VOAL

VOAL

MASAKRA E MIRDITES, GUSHT 1949 – Nga Gjon Kadeli

August 18, 2016

Komentet

“Jam gazetare, dua një intervistë”- Historia e panjohur e shqiptarit më të famshëm në Boston

Nga ROZI THEOHARI


REKUIEM PËR ANTON ATHANASIN, IKONA E BOSTONIT –

Ishte pasditja e së premtes së 20 majit 2005, kur, me telefon, mikja ime amerikane, Ann Negri, më lajmëroi se Anton Athanasi, kishte ndërruar jetë. Hapa emisionin e lajmeve lokale në tv dhe u përballa me fotografinë e të ndjerit: Antoni i ri, me një kostum blu, shik, me një buzëqeshje të çiltër, me dy vetullat e zeza kaleshe, karakteristike për fytyrën e tij dhe dy sy depërtues. Spikerja përsëriti disa herë lajmin: “U shua Anthony, ‘Albanian restaurateur’, themeluesi i Antony’s ‘Pier 4”, përfaqësuesi i veçantë dhe i respektuar i njërit prej brezave më madhështorë të komunitetit të qytetit të Lynn-it e të Bostonit, i cili dikur tha: “Hard ëork” (puna e vështirë), e ndërtoi këtë vend (Amerikën)”…! Ai luftoi tre vjet me sëmundjen e Alzheimer-it, deri sa ajo e mundi…”!

Një ndjenjë nderimi, krenarie, përzier me ngashërim me përshkon trupin. Qëndroj disa minuta në dritare, ku përballë, në krye të një masivi shkëmbor, në breg të oqeanit, pronë e familjes Athanas, ngrihet hijerëndë e luksoz një nga restorantet e tyre të dëgjuara, “Anthony’s Hoëthorne-by-the sea”, në Swampscott. Dallgët e bardha të oqeanit afrohen me radhë njëra pas tjetrës e godasin butësisht, muret-kështjellë të ndërtesës, si të sjellin ngushëllime për humbjen e të zotit.

Sjell ndër mend një ditë vjeshtë të 1994-ës, kur qëndroja e hutuar dhe e mahnitur në hollin e restorantit “Pier 4”, në Boston, e vështroja për herë të parë atë luks e mirëqenie e, s’më besohej se gjithë ai kompleks aristokratik, ishte pronë e një bashkatdhetari!

– “Hë, moj shqiptarkë, ke ardhur edhe ti të kërkosh punë”?!

U ktheva menjëherë dhe u ndodha ballë për ballë me zotin Athanas, i cili po buzëqeshte plot mirësi: “- Kemi vende të lira vetëm në kuzhinë, por aty është punë e rëndë, për ju gratë…”! Në fillimin e viteve ’90-të, emigrantët e parë shqiptarë, iu turrën industrisë kulinare. Restorantet e Antoni Athanasit hapën dyert dhe punësuan dhjetëra djem e vajza shqiptare.

– “Unë jam gazetare, – i thashë shpejt e shpejt, – dëshiroj të marr një intervistë nga ju…”!

Ai më tha: “Mirë se erdhe”, toku dorën me mua e më ftoi të uleshim në një kolltuk pranë vatrës gjigante, ku digjeshin dy gërxhele.

– “Dëgjo këtu…, prej nga të kemi”?

– “Nga Korça…, jemi të dy patriotë”!

– “Unë jam patriot me të tërë shqiptarët…, por dije se nuk kam kohë…, i kam edhe minutat të numëruara”.

Ai bëri të ngrihej, unë e sulmova me pyetje.

– “Më vjen keq, të thashë s’kam kohë”! – Ai me përshëndeti me mirësjellje dhe ngjiti me nxitim shkallët, ku e prisnin dy kameriere.

Po atë vjeshtë, për festen tradicionale të 28 Nëntorit, u mblodhën shqiptaro-amerikanët e Bostonit, si çdo vit, të kremtonin Ditën e Flamurit, në “Pier 4”. Sallat dhe interierët e restorantit, ishin zbukuruar me flamurë kombëtarë e drita shumëngjyrëshe, të cilat feksnin dukshëm në sfondin blu të oqeanit përtej vetratave. Tek ngjitja shkallët e shtruara me kadife vishnje, më zuri syri zotin Anton Athanas, i cili po mbante me zor një tavolinë të madhe, i ndihmuar edhe nga një kamerier. Ne të ftuarit që vinim për herë të parë, mbetëm gojëhapur, tek shihnim atë skenë. Iu afrova zotit Anton, e i pëshpërita: “Nuk u gjendka një kamerier tjetër, për këtë punë”?!

Ai, sa më pa, u kujtua për intervistën e ma preu: – “Jemi jashtëzakonisht të zënë…, kanë ardhur shumë të ftuar…, duhen tavolina…”! Duheshin tavolina të tjera e të tjera çdo vit që festohej 28 Nëntori në “Pier 4”, sepse njerëzit vinin mizëri në atë manifestim madhështor, në mjediset e restorantit modern, me ushqim të bollshëm e të zgjedhur, të pritur me dashuri e respekt, nga zoti e zonja Athanas.

Një vit më vonë, në një ditë nëntori, tek i bija ziles së telefonit të sekretares së “Pier 4”, për të rezervuar biletat e festës, m’u përgjigj një zë burri:

– “Mos fol anglisht, – më tha, – e kuptoj qe je shqiptarkë”.

Ishte zëri i Anton Athanasit. Ai pyeti për emrin tim dhe sa bileta doja.

– “Më falni, zotëri, po pse u dashka të merreni ju edhe me listën e të ftuarve”…?!

– “Sepse sekretarja ka shkuar në bankë dhe unë po qëndroj te telefoni deri sa ajo të kthehet”. Ai qeshi se më njohu nga emri e, duke u shfajësuar, më tha:

– “Tashti, po deshe, bisedojmë, se jam në qetësi…por bjeri shkurt”.

Unë u stepa për një çast. Nuk më ndodhej pranë as letër, as laps. Para se ta merrja veten, ai filloi të fliste ngadalë e me humor e, u ankua se u shmangej intervistave të gazetarëve, të cilët shpesh, i “vidhnin” kohën. E pyeta në e mbante mend ditën e parë të ardhjes në Amerikë dhe ai m’u përgjigj: – “Po.”Anton Athanasi e pa Statujën e Lirisë për herë të parë, në vitin 1915, në moshën 5- vjeçare”.

“A u menduat shumë kur niset biznesin e parë”? – e pyeta.

“Amerikanët përdorin një shprehje të ngjashme: ‘Kur e bën ai, pse të mos e bëj edhe unë’? Kjo ishte shtytja e parë…! Kur e ke filluar punën pa frikë, kur e ke marrë në sy dështimin dhe kur nuk kënaqesh nga ajo që ke arritur, vazhdo…vazhdo… se e ke rrugën të hapur”, – u përgjigj ai.

“Pse ju zgjodhët pikërisht biznesin e restoranteve”? – e pyeta.

“Sepse është rruga më e lehtë të fillosh një biznes, – u përgjigj ai, – merr me qira një lokal, fillon të blesh ushqimet, të gatuash e, t’i tregtosh. Më vonë, me fitimet e blen lokalin dhe zgjeron biznesin. Italianët dhe grekët, që kishin filluar para nesh, na dhanë një eksperiencë të mirë”!

“Ju përmendët zgjerimin e biznesit, kaq shpejt arrihet ai”?!

“Ai nuk arrihet kaq lehtë…! Dëgjo tani…mund të bëj një krahasim me çfarë thotë Bibla…! Ju mund të ndërtoni një shtëpi mbi rërë shumë shpejt, por të ndërtosh një shtëpi mbi shkëmb, ka vështirësi, do mund, lodhje. Po kur vjen tufani, shtëpinë e rërës e shkatërron dhe e hedh tutje, ndërsa shtëpia mbi shkëmb, qëndron e paprekur…! Unë nuk punoj shkel e shko e, vetëm për të sotmen…! Unë ‘ndërtoj mbi shkëmb’, punoj e lodhem shumë e mendoj për të ardhmen…”!

“Babai im, – i thashë, – kur është larguar nga Shqipëria, për në Amerikë, ka udhëtuar pothuaj në të njëjtën kohë me ju dhe në të njëjtën rrugë, nga Korça në Pire, Greqi, me kuaj e, më tutje me vapor. Edhe ai punoi rëndë e, bleu një restorant në Detroit…! Gjithë jetën më ka ngacmuar kureshtja, sesi do të jetonim, sikur të na kishte marrë edhe ne babai, në Amerikë…”!

“Ndoshta sot nuk do të mbaje në dorë penën, por thikën në kuzhinën e restorantit,” – tha ai me humor. U ngjetha kur mendova se edhe familja jonë, do të kishte kaluar rrugën e mundimshme e me plot të papritura të familjes Athanas, prej ditës së mbërritjes në “tokën e premtuar”! Prindërit e Antonit u vendosën në qytetin Nju-Bedford dhe gjetën punë në një fabrikë pambuku, me një pagë të ulët, ndërsa Antoni i vogël, ndihmonte xhaxhanë të shiste fruta e perime, me një karrocë që e shtynte me dorë në Fanueil Hall, aty ku sot ngrihet ‘Quincy Market’.

“Nëna ime, – psherëtiu Antoni, – qysh në vogëli më kishte mësuar të isha punëtor, nikoqir e t’ua kaloja moshatarëve. Babai, Simoni, ishte këmbëngulës të mos e kaloja kohën kot. Më jepte një shportë me banane e më thoshte: Po nuk i shite të gjitha bananet, mos më hajde në shtëpi’. Unë vrisja mendjen, si të veproja. Zija vend në të dy anët e urës, ku kishte kalimtarë më shumë dhe arrija t’i shisja të gjitha. Kështu më mbetej pak kohe e lirë të kthehesha në shtëpi e, të kryeja detyrat e shkollës”.

Anton Athanasi e ka pas dashur shumë të ëmën dhe ka vazhduar ta kujtojë e ta respektojë pas vdekjes se saj. Në një nga zyrat e tij, është i varur në mur portreti i Evangjelia Athanas-it. Ai dëshironte të ndërtonte në Shqipëri një spital të madh, me emrin e nënës së tij…! Antoni e përmend nënën e tij edhe për diçka tjetër. Ai ka deklaruar para gazetarëve e vendeve publike, se ishte pikërisht nëna e tij, e cila e solli farën e kosit me vapor, nga fshati Trebickë dhe ai e cilëson: “Our Culture”. “Ne shqiptarët e sollëm në Amerikë farën e kosit”…! Ishte tharmi i vendlindjes, ishin traditat e familjes shqiptare që, duke udhëtuar mbi Atlantik, fillonin të hidhnin rrënjë pak nga pak, në kontinentin e ri.

Në moshën 13 vjeç, Antoni e la shkollën e gjeti punë në një fabrikë të Bedfordit. Detyra e tij ishte ndezja e sobave me dru e qymyr, për zyrat e shefave, punë të cilën, siç thotë ai, e kishte kryer edhe në shtëpi, tok me motrat e vëllezërit. Ai punonte 7 ditë në javë e, shpinte në shtëpi 12 dollarë. Më vonë ai punoi si “busboy” dhe kamerier, në një nga restorantet e dëgjuar të qytetit. Ai ishte i pari shqiptaro-amerikan që punonte në atë restorant dhe kur u kthye në shtëpi nga dita e parë e punës, u duartrokit nga njerëzit e familjes dhe miqtë.

Pesëdhjetë vjet me vonë, në një fjalim mbajtur në “Fanuiel Hall”, para më tepër se 400 pjesëmarrësve, ai tha: “Në qoftë se ju mendoni se jam i suksesshëm tani, ju duhet të më shikonit mua atëherë”. Në moshën 14 vjeç, ai punonte si pjatalarës, por një grevë e gjatë punëtorësh e dobësoi ekonominë e Bedfordit, kështu Antoni lëvizi në Nju- Jork, ku punoi tek restoranti i xhaxhait tjetër. Aty Antoni kreu të gjitha llojet e punëve, që ka një restorant, përveç punës në zyrë, për të cilën ai nuk e vrau mendjen shumë, gjatë veprimtarisë së jetës.

