin e pakënaqësisë popullore në të gjithë Shqipërinë e Jugut.
Ka qenë ndërhyrja e Misionit Aleat Britanik që ndërmjetësoi tek BK dhe Mithat Frashërit, me 11 nëntor 1943 të bindte atë, të rifillonte luftën pa kompromis kundër gjermanëve. Por sapo BK e nënshkroi këtë deklaratë dhe pritej nënshkrimi nga ana e palës së komunistëve, Enver Hoxha bëri prishjen e dytë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga britaniket dhe njoftoi se do ta rifillonte luftën kundër partisë rivale të BK.
Ky ka qenë hapi i dytë fatal që çoi drejt përshkallëzimit të Luftës Civile dhe drejt një ndarjeje të thellë mes partive politike shqiptare, që frikësoi anëtarët e kësaj organizate, shkaktar i vendosjes nën pozicionin bashkëpunues të BK me autoritetet e pushtimit.
Drejtuesit e BK shihnin tek komunistët shqiptarë të drejtuar nga Enver Hoxha, siç edhe ndodhi më të vertëtë, rrënuesit e rendit tradicional të gjerave në Shqipëri, servitorët e një projekti jugosllav për rikthimin e Kosovës, Malësisë dhe trevave shqiptare në Maqedoni, nën Jugosllavinë e drejtuar nga PKJ. Dhe në këtë pikë ata janë mirëkuptuar edhe nga britanikët, që gjithsesi ishin të interesuar për fillimin e luftës sa më parë kundër forcave gjermane. Kjo ka qenë pika e ndarjes mes britanikëve dhe BK. Kësisoj BK filloi të shihte tek autoritetet zyrtare të instaluara në Tiranë, një rrezik me të vogël se sa rreziku sllavo-komunist që i rrezikohej Shqipërisë post gjermanike.
Duke mbetur në këtë pikë të vdekur që do t’i çonte edhe ata drejt vdekjes politike në jetën e brendshme shqiptare, pa mundur dot të shikojnë mundësinë e një pozicionimi të ngjashëm me atë që mbajten Gani Kryeziu, Ihsan Toptani apo Abaz Kupi, të themelimit të një aleance të vertetë me misionet perëndimore në Shqipëri, Balli Kombëtar me Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, Ali Këlcyrën, njëlloj si Drazha Mihajllovici në Serbi, ra pre e taktikës së sterholluar dhe djallëzore të Enver Hoxhës dhe Josip Broz Titos: u vonuan në marrjen e masave bashkëpunuese me të gjitha forcat elitare të Shqipërisë, për të krijuar një front të fuqishëm jo komunist, por antifashist, vonuan në kërkesën për bashkëpunim me anglo-amerikanët, nuk kuptuan rrënimin e vegjëlisë së Shqipërisë së jugut dhe ia lanë në dorë Enver Hoxhës shansin të hynte i pari në lojën manipuluese të potencialit shkatërrimtar të rinisë fshatare të varfëruar në ekstrem, sidomos në Jug të vendit.
Në muajin shkurt 1944, në konferencën e mbajtur në Berat, BK shpalli zyrtarisht se armiku kryesor i partisë ishte LNÇ. Paralelisht me këtë deklarim, por jo zyrtarisht, BK u bë mbështetësja kryesore e qeverisë së Rexhep Mitrovicës. Me ndihmën financiare të qeverisë u ngrit deri edhe një administratë krahinore e BK dhe e njësive të xhandarmërisë, si pjesë plotësuese e makinerisë qeveritare, të cilët bashkëpunuan me forcat e armatosura gjermane në veprimet e tyre kundër LNÇ.
