Pavarësisht izolimit të Shqipërisë, të cilin regjimi komunist megjithatë e mohonte, Perëndimi një ditë do t’i kushtonte vëmendje këtij shkrimtari kaq atipik për botën komuniste dhe akoma më tepër për Shqipërinë staliniste, çfarë ishte Kadareja. Veçanërisht në Francë, një vend ky me të cilin Shqipëria e asaj kohe mbante marrëdhënie më të mira se me vendet e tjera kapitaliste për shkak të afeksionit që kishte diktatori për vendin ku kishte studiuar, pyetjet nisën të bëhen gjithmonë e më me këmbëngulje për diplomatët shqiptarë: “Pse nuk udhëton kurrë ky Kadareja në Francë, në Perëndim? A i lejohet të udhëtojë?”
Ndonëse Kadareja akoma nuk ishte përkthyer në frëngjisht, përsëri emri i tij kishte depërtuar në sallonet kulturore të Parisit dhe në rrethet e botuesve atje. Vërtet shumë pak francezë mund të lexonin në shqip, por shumë më tepër francezë, si dhe të tjerë perëndimorë jofranceze gazetarë, kritikë letrarë etj., mund të lexonin në rusisht dhe atyre u kishte rënë në dorë vëllimi poetik i Kadaresë i botuar në rusisht. Libri ishte një gjë që i bënte përshtypje një perëndimori, për shkak se autori kritikohej për ndikime perëndimore. Ç’është ky shkrimtar shqiptar që konsiderohet si me frymë të tepruar perëndimore madje edhe në Moskën e erës liberale hrushoviane, nuk mund të mos pyeste një perëndimor, një francez. Kështu, në mënyrë paradoksale vëllimi poetik i Kadaresë, i botuar në rusisht, duhet të ketë patur një rol çuditërisht të madh për njohjen e tij në Perëndim, një rol që mbetet akoma për t’u studiuar. Diplomatët shqiptarë në Paris bënin përpjekje të mëdha për t’i bindur bashkëbiseduesit se Kadareja ishte i lirë të udhëtonte kur të donte dhe ku të donte, por për momentin ai ishte i zënë me punën e tij krijuese dhe nuk kishte dëshirë të udhëtonte. Ja, shtonin diplomatët shqiptarë, kohët e fundit Kadareja ka qenë në Kinë dhe në Vietnamin e Veriut.
Erdhi një moment kur pyetjet në Paris u bënë aq këmbëngulëse sa me këtë çështje iu desh të merret vetë Enver Hoxhës. Por diktatori donte që t’ia ruante Parisin shkrimtarit si dhuratë për veprat letrare që do të kishte shkruar për të. Atë Parisin mund ta fitosh si shpërblim për portretin tim letrar, pëllumb, ishte mesazhi i heshtur i diktatorit për shkrimtarin, që përcillej me mungesën e lejës për të vizituar Francën. Tanimë po bëhej gati një dekadë që nga pakti i tyre i heshtur dhe shkrimtari akoma nuk kishte bërë ndonjë vepër për të. Tanimë shkrimtari kishte marrë dy kërkesa dhe kërcënime rresht nga diktatori, siç i kam përshkruar më lart në këtë libër. Të tretë nuk do të kishte me sa duket. Shkrimtari e kuptoi se tani duhet të ndërmerrte diçka. Jo thjesht për të larguar zemërimin e diktatorit dhe për të fituar të drejtën të vizitonte Parisin, por se kështu mendonte se mund t’i shërbente popullit të tij, duke kontribuar sadopak për të ndryshuar kursin e vendit në drejtimin e dëshiruar nga Perëndimi. Kadareja vendosi që ta sfidonte diktatorin duke kërkuar që të shkruante një libër për prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Nëse diktatori donte që ai shkrimtari i parë i vendit të shkruante diçka për të, atëherë ishte shkrimtari ai që zgjidhte të shkruante një roman për atë ngjarje që kishte në qendër një episod me të cilin Enver Hoxha mburrej aq shumë, pjesëmarrjen e tij në mbledhjen e partive komuniste të botës në Moskë në nëntor 1960 kur Enver Hoxha ishte ndeshur me Hrushovin. Shkrimtari donte që me një gur të vriste dy zogj si i thonë fjalës. Kadareja donte që të njihej me dokumentet sekrete që kishin të bënin me këtë ngjarje dhe ta përshkruante atë artistikisht, si dhe të kishte mundësi që me anë të librit t’i dërgonte një mesazh diktatorit, duke i thënë se përse shërbeu kjo ngjarje e madhe nëse ai nuk e përdori atë për të ndjekur rrugën e Titos, afrimin me Perëndimin. Kadareja kur vendosi të shkruante librin, me zgjuarsi nuk iu drejtua me një kërkesë vetë Enver Hoxhës (duhet të bënte një kërkesë patjetër për shkak të dokumenteve sekrete që i duheshin për të shkruar librin) por iu drejtua Ramiz Alisë, njeriut i cili e kishte kritikuar në mbledhjen e vitit 1961 dhe që ishte i afërt me Nexhmije Hoxhën. Kadareja në librin “Kohë barbare” ku iu përgjigjet pyetjeve të Denis Fernandez Recatala, thotë për këtë:
Tema vetë ishte bërë tabu. Asnjë tekst letrar nuk e citonte prishjen e marrëdhënieve. I shkrova Ramiz Alisë, sekretarit të propagandës: “Shoku Alia mendoj të shkruaj një roman për Shqipërinë socialiste dhe Bashkimin Sovjetik revisionist…”. Përdora një formulë tepër të njohur për kohën. Kërkova të më jepej mundësia që të shfletoja dosjen sekrete që ishte nëpër arkiva.