Dhe erdhi një dite kur ai, me kursimet e fituara, hapi vetë në Nju-Jork një restorant të vogël 45-vendësh, me punësim për dy vetë, counter-service. Por ky hap i rëndësishëm në jetën e tij, u ndërpre shpejt, sepse për fat të keq, i vdiq i ati dhe u detyrua të kthehej sa më parë në Bedford. Djali 20-vjeçar, punoi në Nju Bedford, në fillim si kamerier e, më vonë kryekamerier, duke e ndihmuar familjen, me 3.000 dollarët e tij, të kursyera.

…”Kisha një shok të afërm, – përfundon Antoni, – ishim të dy korçarë e moshatarë, quhej Vasil. Me të shpesh i qaja hallet e i flisja për projektet që kisha në kokë. Një dite shkuam në plazh, të dy ishim djem të rinj, na pëlqente noti në oqean…! Duke qëndruar shtrirë në rërë, me sytë nga qielli, i thashë Vasilit se; dëshiroja të hapja në Lynn një lokal të vogël. ‘Hot Dog’. Ai e pëlqeu mendimin tim e, më inkurajoi…”!

Lynni është i përmendur si qendër industriale pranë Bostonit dhe si një qytet me popullsi të madhe emigrantësh. Banorët e parë kanë qenë anglezë, më vonë erdhën irlandezë, italianë, francezë-kanadezë, grekë, armenë e të tjerë, të cilët punonin në fabrikat e këpucëve. Antoni i kishte rënë lapsit, se hapja e një “Hot Dogu”, pranë këtyre fabrikave, do të kishte xhiro të madhe e do t’i sillte fitime të mëdha. Ai nuk e la dëshirën ta mundonte për një kohë të gjatë, por e hapi një lokal të tillë në Lynn.

Biznesi po i shkonte mirë, por nuk vazhdoi veçse disa muaj. Ishte koha e depresionit ekonomik, që përfshiu gjithë Amerikën, lokalet e dyqanet falimentonin shpejt dhe pronarët i shisnin me çmime fare të ulëta. Antoni, me intuitën e tij të tregtarit që s’e gënjeu kurrë, e shiti shpejt “Hot Dog”-un dhe bleu në ankand, restorantin më të bukur të Lynn-it.

Këmbëngulës për të ngritur një restorant me pamje tërheqëse dhe “first-class”, me 1938, ai hapi restorantin “Anthony’s Haëthorne” në doëntoën Lynn. “Hawthorne”, ishte mbyllur në kohën e depresionit ekonomik, por i krijoi mundësinë Antonit i cili, gjeti atë që kërkonte, për dy-tri mijë dollarë. Por në mbarim të vitit të parë, Athanasi fitoi 23.000 dollarë. Në fillimin e viteve ’50-të, “Anthony’s Haëthorne”, u bë restoranti me kapacitet më të madh me vend ulje, në gjithë Massachusettsin, me një fitim, me shume se një milion dollar në vit.

Duke iu referuar kronikave, Athanasi, megjithëse punonte 7 ditë në javë, e gjente kohën të merrej edhe me aktivitet patriotik, duke marrë pjesë në konferencat e mitingjet që organizonte kryesisht “Vatra” dhe organizata të tjera të diasporës. Ai ndjehej krenar, kur takohej me bashkatdhetarët dhe mësonte për sukseset që kishin arritur në biznes, në përvetësimin e një profesioni apo, në gradimet universitare.

Në fjalimin që mbajti në Festivalin shqiptar të Bostonit, në maj 1975, Antoni Athanas, midis të tjerash, tha: “…E quaj veten krenar që jam shqiptar…ka shumë gjëra për të cilat i jam mirënjohës dhe e falenderoj vendlindjen time…!E quaj veten të privilegjuar që jam rritur ‘në pëqirin e nënës’, në familjen time, që më edukoi sipas zakoneve e traditave shqiptare…! E quaj veten me fat, që kam njohur bishop Nolin, Faik Konicën e patriotë të tjerë, të cilët filluan Rilindjen e dytë të Shqipërisë…! Ideali i tyre ishte vëllazërimi i shqiptarëve, pa dallim feje e ideje… gjë për të cilën ndihmoi edhe Katedralja e Shën Gjergjit, e drejtuar nga At Noli…”!

Me tej, Antoni Athanas, përgëzoi punën e madhe dhe aktivitetin që kryente “Vatra” dhe “Dielli”, për të krijuar komunitetin shqiptaro-amerikan dhe institucionet e tij, për të edukuar grupin etnik të shqiptarëve, me qëllim që gjithsecili, të bëhej një qytetar i mirë amerikan. Dashuria dhe krenaria për atdheun e tij, e afroi Antonin me “Vatrën”, në krye të së cilës qëndroi për disa vite.

LEGJENDA “ATHANAS”

Në zonën e Boston-it, nëse i thua një amerikani; “jam shqiptar”, ai ta kthen: “Si Anthony”? Kaq familjare e popullore janë bërë pesë restorantet e tij “Athanas”, sa ky emër sot është bërë mit. Në pronësi të familjes Athanas, sot janë: “Anthony’s Haëthorne” në Lynn, i cili është hapur me 1938; “Hawthorne-by-the Sea”, ne Swampscott, i cili u hap me 1947 dhe sot është zgjeruar me “Anthony’s Pier 4 Café”; “The General Glover në Marblehead”, i cili është hapur me 1957; “Anthony’s Pier 4”, ne Boston Harbor, i cili është hapur me 1963; “Cummaquid Inn ne Cape Cod”, i cili është hapur me 1975.

Në të gjithë restorantet, sot janë të punësuar rreth 800 punonjës. Qysh prej fillimit të viteve ’90-të, një numër i madh kamerieresh, janë emigrantë shqiptarë, të cilët Antoni i zgjodhi sipas aftësive, paraqitjes profesionale dhe shkathtësisë. Klientët shqiptaro-amerikanë, të cilët frekuentojnë restorantet e familjes “Athanas”, gjithmonë e kanë ndier veten si në shtëpinë e tyre, duke komunikuar shqip me kamerierët dhe punonjësit e tjerë të shërbimit, aq me tepër nga kostumet e tyre (jelek e xhaketë të kuqe e, pantallona të zeza), që i përngjajnë flamurit tonë.

Gjatë aktivitetit të restoranteve në dekada, Antoni i jepte shumë rëndësi paraqitjes së mirë fizike dhe sjelljes së kamerierit. Tregojnë se pranë derës së kuzhinës së restorantit, ai kishte varur një pasqyrë të madhe e, poshtë saj shënimin me gërma të mëdha: “Në qoftë se nuk dukesh mirë, mos dil jashtë nga kjo derë”! Kamerieri, i ngarkuar me pjatat në tabaka, duhet të shihej në pasqyrë, para se t’i shërbente klientit. Ndoshta ky duket një detaj i vogël, por edhe ai ka kontribuar në rritjen e fitimeve të restoranteve “Athanas”. Me këtë përpikëri e disiplinë, kanë punuar edhe djemtë e tij.

Restorantet e familjes, sot administrohen nga katër djemtë e Antonit, Anthony Jr., Michael, Robert dhe Paul, të cilët u rritën bashkë me biznesin. Ata janë impenjuar në të dy sektorët e lokaleve, në atë të pasmin, kuzhinën dhe në atë të përparimin, zyrat. Ata filluan si “busboy”, kamerierë dhe arritën deri te pozicioni i menaxherit. Vëllezërit biznesmenë, punojnë si një skuadër e vetme, që të çojnë më tej nderin dhe lavdinë e familjes Athanas.

Ndërtimi i “Pier 4” në Boston Harbor, një “vapor-restorant”, ishte një ëndërr e Anton Athanas-it, e cila filloi qysh në vitin 1959, kur ai bleu sheshin e një hekurudhë të vjetër, në një vend të shkretë të Boston-it. Por sot aty ngrihet madhështore ndërtesa e një restoranti me fame, jo vetëm në Amerikë, por edhe në të gjithë botën. Ndërtimi dhe kompletimi i lokaleve dhe interierëve, përfunduan në vitin 1963. Antoni e përuroi restorantin, disa ditë para se të ndodhte vrasja tragjike e presidentit amerikan, Kenedi dhe kjo u ruajt në memorien e amerikanëve.

Në vitin e fillimit të funksionimit të restorantit “Pier 4”, Antoni, me zgjuarsinë e vet, ftoi për darke falas të gjithë shoferët e taksive të Bostonit, duke i thirrur edhe për kafe sa herë u binte rruga andej. Ky gjest u pagua mirë: shoferët filluan të sillnin me taksi klientë, të cilëve u propozonin të kalonin një ditë të mahnitshme, në një restorant akoma të padëgjuar mirë, aty ku klientët me të vërtetë mbeteshin të kënaqur e, filluan të propagandonin këtë vend. Vit pas viti “Pier 4”, u bë një magnet që tërhiqte yjet e kinematografisë, median e shkruar e televizionin, udhëheqës politikë dhe kremtime festash, nga e gjithë bota. Ne vaporin-restorant janë vendosur, i pari flamuri shqiptar dhe më tej flamurë nga e gjithë bota.

Muret e hollit të restorantit, janë të mbushura me fotot e vizitorëve të famshëm te “Pier 4”, përfshirë edhe Elisabet Taylor, Mery Griffin, John Carson, Don Rickles, Joe DiMaggio, Judy Garland dhe Wayne Nweton. Elita e politikanëve të Boston-it e kanë “Pier 4”, si vendin e takimeve, sidomos gjatë fushatave të zgjedhjeve, e vizitojnë senatorë e kongresistë. Aty janë organizuar gjithashtu qindra kremtime festash kombëtare shqiptare dhe takime të tjera të rëndësishme të diasporës shqiptaro – amerikane, të mbarë Amerikës, veçanërisht në festat e Nëntorit.

Që prej vitit 1963 dhe deri me 1981, të ardhurat vjetore të “Pier 4”, arrinin deri në 12 milionë dollarë. Më 1984-ën, në këtë restorant servireshin afërsisht 700.000 porcione ushqimi për çdo vit dhe u cilësua restoranti i 50-të, më i suksesshmi në Amerikë. Për 40 vjet, Anton Athanasi ka qenë një figurë e spikatur, në organizatat kulinare lokale dhe nacionale. Ai ka fituar një numër gradimesh, çmime dhe fletë-nderi ,përfshire dhe “Silver Plate Aëard”, nga “The International Foodservice Manufacturers Association”. Antoni Athanas, themeluesi dhe presidenti i restoranteve elegante të familjes, është një ndër personalitetet më të shquara të biznesit në Boston. Athanasi është ngritur shkallë pas shkalle, për t’u bërë modeli i Amerikës, në industrinë e restoranteve, duke personifikuar realizimin e ëndrrës amerikane.

Më 1967-ën, “Pier 4” në Boston, u cilësua një ndër restorantet më të mëdha të Amerikës dhe Anton Athanas, u nderua, duke fituar “The Golden Door Aëard of the International Institute of Boston” dhe “Business Executives Dining Award”, për tre vjet rresht. Anton Athanas, shërbeu edhe si president i “The Massachusetts Restaurant Association” dhe si anëtar i bordit të “The National Restaurant Association”, i cili më 1976-ën, u cilësua me emrin e “biznesmenit më të mirë të vitit”. Por me humorin e tij, Antoni përsëriste gjithnjë shprehjen proverbiale:

“Unë jam aq i mirë, sa ç’është gatimi im i fundit…”! Lista e çmimeve dhe dekorimeve të fituara prej tij, është pa fund. Ai u nderua me “Honory Doctor of Bussiness Administration degree”, nga Southeastern Massachusetts University, më 1977; “Diploma of Honor”, nga National Institute for the Foodservice Industry, më 1983; “Honorary Doctorate degree”, nga International Institute of Culinary Arts, ne Massachusetts; “The Lifetime Achievement Aëard”, nga Mass. Hospitality Association më 1999; si dhe nga dhjetëra organizata e institucione të tjera, ku zoti Anton, mban një vend nderi.