LNÇ nga ana e vet i vuri vetes si qëllim që të paraqisnin të gjithë opozitën ndaj saj, si Balliste. Por, në mendjen e popullit të thjeshtë, shkalla e propoganduar nga ana e LNÇ për bashkëpunimin e BK me gjermanët, shihej si diçka krejtësisht e ekzagjeruar. Në të vërtetë BK kombëtar veproi kundër LNÇ si organizatë politike ideologjike dhe ushtarake. Nga 1 shtator 1944, kur LNÇ u përforcua dhe po shkonte qartësisht drejt pushtetit, BK dhe Legaliteti, deri vonë në armiqësi të heshtur, u përzien me njëri tjetrin dhe krijuan edhe një Komitet të Përbashkët Ushtarak, por atëherë ishte tepër vonë.
Komunistët po vinin me të vertetë në pushtet dhe gjermanët po linin hapësirën bosh në tërheqje strategjike, më shumë se sa si rezultat i Luftës së LNÇ, e cila ishte përqendruar më së pari në objektivin e marrjes së pushtetit dhe luftën e pa kompromis ndaj dy grupeve rivale politike. Vetë përparimi i komunistëve në Veri, nuk është realizuar përmes goditjeve strategjike, por permes një ecjeje malore duke goditur forcat nacionaliste. Duhet të theksojmë se BK nuk ka qenë në luftë kundër gjermanëve dhe per forza i është dashur të luftojë kundër LNÇ, por nga ana tjetër ajo organizatë nuk ka qenë kundër britanikëve dhe aleatëve përëndimorë në luftë. BK është munduar gjatë gjithë vitit 1944, sidomos në rrethanat e kolapsit të Shqipërisë së vjetër, të hynte në lidhje dhe të mbante kontaktet me britanikët, pa luftuar gjermanët, gjë që ishte një qasje e papranueshme për War Office.
Në çfarë raporti qëndron rezistenca kundër pushtuesit me luftën civile?
Enver Hoxha dhe rrethi i tij gënjyen dhe manipuan mbi varfërinë e fshatarit të jugut, mbi vrullin rinor të një populli analfabet, për ta ndërsyer, jo vetëm kundër okupatorit, por edhe ndaj shqiptarëve të tjerë, kulturalisht, ideologjikisht, politikisht e ekonomikisht të ndryshëm. Jeta e vështirë në male e partizanëve, sidomos rrethanat ne dimrit, mungesa e arsimimit, ideologjia që injektohej në mënyrë të pandashme me urrejtjen ndaj shqiptarit të ndryshëm, i bëri ata djem të rinj të pa shkollë, me të ashpër dhe më agresivë. Aq vendosmërisht u injektua fanatizmi ideologjik ndër ata, sa kur erdhi koha që gjermanët po kryenin tërheqjen e plotë strategjike nga Shqipëria, partizanët hynë në Shqipërinë e Veriut, jo si çlirimtarë, por si vjedhës, grabitës dhe dhunues të lirisë e ekonomisë së shqiptarit të thjeshtë, mysafirë të paftuar, njëlloj si pushtuesit. Ata dhunuan shtëpitë dhe jetët njërëzore të shqiptarit të Veriut, ku propaganda komuniste nuk kishte ngjitur fare dhe ku përparimi partizan u konsiderua përherë si pushtim i sllavëve.
Duhet të kemi parasysh se Shqipëria e Veriut ishte Shkodra, kryeqendra ekonomike, kulturore dhe arsimore e Shqipërisë dhe bashkësia e saj qytetare, udhëheqësit fetare të dy besimeve, ishte Kisha Katolike me ndikim tërësor mbi malësitë, Tirana kryeqyteti i Shqipërisë ku ishte mbledhur elita e vendit, Gjakova, Prizreni, Durrës, ishte Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu, Gjon Markagjoni, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, Ihsan Toptani, pasuesit e Gjeto e Dedë Cokut etj. Komunistët i shpallën të gjithë armiq, pavarësisht qendrimeve të tyre specifike dhe kësisoj përspektiva e një Shqipërie post gjermane në paqe, rend e ligj, me shtet të ripërtërirë, ishte e minuar në përspektivë dhe më vonë edhe në realitet.
