SPAK ka njoftuar sot se ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, është dhënë masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe moslejim për të dalë jashtë territorit të vendit. Masa vjen pas hetimit për koncesionin e sterilizimit, ndërsa akuzohet për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.
Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije për BalkanWeb se nuk ka detyrim nga gjykata për SPAK për të nisur hetimet për ish-ministrat Beqja dhe Shkëlqim Cani, por e ka orientuar prokurorinë të vijojë hetimet për përfshirjen e zyrtarëve të tjerë.
Vendimi i gjyqtarit nuk është detyrues për prokurorinë, por nga ana tjetër Prokuroria është e detyruar të marrë dëshminë e tyre.
Ky koncesion është me afat 10-vjeçar dhe vlerë 100 milionë euro dhe në përmbushje të këtij vendimi të gjykatës është thirrur ish-ministri i financave Shkëlqim Cani, por mund të thirrjen dhe zyrtarë apo ish-zyrtarë të tjerë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u paraqit në SPAK disa javë më parë, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Gjithashtu më herët në SPAK dha dëshminë e saj ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, tashmë i arrestuar.
Në muajin qershor SPAK tërhoqi dokumentet e sterilizimit dhe chekup në spitalet e vendit, lidhur me shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionarët që kanë fituar tenderin.
Hetimet e SPAK konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Çështja u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, e cila theksoi se kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.
KLSH ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.