Deri në ditët e fundit të qëndrimit të tij në “Pier 4”, ai punonte ditë për ditë, 7 ditë në javë, në ditë të zakonshme arrinte në restorant rreth orës 10, kurse në ditët e festive, në orën 7 të mëngjesit dhe qëndronte aty, tërë ditën. Në fundjavë, punonte deri në orën 12 të natës. Ai inspektonte lokalin e madh të kuzhinës, çdo mëngjes, para se të vinin punonjësit e tjerë. Në intervistën dhënë një gazetari, Athanasi tha: “Çlodhem me atë që bëj. Shkurt, çlodhem duke punuar. Po e lë punën të le jeta—kjo është filozofia ime”.

Në kulmin e lulëzimit, në vitet 1960-’70-të, “Pier 4”, u bë vendi ku mblidheshin kastat e fuqishme të politikës, politikanë, bankierë, gjykatës, sportistë, yje të kinematografisë dhe festime të ndryshme. Antoni Athanas, një “multi-milioner”, që i fitoi paratë me mundin e djersën e tij, jo të dhuruara ose të trashëguara, përmendte gjithnjë me humor udhëtimin mbi një gomar të vogël, në moshën 5-vjeçare, si fillimi i rrugës për të ardhur në Amerikë. Ndërsa shumë vjet më vonë, kur ngiste makinën e tij “Mercedes”, thoshte: “Një makinë nuk është ndonjë gjë speciale për mua, është diçka, një mjet, që të çon këtu-atje e kaq. Por, dreqi ta hajë, të mbaron punë më shpejt se një gomar…”!

Unë mendoj se ai ishte pionieri dhe një shembull për ne të gjithë, ai bleu vendin e “Pier 4”, që asnjeri nuk do të dëshironte ta blinte dhe ishte i vetmi që mendoi, sesi do ta ndryshonte atë mjedis, vetëm me fantazinë e tij…! Aty vendosej fati i tij ose, më mirë, atë e udhëhoqi fati…! Njerëzit vinin e drekonin tek ai, si të tërhequr nga një ëndërr, vit pas viti. Rastiste që bujtësit prisnin edhe dy orë e gjysmë, për të zënë një tavolinë. Ai tërhoqi, jo vetëm vëmendjen e Amerikës! Memorie.al

“Hetues më caktuan Shyqyri Çokun, i cili urdhëroi policët të më zgjidhnin duart dhe si shkodran që ishte, unë i thashë…”- Kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës

Nga Dom Zef Simoni/ Publikohet një studim i panjohur i Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.

 

Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Festivali i XI, 1972.

Në fillim të vjetit 1972, u zbuluen prej diktaturës shfaqje të një liberalizmi i cili do t’i jepte shkas një terrori të ri që do të fillonte sjdomos mbas Festivalit XI të kangës në radiotelëvizion. Kjo ngjarje acaroi luftën e klasave me sulme të reja burgimesh, pushkatimesh.

Dom Shtjefën Kurti

Në kler kishin arrestue e pushkatue meshtarin Dom Shtjefën Kurti të cilit i kishin vu gjithfarë akuzash. Akuzohej për sabotim të randë ndaj kooperatives, agjent i të huejve, se kishte helmatisë pusa, dhe se kisha ba një pagëzim. Nisi një analizë e thellë e lajmeve të hueja e të shtypit të huej, i shumë stacioneve të Europës e të “Zërit të Amerikës” për gati një vjet, pa iu nda, që paraqet tmerret e kryeme, ekonominë e degradueme dhe natën e stuhishme socialiste. Flitet për dhunën kundër besimit dhe përpjekjet që baheshin për ta ruejtë fenë.

Radio Vatikani: D. Martin Trushi, 8 maj 1973

Me datën 8 maj 1973 stacioni i Radios së Vatikanit në gjuhën shqipe, përmes spikerit, Zef Pali, njoftoi se bahen shërbime të mëdha fetare tue përmendë emnin e meshtarit të zellshëm Dom Martin Trushit dhe emnin tim. Ky lajm, tue përmendë emna, qe fort i çuditshëm e bani shumë përshtypje e, njerëzit ditën e neserme me dhimbje, më shikojshin me vërejtje dhe me simpati. Pa kalue një muej, pikërisht me datën 8 qershuer, qeshë thirrë në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit ku, më foli hetuesi i Republikës, pa më përmendë aspak njoftimin e Radio-Vatikanit, por tue më thanë për me ndalue kontaktin me meshtarë dhe me popull e, të futesha në punë tue më kërcnue për arrestim.

Tue qenë se në këto ditë fillonte Kongresi i Grues, që do të zhvillohej në Kishën Katedrale, kthye në palestër, me urdhnuen të mos delsha jashtë shtëpie. Shërbimi fetar m’u ba i vështirë e m’u donte të ndërrojsha format, sidomos kur shkojsha në spital, se në azilin e pleqve nuk më lejshin me hy ma. Për të shkue në spital, bijsha në marrëveshje me familjet e të sëmurëve dhe u jepshe Eukaristinë për t’ia dhanë ata të sëmurëve, mbasi të kalojsha unë pranë shtratit të të sëmurëve, në orarin e vizitave zakonisht ditën e dielle. I jepshe përpara absolucionin 1 me formulën e shkurtë e, kur u afrojsha pranë të sëmurit, i jepshe në ball Vojimin Shejt e ndjesë të plotë.

Gjendja ekonomike e shoqnore rrëzohej dita me ditë. Rinia nëpër shkolla, në kuadrin e revolucionit kultural, kishte drejtim shumë të keq. Mbas mbylljes së institucioneve, me një reformë të re shkollore që qëndronte në trekandshin revolucionar: mësim, – punë prodhuese, – edukim fiziko-ushtarak, banë që nxanësit të mos kenë zell për mësim e dije e të shkatërronte nga mbrenda jetën e të rijve. U fut dredhia mes nxanësve e mësuesve a edukatorëve, madje u arrit të kalohej klasa me pare, me korrupsion. U përvetësue shumë e keqja. Të rijtë kishin dëshirë me qenë të mirë, por tue i mungue jeta e virtyteve e tue iu shtue mendjelehtësia po humbëshin drejtmin. Një brez i ri që vehej në kundërshtim me të kaluemin, edhe me prindët. I quejshin këta të padijshëm e, brez i vjetër. Të rijtë thojshin: “I dimè. Ju fëmijë e të rij që keni prindër reaksionarë kundër pushtetit, kujdes, janë armiqtë tuaj”. Gjithçka kundër dekalogut e detyra me mbrojtë vetëm pronën socialiste.

Patër Ferdinand Pali e Padër Gjergj Vata në gjyq, për varrimin e Patër Mark Harapit në Shirokë

Me datën 10 fruer 1974, vdiq Padër Mark Harapi, klerik i shquem edhe i kulturës kombëtare. Vorrimi do të bahet mbasdreke, në orën 3ºº të datës i 1 fruer, ditë e Zojës së Lurdit. Kishte lane porosi që të mos vorrohej në vorrezat e përbashkëta në Shkodër, por, tue qenë se ishte me origjinë prej Shiroke, të vorroset në Shirokë. Për të kry këte formalitet, shkuen te zyrja e funeraleve Padër Ferdinand Pali, me Padër Gjergj Vata. Padër Marku u vorros në Shirokë, por mbas dy javësh, Komiteti Ekzekutiv, krijoi problemin e vorrimit, bani të hapej kundër dy padreve që qenë dënue penalisht, se qëllimi i tyne ishte, me e vorrue në vorrezë thjeshtë katolike. U ba një zhurmë e në qytet për dënimin e pafajshëm të tyne dhe nisi edhe një sulm kundër meshtarëve, që qenë thirrë nëpër këshillat e lagjeve, ku ishin prezent edhe organet e Sigurimit.

Qeshë thirrë edhe unë. Porosia e tyne ishte të mos lëvizëshe e, të hyjsha në punë. Më caktuen përsëri ndër tulla, por kjo ndërmarrje nuk më pranoi. Gatiteshin ngadalë arrestime të reja klerikësh dhe kuadrosh shtetnore. Për shtatë vjet, çdo dy muej delsha në Razëm, për të marrë fuqi e mandej punojsha 10 muej me intensitet dhe qetësi të gëzueshme shpirtnore dhe me guxim meshtarak. Ishte Zoti që punonte e luftonte për mue. Plani im i tri detyrave nuk lëvizte, kisha edhe një forcë të mirë fizike dhe një fuqi morale. Ditën e 9 shtatorit të vjetit 1975, pak ditë mbasi kisha kthye nga Razma, baba nuk u çue ma prej shtratit. Baba ndjehi i paralizuem. Mjeku tha se ishte një hemorragji cerebrale. Nuk i mungoi asgja babës, as mjekët, as ilaçet, as kujdesi i vëllait dhe i motrës, në të gjitha nevojat. E mbi të gjitha sakramendet e fundit që i mori me aq zell, ashtu si merrte çdo ditë për sa vjet rresht Eukaristinë Shejte. Tham: si jeta, ashtu edhe vdekja e këtij burri të mirë. Nuk iu nda Dom Kolec Toni as ditë, as natë.

Formula fetare para dhënies shpirt të babës tonë

Me 23 shtator, ditë e marte, ora 7ºº e mbasdrekës u nda prej nesh, si një patriarkë, si një ikështenë i mirë i epokës së madhe të Krishtit. Ora 3. 30 mbas mesit të natës të datës 24 thashë meshën e Dritës në prani të kufomës. Ora 5ºº të mbasdrekës u ba vorrimi me pjesëmarrjen e shumë njerëzve në vorrezat e përbashkëta, tue pushue trupi i tij në dhe e shpirti i tij në Tenzonë. Ditën e dytë mbas vorrimit fillova të celebroj meshët e Shën Gregorit. Baba ynë fort i dashun u largue pa i pa luftat e stuhishme të tjera, që do të ngjajshin edhe pak muej në Shqipni, në qytet edhe në shtëpinë tonë.

Arrestime të reja

Historia e një vendi dhe e një qyteti asht e lidhun shpesh edhe me ate të një personaliteti. Atëherë edhe me atë të një ipeshkvi. Kisha dhe shteti janë dy institucione të themelueme nga Zoti. Të dy duhet të kenë punë të koordinueme, edhe kur të jenë njeni kundër tjetrit, Kisha vuen shumë herë nga shteti që kujton, se duhet të ketë gjithçka në dorë. Edhe ndërgjegjen.

Në Mesjetë shteti e ka dashtë kishën, por edhe asht përzie jasht tagri në punët e saj. Një prirje për ta dominue atë. Shteti komunist në Shqipni, me njerëz pa Zot e kundër Tij, shanë kishën, e fyen, i kufizon të drejtat, lirinë; e rrënon kishat, e burgosë, e torturon, mbytë meshtarët e u thotë se janë e keqja e shoqnisë e së ardhmes.

Arrestimi i Monsinjor Çobës (2 prill 1976)

Me datën 2 prill 1976, Monsinjor Çoba fjeti në shtëpi për të fundit herë. Rreth orës 11ºº të dates tre, gazi i Sigurimit e hoq nga banesa e tij dhe e çoi në një banesë të re, në banesën e Degës Brendshme. Ky qe arrestimi i Monsinjor Ernest Maria Çobës. Qe ditë e shtunde me diell. A asht e vërtetë pyetshin njerëzit njeni-tjetrin të shqetësuem se e arrestuen Dom Ernestin, se kështu e quejshin shumë njerëz për famën që kishte pasë edhe para se t’u shuguronte Ipeshkev? Po, vërtetë ndiheshin zane. I nipi i Dom Ndoc Nikës, Zef Nika, i burgosun i vjetër, njeri me shijë të hollë që për të dijtë gjithçka rreth ngjarjeve poliue. jetonte e merrte frymë, shumë i shkathtë dhe me një ecje të lehtë, edhe pse ishte në një moshë të kalueme, më pruni atë mbasdite të trishtueshme lajmin e sigurtë të arrestimit të Monsinjorit e tha këto fjalë: “Deri këtu e ka pasë. Mbaroi, tue peshue ma fort te termi, edhe karriera e tij”. Populli u mjerue. “Si nuk pushuen kurr me këto të zeza”, – shpreheshin njerëzit njeni me tjetrin.

