Edhe pse në moshë të thyer dhe shumë i sëmurë, dukej se plaku Matis (Henri Matisse) nuk donte të hiqte dorë nga piktura dhe peneli i tij. Atje në Nice, ku ishte vendosur prej vitesh dhe ku punonte së fundi në një dhomë hoteli, ai donte ta çonte deri në fund aventurën e tij pikturale, edhe pse i duhej të vinte një korse hekuri në trup për të ndënjur ulur ballë kavaletit. Me të mund të qëndronte ulur veçse një orë dhe kjo ishte një sforco e jashtzakonshme. Por siç dihet, dashuria për artin i mund të gjitha dhimbjet, barrierat, sfidat. Edhe ai, ashtu si dikur piktori Claude Monet, që vitet e fundit në tablotë e mëdha me nenyfarë i hidhte ngjyrat më shumë me ndjesin e mpiksjes së tyre në paletë sesa me optikën natyrale të syve, ashtu dhe Matisse hidhte linjat, ngjyrat në atë mjegull që dhe atë kishte nisur ta rrethonte. Mplakja dhe pafuqishmëria, jo rrallë i kujtonte atë udhëtim të dikurshëm kur Renuar ishte ende gjallë, me gruan e vdekur dhek ur ai ende merrte frymë me pikturën. Kishte gjithnjë dëshirë ta takonte plakun e mirë dhe gjeniun e pikturës në atelierin e tij. Dhe ai kujtonte fytyrën e thatë të plakut të mirë, që plot dhimbje ulej të pikturonte. «Dhimbja kalon, – i kishte thënë Renuar, – por e bukura që krijohet, mbetet!» Kjo shprehje i kishte mbetur në mëndje. «Nga fundi i Luftës së Parë Botërore, – kujtonte Matisse – ndodhesha në jug të Francës. Renoir ishte shumë i lodhur dhe meqë e adhuroja shumë shkova ta takoja në shtëpinë e tij në Cagnes. Më priti me kënaqësi dhe me këtë rast i tregova disa punime që të dija mendimin e tij. Ai i vështroi me një pamje jo të kënaqur dhe pastaj më tha: Në të vërtetë nuk më pëlqen ajo që krijoni. Parapëlqej të të them se nuk je një piktor i mirë, madje mund tu them se jeni një piktor i keq. Por një diçka më bën përshtypje: kur ju e vendosni ngjyrën e zezë në tablo ajo është në vendin e vet. Gjithë jetën kam menduar se s’mund ta përdorim atë pa thyer unitetin kromatik të sipërfaqes. Eshtë një ngjyrë që e kam përjashtuar nga paleta ime. Ndërsa ju, duke përdorur një lloj fjalori të shumngjyrshëm, arrini ta fusni të zezën dhe ajo ngjyrë qëndron. Pra pavarësisht asaj çka ndjej, ju me siguri jeni një piktor…»
Kjo thënie i kishte mbetur në mëndje piktorit të ri edhe pse në atë kohë, në fillimin e shekullit, në sajë dhe të publiçitetit të Gertrude Stein e cila nuk gabonte në shijet e saj mbi modernitetin, ai dhe Picasso, u bënë yjet e rinj të pikturës botërore. Shumë kohë do të kalonin. Njihet konkurenca e famshme mes tij dhe Picasso-s… pastaj miqësia e tyre. Dihet gjithashtu karriera e famshme e tij në tregun amerikan, xhelozia e piktorëve të tjerë rreth suksesit të tij kur koleksionistë të shumtë kërkonin tablotë e tij, apo historia dhe lidhja e gjatë me koleksionistin amerikan Barnes apo në veçanti me koleksionistin rus Chtchoukin, («Nymphe et Satyre», «Bonheur de vivre», etj), i cili krijoi një nga koleksionet e bukura të botës, koleksion të cilin revolucionarët e Leninit të ardhur në pushtet ia morën dhe ai përfundoi në një rrënim të plotë bashkë me fabrikat e tij të tekstilit. Matisi kujtonte gjithnjë atë ditë kur kolegu i tij Braque i kishte shuar në atelier për të parë tablotë e Renuar dhe Gogen që Matis kishte blerë. Por mes tablove të tij ai për asnjë çast nuk i hodhi sytë dhe nuk foli asnjë fjalë. Kjo atë e plagosi dhe ai gjithnjë vuante në heshtje, siç ishin dhe sulmet që i bënin partizanët e Pikasos..
