Mbi tre orë homazhe në hollin e Kuvendit të Shqipërisë në nderim të ish-deputetit të PD, Gerti Bogdani, i ndarë nga jeta një ditë më parë si pasojë e një arresti kardiak.
Familjarë, miq, të afërm dhe bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit Bogdanit. Përfaqësues politikë nga të dyja kampet iu bashkuan homazheve.
Grupi Parlamentar i PD mbërriti fillimisht në ambientet e Kuvendit, ndërsa më pas përfaqësues socialistë si Elisa Spiropali dhe Taulant Balla janë paraqitur në homazhe.
Po ashtu Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka marrë pjesë në ceremoninë e homazheve, ndërsa nuk kanë munguar as figura si ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Lulzim Basha apo Enkelejd Alibeaj.
Pjesëmarrës në homazhe ishte edhe Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili e quajti Bogdanin si një model të të rinjve të shkolluar që u kthyen në vend dhe dhanë kontribut në vend.
Ceremonia e dhënies së lamtumirës së fundit të ish-deputetit demokrat u organizua në Parlamentin e Shqipërisë. Arkmorti me trupin e tij të pajetë mbërriti në Kuvend rreth orës 10:00.
Pas përfundimit të homazheve, rreth orës 13.00, Gerti Bogdani u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës.
Seanca parlamentare që ishte programuar të niste të enjten në orën 10:00 është shtyrë në orën 17:00.
Ndërkohë, Partia Demokratike njoftoi se në nder të Gert Bogdanit ka shpallur të enjten ditë zie dhe për rrjedhojë ka pezulluar të gjitha aktivitetet partiake në të gjithë vendin.
Gerti Bogdani ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga 2009 deri në 2017. Ai ka mbajtur edhe postin e kryetarit të FRPD. Kohët e fundit angazhimi i tij ishte i fokusuar në çështjet ndërkombëtare, por duke mos u shkëputur nga zhvillimet politike brenda vendit. Vitin e kaluar Gerti Bogdani ishte pjesë e primareve të PD për Bashkinë e Tiranës.bw