Mbështetja e Iranit për grupin palestinez Hamas është kthyer në qendër të vëmendjes pasi militantët e Hamasit kryen sulme ndaj Izraelit, duke goditur civilë dhe ushtarë, të shtunën e kaluar.
Qindra izraelitë dhe palestinezë janë vrarë ndërsa konflikti përshkallëzohet me shpejtësi. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell sjell më shumë hollësi.
Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit të shtunën zunë në befasi pjesën më të madhe të fuqive të rajonit, por shumë analistë thonë se Irani mund ta ketë miratuar sulmin më përpara.
“Për vite me radhe Irani e ka mbështetur Hamasin përmes financimeve, stërvitjeve dhe pajisejve ushtarake. Vendimet që grupe si Hezbollahu, Hamasi dhe Xhihadi Islamik, apo grupe të tjera, të hyjnë në luftë, mund të merren vetëm me miratimin paraprak dhe në mënyrë të qartë nga Irani. Por kjo është shumë ndryshe nga pohimi se Irani i urdhëroi këto grupe që të ndërmerrnin sulmet”, thotë Lina Khatib, nga Instituti për Lindjen e Mesme SOAS, Univerisiteti i Londrës
Irani i ka cilësuar veprimet e Hamasit si “manifestim i rezistencës”, por ka mohuar çdo përgjegjësi.
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog bëri përgjegjës “një bosht armik me bazë në Iran”.
Zyrtarët izraelitë thonë se nuk ka të dhëna të drejpëdrejta se sulmin e urdhëroi Irani.
“Ky është një operacion që u ndërmorr nga një grup palestinez për arsye të vetë palestinezëve. Hamasi nuk vepron, ose përfaqëson regjimin e Iranit. Edhe pse disa prej interesave të tyre mund të përputhen”, shprehet
Khaled Elgindy, nga Instituti për Lindjen e Mesme në Uashington.
Cili do të ishte ineteresi i Iranit në rindjezjen e konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit?
Aleancat gjeopolitike po lëvizin me shpejtësi. Arabia Saudite dhe Izraeli po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet diplomatike, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Autoriteti palestinez, kundërshtar i Hamasit, po merr pjesë në procesin e bisedimeve.
“Marrëveshja përfshin bisedime mes Arabisë Saudite dhe Autoritetit Palestinez. Hamasi nuk ishte pjesë e bisedimeve dhe ndjeu së pari nevojën për të qenë pjesë e çdo zgjidhjeje në konfliktin izraelito-palestinez. Ndaj po flasim për një kontekst gjeopolitik në të cilin Hamasi dhe përkrahësi i tij, Irani, kërkon të përcaktojë agjendën politike”, thekson zonja Khatib.
Ndërkohë besedimet e Teheranit me Perëndimin mbi rikthimin e Iranit në marrëveshjen bërthamore të 2015 dhe heqjen e sanksioneve, janë ndërprerë.
“Nuk jam i sigurt nëse Irani po kërkon një përballje më të madhe. Ndoshta në thelb është duke kërkuar vëmendje, po përpiqet të bindë fuqitë e mëdha të përfshira në rajon, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, që ta marrin seriozisht rolin iranian në rajon”, shprehet Khalil Jahshan nga Qendra Arabe Uashington DC.
Zonja Khatib thotë se Uashingoni duhet të rishikojë politikat ndaj Iranit.
“Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara është përqëndruar tek çështja bërthamore dhe e ka nënvlerësuar rolin e Iranit në rajon. Them se tani nuk ka dyshime se roli rajonal i Iranit duhet të jetë në qendër të politikave amerikane”.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të dielën se nuk kishte parë ende prova të drejtpërdrejta të përfshirjes së Iranit në sulmin që ndërmori Hamasi.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se reagimi i vendit të tij do të “ndryshonte Lindjen e Mesme”. Ai nuk shtjelloi se çfarë nënkuptonte një gjë e tillë.