Kjo ishte një kërkesë e zgjuar, si për personin të cilit iu drejtua, ashtu edhe për për përmbajtjen e saj. Duke ia drejtuar kërkesën Ramiz Alisë, Kadareja kishte neutralizuar një njeri që ndryshe do të ishte kundërshtar i romanit, pasi kishte frikë për pasojat që mund të kishte ai nëqoftëse gjërat shkonin keq. Si sekretar për propagandën, Ramiz Alia ishte përgjegjës edhe për kulturën. Si rregull, Kadareja duhet t’ia kishte bërë kërkesën kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe ai pastaj duhet ta përcillte më lart, te Ramiz Alia, e ky pastaj te Enver Hoxha. Kadareja i kapërceu hallkat dhe bëri mirë, se burokracia dinte si ta mbyste kërkesën, nëse ajo do të udhëtonte nga Lidhja e Shkrimtarëve në zyrat e Komitetit Qendror. Tanimë që kërkesa i kishte shkuar direkt Ramiz Alisë, ai ishte përgjegjës për të dhe nuk mund të mos njoftonte Enver Hoxhën, i cili nëse do ta mësonte në rrugë të tjera idenë e shkrimtarit dhe do ta pëlqente atë, sigurisht që do ta kritikonte ashpër Ramiz Alinë që nuk e kishte vënë në dijeni. Që Kadareja kishte vepruar me zgjuarsi, kjo u kuptua nga reagimi i Ramiz Alisë, të cilin shkrimtari e përshkruan kështu: Ramiz Alia më la shumë muaj në heshtje. Kur fliste për mua më quante të çmendur. Një shkrimtar kërkoka të zhbirojë sekretet e zotave. Më në fund, një ditë të bukur (shumë muaj më vonë), ai vendosi të më priste. Kërkesa ime iu duk shumë e çuditshme. Dhe jo për faktin që dosja mbahej sekret. Unë e binda se bëhej fjalë për një konflikt “të shkëlqyer”, “të fortë”, kuptohet, por mbi të gjitha “të bukur”, domethënë “të bukur” nga pikëpamja letrare. Ai më vuri në dijeni se do të mendohej.
Kur Ramiz Alia e vonoi kështu shkrimtarin, tani që kishte përgjegjësi direkte për kërkesën e tij, mund të mendohet se si do të kishte vepruar nëqoftëse kërkesa do të kishte shkuar nga Lidhja e Shkrimtarëve në zyrat e Komitetit Qendror. Në këtë rastin e fundit, Ramiz Alia nuk do ta kishte pasur të vështirë të sajonte shumë shkaqe që kërkesa të bënte ecejake për shumë vjet. Hezitimi i Ramiz Alisë duket se vjen ngaqë ai e ka marrë me mend se çfarë kishte ndërmend shkrimtari dhe nuk donte të kishte telashe. Duke iu kthyer përgjigje atyre që e kanë përdorur këtë roman për ta kritikuar shkrimtarin për lidhje të ngushta me sferat e larta të regjimit komunist, Kadareja thotë në librin “Kohë barbare” ku iu përgjigjet pyetjeve të Denis Fernandez Recatala: Afërmendsh që për të shkruar “Dimrin e vetmisë së madhe” kisha nevojë për dokumentacion lidhur me mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste që u mbajt në Moskë e në mbyllje të së cilës ndodhi ndarja e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Duhet t’i pasqyroja ngjarjet sa më besnikërisht nëpërmjet dokumentave që mbaheshin sekret. Kështu formulova një kërkesë zyrtare e cila më dha mundësinë të shqyrtoj dosjet historike: “Më duhet të shikoj këto dokumente. A është e mundur?” Por për t’i parë ato më “dërguan” të takoj drejtoreshën e arkivave, e cila ishte dora vetë e shoqja e Enver Hoxhës. Më dhanë autorizim. Gjatë disa orëve munda të shqyrtoj këto dosje tronditëse. Në romanin tim e kam përshkruar këtë histori shumë të bukur, dramatike e tërheqëse.