Jeta e Matisit është një libër më vete, një roman dramatik, me shumë udhëtime, drama familjare, me dhimbjen e madhe për vajzën e tij të sëmurë Margarita, e cila donte të bëhej piktore e që në kohën e Rezistencës franceze gjatë Luftës së II Botërore e torturuan dhe e shpërfytyruan nazistët. E megjithatë, Matisse, i mbyllur në atelierin e tij vazhdonte pasionin e tij të pikturës, krijonte botën origjinale të krijimit të tij me linjat e tij të njohura, teknikën dhe sipërfaqet e ngjyrosura të tij, kohë kur gjatë periudhës së fovizmit, ai i kishtonte shumë rëndësi sipërfaqeve të mëdha me ngjyrë, dhe kjo nën influencën e Gogen dhe Van Gog.
Që i ri shkonte në Louvre dhe kopjonte mjeshtrit e mëdhenj për të gjetur perfeksionin e pikturës. «Jam përpjekur ta zhvilloj personalitetin tim veçanërisht përmes instinktit që kam. Më kujtohet kur para Pont des Arts, duke parë nga Pont Neuf, mjeshtri im Gustave Moreau, papritur më tha: «Atëherë çfarë kërkon në pikturën tënde? – Kërkoj të jap atë pikturë që mjeshtrit nuk e kanë dhënë, p.sh. kjo pamje para nesh, këtë bukuri që mjeshtrit nuk e kanë fiksuar. – Kush ju tha se atë nuk e kanë parë dhe të mos donin ta pikturonin?… Kështu filloi shkëputja ime nga mënyrat e vjetra të pikturimit që megjithatë nuk i kam harruar. Në vend që të vazhdoja të isha një flutur diletante që bridhte nga Rembrandt tek Corot, nga Veronese tek David, nga Heim tek Chardin, unë e ndjeva veten një puntor modest duke patur si mbështetje veç pavarësinë dhe sinqeritetin tim…»
Sensualiteti sublim
Po të shohësh nimfat dhe nudot e para të Matisse, e ndjen menjëherë sensualitetin e tij të veçantë, edhe pse artisti ishte fjalëpakë, timid, shpesh i rëndë me femrat, por kur ato pozonin para tij, në heshtje ai shikonte çdo detaj të trupit femëror. Jo rrallë modelet i zgjonin dëshirën për të qenë akoma më pranë tyre, siç tregonte në kujtimet e saj dhe një modele me origjinë ruse, arie Vassilieff që disa kohë jetoi në një dhomë afër tij. Kjo kishte ndodhur në vitin 1909: «Atë mëngjes isha duke fjetur kur Matisi, i cili kishte zbritur nga dhoma fqinjë, i ra derës. E veshur me një kimono i hapa derën dhe ai më zgjati vizatimet: «Të kam sjellë ilustrimet». – «Prit të vishem», i thashë. Shkova të vishem por ai qëndronte duke parë ende nga shtrati që ishte ende i ngrohtë. Kaq duhej dhe ne përfunduam në atë shtrat…” Një gjë e përafërt i kishte ndodhur me modelen tjetër Olga Meerson, të cilës i kishte bërë disa portrete. Përsëri kishte hyrë në dhomën e saj, por më vonë i kishte kërkuar falje, pa tentuar ti afrohet sërrish hireve të saj. Kur ajo ishte larguar përfundimisht nga ai, më vonë Matisi i kishte falur paletën e tij të ngjyrave të cilën ajo e ruajti gjatë gjithë jetës. E adhuronte mjeshtrin e madh.