Orë në orë pritsha edhe arrestimin tim. Po ashtu edhe Dom Koleci, edhe të tjerë. Nuk e lane vetëm Monsinjorin. Do të formojnë grupin. Lutsha me devociot Zojën e Këshillit të Mirë, jo që të mos arrestohesha, pse këte e mendojsha të sigurtë, por ma tepër të më shkojshin punët si duhet. Nana, vëllai e motra nuk shprehshin asgja. Ruejshin një frikë të fshehtë e një guxim, tue thanë: “Gjithçka ta lamë në dorë të Zotit”. Unë i kisha thanë familjës sa herë, se nuk më arrestojnë. Kjo gja mund të më ndodhe, nëse vjen dita me arrestue Monsinjorin. Kaluen javë dhe asgja. Asnjë arrestim. Kaluen muejt prill, maj dhe qershor. Më vinte mendimi, mos vallë më thërret Sigurimi tue më thanë se; “Na do të dënojmë Monsinjorin e, t’i do të dishmojsh për te, mbasi na i dimë marrëdhaniet tueja me atë. Zgjidh, o me dëshmue, ose na të arrestojmë edhe ty”.

Kjo ide fort e keqe m’u suell ndër mend, por nuk vuejta shumë, mbasi pranojsha, me ndihmën e Zotit, edhe vdekjen, por kurrsesi të kryej një veprim të tillë. Unë isha tashti në moshën 46 vjeçare dhe, ç’asht e vërteta, në asnjë rasë, në asnjë çast, nuk kam pasë ndonjë shqetësim prej organeve të Sigurimit Shtetit, që të më kërkojshin të isha në shërbim të tyne, agjenti i tyne, në këto çeshtje të ndyeta. E falënderoj Zotin që nuk kam ra në faje të tilla asnjëherë në jetën time.

Arrestimi im dhe i Dom Kolec Tonës (13 korrik 1976)

Me datën 13 të korrikut, Dom Kolecin dhe mue që kishim shkue për të kalue stinën e verës, na arrestuen në Razëm. Me një “Gaz” të Sigurimit të Degës, nënkryetari i saj, Ndue Gjini, me gjashtë police, mbasi na kontrolluen dhomat ku banojshim secili, tue i shtie frikën të zotit të shtëpisë e familjeve që kishin dalë me pushue na, për Shkodër. Në orën dy mbrrijtëm në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit. Më pritën me krahë hapët një grup oficerash e hetuesish, tue më shtie me shpejtësi duert nën sqetull, e tue më thanë: “Mirë se të ka prue Zoti, në shtëpinë tonë të re, të madhe e bujare. Ka herë të kemi pritë. Kështu e kanë burrat”.

Më futën në një dhomë hetuesie, me një dritare të madhe me hekura, një tavolinë, karrikë, një raft ngjyrë kafeje dhe një karrike të palëvizshme e ngjitun për muer. Menjëherë filluen pyetjet njena mbas tjetrës pa pushim, në prani të katër-pesë hetuesave, të cilët ndërrojshin me grupe, të gjitha fytyra të randa e të tërbueme. Pyetje mbas pyetjesh, ata kryesoret i mora vesht se më thanë të flitsha për marrëdhaniet e mia me Selinë përmes Legatës italiane. Kush ishte tjetër që i dinte këto lidhje. Do të na japish shpejt e saktë, se na kemi punë shumë e nuk merremi gjatë me krimet tueja, me ju armiqtë e betuem e të përhershëm të pushtetit popullor. Do të na tregojsh se me kë ke folë kundër pushtetit. Ku i ke fshehë materialet tueja në shtëpi, në kopsht. Ku e ke librin ‘Cuneus Prophetarum’, të Bogdanit, ku i ke shkrimet tueja kundër nesh.

Unë mohojsha gjithçka. Isha në kambë i mbështetun për muer për ndonjë çast, por nuk me lejshin ashtu. Britma të mëdha, të egra deri para fytyrës. Nisa të prishesha prej të nxehtit, prej lodhjes së madhe. Ata nuk pushojshin për asnjë çast: “Fol për lidhjet tua e, ku i ke shkrimet”, vazhdojshin sulmet. E kalojshin në pyetje ideologjike. Populli nuk ju ka dashtë, populli, rinia i ka mbyllë me arsye kishat. Pyetje për të pa qëndrimin tim e tue më vue në dijeni se dijmë të gjitha. Edhe unë kuptova shumë, për mos të thanë gjithçka. Cili kisha me qënë unë në vargun e ma shumë se një gjysë milioni të burgosunish? Cili numër? E i sa miliona ngjarjeve të formave të qenuna e të trillueme, pyetje të pa numrueme në repartet e zeza të hetuesive në epokën e diktaturës që asht me plane, projekte, me qëllime rrënuese, me shamje që asht dhunë, gërhanë, korrent, gjak, shkopinj, thyemje brijësh, kocash, krenash deformim fizik e moral qeniesh?

Çfarë ndërtese asht kjo ku hyjnë e dalin forcat e kualifikueme për tmerre, ku përsekutimet kalojnë ditë, javë, e muej e të të tanë në dhoma torturash, çpikje që i ka sajue ferri tokësuer, ku shfrejnë dhunuesit e ata që mbrojnë pa asnjë rezervë të keqen personale dhe kolektive?! Kjo zyrë shkatërruese që thirret Degë, dallon pjesërisht nga dikasteret e mëdha e të vogla të këtij shtetit përbindësh. Dega së pari ka punë shumë, nuk mund ta shtyjë asnjë veprim të sajin për ma vonë, ka ngut, urgjencë, asht qëndra e rrjetit informativ mbrendë e jashtë Shqipnie, një zyrë që kontrollon çdo person edhe pa e dijtë ai mobilizon, aktivizon e flliq me një rrjet agjentash, ndryshej ma saktë spiujsh o afijesh, për të ndjekë hap mbas hapi lëvizjet e duerve e të kambëve, të gojëve, të ndërgjegjeve, të ideve që janë kundër të vetmes ide, idesë së diktaturës.

Një zyrë që punon natë e ditë me drita elektrike që nuk hikën asnjë çast, pse aty asht zonë terri e korrenti. Në çdo vend ka hy dora e fortë e sigurimit, syni vigjilent i i tij. Në çdo dikaster, në çdo zyrë, çdo qendër punë, kooperative, shkollë, qendra kulturore, restorante, klube, dyqane, në sa familje, me arrijtë deri aty sa me pasë frikë çiftet prej njeri-tjetrit. Çdo lagje kishte operativin e sigurimit të vetin, çdo zonë fshati e malësisë, që kontrollon përmes veglave të fshehta çdo lëvizje, se kush vjen e shkon, çka ndien e flitet e, të gjitha jepen me relacione për t’u ruejtë pushteti, nga çdo infeksion anmiqsuer nga toka e nga ajri. Kjo detyrë bahet rregull, disiplinë e nevojë. Kontrollohet edhe partia e njerëzit e saj, deri te Komiteti Qendror, edhe vetë Sigurimi. Kjo hata e zezë përmblidhet në thanie: “çdo tre vetë, njeni ban punën e sigurimit”.

Asht ideja fikse që të mbrohet kjo super ide me fanatizëm, me rreptësinë e dhunës. Njeriu nuk do të ishte ma njeri e, që do ta shkatërrojë këtë njeri së pari ideologjia e partisë së manifestit komunist, teoria e materializmit të rrezikshëm dhe së dyti Sigurimi Shtetit, që asht makina bluese e grirse e qenies njerëzore që nga lindja deri në vdekje. Asht mordja jote. Ti nuk je i lirë për asgjë. Koka nuk ishte jotja. Nuk ka jetë, pse nuk ka zemër. Artin e vendos partia e Sigurimi, bursat e shkollave po ashtu e zgjedhjet e tyne kryhen simbas kuptimit klasor dhe politik, e shijet, muzikën, aprovimet e shfaqjeve, talentet janë në dorën e tyne e me rreptësi emnimet në vendet e punëve kryesore. Këtu gjindeshim, këtu gjindesha edhe unë.

Dita e parë e arrestimit, ajo mbasdite kaloi me zhurmë, me hymje e dalje, hetuesish dhe oficerash, me britma, me shprehje kercnuese e kjo deri mbas ora dymbëdhjetë të natës. Dhjetë ore në kambë në atë tronditje e mundim. Në dhomën ku me çuen, dhoma me numër 14, gjeta një dritë të lehtë elektriku, e vetëm një batanie të kuqe. Në vend të jastekut, palosa xhaketën. Bana kryq dhe thashë një Atynë, një Falemi Mri dhe Kjoftë lumni e Atit. I lodhun më xuni gjumi. Gjumin ka vazhdue ta kisha të mirë në të gjitha netët, edhe gjatë burgut, më ndihmoi të isha i qetë.

Birucë: Basriu prej Tepelene!

Përgjegjësi i birucave, i quajtun Basri, prej Tepelene, një fytyrë e randë, në mëngjes çili portën me krizëm të fortë e, më dha fshesën për të pastrue dhomën. Më rrinte pranë e me gjetë shkak, se fshihet kështu e jo ashtu, më ra fytyrës me shkopin e saj. Atëherë mu kujtue mue, se vërtetë nuk më ka ardhë asgja për dore. Për tri ditë, më lanë në qetësi të plotë. Asnjë thirrje në hetuesi, asnjë veprim. Më bijshin një gotë çaj në mëngjez dhe drekën në orën 12 e 30. Dreka kishte një tas të vogël me gjellë, e tue qene se ishte stinë vere, kishte ma tepër barishte, një përzimje patllixhanash, domatesh e ndonjë qepë në atë. Kishim vetëm 600 gram bukë për krejt ditën. Në mbramje asgja. Lejohej çdo dy javë një sasi djathi, bukë të mirë, biskota dhe ndonjë ushqim tjetër, që vinte nga familja. Gjithçka me gramaturë. Ishte magazina e ushqimit dhe e veshmbathjes, për të vendosë materialet. Çdo veprim kryhej o tue u çilë porta, kur duhej për të krye veprimet personale ose, përmes sportelit që e çilte oficeri i rojes. Në mur ishte e shkrueme përmbajtja e detyrave e të drejtave të të arrestuemit. Me të ra pika për drejtësinë e tyne.

Hetuesi Shyqyri Çoku

Mbas tri ditësh, ditën e shtunde, ora 8ºº, u hap dera e birucës, tue kërsitë rreptë e randë shulat e derës. Më lidhën duert me hekura tue m’i shtrengue fort dhe dy rojet e stërvituna aq mirë në dijen e arrestimeve, më çuen në dhomën e hetuesisë, ku gjeta vetëm hetuesin Shyqyri Çoku. U dha urdhën rojeve të më zgjidhin duert e u larguen menjëherë. Nuk më la në këmbë, por më la të ulesha në karrigen e ngjitun për mur. I thashë një përshëndetje të lehtë, tue i thanë nadja e mire, se ishte edhe shkodran. Më përgjegji me fjalën; mirë se vjen e, më tha të mos përshëndetish askend. Mue po. Hetuesi i vetëm, po më thonte: “A të asht mbushë mendja se je i arrestuem”? Nuk fola asgja. Filloi hetuesia. “Aktiviteti yt kundra pushtetit, asht i dokumentuem’ – dhe më tha: “Nuk ke çka kundërshton”, e për çudi pa më ba pyetje në ketë rasë, mori menjëherë nga zyra e tavolinës dokumentin e firmuem, të cilin ma lexoi e ma dha ta shof, se unë kisha pasë lidhje me Monsinjor Çobën, në marrdhëniet e tij me Selinë e Shejte, me anë të Legatës italiane në Shqipni.