Ky ishte një roman i veçantë, që përshkruante ngjarje historike të së shkuarës së afërt, dhe afërmendsh që një libër i tillë nuk mund të shkruhej pa parë dokumentet e Mbledhjes së Moskës që vazhdonin të ishin sekret. Një pjesë e tyre do të publikoheshin vetëm dy vjet pas botimit të romanit, në 1975, në vëllimin 19 të veprave të Enver Hoxhës. Vetë romani duket se u bë shkas që Enver Hoxha të detyrohej të botonte materialet sekrete të mbledhjes së Moskës. Me vendimin për të shkruar këtë libër, Kadareja vendosi që të bënte lojën më të madhe dhe më të rrezikshme që kishte bërë ndonjëherë një shkrimtar me një diktator në botën komuniste. Kadareja shkruan për këtë gjë te libri “Pesha e kryqit”: Enver Hoxha ishte gjashtëdhjetë vjeç. Në shtëpinë e tyre jetonin
gjatë, kështu s’pritej ndonjë vdekje natyrale. Ishte koha për t’i vënë në fytyrë maskën. Prej asaj maske Shqipëria mund të fitonte njëzet vjet. Tani, libri që po shkruaja jo vetëm që nuk më dukej i bezdisshëm, por, përkundrazi mendoja se ishte i domosdoshëm. Brenda dy vjetësh isha bërë shkrimtar i njohur në Perëndim. Kështu që me anë të librit mund të isha ndërmjetës midis tij dhe Perëndimit. Me fjalë të tjera, të bëja atë që Perëndimi nuk e kishte bërë dhjetë vjet më parë: të ndihmonte diktatorin të çlirohej nga demoni. Për hir të kombit shqiptar, kombit më fatzi në kontinen.
Kur Kadare mori vendimin për të shkruar librin për prishjen shqiptaro-sovjetike, ai mendonte se pasi të botohej libri në shqip, e siç shpresonte shkrimtari edhe në frëngjisht, Perëndimi do të shihte te ky libër, që kuptohej se nuk mund të ishte shkruar pa lejen e diktatorit për përdorimin e dokumenteve sekrete, shenjën më të qartë se Enver Hoxha po i kërkonte Perëndimit shpërblimin për prishjen me Bashkimin Sovjetik, pra pranimin e tij nga Perëndimi. Libri ishte një sinjal se Kadareja kishte miratimin e heshtur të Enver Hoxhës për t’u bërë ndërmjetësi i këtij të fundit me Perëndimin, duke i kërkuar Perëndimit shpjegime se përse nuk e pranonte Enver Hoxhën ashtu siç kishte pranuar Titon. Më vonë shkrimtari ka pranuar se kjo ishte një shpresë e kotë, pasi fati i Shqipërisë ishte vendosur në marrëveshje sekrete mes Perëndimit dhe Rusisë, por në kohën kur shkrimtari bënte këto përpjekje, kjo nuk mund të mos quhej një ndërmarrje fisnike, dhe me risk të madh siç e tregoi koha. Tani shkrimtari e kishte bërë zgjedhjen e tij për ta lidhur fatin e tij me romanin që po shkruante për prishjen me Bashkimin Sovjetik. Ai e dinte se ky roman, mund t’ i jepte një periudhë ripërtëritjeje të paktit me diktatorin, por mund edhe ta rroposte fare. Çfarë do të ndodhte në rast se Perëndimi nuk do ta pranonte mesazhin, do të bënte sikur nuk e kuptonte? Diktatori do të zemërohej shumë me shkrimtarin dhe mund ta bënte atë ta paguante shtrenjtë përpjekjen e tij. Të gjitha këto dyshime ndikonin që Kadareja në atë kohë të ishte në një gjendje shpirtërore të turbullt të cilën ai e përshkruan kështu:
Mbahu o ylli im, mos bjer… (Gori zvjezda moja, nje padaj). E gjeja këtë varg të Eseninit kudo nëpër fletoret e mia, të shkruar, me sa duket, pa e pasur mendjen në orët e përhumbjes.
