Pas më shumë se 12 orë kërkimesh policia njoftoi se kishte bërë të mundur, mëngjesin e sotëm, arrestimin e 24-vjeçarit Ridvan Zykaj, autor i dyshuar, i vrasjes dje pasdite në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë, të tetë personave, anëtarë të një familjeje dhe kushërinj të tij. Policia bëri të ditur gjithashtu se ka gjetur dhe armën me të cilën dyshohet të jetë kryer krimi, një kallashnikov.
Për kapjen e tij u angazhuan forca të shumta policie, jo vetëm nga komisariati i Vlorës por dhe nga kryeqyteti përfshirë njësitë speciale. Ato rrethuan të gjithë zonën përreth, duke mos i lënë shumë hapësira për t’u fshehur apo larguar, të riut.
Zyrtarisht mbeten ende të paqarta motivet e ngjarjes së rëndë, ndonëse ato duket se anojnë më së shumti te përplasjet e mundshme që Ridvan Zyka mund të ketë patur me kushërinjtë e tij, të cilëve dje u mori jetën. Ndonëse banorët e fshatit, kanë mbetur të habitur dhe disa prej tyre kanë mohuar që mes Ridvanit apo familjes së tij dhe kushërinjve të vrarë të ketë patur ndonjë konflikt, marrëdhëniet nuk duket megjithatë të kenë qenë fort të mira. Të paktën disa nga komunikimet në Facebook të Ridvan Zykës, lënë të kuptohet një gjë e tillë.
Të gjitha viktimat i përkasin familjës së xhaxhait të babait, Demir Zykës. Përveç tij e vrarë mbeti dhe bashkëshortja, dy djemtë e familjes, Azemi dhe Besimi së bashku me bashkëshortet e tyre, si dhe dy fëmijët e Besimit, Ledioni, 9 vjeç dhe Sara 17 vjeç.
Komentet