Dokumenti e burimin larg, të një denoncues i pare, për të cilin unë dyshoj shumë, por që as sot unë nuk e di me siguri. Monsinjori u kishte thanë se; “Dom Zefit i kam diftue për lidhjet, por jo se ka bashkëpunue me mue”. Ishte mundue me evitue lidhjen e bashkëpunimit, që ishte e vërtetë e që do të më kishte randue. Sa u ba proçesi im, u firmue prej meje. Kjo ditë pat vetëm kaq. Hetuesia punonte me një takt me mue. Mbas dy ditësh, ditën e hane, gjithëherë i lidhun me hekura, më çuen me shpejtësi në dhomën e hetuesise. Gjithnjë hetuesi me qetësi më pyeti për kohën kur kishte fillue kjo veprimtari, se kushe  kishte dijtë veç meje, në çka kanë konsistue relacionet, si janë kenë sinjalet. Përpara se të arrestohej Monsinjori, kishin arrestue e dënue motrën e tij, Gjyljanën, me 20 vjet heqje lirie. Kjo kishte krye këtë veprimtari, tue marrë prej Monsinjorit shënime në letra cigaresh, për t’ia paraqitë një nënpunësi të Legatës italiane, në të cilën shkonte sa herë për të marrë pensionin e muejit, që ia dërgonte i shoqi, mbasi ishte e martueme me një Italian, që qeveria komuniste e kishte largue prej Shqipnie, si nënshtetas i huej.

Për të gjitha këto, bahej proçesi i daktilografuem me makinë e, i nënshkruem, tue pohue edhe se kjo veprimtari kishte disa vjet që kishte fillue e, nuk asht krye ma tepër se katër-pesë herë, se këtë nuk e ka dijtë tjetër kush veç meje, Dom Kolecit e ndonjë meshtari tjetër të mire, që e dijsha se ishte denoncuem, por që nuk kje arrestue për çudi, se Monsinjori mund të kishte disa vjetë që nuk e kishte vazhdue ma e, se materialet kishin qenë vetëm për çashtje fetare dhe jo politike, ushtarake dhe ekonomike për të cilat insistuen fort. Herë mbas here thirresha në hetuesi që vinte dhe randohej pse tashti nuk kisha punë me një hetues, por me shumë hetuesa, me pesë përnjëherë dhe me shkopinj gome në dorë. Hetuesia punonte metodikisht, me më shkatërrue. Ishte hetuesi e gjatë, që zgjati njëmbëdhjetë muej. Hetuesi më tha një ditë se; na jemi sjellë në një mënyrë demokratike me ty. Jashtmënisht ishte ashtu, por mbrendshmënisht jo. Nuk mundte as hetuesi me veprue ndryshej.

Hetuesi sillej me dorca me mue. Filluen torturat. Nuk pata asnjë goditje me shkopinj, me rrahje, me shtjelma, me korrent elektrik ose, tortura tjera. Por filloi mbas dy javësh arrestimi, përdorimi i ilaçeve të rrezikshme e të forta, që m'i qitshin në gjellë. Gjella u ba e vështirë për t’u hangër. Këto veprojshin randë mbi mue, po e shndërrojsha unin tim. Më vuente shpirti dhe trupi. Më mbaroi gjaku, dhe fuqia. Kishte raste që nuk isha i zoti të rrijsha në kambë e, për të ecë u kapshe për muer të dhomës. Një muej e ma tepër, para se të delsha në gjyq, isha shumë i fikun. Shtrihesha për drrasa me krahë hapun shumë orë të ditës, me dhimbje të forta. Torturë tanë ditën. Kisha shumë uri. Dimnit kisha të ftohtë se, nuk na lejshin të rrijshim ratë në shtroje e mbulojë. Ilaçet bajshin edhe këtë efekt, se prej këtyne arrijsha edhe në pikën, që mos t’u dukë asgja çka do të zbulojsh. Mendja, ende, m’u dukte kishte, mbetë e freskët. Memorie.al

Pse Enver Hoxha ndryshoi qëndrim ndaj Abaz Kupit! Nga arratisja tek persekutimi i familjes! Diktatori: Në Durrës luftonte kundër fashistëve që po zbarkonin

Abaz Kupi ishte nacionalisti dhe patrioti me një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, bashkimin e të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve politike, shmangien e luftës vëllavrasëse të nxitur dhe ushtruar nga Partia Komuniste dhe E. Hoxha, rrëzimin e komunizmit dhe rivendosjen e monarkisë.

 

Abaz Kupi do të ishte iniciator dhe kontributori kryesor i Konferencës e Pezës 16 shtator 1942, kontribut i gjeneral Abaz Kupit ku dominimi i figurave dhe krahut nacionalist në organet drejtues ishte dominues ndaj komunistëve. Vetë diktatori Enver Hoxha drejtuesi i Partisë Komuniste në një shkrim të botuar në gazetën “Zëri i Popullit”, organ i Partisë Komuniste, në nr. 11-12 shkurt 1943, do të shprehej për Abaz Kupin me këto fjalë: “Ditët e para të prillit 1939 populli shqiptar ishte në këmbë me një zemër dhe një parullë. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin.

Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit e bënë armikun të kthehej në vaporë e të linte në molo qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij “Djem, godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut”. Patrioti i vërtetë nuk lufton vetëm me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës. Bazi i Canes, i Krujës, Bazi i Pezës do të vazhdojë luftën deri në fitore”. Por jo shumë vite më vonë familja e Abaz Kupit pas emigrimit të tij përjetoi kalvarin e vuajtjes që nisi në vitin 1939, kur ata u internuan nga italianët për shkak të rezistencës së organizuar nga Abaz Kupi në Durrës. Internimi nga fashistët vijoi deri më 1944, kur më pas Abaz Kupi, i cili drejtonte mijëra forca të Legalitetit, u detyrua të largohet nga Shqipëria, duke marrë dy djem me vete, dhe njërin prej tyre do e linte të kujdesen për vajzat dhe bashkëshorten.

Këtu nis vuajtja e radhës për Familjen Kupi, të cilët deri në vitin 1991 nuk do të shohin dot asnjë ditë lirie, por vetëm burgje dhe internime të rënda nga komunistët. Më 24 tetor 1944 Abaz Kupi u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë. Familja e Abaz Kupit, bashkëshortja, vajzat dhe një prej djemve u persekutuan më shumë se kushdo.

LUFTA

Familja Kupi u dërgua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut të Brindizit. Për më shumë se një muaj, ata janë mbajtur në një burg të Brindisit, të izoluar plotësisht. Më pas i dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942. Më pas u lanë të lirë, banuan pranë t’afërmit, Sejfulla Merlikës. Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë po shihnin mundësinë e krijimit të rezistencës në Shqipëri. Kalon nga Turqia në Jugosllavi i pritur nga Gani Kryeziu në kryeqytet, ku takon kolonelin Stirling dhe kol. Dayrell Oakley-Hill, i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd. Me ndihmën e të cilit kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës me përkrahjen e ambasadës angleze në Beograd.

Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga Julian Amery. Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër por pas pushtimit të Jugosllavisë nga gjermanët, së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, e Mustafa Gjinishin, Kupi u fut në Shqipëri me ndihmën e Muharrem Bajraktarit për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit bashkë me të vëllanë, Ibrahimin, gjë që e bëri me shpenzimet e tij. Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ, si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat bashkë me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”. Më 26 korrik 1943, ora 11 para dite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

JETA

Abaz Kupi lindi në Krujë në vitin 1892. Në 1912-ën përkrahu Esat Pashë Toptanin, ndërsa në 1920-ën u rreshtua krah Mustafa Krujës kundër Ahmet Zogut. Pavarësisht mospajtimeve mes tyre, pas ardhjes së Zogut në pushtet, Kupi u bë komandant i Krujës, e më pas major në xhandarmërinë e Durrësit në vitet 1932-1939. Më 7 prill 1939, kur italianët zbarkuan në Durrës, Abaz Kupi, i njohur edhe si Bazi i Canës, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak, duke mbajtur qëndresë për 36 orë. Me pushtimin e Shqipërisë u largua drejt Stambollit. Në qershor të vitit 1939 familja e tij u internua në Himarë. U rikthye në atdhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të Mbledhjes së Pezës të mbajtur më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ-it. U bë nismëtari Konferencës së Mukjes, të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943.

“MUKJA”

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar e rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen e Shqipërisë Etnike. Marrëveshja themeloi një Komitet të Shpëtimit Kombëtar i cili duhet të merrte drejtimin e lëvizjes së rezistencës shqiptare. Nga ana e komunistëve shqiptarë, marrëveshja u nënshkrua nga Ymer Dishnica, një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër.

Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës. Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar VukmanoviçTempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

PROGRAMI

Në mbledhjen Kombëtare në Tapizë më 26 korrik 1943 u vendos: “Sot më 26 korrik 1943, ora 11 p.dite, u mblodhën në shtëpinë e Z. Dr. Ihsan Toptani në katundin Tapizë të Tiranës, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i përbërë prej Z. major Abaz Kupi. Myslim Peza, Dr. Ymer Dishnica, Kamber Qafmolla dhe Mustafa Gjinishi dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar”, i përbërë prej Z. Mithat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Me vendim të përbashkët u zgjodh Z. Mithat Frashëri si kryetar i mbledhjes dhe Z. Mustafa Gjinishi si sekretar. U vendos të pranohen si dëgjues Z. Pater Lek Luli, Dr. Ihsan Toptani, Xhemal Herri, Gogo Nushi, Sali Vata dhe Abdullah Ymeri.

Delegatët e të dyja organizatave, duke interpretuar dëshirën dhe vullnetin e popullit shqiptar për me ndjekë një luftë të përbashkët kundër okupatorit fashist dhe atë të dy organizatave përkatëse, vendosën: Neni 1: Të formohet një komitet i përbashkët lufte me emrin “Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë”. Neni 2: Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë ka për qëllim realizimin e këtij programi: 1- Luftë imediate kundër armikut okupator për çlirimin e Shqipërisë. 2- Indipendencën e plotë të Shqipërisë në kufijtë e 1913-ës dhe realizimin e bashkimit me atdheun shqiptar të viseve të banuara prej shqiptarësh, në virtut të parimit të përgjithshëm të vetëvendosjes së popujve, të njohur universalisht dhe garantuar prej Kartës së Atlantikut. 3- Një Shqipëri të lirë independente, demokratike të vërtetë. 4- Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal. 5- Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë pushon të ekzistojë me formimin e një qeverie provizore. Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë do të formohet sa më shpejt që ta lejojnë rrethanat. Delegatët e Ballit Kombëtar për deri në aprovimin e organizatës së tyre e nënshkruajnë këtë rezolucion “Ad referendum”. Delegatët K. i Përgjithshëm Nacionlaçlirimtar (5 firmat) Balli Kombëtar (3 firmat)”.

PROCESVERBALET

Proces-verbal: “Sot më datë 1 gusht 1943 u mbajt në katundin Mukje, mbledhja e dytë e delegacioneve të Organizatës B.K. dhe të Organizatës Nacional-Çlirimtare. Kryesia e mbledhjes me vota unanime iu ngarkua Z. Thoma Orollogajt dhe sekretaria Z. M. Gjinishi. Bisedimet i hap Z. Dosti, delegat i B.K. i cili deklaron se pas bisedimesh që bëri qendra e Ballit proces-verbalit të marrëveshjes së bërë më 26 korrik 1943, të nënshkruar adreferendum prej delegacionit të Ballit, e gjen të nevojshme të bëhet një shqyrtim disa pikave të akordit të arritun.

Bisedohet dhe vendoset që pika 1 e nenit 2 të ndryshohet dhe të qëndrojë në këtë mënyrë: Pika 1. Luftë imediate kundër armikut okupator dhe kundër çdo armiku tjetër eventual okupator Pika 2. Luftë për një Shqipëri independente dhe për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vetëvendosjes së popujve për një Shqipëri Etnike. Pika 3. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Një Shqipëri të lirë, indipendente, demokratike, popullore. Pika 4. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë bie me formimin e një qeverije provizore. Pika 5. ndryshohet dhe pranohet në këtë mënyrë: Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një asambleje konstituante, të zgjedhur me sufrazh universal direct”.

LARGIMI

Duke mos u pajtuar me qëndrimet e Enver Hoxhës, i cili në shtator 1943 hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit, në 19 nëntor 1943, Abaz Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe më 21 nëntor formoi Lëvizjen e Legalitetit, që synonte në rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Megjithatë ai iu shmang luftës civile të nxitur nga komunistët deri kur komunistët nisën të sulmonin Gegninë dhe zonat e Bazit. Gjatë avancimit të komunistëve në veri gjendej në vështirësi për të manovruar mes malesh, sidomos në Mirditë.