Kaq e pranishme ishte kjo psikozë, si brenda, ashtu dhe rrotull meje, saqë gati-gati më dukej se zgjonte një zemërim të turbullt te njerëzit kur rrëzimi nuk vërtetohej. Njëfarë zhgënjimi i tyre, një lloj pyetjeje nervoze: ç’ke kështu, përse nuk e bën zakonin, po na shqetëson, na ngatërron të gjithëve? Kjo, në vend që të më zemëronte, më krijonte, përkundrazi një lloj ndjesie faji: e kuptoj që keni të drejtë, por edhe unë s’ kam faj.
Koha kalonte, unë bëhesha çdo ditë më i njohur dhe e ndieja gati fizikisht padurimin e humnerës që më priste. Të burgosurit më prisnin atje, dhe përderisa po vonohesha, i zemëroja dhe ata. Më tutje niste, ndoshta pritja e rëndë, e shurdhër e të vdekurve. E në sytë e të gjallëve ishte po ajo mungesë mëshire: tani ik, s’e ke vendin këtu.
Të gjitha këto vuajtje psikologjike të shkrimtarit janë shfaqur në një mënyrë interesante në romanin e tij “Kështjella” që u shkrua në periudhën midis pranimit të kërkesës së Kadaresë për të bërë një roman për prishjen shqiptaro-sovjetike dhe fillimit të punës për këtë roman. Kadareja vendosi ta përdorë pozitën e përkohshme të favorshme që kishte fituar, pasi iu miratua kërkesa për të shkruar romanin për prishjen shqiptaro-sovjetike, për të botuar ndërkohë libra që ndryshe nuk do të ishte në gjendje t’i botonte. Kadareja bën këtë dialog me gazetarin Denis Fernandez Recatala për këtë çështje në librin “Kohë barbare”:
Kur arrita të shtij në dorë materialin e dosjes, iu futa menjëherë punës për të shkruar “Kështjellën”.
-Përse?
-Kisha kohë, kohë të lirë dhe qetësi, mandej nuk isha i sigurt se kjo situatë do të vazhdonte kështu. Ia dhashë botuesit këtë roman që nuk kishte të bënte fare me komunizmin. Ai ishte i shqetësuar.
Pikërisht në romanin “Kështjella”, Kadareja e ka vënë vargun e Eseninit “Gori zvjezda moja, nje padaj” (Mbahu o ylli im, mos bjer) në gojën e një personazhi, të astrologut të ushtrisë turke që ka rrethuar kështjellën. Astrologu kishte si detyrë që të studionte yjet dhe të bënte një parashikim se kur ishte koha e përshtatshme për të sulmuar kështjellën. Por astrologu fitoi zemërimin e kryekomandantit të ushtrisë turke për shkak se bëri një parashikim të gabuar për ditën e favorshme të sulmit, sipas yjeve.Astrologu thotë kështu me vete në romanin e Kadaresë:
Mos bjer, o ylli im! Diku i kishte lexuar këto fjalë. Ato i vërtiteshin vazhdimisht diku në kokë, prapa ballit të nxehtë. Ato filluan t’i vërtiteshin me tërbim qysh në çastin kur filloi sulmi. Mbahu, o ylli im.
Ç’ lidhje ka parë shkrimtari mes vetvetes dhe personazhit të astrologut? Kuptohet se Kadaresë i është dukur i ngjashëm me rolin e astrologut të ushtrisë turke, roli i ndërmjetësit mes diktatorit dhe Perëndimit, që kishte marrë përsipër ai. Në romanin “Kështjella” astrologu ndëshkohet nga kryekomandanti turk për shkak të parashikimeve të gabuara dhe përfundon si i burgosur që punonte në gërmimin e llagëmit me të cilin kërkohej të depërtohej në kështjellë nga nëntoka. Fati i astrologut në roman është një shenjë se Kadareja kishte frikë se diktatori do ta ndëshkonte rreptë nëqoftëse Perëndimi nuk do t’u përgjigjej demarsheve të tij. Llagëmi ku përfundon astrologu është një aluzion për minierat ku punonin të burgosurit politikë në Shqipëri dhe ku shkrimtari mund të përfundonte nëqoftëse diktatori do ta humbiste durimin me të.
