Skënderbeu është një histori suksesi në futbollin shqiptar. Jo vetëm që u shpall 6 herë kampion radhazi në Superiore (paçka se sezoni 2015-2016 iu hoq), por po shkëlqejnë edhe në Europë. Për të dytën herë shkojnë në fazën e grupeve, bëhen ekipi i parë shqiptar që kalon 4 ture, korr një “mal” me parà dhe shet lojtarët.
Një projekt i nisur herët, por që në 3 vitet e fundit ka dhënë fryte. Arkat e klubit po “tronditen”, pasi përfitimet i bëjnë korçarët… milionerë. Pas kalimit të tureve në Europë dhe shitjet e lojtarëve, kanë arkëtuar diçka më shumë se 12.8 milionë euro. Por këtu nuk po llogarisim as të drejtat televizive, reklamat apo përfitimet e tjera nga biletat.
ZANAFILLA
Gjithçka nis kur Skënderbeu i vendosi qëllim vetes “Europën”. Pikërisht në sezonin 2015-2016 filloi arkëtimi i shumave të mëdha për bardhekuqtë. Pas sigurimit të grupeve të Europa Ligës dhe me fitoren e vetme të arritur në fazën e grupeve, Skënderbeu mundi të përfitojë nga UEFA 6.9 milionë euro.
Kujtojmë që 6.6 milionë jepeshin për kalimin në fazën e grupeve, ndërsa 300 mijë euro ishin “shtojcë” për triumfin 3- 0 ndaj Sportingut të Lisbonës në “Elbasan Arena”. Një vit mungesë (2016-2017) pas dënimit të dhënë prej UEFA-s nuk ia prishi planet skuadrës, paçka se humbje patën. Madje, kohë më parë vetë Ardjan Takaj deklaroi se klubit i ikën nga duart 3.3 milionë euro.
Por, gjithçka u rikuperua këtë verë, ndërsa u rifutën në grupe. Pasi eliminuan Dinamon e Zagrebit, zyrtarisht arkëtojnë një shumë prej 3.3 milionë eurosh, vlerë që e ka trendin në rritje, pasi një fitore shpërblehet me 300 mijë euro dhe një barazim me 120 mijë euro. Dhe kur janë 6 takime për t’u luajtur, në Korçë besojnë se përfitimet do të shtohen.
TRANSFERIMET
Por fitimet nuk janë vetëm nga “qeveria” europiane e futbollit, pasi Skënderbeu u bë klubi i parë që nisi të shesë lojtarë. Dhe me shifra që kurrë nuk ishin dëgjuar. I pari që hapi serinë e largimeve ishte Bernard Berisha. Ai shkoi tek Anxhi dhe klubi përfitoi 300 mijë euro (pavarësisht se atë kohë u fol për 600 mijë). Më pas vjen edhe “goditja” më e madhe. Peter Olainkën ua dhanë belgëve të Gent për 1.1 milion euro.
Por “forcën” në këtë drejtim e treguan me Agim Zekën. Talenti kosovar luajti vetëm me Skënderbeun U-19, por i solli “arkës” 300 mijë euro, ndërsa direkt kaloi te francezët e Lilës. I fundit në radhë është Liridon Latifi, që shton 930 mijë euro pas transferimit në Hungari te Pushkash Akademi. Jo pak, por 4 lojtarë të shitur i shtojnë 2 milionë e 630 mijë euro të fituara në dy sezone.
LLAZI SARO
Komentet