Në pranverën e 1944, përveç oficerëve Billy McLean dhe David Smiley iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Raportet e operacioneve të shumta kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Gabimet dhe spiunazhi komunist në Shtabin e Përgjithshëm të Operacioneve Speciale (SOE) në Bari bëri që nëpërmjet keqinformimit s’u kuptua veprimtaria e Bazit. Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu nëpërmjet një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej bashkë me oficerët britanikë), për 6 ditë pa ushqim e pa ujë derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze që i çoi në Brindizi të Italisë. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.

EMIGRACIONI

Më 24 tetor 1944 u largua nga atdheu. Familjen e la në Shkodër. Djali i vogël, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja dhe vajzat u internuan në Tepelenë e më pas nëpër kampet e Myzeqesë. Në emigracion merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me president Mit’hat bej Frashërin, që do zëvendësohej nga Hasan Dosti. Më 7 korrik 1949 u emërua president i Juntës ushtarake, nën projektin “Valuable” – organizëm kontrollues i operacioneve ushtarake sekrete për destabilizimin e regjimit komunist në Shqipëri. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara. Vdiq më 9 janar 1976 në SHBA, New York, trupi i tij prehet në Kew Gardens Cemetery në Queens – New York

/Gazeta Panorama

1978- Susan: “Jam plotësisht e lumtur dhe shpresoj që të kemi një fëmijë…”

Diario de Burgos (1978) / “Jam plotësisht e lumtur dhe shpresoj që të kemi një fëmijë…” — Intervista ekskluzive me mbretëreshën Susan të Shqipërisë në periferi të Madridit

Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15

Nga Aurenc Bebja*, Francë –  5 Janar 2025

 

“Diario de Burgos” ka botuar, të enjten e 22 marsit 1978, në faqen n°15, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në përiferi të Madridit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Mbretëresha Susan e Shqipërisë, në ekzil të artë në Madrid

Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15

 

Si çdo amvisë është e shqetësuar për rritjen e çmimeve

Ajo preferon një jetë të qetë në shtëpinë e saj në periferi të kryeqytetit të Spanjës

Mbreti Leka është zgjedhur “Mbret i Shqiptarëve” nga më shumë se tetë milionë nënshtetas në ekzil

 

Nga Taño PEREZ dhe Agustina LOPEZ DE LOS MOZOS

 

Ne dimë pak ose shumë pak për Shqipërinë. Ndoshta vendndodhjn e saj, diçka nga historia e saj aktuale : të dhëna të ftohta, të largëta, të pajetë nga një tokë e largët që nuk ka njexrrë kurrë zë dhe pothuajse kurrë nuk ka mundur të flasë me zërin e saj.

 

Për të na treguar për Shqipërinë do të shkojmë të takojmë një grua. Susan-a, shumë kilometra larg vendit të saj, mbretëron në zemrat e atyre tetë milionë shqiptarëve që, si ajo, jetojnë në ekzil (mërgim) për shkak të dominimit komunist.

 

Dy burra me tipare orientale na hapin derën dhe prej andej na shoqërojnë dy bóxer-ë (racë qeni) që nuk do të largohen kurrë nga ne.

 

— Më pëlqejnë shumë qentë dhe të gjitha kafshët, thotë ajo ndërsa përkëdheli Charly-n. Unë kisha një majmun të vogël, por ai ngordhi.

 

E lindur australiane

Mbretëresha e Shqipërisë, Susan, në rezidencën e saj në Madrid. — (Foto EFE-FIEL). — Burimi : Diario de Burgos, e enjte, 22 mars 1978, faqe n°15

E shoqja e mbretit Leka, Susan-a, na përshëndet menjëherë, te dera e shtëpisë. Ajo është një grua e gjatë, me sy të çelur, bjonde. Ajo është e veshur thjesht – që është një nga kushtet për të qenë elegante –. Ajo i hedh flokët mbrapa dhe i mban të shtrënguara. Përshtypja e parë që ajo lë është qetësia e pamasë : fytyra e saj është pjekur, e butë, paqësore. Gjestet e saj, mënyra e saj e të folurit, nuk i prishin asgjë kësaj harmonie.

 

Gjatë gjithë intervistës ajo do të flasë me një theks të lehtë anglez, gjuhën e saj, pasi është e lindur australiane.

 

— Gjithashtu studioj shqip çdo ditë, me një mësues vendas

 

— Ne duam të dimë se çfarë bëni, si është një ditë e zakonshme për ju.

 

— Së pari, shtëpia, leksionet. Mbreti dhe unë jemi shumë të thjeshtë dhe e kalojmë kohën duke luajtur shah dhe duke lexuar. (Mbreti flet tetë gjuhë). Mundohemi të mos udhëtojmë shumë në Madrid, pasi trafiku është problem. Ne preferojmë t’i presim miqtë tanë në shtëpi. Jeta në fshat është shumë e bukur (ata jetojnë afër Somosoguas), larg zhurmës. Kur ra borë, ne bëmë një burrë dëbore gjashtë këmbësh në kopsht (sepse Mbreti është i gjatë, i thashë, dhe ajo buzëqeshi). Ai u shkatërrua përfundimisht nga qentë.

 

Miqtë e tyre janë njerëz “normalë” :

 

— Ne kemi miq në Trupin Diplomatik, por “flasim” më shpesh me të tjerë që nuk kanë lidhje me jetën politike.

 

“Plotësisht e lumtur”

 

Teksa bëjmë foto, shikoj dekorimin e shtëpisë: foto familjare, ndoshta objekte shqiptare. Shoh një kuti cigaresh me firmën e Arias Navarro-s. E pyes nëse janë miq.

 

— Po, ai është një mik i madh. Ai luan golf me ne, ne e kemi njohur që nga koha e tij si kryebashkiak i Madridit.

 

— Gjej rastin t’ju pyes nëse keni marrëdhënie me qeverinë aktuale, nëse e njihni Suarezin apo ndonjë ministër.

 

— Epo jo, por… — buzëqesh ajo, — shpresojmë të kemi.

 

Duke ndjekur fillin e bisedës, e pyes se si i duket tani Spanja.

 

— Unë kam parë ndryshime, çmimet janë rritur shumë, është për të të ardhur keq për terrorizmin, vdekjet, dhunën, prandaj preferoj shtëpinë dhe këtë qetësinë e fshatit dhe ju përgjigjem si grua, si çdo amvisë tjetër. Nuk dua të jap një opinion politik, ne jemi këtu mysafirët e Mbretërve dhe duhet t’u jemi shumë mirënjohës.

 

— Po Shqipëria ? Ajo na thotë se beson në “suksesin përfundimtar”.

 

— Shqipëria ka vetëm dy milionë e gjysmë banorë, ndërsa në të gjithë botën ka tetë milionë të mërguar. Ata kanë qeverinë e tyre në mërgim, bëjnë zgjedhje të lira çdo vit dhe zgjodhën Mbretin Leka si Mbretin e tyre të vetëm “Mbret të Shqiptarëve”, por jo ende, “Mbret i Shqipërisë”.

 

Për të përfunduar, i kërkoj të bëjë një bilanc të viteve të martesës :

 

— Jam plotësisht e lumtur — kjo është martesa e saj e dytë — dhe shpresoj që të kemi një fëmijë. Një pjesë të kësaj lumturie ia kam borxh Spanjës.

 

(Fiel — Shërbimet Speciale EFE).

DIKUR…N’SHKODER- Pergatiti Fritz RADOVANI

 

FRANO  NDOJA (1862 – 1923)

 

Shkodra ka kenë epiqendër e kulturës Shqiptare, në konceptin ma të gjanë të fjalës! Një pohim i tillë përforcohet edhe nga Pashko Vasa.

Në njëlloj kuptimi, lindja, formimi dhe konsolidimi i ahengut janë të lidhuna ngushtë me vetë jetën ekonomike, shoqnore, politike dhe kulturore të qytetit të Shkodrës në shek. XV-XX. Duhet të pohojmë se Shkodra ka kenë epiqendër e kulturës shqiptare, në konceptin ma të gjanë të fjalës. Jo rastësisht letërsia e vjeter shqipe zhvillohet kryesisht në Veri të Shqipnisë me qender në Shkodër, nga autorë të cilët ishin të lidhun ngushtë me kulturën latine. Një pohim i tillë përforcohet edhe nga Pashko Vasa kur thotë se kur u nda Perandoria Romake, Shkodra u lidh me fatin e Romës. Pjesë përbase mjaft e rëndësishme e “kulturës”, ka kenë edhe muzika, edhe në kuptimin ma të pjesëshëm. Një nga arsyet se pse ahengu qytetar gjindet në formën e tij. Në shek. XIX Shkodra ishte qendra ma e rëndësishme e tregtisë dhe e artizanatit në Shqipni dhe njëkohësisht kryeqendra administrative dhe politike në shek. XV. Në shek. XIX me Palok Kurtin (1850-1920), Frano Ndojën (1860-1925) e At Martin Gjokën, për të vazhdue me shumë me të shquemit muziktarë shkodranë të gjysës së dytë të shek. XX: Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Tish Daija, Pjetër Gaci, Tonin Harapi, Gjon Simoni, Simon Gjoni etj, të cilët, krahas të tjerash, me veprën dhe jetën e tyre. Një fakt të rëndësishëm kishte terreni, pra nga ata lindën se ishte në thalb edhe një terren krijues muzikor. Një fakt i pamohueshëm se në shek. XV-XIX, i vetmi terren muzikor i cili përfshinte dhe argëtonte shtresa të gjana të popullatës qytetare shkodrane ka kenë ahengu popullor.

Mbas tre vitesh ajo drejtohet nga Palokë Kurti. Repertori përmbante muzikë patriotike dhe krijime të autorëve të huej. Shkodranët e pritën mirë qysh në fillim, megjithëse jepte koncerte vetëm një herë në muej. Kjo bani që banda të kishte një program ma të ngjeshun dhe të jepte një koncert në javë.

Palok Kurti, një ndër mjeshtrat e mëdhaj të muzikës, e pasunoi repertorin e kësaj bande me pjesë të reja me karakter popullor të krijueme prej tij. Këto pjesë frymëzoheshin nga kangët e traditës si dhe nga ngjarjet historike që kalonte populli shqiptar në fund të shek. XIX në sundimin e perandorisë otomane.

Për dy vjet banda nuk funksionon mbasi qeveria turke e internoi Palokë Kurtin. Banda e parë e cila drejtohej nga Kurti, vazhdon aktivitetin nën drejtimin e rrobaqepsit Frano Ndoja, në vitet 1889-1923. Në vitet 1889-1892 kjo bandë fiton respektin e popullit dhe merr pjesë në çdo ngjarje historike.

Më 28 Nantor 1912, banda e Shkodrës e drejtueme nga Frano Ndoja shkon në Vlonë në ditën e shpalljes së Pavarësisë. Pesë vjet ma vonë, ajo shpërndahet dhe riorganizohet përsëri në vitin ’30. Deri në vitin 1932 ajo drejtohet nga mjeshtra si Kolë Plani, Luigj Prela dhe Zef Kurti.

Në vitin 1944 orkestrën frymore të qytetit e drejton Abdullah Grimci. Mbas çlirimit të vendit, banda kalon në varësi të shtëpisë së kulturës Shkodër dhe deri më 1987 ajo drejtohet nga figura të njohuna të muzikës si Prenk Jakova, Nush Shllaku, Tonin Daia.

Orkestrat frymore në Shqipni janë ma të vjetrat e gjithë formacioneve muzikore. E para u themelue në 1878 në Shkodër. Gjatë shek. XX këto formacione u ngritën pothuejse në çdo qytet.

Ishin shkollë prej nga dolën kompozitorë e muzikantë që u banë nismëtarë për krijimin e shkollave artistike. Në vitet e tranzicioninit, në të shumtën e rasteve, u shpërbanë, por kohët e fundit komunitetet artistike dhe bashkitë i mbështeten.

 

1889 Orkestra Frymore e Frano Ndojes… Shkoder.

 

KAFJA E MADHE SHKODER

Orkestrat frymore janë pjesë e rëndësishme e traditës kulturore qytetare. Gjatë shek. XX, këto formacione u ngritën pothuejse në çdo qytet dhe u banë pjesë e rëndësishme e jetës artistike dhe kulturore të qyteteve tona. Orkestrat frymore janë jo vetëm themeli i muzikës së kultivueme kombëtare, por dhe me ndikim në formimin e ftyrës europiane të qyteteve tona. KOF (Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore).

