Edhe pse nuk zbuloi identitetin e sulmuesit, kryeministrja britanike theksoi se sulmuesi më parë ishte nën hetime në lidhje me ekstremizmin, por se është konsideruar si figurë periferike
LONDËR – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka thënë se identiteti i sulmuesit ishte i njohur për policinë, i cili të mërkurën vrau katër njerëz, duke përfshirë një polic, dhe se bëhet fjalë për personin e lindur në Britani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Edhe pse nuk zbuloi identitetin e sulmuesit, kryeministrja britanike theksoi se sulmuesi më parë ishte nën hetime në lidhje me ekstremizmin, por se është konsideruar si figurë periferike.
May ka thënë se policia beson se sulmuesi ka vepruar i vetëm dhe se nuk ka asnjë arsye për të besuar “për planifikim e sulmeve të tjera.”
Ajo gjatë fjalimit para deputetëve në Dhomën e Ulët të Parlamentit britanik tha se Britania e Madhe nuk frikësohet, duke e quajtur ngjarjen e djeshëm si “akt i terrorizmit që u përpoq të heshtë demokracinë tonë.”
Policia e Londrës më parë kishte thënë se besonte se sulmuesi i cili të mërkurën vrau katër njerëz, duke përfshirë edhe një polic, ishte “frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar”.
Mark Rowley, kreu i departamentit të policisë të anti-terrorit në Londër, ka thënë se janë bastisur gjashtë adresa dhe janë arrestuar shtatë persona në lidhje me sulmin e të mërkurës, kur sulmuesi me një makinë SUV shtypi këmbësorët në urën Westminster para se të përplaset me gardhin e ndërtesës së parlamentit.
Pastaj ai doli nga automjeti dhe me thikë i shkaktoi plagë vdekjeprurëse një polici. Rowley nuk pranoi të identifikojë sulmuesin.
Ai bëri të ditur se numri i viktimave është pesë, duke përfshirë edhe sulmuesin. Në mesin e të vdekurve janë një polic i cili ishte roje në ndërtesën e parlamentit dhe tre civilë. Rowley shtoi se 29 persona janë shtruar në spital, prej të cilëve shtatë në gjendje kritike.
Komentet