Duke kërkuar që të shkruante një roman me temë për prishjen e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik Kadareja rrezikonte shumë, sepse ky libër do të shqyrtohej shumë më imtësisht se çdo libër tjetër i tij dhe konservatorët do të kërkonin që ta përdornin atë për ta shkatërruar shkrimtarin. Që kur konservatorët mësuan për kërkesën e shkrimtarit, ata duhet të kenë fërkuar duart të sigurt në fitoren e tyre, se ata e njihnin mirë shkrimtarin dhe e dinin se ai nuk do të rrinte dot pa bërë ndonjë nga ato të pabërat e tij në libër. Diktatori duhet të ketë qenë në dilemë nëse duhet t’i jepte mundësi shkrimtarit që ta shkruante këtë libër apo jo. Nga njëra anë Enver Hoxha e kuptonte se përshkrimi në një vepër letrare i prishjes shqiptaro-sovjetike do të ishte mënyra më e mirë për të realizuar kërkesën e tij për t’iu bërë portreti letrar. Nga ana tjetër diktatori mendonte se shkrimtari do t’i krijonte probleme të padëshiruara me shtresat e militantëve partiakë, për të cilët e dinte se nuk e donin shkrimtarin. Diktatori me rastin e shkrimit të këtij libri deshi ta takojë për herë të parë shkrimtarin. Kadareja shkruan mbi këtë:
Ky takim, që është i pari dhe i fundit midis nesh, ndodhi në vitin 1971, në kohën që po skicoja strukturën e romanit. Ai ishte gjoja i rastësishëm. E shoqja e tij N. Hoxha, prej së cilës varej arkivi i partisë prej nga do të tërhiqja dosjen e fshehtë të bisedimeve të Moskës, më kishte ftuar në shtëpi për të biseduar për këtë gjë e për të pirë një kafe.
Pas njëfarë kohe, ai hyri në dhomë duke kërkuar ndjesë që po na shqetësonte.
Të ulem dhe unë një çikë? Mos po ju prish bisedën?
Diktatori ishte në hall se ai kishte pritur që shkrimtari, pas vlerësimit në publik që i ishte bërë atij në mbledhjen e korrikut 1961, të kërkonte vetë një takim me të, gjë që do të ishte e natyrshme, se shkrimtari i parë i vendit kishte nevojë ta njihte udhëheqësin për të shkruar për të. Enver Hoxha sigurisht që do ta kishte mirëpritur këtë kërkesë, ndonëse do të kishte bërë disa naze, duke e shtyrë takimin, sikur ishte i zënë me punë. Por shkrimtari nuk e kërkoi këtë takim kështu që diktatori u detyrua që ta kërkonte vetë takimin indirekt me anë të gruas së tij. Por për të dy, shkrimtarin dhe diktatorin ishte e qartë se ishte diktatori ai që kishte kërkuar një takim në shtëpinë e tij me shkrimtarin. Enver Hoxha e kërkoi takimin me shkrimtarin, para së gjithash që të mund t’i jepte mundësi atij ta njihte nga afër, gjë që do të ishte e nevojshme për ta përshkruar si personazh në libër. Kadareja tregohet shumë i sinqertë dhe nuk kërkon të na bindë se Enver Hoxha u ndodh rastësisht në atë bisedë që Kadareja dhe gruaja e tij, kishin me gruan e diktatorit. Kadareja, në librin “Pesha e kryqit”, shkruan për sjelljen e diktatorit në këtë takim:
Aktor i përsosur, ishte aq i sjellshëm e engjëllor, saqë të bënte të ndiheshe fajtor për të ligat që mund të kishe menduar për të. Me sa dukej, kishte aftësinë, që në çaste të caktuara, të bëhej vërtet ashtu siç donte të paraqitej, përndryshe mirësjellja e tij s’mund të ishte aq vijimisht e natyrshme.
Gjatë gjithë bisedës që vazhdoi më shumë se dy orë, nuk e përmendi asnjëherë partinë, marksizëm-leninizmin, ose ndonjë nga parullat me të cilat qenë mbushur fjalimet e tij. Përkundrazi, e kujtoi mbledhjen e Moskës, por me një përçmim të thellë për gjithçka. Po me atë përçmim foli për shkronjat cirilike të rusishtes, për fytyrat e pagdhendura të udhëheqësve sovjetikë, për të folurën, të ngrënët e të pirët e tyre prej fshatarësh. Ai fliste për atë botë, domethënë për Lindjen, si për diçka të vdekur përgjithmonë.