Perspektiva e një revolucioni të tërbuar dhe shkatërrimi i klasave të kulturuara dhe të arsimuara të Shqipërisë, bashkoi të gjithë elementët politikë në përpjekjen e dëshpëruar për t’u rezistuar djemve me injeksion ideologjik. Problemi ishte se djemtë komunistë e partizanë luftonin edhe gjermanët, (ndërkohë që pjesa më e madhe e elitës kishin mbajtur qendrim pritës, paqësues deri edhe bashkëpunues) për rrjedhojë qenë të vendosur strategjikisht me aleatët prag-fitimtarë, që ishin të interesuar për mbylljen sa më parë të luftës me gjermanët dhe normalisht ndihmën kryesore të luftës e kishin adresuar pikërisht tek forcat partizane, të cilat ishin edhe nga pikpamja logjistike dhe materiale, shumë më mirë të pajisura se nacionalistët.
Klasat e kulturuara dhe ato të vjetra tradicionale, u gjenden të papërgatitura përgjithësisht përpara kësaj situate të rëndë. Qasja e tyre për ta konsideruar kalimtare ushtrinë gjermane dhe për të pranuar politikën e naziste të asnjanësisë, pavarësisë dhe Shqiperisë etnike, rezultoi utopike, jo realiste, para një situate të brendshme dhe të jashtme që precipitonte me shpejtesi, përkundrejt interesave në kthimit të Shqipërisë në kornizën e vet natyrale dhe institucionale të para Luftës së Dytë Botërore dhe aq më pak në kufijtë etnikë.
Me 11 korrik 1944 është bërë një përpjekje të dytë e forcave nacionaliste për bashkim: një takim mes M Krujës, Mark Gjonmarkajt, Fiqiri Dines dhe Abaz Kupit për vetmbrojtje nga armiku i përbashkët komunist. Pas takimit të 11 korrikut anëtaret e qeverisë, forcat e djathta liberale, nacionalistët dhe zogistët kanë qenë në një koordinim të plotë për të përballuar ofensiven komuniste qe drejtohej jo vetëm kundër gjermanëve, por edhe kundër Shqipërisë së djeshme tradicionale, elitës së shoqërisë dhe të fatit të nesërm të një Shqipërie natyrale, kushtetuese dhe liberale.
Si shpjegohet ky bashkëpunim dhe marrëveshje e Kupit, aleat i britanikëve, me ata që konsideroheshin si kolaboracionistë? Kjo ishte rezultat logjik i luftës civile të shprehur qartë . Sipas Julian Amery, bashkëpunimi ishte një zgjidhje, qasje objektive, e vlerësimit qartë të realitetit, do të shtoja unë. Moraliteti politik në një vend të prapambetur si Shqipëria, ku ideologjitë liberale, komuniste dhe fashiste, nuk njiheshin dhe nuk kishin zënë vend, linte vend për një kompromis të tillë, në dukje pa kuptim dhe jo moral, më shumë se sa në Europën Perëndimore. Shqipëria ishte një shoqëri fisesh edhe në këtë kohë, dhe asnjera prej ideologjive të lartpërmendura nuk kishte zënë asnjë lloj rrënjë. Behej fjalë për kompromis në të mirë të shmangies së një katastrofe të kuqe dhe rrënimit të vendosjes nën thundren e komunistëve jugosllavë dhe sovjetikë, që mbrapa do rezultonte i pashmanshëm (shih Julian Amery, Bijtë e Shqipes, Tiranë 2002).
Perpjekja e fundit, për të bashkuar pjesën e kulturuar të kombit dhe për të gjetur një përkrahje britanike, u ba nga Fiqiri Dine dhe Prenk Previzi përmes Abaz Kupit, erdhi tepër vonë. Ata kishin luajtur në mënyrë të pasuksesshme karten gjermane kundër partizanëve dhe kishin humbur. Tashmë ishte tepër vonë strategjikisht për të luajtur karten britanike. Të mbetur pa asnjë përkrahje në një Gjermani që terhiqej, një Britani që s’mund t’i përkrahte strategjikisht e moralisht, ndërkohë që komunistët sulmonin pambarimisht të furnizuar me forca te reja të periferisë së shoqërisë të uritur, zgjidhja për të gjithë ishte e parapërcaktuar.
