Kompozitori i mbi 300 këngëve të muzikës për fëmijë, popullore, të lehtë, operave etj., Pjetër Gaci, do të kujtohet në një koncert nga instrumentistët e Orkestrës së RTSH-së. Koncerti do të jetë nën dirigjimin e Gridi Krajës, në datë 25 mars, ora 19.00 në Universitetin e Arteve. Një nga solistet, e cila do të interpretojë “Koncert për violinë” të Pjetër Gacit, është mbesa e tij, violinistja Elizabeta Dodmasej. Gjatë një bisede me të, ajo na rrëfen kujtimet që ruan nga kompozitori, Pjetër Gaci, si profesor dhe si njeri.
Ajo na tregon se dëshira e tij për violinë ka lindur qysh në moshën 10-vjeçare, kur shkonte që të peshkonte në Velipojë apo në Shirokë, para çlirimit të vendit dhe u jepte ushtarëve italianë peshk, në shkëmbim të disqeve (kasetave) me muzikë klasike.
Dodmasej mbaroi studimet në shkollën “Prenk Jakova”, dhe më pas Konservatorin e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Gjatë kësaj periudhe xhaxhai i saj, i dhuroi violinën e tij, atë më të cilën ajo do të interpretojë në Tiranë. Për 14 vjet ka punuar si mësimdhënëse në shkollën “Prenk Jakova” dhe në vitin 1995 u largua në Greqi.
Zonja Dodmasej, ju aktualisht jeni duke punuar për koncertin, që do të prezantohet në Tiranë për Pjetër Gacin. Në këtë koncert do të interpretoni me violinën që ua ka dhuruar vetë ai…
Pjetër Gacin përveçse ka qenë xhaxhai im e kam pasur dhe profesor. Më ka dhënë mësimet më të çmuara në violinë, sepse është një nga ndërtimtarët, që solli në Shqipëri shkollën e kualifikuar të violinës. Unë jam e privilegjuar që e kam pasur xhaxha dhe profesor, sepse kam marrë shumë nga ai. Mua violinën ma ka dhuruar, si rezultat i mësimeve, por mbi të gjitha nga rezultatet e shkëlqyera që kam pasur në shkollë dhe gjatë studimeve me të. Ai më ka thënë: “Ti e meriton këtë violinë!”. Është violinë e vitit 1827, imitacion i Carlo Bergonzit. Unë e kam mbajtur që nga momenti që ma ka dhuruar xhaxhai. Do të luaj në koncertin e tij, duke iu referuar shumë incizimeve, që ai ka bërë në vitin 1959. Është një ndër incizimet më brilante të tij, që ka luajtur me Orkestrën e Radio Televizionit, me dirigjent Mustafa Krantjen. Jam munduar që t’i studiojë të gjitha incizimet e tij, sepse koncerti për violinë dhe orkestër, është koncerti i parë për violinë në Shqipëri. Ka merita shumë të çmuara për këtë. Unë kam gjetur edhe një partiturë të vjetër për koncertin, që është me shënimet e tij.
A mund që të na tregoni diçka me tepër për raportin tuaj me të, si profesor, por edhe si xhaxha?
Unë kam diskutuar me të në shumë pika. Kam diskutuar për problemet personale, si shokë dhe si xhaxha. Ndërsa, si profesor unë rrija gatitur përpara tij, çdo vrenjtje që ai më bënte doja që ta realizoja në mënyrën më profesionale. Ai ka qenë një muzikant, ku shumë vetë e kanë quajtur dhe gjeniu i muzikës. Jam munduar që të marrë shumë prej tij. Ai ka qenë një njeri dhe pedagogë i mrekullueshëm.
A mjafton ky koncert për ta vlerësuar Pjetër Gacin?
Të gjithë thonë fjalët më të mira për muzikën e tij. Gjon Simoni thoshte gjithmonë që: “Pjetër Gaci me interpretimet e tij, nuk jepte kurrë nën mesataren”. Për të flet shpirti i tij, ajo që ai i ka dhënë muzikës. Këtë e konkretizojë me koncertin e tij. Ai e ka njohur shumë violinën, prandaj e ka përshtatur tingullin. Kjo është hyjnore për të. Unë e shoh në prizmin e një pedagogu dhe profesori, sikur të ishte një kompozitor, që nuk ka pasur të bënte fare me familjen time. Ai ishte një njeri që kishte lindur për këtë punë.
Çfarë kujtoni prej tij?
Në moshën 10-vjeçare hobi i tij ka qenë peshku. Kam shkuar dhe unë me të disa herë. Ai shkonte për peshk në Velipojë apo në Shirokë në kohën e Italisë. Qysh para çlirimit kapte peshk dhe shkonte ua jepte ushtarëve, në shkëmbim të disqeve (kasetave) me muzikë klasike. Qysh atëherë ka qenë shumë i talentuar dhe u ka rënë veglave të ndryshme, si firzamonika. Muzika i ka rrjedhur në damarët e tij. Pjetër Gaci ka shkuar në Lice Artistik dhe ka fituar, menjëherë ka shkuar në Konservatorin e Moskës. Një nga profesorët më të mirë, ai i thoshte: “Je brilant i pagdhendur”, sepse atëherë akoma nuk kishte marrë shkollën e duhur. Madje, ai e zgjodhi Pjetër Gacin kur mbaroi që të bëhej asistent i tij. I tha që mos të kthehej më në atdhe. Por, ai u kthye në atdhe, sepse tha: “Nuk mund që të kompozoj në Moskë një koncert me muzikë shqiptare”. Të gjitha veprat e tij janë të mbështetura në tabanin kombëtar. Edhe në koncertin për violinë të gjitha temat janë të bazuara në tabanin kombëtar.