Gruaja e tij ishte disi autoritare dhe nuk i afronte femrat në shtëpi, madje dhe modelet i vëzhgonte nga afër. Kur Matisi shkoi në Tanger për të ndjekur shëmbullin e orientalistëve francezë siç ishte dhe Delacroix para tij, kërkoi të krijonte portrete dhe nudo, por Amelie, gruaja e tij, ishte ngado. I zoti i hotelit i gjeti një vajzë të quajtur Zorah që t’i pozonte si model. Ajo vinte e fshehur nga njerëzit që mos ta shikonte askush.“Po ta shikonte vëllai i saj se po pozonte, ai mund ta vriste në vend” – kujtonte Matis. Ishin vitet 1911-1913. Një ditë, diku në një taracë, shikoi një grua të shtrirë, një mulate të pa mbuluar me shami. Dhe filloi ta pikturonte. Madje në këtë rast, bashkë me gruan e tij shkonin bashkë në ndonjë nga bordellot e qytetit ku vetëm duke patur gruan, ai mund të lihej të pikturonte dhe sigurisht duke paguar. Dhe gratë atje habiteshin se si ky europian vinte atje bashkë me gruan e tij. Nudot e tij nga Magrebi janë vërtet të mrekullueshme, ashtu dhe peizazhet e tij plot kolorit.
Në vitet ‘30-‘40 janë interesante tablotë e tij «nature mort» ku ndihet forca e ngjyrës, pasi për Matisin, influenca e ngjyrave tek njëra-tjetra ishte themelore dhe përbënte thelbin e punës së vet me ngjyrat. «Ngjyrat, – shkruante ai në një libër «Mbi pikturën», – nuk mund ta kenë fuqinë dhe elokuencën e tyre në gjendje të pastërt, ku shkëlqimi dhe pastërtia e tyre nuk është cënuar..» Apolineri që kishte qenë një nga miqtë dhe mbrojtësit e tij, pikërisht atëherë shkruante se «Elokuenca e veprave të Matisit vjen para së gjithash nga kombinimi i ngjyrave. Eshtë kjo që përbën artin e piktorit… të vesh në rregull kaosin: ja krijimi!»
Lydia, modelja që nuk iu nda deri sa mbylli sytë
Më 15 korrik 1939, pas njohjes së tyre të parë, emigrantja ruse që jetonte ato kohë në periferi të Parisit i dërgonte Matisit një tufë me lule për ta falenderuar. Ajo quhej Lydian dhe lulet e saj ishin lule margarite të bardha. Në tufën e luleve, nën jë copë letër ajo kishte shkruar: «Lule për Shën Henrin». Mjeshtrit i ra në sy kjo gjë dhe kishte dëshirë ta shikonte sa më parë modelen e re. Në kujtimet e saj për atë kohë Lydia Delectorskaja do të shkruante: «Pikërisht atë çast u vendos bashkëpunimi ynë për të ardhmen. A do të më merrte me vete apo jo? Atëherë s’kisha ku të kapesha dhe të gjeja mbështetje E dija se të tjerët do të thonin: kjo vajzë e bukur shkon pas këtij plaku të pasur”. Por unë s’kisha nevojë të mbroja nderin tim. Ai më tha: Ti je e re, ke jetën përpara dhe ke shumë rrugë për të bërë!”. – Rrugë për ku? – i thashë unë. Dhe ai u përgjigj nëpër dhëmbë: Ah, vajzë e gjorë!… Ai e kuptoi se isha diçka e virgjër e që mund të bënte ç’të donte me mua…»
Dhe mjeshtri i pikturoi menjëherë ato lule të bardha të modeles së re. Një lidhje e bukur, shpirti nisi mes të dyve. Ai e vizatonte si modelen e tij ulur në karrige apo shtrirë në divan, nudo, ashtu siç kishte vizatuar dikur dhe të tjerat. Kur gruaja e mori vesh se Lydia jetonte atje, ajo nisi të vinte në shtëpinë dhe atelierin ku punonte Matisi dhe demostroi xhelozinë e saj. Po kështu dhe fëmijët e Matisit. Askush nuk i fliste Lydias, edhe pse ajo ishte aty, para tyre, gjithnjë pranë mjeshtrit. Dhe ata bënin sikur nuk e shikonin dhe sikur ajo nuk ekzistonte aty. Ç’komedi! Kjo gjë e trishtoi Lydian dhe ajo tentoi të largohej për një kohë. Por Matisi i kërkoi të qëndronte me të dhe nisi ta merrte kudo me vete. Ishin të lumtur. Mjeshtri punonte, krijonte dhe ajo kujdesej për gjithçka: pozonte, rregullonte shtëpinë, gatuante dhe e shihte atë në dritë të syrit. Ishte ajo që kujdesej dhe për ilaçet e tij.