Qoftë për ata që kishin qendruar në Tiranë për të mbrojtur “Shqipërinë e tyre” duke bërë paqe me gjermanët, qoftë për ata që kishin qendruar në male si Abaz Kupi dhe kishin luftuar kundër italianëve dhe në pritje kundër gjermanëve, qoftë edhe për njërëzit e thjeshtë neutrale që kishin parë punën e vet, por që i përkisnin inteligjencies, klasës së mesme, të pronarëve dhe shtresave të vjetra, pas gushtit 1944 ka pasur vetëm dy rrugë: ose ikje nga Shqipëria, ose gijotina e djemve të Enver Hoxhës dhe Titos, të mbarsur me agresivitet barbarë. Duhet të kemi parasysh se përsa i përket qendrimit zyrtar ushtarak e politik, në Britani në këtë përiudhë triumfoi nevoja e WO për të përshpejtuar largimin e gjermanëve nga Shqipëria, më shumë se sa e ardhmja e Shqipërisë jo komuniste. Kësisoj ky qe bilanci ndërkombëtar që edhe më tutje ndihmoi në furnizmin e mëtejshëm të komunsitëve me armë britanike, me support bashkërendues ushtarak dhe nxitjen e tyre ndaj të gjithëve si efekt kolateral: jo vetëm kundër gjermanëve, por kundër të gjithë kundërshtarëve.
Britanikët nga ana e tyre u mjaftuan vetëm në shpëtimin e ndonjë individi, por aspak të pozicionit të nesërm strategjik të Shqipërisë, për ta mbajtur jashtë ndikimit sovjetik, sic ndodhi me Greqinë.
Enver Hoxha vetë nuk e ka mohuar kurrë objektivin e tij për luftë pa kompromis ndaj të gjithëve dhe në fakt ai ka qenë shumë më i ashpër ndaj shqiptarëve. Fitorja e tij dhe e komunistëve është fitore në kaosin e një populli të varfër, një shteti të shkatërruar nga italianët dhe më pas nga ndërhyrja gjermane, një varfërie ekstreme, e një klasë politike tradicionale të përçarë thellë që u kujtua shumë vonë për të bërë vetëm një gjest të pamjaftueshëm bashkimi, krejtësisht të pabazuem në realitetin që precipitonte çdo orë.
Rezistenca ndaj pushtuesit dhe lufta civile është zgjidhur nga Enver Hoxha, në një formë të përkundërt me idealin antifashist, të lirisë, të konstitucionalizmit, idealin e Qemal Stafës, Vojo Kushit, Alqi Kondit, Misto Mames, Ndoc Mazit, Manush Alimanit, Naim Gjylbegut, Ahmet Haxhisë, Mustafa Gjinishit, etj., idealin e së majtës liberatore, civile e patriotike, për një shoqëri shqiptare më të drejtë dhe për reforma strukturore.
Zgjidhja është bërë krejtësisht përkundër idealistëve të së Majtës, përkundër pritshmërisë së familjeve shqiptare në tërësi, që prisnin një rikthim të Shqipërisë në normalitetin pararëndës, përkundër aspiratës masive antifashiste te një populli tolerant.
Luftën e kanë bërë djemtë e thjeshtë shqiptarë, të pareshtuar apo të rreshtuar, në fundin e pushtimit italian, në muajt tetor nëntor të pushtimit gjerman. Diktatori i ardhshëm do ta ndiqte synimin e tij, ose nga një shtëpi enigmatike në qendër të Tiranës, ose nga zonat e sigurta malore të pakapshme nga askush e të parëndësishme për askend, duke mos u ballafaquar as edhe një herë të vetme me okupatorin. Gjatë operacionit të dimrit shtabi i tij pësoi disfatë të rëndë, por arrriti të mbijetojë dhe përforcohet në rrethanat e degradimit të forcave pushtuese dhe të atyre qeveritare që operuan kundër tyre në mbrojtje të vendit, apo interesave të tyre dhe jo aq të gjermanëve.
