Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, sikur janë të bindur që suksesi arrihet vetëm me ndonjë përzgjedhës të huaj.
Ata deri tani në cilësinë e përzgjedhësit apo selektorit të Kosovës, kanë angazhuar zviceranin, Bernard Challandes, francezin, Alain Giresse, sllovenin, Primozh Gliha dhe para dy – tre ditësh gjermanin me origjinë italiane, Franco Foda.
Angazhimi i këtyre selektorëve nga jashtë mbase nuk ka qenë i domosdoshëm kur dihet fare mirë që Kosova, ka me dhjetëra ish – futbollistë të dalluar që këtë zeje do ta bënin pa ngelur në rezultate as një hap mbrapa të apostrofuarëve.
Nuk duhet të frikohemi nga debutimi jo aq i suksesshëm i përzgjedhësit Albert Bunjaku. Ai duke u bazuar në brumin e atëhershëm të lojtarëve që i kishte në dispozicion punën e tij si trajner i parë i Kosovës e bëri për mrekulli.
Skuadra e Kosovës debutimin e saj të parë në Arenat ndërkombëtare të futbollit e pati bërë më 25 maj të vitit 2014.
Ajo pati zhvilluar takim miqësor në Gjenevë të Zvicrës kundër Senegalit. Humbja 3 me 1 ka qenë krejt normale, sepse në atë periudhë kombëtarja e Senegalit, ka qenë e konsoliduar dhe në te kanë luajtur futbollistë që në skuadrat e vendeve të ndryshme të Evropës dhe Turqisë, kanë qenë në qendër të vëmendjes. Kurse kombëtarja jonë asokohe ishte në formim e sipër.
Tani janë krijuar rrethana komplet të tjera . Në Kosovë çdo ditë shfaqen talent të rrallë. Po ashtu në Ligat e Evropës janë titullarë përplot futbollistë me origjinë nga Kosova.
Andaj, me kontingjent të mjaftueshëm lojtarësh mund të punojnë edhe trajnerët kosovarë.
Bije fjala pse mos t’u jepet besimi i ushtrimit të detyrës së përzgjedhësit të Kosovës, ish-futbollistëve të njohur si : Besnik Hasi, Lorik Cana, Ardian Kozniku, Erdogan Celina, Ramadan Cimili, Valon Behrami, Faruk Domi, vëllezërve Fadil e Xhevdet Muriqi, Ilir Daja, Genc Hoxha etj.
Kurse, punën me portierë mund ta bëjnë me shumë sukses Esat Mehmeti apo Shukri Paçarada, pse jo edhe Neshet Zhaveli ,dikur portier i Prishtinës dhe Rijekës, anëtare të elitës së futbollit jugosllavë.
Ka edhe emra të tjerë ish–futbollistësh nga Kosova që me zanatin e trajnerit mund të befasojnë për të mirë.
Mendojmë që është koha e kthimit të besimit në vetvete. Nuk thuhet rastësisht si dora e nënës nuk të rehaton askush !
ARIF EJUPI