Dhe së fundmi, çfarë rëndësie ka ky koncert për ju?
Unë kam bërë koncerte recitale këtu, kam qenë spala e koncerteve simfonike për dhjetë vjet me radhë në Shkodër, kur mbaroja interpretimin ai më thoshte: “Malli i mirë gjithmonë shet veten”. Unë jam ngjitur në shumë skena të botës. Kam qenë në Itali; Brindisi, Firence, Romë, Trieste, në Qipro, si soliste për violinë e parë etj. Por kur nisa që të bëja provat me Orkestrën e RTSH-së kam ndierë emocione shumë të mëdha, sepse disa prej tyre i kam pasur kolegë në orkestrën e Radios dhe të Operës, para vitit 1997, kur u detyrova që të shkoja jashtë vendit për shkak të luftës civile. Unë jam shumë e emocionuar dhe ndiej përgjegjësi të madhe për këtë. Në Athinë apo në çfarëdolloj koncerti nuk i kam ndierë këto emocione, sepse këtu më ngrohë publiku im, më ngrohë shumë Shqipëria.
David Tukiçi: Muzika e Pjetër Gacit flet shqip
Drejtori i Orkestrës së RTSH-së, David Tukiçi tregon për repertorin që kanë përzgjedhur për këtë koncert.
“Një koncert kushtuar muzikës së Pjetër Gacit, ku ne kemi zgjedhur pjesët më domethënëse të tij, ato që ka shkruar për Orkestrën Simfonike, duke nisur që nga “Valle simfonike” me të cilën do të hapim programin, duke vazhduar me pjesët që ka shkruar për opera. Artisti Armaldo Kllogjeri do të këndojë “Toka jonë”, pastaj do të ketë dhe muzikë instrumentale, një rapsodi për piano, që do ta luajë Ardita Bufaj Qafoku.
Arien e parë nga “Toka jonë” do ta këndojë sopranoja Etleva Golemi, dhe koncert për violinë do ta luajë mbesa tij Elizabeta Dodmasej, e cila bën karrierë në Greqi.
Kemi zgjedhur tre artistë nga TKOB, sopranon Ulpjana Aliaj, mexosporanon Ina Gaqi dhe Armando Likaj. Do të jetë dhe kori i Shkodrës. Kemi përzgjedhur dhe këngën “Për ty atdhe” të kënduar nga Ylber Gjini. Ky program është pak i gjatë, dhe për këtë kemi menduar që ta prezantojë Hygerta Sako”.
Sipas Tukiçit, Pjetër Gaci është një nga kompozitorët e muzikës të traditës shqiptare, sepse muzika e tij mbështetet shumë në folklorin shqiptar, në motivet shqiptare. “Ai fliste shqip dhe muzika e tij flet shqip. Ai si kompozitor ka goditur me shumë këngë, jo vetëm “Për ty atdhe”, por ne kaq na lejon programacioni. Është një nga kompozitorët e rëndësishëm të muzikës shqiptare. Unë e kam njohur nga afër dhe do të thoja se kam përshtypjet më të mira për të, jo vetëm si muzikant, por edhe si një njeri me shpirt të bukur, të ëmbël dhe të dashur, me zemër të bardhë. Bashkëshortja e tij, Tamara, do të asistojë edhe në koncertin që ne do të bëjmë”.
Biografia
Pjetër Gaci lindi më 27.3.1931 në Shkodër dhe vdiq më 27.3.1995. Para se të shkonte në Moskë për studime ka kompozuar; “Andërr në lule” në vitin 1951, “Elegji” dhe “pastorale” në 1952, “Fushave” etj. Me përfundimin e studimeve, u kthye në Tiranë ku dha mësim violine në Liceun Artistik dhe bashkëpunoi me të gjitha institucionet artistike, si Radio Tiranën, Teatrin e Operës e Baletit, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, Cirkun e Tiranës.
Më pas ka kompozuar këngët: “Për ty Atdhe”, “Shqiponja e lirë”, “Tring zilja”, “Gryka e Kaçanikut”, “Përtej mjegullës”, “Toka jonë”, “Ky marak”, “Qytetit tim”, “Erdh’ pranvera”. Janë 135 këngë të muzikës së lehtë të kompozuara nga Pjetër Gaci, të cilat bashkë me këngët e kompozuara për fëmijë dhe me krijimet popullore, arrijnë në mbi 300 të tilla, të ekzekutuara dhe incizuara. Krijimet e Pjetër Gacit janë vlerësuar me çmime të shumta. Këngët “Shqiponjë e lirë” dhe “Erdh pranvera” me çmime të para në festivalet e këngës në RTSH, në vitet 1966 dhe 1972. Për këngën “Për ty Atdhe” nderohet me çmimin e Republikës së Klasit të parë. Më 1979 merr titullin Artist i Merituar. Me operën “Përtej mjegullës” ka marrë çmimin e tretë në konkursin e organizuar me rastin e 25-vjetorit të çlirimit. Më 1985 është nderuar me urdhrin “Flamuri i kuq i punës”, klasi i dytë. Më 1989 është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë. Më 1989 ka marrë titullin Artist i Popullit./Shekulli
Komentet