Komponenti i luftës civile, për mendimin tim, mbisundoi dhe eklipsoi objektivin e daljes së Shqiperisë pa plagë të mëdha nga pushtimi. Përçarja ideologjike e politike mbisundoi nevojën për rikthim të legalitetit institucional të vendit në kornizën e para 7 prillit 1939. Shqiperia e 29 Nëntorit 1944 do jetë një Shqipëri me përspektive krejtësisht të ndryshme nga ajo që u këput me 7 prill 1939: me strukturë sociale, kulturore dhe krahinore të përmbysur, nënsisteme të shkatërruara, me një luftë civile që do vazhdonte gjatë gjithë vitit 1945 dhe në formë të ftohtë dhe të ashpër për shumë kohë më pas. Kjo luftë civile do të mbisundonte idealin e lirisë dhe çlirimit, mbasi kaloi çdo limit të arsyes çlirimtare ndaj pushtuesit, përfshiu gjithë shoqërinë dhe vendosi nën terror pjesën më të madhe të Shqipërisë së Veriut, e cila nga kjo përiudhë e mbrapa, do të jetë e shkatërruar në strukturen e vet tradicionale, pa elitën pararëndëse dhe nën një pozicion krejtësisht të dhunuar politik në pushtetin e ri komunist të menaxhuar nga Beogradi fillimisht dhe më pas nga Moska, me epiqendër grupimin krahinor të Enver Hoxhës.
Rezultati i luftës do të ndikojë edhe mbi Kosovën, Malësinë dhe trevat shqiptare në Maqedoni, të cilat, me ndihmen e partizanëve shqiptarë me origjinë kryesisht nga Shqipëria e Jugut, do të riintegrohen në mënyrë të dhunshme në shtetin jugosllav gjatë muajit prill 1945 (dmth 5 muaj mbrapa të ashtuquajturit Çlirim), duke mbytur në këtë menyrë çdo përspektive ridiskutuese të fatit gjeopolitik të Shqipërisë pas Luftës së Dytë Botërore, me Shqipërisë dhe Jugosllavisë si dy partnere të barabarta apo edhe në Konferencën e Paqes. Komunistët ia dolën kështu të jenë fitimtarë, për shkak të të gjitha këtyre rrethanave dhe “qartësisë” që ata treguan për të ndjekur me çdo mjet dhe mënyrë, objektivin e çdo partie komuniste, nga e cila ata frymëzoheshin.
Raporti Luftë Çlirimtare dhe Luftë Civile shkon në të mirë të së dytës dhe objektivi çlirimtar dhe i lirisë, konstitucionalizmit, liberalizmit, ruajtjes së balancave sociale e krahinore, madje edhe ideali i së Majtës për drejtësi sociale e liberacion që do ta kishte shoqëruar rreshtimin e Shqipërisë në anën e fitimtarëve me frymë europianiste dhe perëndimore, u kompromentuar tërësisht në fillesë. Vetë ajo çfarë ndodhi pas 29 Nëntorit 1944 në këtë vend është mjaftueshëm për ka konsideruar këtë datë, ditën e largimit të forcave naziste nga Shqipëria, dhe fillimit të një robërimi shumë më të egër për popullin shqiptar. Komunistët që hynë me 17 nëntor 1944 në Tiranë dhe me 29 nëntor 1944 në Shkodër, vepruan si pushtues të vertëtë në votrat e këtyre dy qyteteve paqesore, deriatëherë të lumtura të Shqipërisë, që djemtë dogmatikë nuk i njihnin, madje i urrenin, dhe për ata përbënte një kulture krejtësisht të pangjashme dhe të përkundërt, të cilen do ta shkatërronin së bashku me bazamentin social që e kishte ndërtuar e ushqyer për dekada e shekuj.