Orkestrat frymore në Shqipni janë ma të vjetrat e gjithë formacioneve muzikore. E para u themelue në 1878 në Shkodër. Gjatë shek. XX këto formacione u ngritën pothuajse në çdo qytet. Ishin shkollë prej nga dolën kompozitorë e muzikantë që u banë nismëtarë për krijimin e shkollave të sotme artistike. Në vitet e tranzicionit, në të shumtën e rasteve, u shpërbanë, por kohët e fundit komunitetet artistike dhe bashkitë po i mbështesin tue i vue në shërbim të zhvillimit të turizmit kulturor.

 3 vjet më vonë e drejton i shquemi Palok Kurti e për 60 vjet trashëgimtarët e familjes Kurti.

* 1898 Frano Ndoja krijon të dytën bandë muzikore po në Shkodër.
* 1908 themelohet “Banda e lirisë”.

* Më 1932 Dom Mikel Koliqi çili “Scuola Cantorium”, krijohet Banda e Françeskanëve dhe disa banda, si ajo e Artizanëve, e Bashkisë, e Garnizonit të Ushtrisë Shkodër etj.

Për herë të parë, populli i qytetit të Shkodrës do të shihte në rrugët e tij në vitin 1878 një grup burrash, të veshun njësoj, që ecnin nën ritmin e një muzike. Veglat që ata kishin në gojë nuk ishin buri të zakonshme, që deri atëherë përdoreshin rëndom nga banorët, por disa sende të çuditshme, nga të cilat përhapej muzikë, një muzikë që i bante gratë të lenin gatimin dhe të shkonin drejt në oborr.Tre vjet ma vonë kjo orkestër filloi të drejtohej nga i shquemi Palok Kurti. Për ma shumë se gjysmë shekulli, trashëgimtarë të familjes Kurti drejtojnë orkestra frymore në qytetin e Shkodrës. Por edhe krijohen të tjera orkestra frymore si ajo e Artizanëve, Bashkisë, Ushtrisë e lagjes Parrucë etj.

E pra, DIKUR… KJO ISHTE SHKODRA!


Shenim nga FR: Materiali asht punue nga Studjuesi Gjush Sheldija.

            Melbourne, 11 Kallnduer 2025. 

Kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës: Mehmet Shehu, gjatë vizitës në Shoqninë e Jezuitvet: ‘luftojmë klerin reakcionar, jo ndjenjat e besimtarëve’, Patër Meshkalla iu përgjigj…

Publikohet një studim i panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.  

TERRORIAta e morën vesh vonë se Mesha e Krishtlindjes në mesin e natës, nuk do të thohet nga frika e ndonjë turbullimi që mund të ngjante nga ai ndryshim fort i madh, në atë fund nandori. Kisha e Madhe në atë madhninë e vet, rrinte e heshtun dhe imponuese në këtë natë të mistershme që binte mbi qytet, deri në agim. Qyteti priste mesnatën e njerëzit nuk e kishin bjerrë gëzimin, as gjallninë e mbrendëshme, që sjell kjo orë. Ishte herët me të hi trishtimi dhe tmerri i vërtetë. Kishat, rrugët u banë të heshtuna në disa orë e, Kisha e Madhe si një lajmuese edhe e ngjarjeve, që do të qëndronte në çdo formë nën kupën e qiellës, si një ndërtesë frymëzuese, pa bjerrë madhninë e kujtimin në asnjë rrethanë, kishte një fuqi, me një pamje e cila dukej plot vështrime: Gjithmonë me ngjyrën e vet të dallueme historike, gjithmonë dishmi për gjithçka.

Ajo, tue pasë një dritore të rrumbullakët nalt në ballin e saj, nëpër të cilën prindja u thonte fëmijëve se hyjnë e dalin engjujt, kishte jetë, komunikonte dhe me atë sy të madh, depërtonte në thellësi kohe dhe ruente me shikim të gjallët që përcillte deri te vorri dhe të vdekunit deri në lumni. Ishte e vështirë me e përcaktue këtë kishë, në këtë natë. Ajo e ndiente se diçka kishte mangut. Nuk ishte zemrue askush me atë, për një herë. Por ajo ishte mësue me pritë tetë mijë, dhetë mijë vetët e mandej, me i përcjellë me urime qiellore deri që të mbyllshin sytë besnikët, me kujtimin e Betlehemit. Mes heshtisë, arsyeve dhe shejve, ajo Katedrale ruente veten dhe gjithçka të çmueme. Ishte mbrenda saj një jetë mbitokësore.

Në këtë natë, nuk kishte ndonjë rrezik, nuk ishte tufan. Ishte thjesht një urti, që vinte nga ana e Kishës, një lloj frike mos të kishte me të vërtetë turbullime, në orët e vona. Kjo e çuditi pushtetin e ri. E ky që e dinte vetin se kush ishte, u gjet ngusht. Tue qenë se kanga ishte këndue: “Luftë pa dallin feje, krahine e ideje”, duket se u vra në sedër. Atëherë shteti i pakonsoliduem, kurrsesi nuk donte që të mos thohej mesha. Ata ndërhyjshin pranë Kryeipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit dhe merrshin përsipër me lajmue popullin vetë nacionalët çlirimtarë të krishtenë dhe ndonjë komunist i krishtenë, me ngutin e punëve të tyne.

Kjo edhe pse ishte vonë: rreth orës katër. Ata kërsitshin prej derës në derë e, thojshin: “Sonte thohet mesha e, mos të keni frikë, pse besimi asht i lirë”. Ata e quejshin shpifje, po të thonte kush se; besimi nuk do të ishte i lirë e, për ma tepër mund të ndëshkohej, ai që bante këtë shpifje, që për ata do të ishte një parrullë e reakcionit. E ky lajm do të sigurohet nga ramja e kumbonëve, shej i vërtetë se nuk kishte dredhi. Shtimja e madhe që rrinte në shpirtin e doktrinës, nuk e zbulonte menjëherë veten.

Do të dijë vetë si me veprue tash që ka dalë fituese. Por tash nuk kishin kohë me u marrë me këso çashtjesh të randa. Ata kishin punë të tjera. Rrugët e ngushta po mbushen me popull, me lëvizjen e natës së madhe, edhe ndonjë frikë e kotë, u zhduk, se populli merr frymë menjëherë, kur i ikë pengesa. E përmbante kjo taktikë luftën e madhe, që do të kalonte çdo kërdi e vrasje? A ishte sinjali tinzar, se gjithçka do të fillonte e vazhdonte me tradhti e mashtrim? Mesha u tha për bukuri. Festa u kremtue lirisht, si në çdo vjetë të kalueme.

Po kush mund t’i besonte një doktrinës së pa Zot e, atyne njerëzve që, çka pohojshin në mëngjes, e anulojshin në errësirën e asaj mbramjeje? Lirinë për të cilën Apostulli shkruen se; “gjindet atje ku asht Shpirti i Zotit”, ata nuk e njifshin. Ata do t’i shkatërrojshin të tjerët, se kishin shqetësimet e planet e veta. Me siguri përmbrenda pat një si fat të keq, kje si një krizë, si një ogur i zi, pse çdo feste së mavonshme, do t’i mungonte diçka e madhe. Jo një realitet fetar, por një liri fetare e mjaftë kjo, për t’u nxi qielli e për t’u prishë punët.

Ata nuk mundshin me durue gjatë, ata nuk do të mundshin me qindrue pa gënjeshtrën e vet në gjithçka. Ishte interesante se në kishë do të shkohej, ato do të mbusheshin. Asnjë mendim përnjëherë me i hjekë popullit besimin, por me i hjekë kishës priftin. Dallojshin: luftën e kemi kundër klerit reakcionar dhe jo me pengue lirinë e besimit. Në një vizitë që kishte ba Mehmet Shehu, në ditët e para në Shoqninë e Jezuitvet në Tiranë, kishte thanë se na luftojmë klerin reakcionar, jo ndjenjat e besimtarëve. Pater Meshkalla i kishte dhanë përgjigje: “Ju do të veproni kundër të dyjave”.

Të vërtetën e parë po e çonte në vend regjimi. Reja e zymtë që mbushi qiellin e ernat që sollën shtërngatat mes vetëtimave e bubullimave si një stuhi nohetiane, po rrëzonte landët e caktueme e shuete dritat, se duhet terr për t’u ba punët e mbrapshta. Kështu fillimi niste në mëngjesin ende të ftoftë të Diellës së Larit, me pushkatimin e Don Ndre Zadejës. Do të vazhdojshin arrestimet e pushkatimet pa ia da, herë mbas heret. Këta ngjajnë, do të thojshin, se meshtarët merren me politikë.

Dom Lazër Shantojës, i kjenë ba tortura fort çnjerëzore. Nuk ja mjekuen kambët e duerët, si të këputuna.

Trupi i tij, kje ba si i fëmijës. I bajtun ky trup prej duerësh, kështu u gjet para ekzekutimit. U pushkatue, gjithmonë mbas torturash dhe regjenti Pater Anton Harapi. Delegati Apostolik, Monsinjor Nigris, nuk kje lanë të hynte në Shqipni, kur po kthente nga Roma. Pa asnjë lidhje me Lëvizjen e Postribës, që donte të përmbyste “Pushtetin Popullor”, në vjetin e dytë të regjimit të ri e që po pregatitej të ishte e përgjithshme në Shqipni, kjenë arrestue Zv/Delegati Apostolik, Monsinjor Frano Gjini e, Monsinjor Gjon Volaj, Ipeshkvij.

Së bashku me Monsinjor Nikoll Dedën dhe trembëdhetë civila, pushkatimi, që asht akti i fundit, qe një shpëtim për ta. Organizata nacionaliste “Bashkimi Shqiptar”, me të krishtenë e muslimanë, kishte rrajen në Seminar. Seminaristat prej një zelli atdhetar, vepruen pa dijeninë e të parëve, me disa aksione shtypi e, kjo shkaktoi pushkatimin e Pater Gjon Faustit e, të Danjel Dajanit. Me këto u pushkatue dhe niciatori i guximshëm, seminaristi Mark Çuni. Por përpara Faustit e Dajanit, e pau derën e burgut jezuiti zelltar, Pater Jak Gardini, që mbasi bani dymbëdhjetë vjetë apostullim, në Shkodrën e traditës së jetës katolike, do të plotësonte edhe dhetë vjet të tjera burgu e internimi e, shembull misionari.

Kurse Pater Gjon Shllakun, intelektual, vërtetë intelektual i shquem, si mbas kangës tallëse që këndohej porsi valle revolucionare në sheshin e qytetit, gjatë gjyqeve të llahtarshëm, e pushkatuen si i akuzuem padrejtësisht, se formoi Demokristianen. Në dosjet e meshtarëve e të civilëve, u gjetën fjalët e mendjes, të zemrës dhe të shpirtit Kristian, në dosjen e tyne: “Rrnoftë Krishti Mbret! Falim armiqët tonë”! Këto fjalë u gjetën dhe te Pater Mati Prennushi e, Pater Çiprian Nikaj, Provinciali e Guardiani me të tjerë, të akuzuem për shitjen e armëve te lteri i kishës.

E u dënuen e vuejtën randë në burgje dhe Pater Donat Kurti e, Pater Aleks Balqi. Kuvendi i Françeskanëve të Gjuhadolit, u shndërrue në një hetuesi të përgjakshme dhe burg. Kuvendi u ba burg, me afër shtatëqind frymë: shtatëqind shpirtën, me sa heronj. Edhe Fra Ndou, sakrestan i Kishës dhe frateli i shquem jezuit, Gjon Pantalia, i vdekun mbrenda ndër tortura. Një Drita, një vajzë e burgosun, shërbeu me aq pastërti e fisniki të vuejtunve, që ishin ndër plagë e ndër grahma. Çka hoq kryeipeshkvi i Durrësit, Monsinjor Vinçenc Prennushi, ma tepër se me qenë i pushkatuem, e dinë të burgosunit që jetuen me te.

