Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pas deklaratës së tij, në një intervistë për Gazetën Express, se pret që qeveria e vendit të rrëzohet, bashkë me taksën që ka vënë ndaj Serbisë.
“Fati i Qeverisë, edhe heqja edhe rënia e kësaj Qeveria do të ndodhin bashkërisht me taksën. Po e konfirmoj atë që kam thënë më 21 janar se edhe tarifa edhe Qeveria do të shkojnë bashkë. Koha po e dëshmon se po shkohet në atë drejtim”, ka deklaruar sot Haziri.
Matoshi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka thënë se Qeveria mund të bjerë, nëse 61 deputetë të Kuvendit të Kosovës votojnë për një gjë të tillë.
“Qeveria mundet me ra në demokraci kurdo që mocioni përkrahet nga 61 vota në Kuvend, por vallë taksa ndaj produkteve të Serbisë pse iu ka pikë Lutës që të hiqet!???”, ka shkruar Matoshi në rrjetin social, në internet.
Më tej, Matoshi ka sulmuar Hazirin rreth kundërshtimit të tij për taksën ndaj produkteve serbe, që ka vënë Qeveria Haradinaj, sepse, sipas këshilltarit të kryeministrit, kjo masë “parandalon ndarjen e Kosovës, sipas hartave të tij turbofolk mentale”.
Matoshi madje e ka cilësuar Hazirin këshilltar të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
“Lutfi Haziri është një nga këshilltarët e Presidentit Thaçi në këtë çështje, në turrin antikushtetues, për hapjën e çështjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, të Republikës së Kosovës, në raport me Serbinë, për çka estabilishmenti serb u angazhu plot 11 vjet!?”, është shprehur ai.
“Luta, siç i thonë votuesit e tij, e ka çmistue ‘Shefin’, siç i thotë ai Presidentit, për korrigjimin e kufirit dhe do të mbetët si një ndër rrënuesit në tentativë të Kosovës së 17 shkurtit”, ka vlerësuar Matoshi, ndër të tjera.
“Ai paguhet nga taksat tona për një post kushtetues dhe retorika e tij bie ndesh me atë Kushtetutë!? Një ditë, dikush duhet me mbajtë përgjegjësi politike e historike, por edhe penale për ndërmarrje antikushtetuese (Neni 1; 1.2 dhe 1.3.)”, përfundon shkrimi i Matoshit. /Express/
Komentet