Pikërisht për këtë arsye, 5 maji 2014 dhe 29 Nëntori 2014 do të duhet të konsiderohen një moment reflektimi i thellë, data e përfundimit të ndarjes së thellë civile në Shqipëri, ditë që nuk do të duhet më të na ndajnë, por të na bashkojnë, ditë që duhet të kujtojmë të rënët për liri nga nazifashizmi, komunistët e vrarë prapa krahëve nga diktatori, një ditë që duhet të na ndajë përfundimisht nga totalitarizmi, pasuesit e tij fanatikë e trashëgimia e tyre. Mbasi e gjitha kjo nxiti vëllavrasjen dhe tejkaloi aspiraten e lirisë, duke sjellë, pas një pushtimi autoritar fashist e nazist, një robëri totalitale të markës staliniane.
29 Nëntori 2014 duhet të jetë një ditë që do të duhet të kujtojmë viktimat e terrorit të bardhë e të kuq, një ditë që do të duhet të respektojmë mijëra intelektualë shqiptarë që u pushkatuan ose u syrgjynosen dhe vuajtën për atdheun e tyre.
Me 29 nëntor 2014, Shqipëria do të duhet të bëhet gati për të hyrë në Europë si një vend i pjekur dhe me shoqëri të emancipuar mjaftueshëm, që din të analizojë rrugën e saj të vështirë dhe të mundishme drejt njëjtësimit politik e kulturor drejt vlerave të Lirisë, Liberalizmit dhe Demokracisë.
Shqipëria nuk mund të jetë më pre e padronëve të oligarkisë së sotme, produkt i komunizmit të djeshëm dhe korrupsionizmit të sotëm, të mbarsur me urrejtje ndaj forcave të lirisë, shtetit dhe sidomos ndaj elitës së Shqipërisë se djeshme. Qeveria shqiptare duhet të përgatitet që gjatë vitit 2014 të çlirojë Shqipërinë e Shtetin nga padronët e ligësisë dhe hermetizuesit e së vertetës, që duan ta përdorin gjakun e deshmorëvë të antifashizmit për të fshehur, habitur dhe çorientuar Shqipërinë e re drejt europianizmit, duke shkelur njëkohësisht mbi të rënët e terrorit të bardhë të 4 shkurtit 1944 edhe mbi dëshmorët e dhunës së kastës së diktatorit Hoxha. Është koha që nxënësve t’u mësohet historia e vërtetë, por historia e Luftës së Dytë Botërore mbetet pjesa më delikate e gjithë këtij rishkrimi.
Në qoftë se qeveria shqiptare vazhdon të mendojë se komisioni i krijuar enkas, fshehtas e jolegjitimisht për këtë proces të hartimit të teksteve shkollore të historisë, së fundmi, është zgjidhja magjike e Luftës së Ftohtë, ajo gabohet. Gabimi i parë është fillestar, sepse ai komision është krijuar pa asnjë konsultë me forcat historishkruese të këtij vendi dhe abanologët më të mirë të huaj, profesionistët që merren pa ndërprjerje me këtë proces. Se dyti, është një gabim impostimi politik në një proces tërësisht profesional mbasi anëtarësia e komisionit, sikurse edhe e shumë komisioneve të tjera këshillimore pranë dikastereve, të krijuara së fundmi, është mbështetur gati tërësisht mbi majtizmin politik e militant, gjë që është e papranueshme dhe aspak serioze për procesin e vlerësimit të statusit, dhe Zyra e EU në Tiranë besoj se i ka mbajtur shënim, si raste të damshme të gjykimit jo gjithpërfshirës governativ. Së treti, qeveria bën një gabim perspektiv, sepse do ripërsërisë spiralen e kundërshtisë mes opinioneve të pabazueme dhe do zgjasë edhe më tej edhe punën serioze për njohjen e së vertetës për nxënësit shqiptarë.
Komentet