Vitet kalonin dhe një ditë mjeshtri thirri një modele të re. Kishte nevojë për individualitete e forma të reja. Franca ishte pushtuar nga Gjermania naziste dhe modelja e re ishte vajza e një të varfëri dhe duhej ta ndihmonte me para, t’i siguronte familjes së saj triska ushqimi. Pastaj e mori si modele në atelier dhe nisi ta pikturonte. Në shtëpinë atelier tashmë ishin ai, Lydia dhe ajo modele me flokë të gjata, të dëndura, me një qafë të bukur që i zbulonte akoma më mirë hiret e saj. Dhe Lydia e donte atë, mjaftonte që mjeshtri të ishte i lumtur. Ishte viti 1942. Kohë me pas, një tjetër modele do të vinte në atelier, një holandeze e ikur nga Amsterdami, Annelis Helek, e cila u kishte shpëtuar bombardimeve dhe luftës, duke zbarkuar në Paris.
Në vitet ‘40-‘50, Matisi ishte bërë një nga ikonat e artit francez e botëror. Një gazetare e njohur amerikane shkoi në jug të Francës, në Nice, ta intervistonte dhe të shkruante rreth tij. Atë kohë po punonte për tablonë e madhe «Vallja» (La Danse) për muzeun që donte të krijonte koleksionistit i madh Barnes me tablo edhe të Sezan, Renoir, Seurat, Vouillard, Chagall e shumë të tjerë që ai i blinte sa herë vinte në Paris. Gjatë bisedës, duke parë tablotë gazetarja ishte shprehur: «Eshtë diçka që nuk e kam parë kurrë, diçka e thjeshtë dhe e kalkuluar». Sapo e dëgjoi, Matisi i ishte kthyer menjëherë: «Ah, e kalkuluar… kjo fjalë nuk shkon për veprën time. Kam punuar 40 vjet pa ndërprerje, kam bërë studime e sprova. Kjo që kam krijuar tani ka dalë nga zemra. Gjithë piktura ime krijohet në këtë mënyrë. Unë i ndjej!…»
Në periudhën e fundit të jetës së tij, Matis priste letra të ngjyera me bojë dhe krijonte variacione kromatike. Po kështu punoi në qeramikë, si Picasso, madje i ftuar në atelierin «Madura» të Picasos, ku ishte dhe bashkëpuntori i tyre Abedin Dino me origjinë shqiptare. Një kohë u muar me vitrazhet e një kishe të vogël tepër të dashur të tij në Vence, për çka një kritik arti do ta cilësonte si një «rrobaqepës i dritës» për kompozimet e tij. Ai punonte çdo ditë, dhe kjo ishte motoja e gjithë krijimtarisë së tij: «Eshtë e pamundur të harroj se jam Matisi, se unë jam skllav i kësaj tavoline. Nganjëherë them: sa ditë e bukur për të bërë një shëtitje të vogël e të shkoj jo larg që këndej për të takuar Rouault apo Bonnard. Por atëherë mendoj për ngjyrën që thahet në telajo dhe nëse e lë tablonë në mes hidhërohem dhe e ndjej shpirtin e vrarë. Unë nuk fle pa e përgatitur punën për nesër…»
Në periudhën pas Luftes së Dytë Botërore, bashkë me Pikason dhe Chagall, Matisi u bë referenca më e fuqishme e pikturës franceze. Një prodhimtari e jashtëzakonshme që kaloi nga piktura e vajit tek ajo dekorative dhe artet e tjera. Por padyshim, puna theelore e tij ishte ajo me ngjyrën. «Do doja tu thoja të tjerëve se nuk i duhet afruar ngjyrës sikur të shkosh në një mulli, pasi më parë duhet të bësh një përgatitje të madhe dhe të denjë për profesionin… duhet të kesh dhuntinë e ngjyrës ashtu si një këngëtar që duhet të ketë dhuntinë e zërit. Pa këtë dhunti s’mund të shkojmë askund…» E sigurisht, në gjithçka të mrekullueshme që na dhuroi ky mjeshtër i madh, në themel ishte puna e jashtëzakonshme e tij, kërkimi i ethshëm, kërkimi në magjinë e ngjyrave që siç shkruante poeti Pierre Reverdy në një artikull të tij «Matisi në dritë dhe në lumturi», «ai ishte një shpikës i pashtershëm i formave dhe ngjyrave»… Po, në netë të gjata, ditën, në muaj, vite, dekada e gjer në ditën e fundit të jetës së tij, ai do të vazhdonte të krijonte. A nuk thoshte Matis se «do të doja të jetoja si një murg në një qeli, veç të kisha diçka për të pikturuar në mënyrë që të mos më shqetësonin të tjerët»? Vizatimi i tij i fundit ishte portreti i modeles së tij besnike, Lydias. Ajo e pa në duart e mjeshtrit, i cili i tha: “Nuk është keq, apo jo?… Mjeshtri kishte qeshur. Ishte puna e tij e fundit.
Eshtë e habitshme dita kur u varros mjeshtri 84 vjeçar në varrezat lart në një kodrinë të Nisës. Atë ditë tepër të vrenjtur, kur kortezhi i ngjitej kodrinës nën atë qiell të errët, papritmas errësira filloi të çahej dhe të shfaqej një dritë e madhërishme që i mrekulloi të gjithë ata njerëz që ngrinin kokat lart drejt asaj mrekullie, sikur hyjnitë ta dinin se po vdiste një nga pinjollët e tyre, sikur ajo dritë nën kubenë e qiellit, të ishte një tablo qiellore si ato të Matis, nën të cilën mbulohej gjeniu i madh…
Tani që po shkruaj këto rradhë për Matis, kujtoj bisedat me shumë piktorë shqiptarë adhurues të tij dhe së pari Sadik Kacelin, aq i pasionuar pas tablove të tij që kishte parë në një revistë italiane në libraritë e Tiranës. Në atë revistë, duke kërkuar adresat e piktorëve, Kaceli i ri gjeti adresën e një galerie franceze, të cilës i kërkoi adresat e piktorëve të mëdhenj francezë, dhe së pari adresën e Matisit, i cili e kishte mrekulluar. Kështu, me t’i rënë në dorë adresa, ai u ul dhe i shkrojti. Ishte letra e një djaloshi shqiptar, nga një cep i Ballkanit dhe një bote orientale që po zgjohej duke vështruar nga Perëndimi, një letër e shkruar plot sinqeritet e dashuri për artin. Sigurisht, kjo letër që mundi të bjerë në duart e Matisse, e preku atë dhe ai mori mundimin t’i ktheje përgjigje këtij djaloshi të panjohur nga një vend fare i vogël dhe gati i panjohur për të. Dora e mjeshtrit shkruante: «I dashur zotëri. Në përgjigje të letrës suaj ju keshilloj se do të ishte mirë t’i adresoheshit zotit Andre Lhot, në adresën 38 bis, Rruga Bouland, në Paris, i cili drejton një akademi të rëndësishme dhe të cilit po i dërgoj gjithashtu letrën tuaj. Pranoni zotëri shprehjen e ndjenjave të mija të veçanta per ju… Henri Matisse.»
Sigurisht në Akademinë e Arteve të Parisit, dy hapa larg muzeut të Luvrit, Kaceli u njoh me piktorët më te shquar të botës e veçanërisht me Rilindjen italiane, por Matisi do të mbetej për të një nga më të preferuarit.
Matisi mbeti padyshim një gjeni i pikturës botërore, ashtu si bashkëkohësit e vet Sezan, Pikaso, Chagall e të tjerë. Jeta e tij ishte një rrugëtim i gjatë e i lodhshëm në territoret e pafunda të ngjyrave dhe të formave. Eksperienca e tij në këtë drejtim do të ishte një udhërrëfim për gjeneratat e piktorëve pas tij.
Luan Rama
Komentet