Drita Kosturi, kje si një motër e mirë, për Pater Pal Dodën. Arshi Pipa, si një vlla i vërtetë, për Monsinjor Prennushin.

Dom Anton Muzën, të torturuem për vdekje, e lëshuen të gjallë e për gazep, për të jetue disa muej në Arqipeshkvi. Dom Dedë Maçen, të përzemërt, të palkundshëm, e pushkatuen para regjimentit ushtarak. Ndër tortura fort të randa, ku edhe vdiqën pa gjyq, do të ishin Pater Bernardin Palaj, Dom Dedë Plani e, Dom Luigj Bushati. Dom Luigj Prendushi, pushkatim, Pater Bernard Llupi, ndër tortura e pushkatim, në Pejë, Dom Alfons Tracki e Atë Zef Maksen, gjermanë, punojnë për Kishën në Shqipni. I pushkatojnë. Janë të huej e të afërt. Don Pjetër Çuni e Dom Lekë Sirdani, qytetari i Shkodrës dhe malsori i Bogës, janë deri në fund për Krishtin dhe në gjirizet e nëntokës, ku dhanë jetën. Françeskani At Serafin Koda, dha shpirtin me gabzherrin e xjerrun nga fyti.

Që të dy Papat: Papa Pandi e, Papa Josifi, Papa Pandi, prift i ritit oriental në Korçë e, Papa Josifi, prift i ritit oriental në Elbasan. Të parit iu gjet koka e preme, vendosë mbi trupin e vramë. Të dytin e mbytën në baltë për se gjalli, në kampin e punës së mundimeve në Maliq. Shembuj të naltë të jetës edhe para vdekjes. Kur të vijë dita e lirisë, le të jenë prijsa të rritjes së katoliçizmit në jug, të cilin e përshkoi Apostulli Pal. Kjahmet e lumni u pa te Dom Mark Gjani. Tue e torturue i kërkojshm të mohonin Krishtin. Ndër ato tortura, bante dishminë e madhe: “Rrnoftë Krishti Mbret”. I mvarun ndër shpatulla, vdiq. Trupin ia hodhën qenve, mbeturinat i lëshuen në prrue. Shpirti pushoi në Tenzonë.

Shkollat e virtytshme me seriozitetin e dijes, shtypi i ngritun dhe shoqnitë fetare që mbajshin jetën shpirtnore e njëkohësisht edhe atë shoqnore me doke të mira dhe me esencën e qytetnimit të kulluet, shpërdaheshin dhe ndaloheshin në fillim, para kushtetutës. Kishat ishin të mbushuna, por funkcionet e vorfna. Nuk kishte kush t’i kryesonte. Mungonte Arqipeshkëvi, kleri, xhakojt. Edhe një kor fort i vogël që kishte mbetë, ishte me zane të pafuqi. Njerëzit e shifshin meshën dhe hyjshin e delshin me një heshti. Ishte frikë, ishte e frikueshme gjendja, rruga, ajri, shikimi, zgjimi, muzgu: terr i zi.

Kisha e Madhe, kishte provue edhe luftën. Ende në muret e saj, gjindeshin gjylet e kohës së luftës me serbët e malazezët. Ajo kishte pritë e përbujtë qytetarët, të cilëve u kishte lejue sofrat e bukës dhe dyshekët ndër lterë. Ajo kishte pasë rrezikun e frikës. Tash ishte frika e rrezikut. Rreziku vetë. Mos po mbyllet ndonjë kishë, se njerëzit kur drejtoheshin, mendojshin mos kanë marrë edhe meshtarët e fundit. Arqipeshkvinë e morën. Vendosen familje oficierash: oficera të malit. Kishin lanë vetëm një dhomë në katin përdhesë.

Dom Ernestoja e Pater Berisha, kishin shum punë e, do t’i bajshin ballë krejt qytetit, tue fillue prej atyne që vijshin në këtë botë, për t’u dhanë pagëzimin dhe atyne që do t’u përciellshin deri te vorri. Dita e diellë ndryshonte pak o aspak, nga ajo e ditëve të javës. Vetëm ndonjë predikim në kishë edhe ndonjë meshë. Kumbonët e mëdha kur bijshin, të kujtojshin se ka festë, por festa nuk bahej. Fratel Ljarja, u mundonte të mbante gjallë kishën me zbukurime. Atë punë bajshin fra Ndou e fra Salvatori, në kishët Françeskane.

U mbushëshin lteret me qira e lule. Por gjithçka e vorfën. Jeta në kishë bahej e mbyllun e shum njerëz, me një lloj frike e pendimi, me një farë nguti, hyjshin në kishë e dojshin me krye punë. Kanë shum nevojë për meshtarin që ndoshta nesër, shum shpejt, nuk e kanë. Erdhi prova e madhe, thojshin njeni me tjetrin, se nuk ja kemi ditë Zotit. Asht një të avitun kah e vërteta. E njerëzit, kur shifeshin, të dukeshin të tjerë, ndoshta ma të mirë. Futeshin në kishë e ecëshin me hapa të qetë dhe të divoçëm. Gjindeshin dy kupa të mëdha me ujë të bekuem e, mbasi lyheshin në ballë tue përkulë gjunin, bajshin kryqin.

E fillojshin jetën e re. E lutjen do ta fillojshin me Atynë-n. Thue” “Ati Ynë”. Me këtë përshëndet Zotin dhe të gjithë vllaznit që janë pranë e, me këtë ke parasysh krejt njerëzimin. E pa mendue konkretisht se u largove nga rruga, nga sheshet, nga vizitat, nga problemet, nga fitimet, merrshin njerëzit një pamje tjetër, se me siguri erdhi një kohë, për t’i ba analizë vetvetes. “O Zot i madh, në ketë orë pune”! E kjo duhej ba kështu: po të lutem për vedi, prindët, vëllazënt e motrat, t’afërmit, të dashtunit, për miqtë, për ata që bajnë keq, që t’i falim me zemër dhe t’i duem armiqtë tonë.

Për të gjithë, për ata që vuejnë. Për ne që vuejmë se nuk po njehen, nuk grumbullohen, nuk sintetizohen nevojat, në sa njehen hyjt në qiell e, kokrrat e ranës në brigjet e ujnave të pashterrshëm. Në çdo rast në kishë, të mbushet mendja me vra, me mbytë, e ban, se vret e mbytë mëkate në rryfyestore, ku rrinë të rreshtuem do burra të shuguruem e, tue qenë se meshtari në moshën njëzetë e katër vjeç, si mbas kishës asht plak, të presin do pleq gojë mbyllun për amshim, me ba pajtimet, ndreqjet, gjakderdhjet ideale për të shtue forcat, në udhën tande të mirë.

“Tash, ku janë meshtarët? Asht aty Dom Ernestoja”? – pyetshin njani-tjetrin. “Jo asht vetëm Pater Berisha. Dom Ernestoja ka shkue ndër të sëmurë”, thojshin. Qyteti i gati pesëdhjetë meshtarëve, do të arrinte të kishte këta: Një Pater Justin Rrota, të paralizuem në shtrat, një Pater Marin Sirdan, të thijun, Pater Zef Saraçin, të verbët dy sysh, Pater Pjetër Tuçin. Bajshin punë zelltarët, Pater Marjan Prela e, Pater Ferdinand Pali.

Kështu, gjashtë vjet të mira të ankthit, të zhdukjes, të tmerrit, të lirisë me ba keq. Ku shkuen meshtarët? Në plumba, tortura, në burgje. Shkaqet? Shum e lehtë. Kanë formue pra organizata, kanë qenë në dijeni e lidhë me Lëvizjen e Postribës, janë gjetë armë te lteri në Kishën Françeskane, kanë strehue të arratisunit. Kanë ba agjitacion e propagandë. Ky ishte salvim me krime. Deri kur? Kjo asht faza e parë. Të tjerat salvime vishin ma vonë. Si ma vonë?! Kur?!

ROBNIA

Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, me Titon, erdh krejt e papritun. Zbulimin e bani Stalini i madh, atje larg, shum larg, me mija kilometra largësi. U zbuluen edhe shkaktarët e krimeve: agjentët. “Atëhere një kthesë për së mbarit, pse janë ba shum të zeza”, thuhej. E thojshin vetë; “janë ba gabime”. E u shtruen në mbledhje, në konferenca. “Koha e Koçit, – e kjo thohej lehtë – e ka teprue edhe me kishën. Tash duhej ba një ndryshim”. Atëhere një marrëveshje. “Gjithçka do të rregullohet me ligje, me statut.

Shteti do ta ndihmojë kishën. Subvencion”. E filloi me urti. “Paraqitni një statut – u tha”. – Këto punë iu lanë në dorë Tukut. E ky bisedonte me Pater Marin Sirdanin. Kisha paraqiti kodin e vet. Ata u vranë në fytyrë. Nuk e pranuen kurrsesi. “Ky asht krejt Vatikan,- thanë. Çka kemi hjekë prej tij”?! Kërkuem një tjetër me kufizime. Ziente kazani. Këtu kemi një vdekje, një dhimbje edhe humbje. Mbasi kaloi disa muej në pyetje të randa të hetuesisë e, në mundime që epte ajo, lirohet e vdes në Shkodër, Dom Kolec Prennushi.

E paraqitën të dytin. Tash kanë çehre fort të randë. U idhnuen fort. “Nuk lamë të huejt me u përzie në punët tona”. Kishës i dhanë një ultimatum: “Deri këtu. Nuk ka ma. Besimi asht i lire, mbrenda mureve të kishës”, urdhnonte diktatura. “Qe, ky asht statuti juej me ne”, – ishin fjalët e preme të kryeministrit të egër, dhanë Imzot Bernardin Shllakut. Ipeshkvi nuk e pranoi. “Qe këtu më ke” – i tha Mehmetit, në dhomën e kryeministrisë. “Le të më vehen prangat ndër duer, në kje se nuk më garantohet emnimi i ipeshkvijve prej Selisë Shejte”. Statuti shpallte vetëm lidhje fetare, nën kryesinë e Papës.

Çdo kontakt, e këto tepër të pakta me Selinë Shejte, vetëm tri, e që ishin: me kërkue emnim ipeshkvijsh, telegrami i ngushllimit për vdekjen e Papës Piu XI-të dhe ai i urimit, për Gjonin XXII-të e, ma vonë marrja disa oficeve, do të baheshin rreptësisht, përmes Kryeministrisë. Katër Ipeshkvijtë që u zgjodhën: Monsinjor Ernest M. Çoba, Monsinjor Pjetër Dema, Monsinjor Antonin Fishta dhe Monsinjor Nikollë Troshani, kjenë emnue nga Selia Shejte. Nuk pat asnjë skizëm.

Monsinjor Ernest Çoba, do t’i bante një gjuejtje elegante qeverisë. Filloi përmes Legatës italiane në Tiranë, me anën e së motrës Gjylianë, marrdhanie fetare të fsheta me Selinë Shejte, për sa vjetë. Gjatë diktaturës, nuk pat shtyp. Botohej vetëm kalendari, në shtypshkronjën shtetnore. Seminari lejohej, por ishte i rrezikshëm të qenunit e tij. Asnjë meshtar nuk mund të emnohej në detyrë, pa miratimin e shtetit. Pesë kjenë shugurue fshehtas, prej Imzot Çobës. Kisha ishte ndër pranga. U dha subvencion, që vinte tue u zvoglue. Jeta fetare ishte në kishë, mbrenda mureve të saj.

Edhe proçesionet që përpara përshkojshin qytetin me dy banda, tash baheshin rreth oborrit të kishës, me kangë të këndueme prej murgeshave edhe grave të përshpirtshme. Moji i majit i mbushte kishët e, besnikët i epshin knaqësi dhe pamje jetës fetare. Pa i kuptue mirë vishtirsitë që kishin të parët, drejtuesit, një gjallni ishte përtri, sidomos në netët e ditët e mëdha e, aq fort me rastin e ndërtimit të lterit të ri, zbukurimit të Kishës Katedrale me piktura murale dhe të shugurimit të kishës, për njëqindvjetorin e fillimit të punimeve, kje një ngjarje në epokën e diktaturës.

Pat kangë, muzikë, divocione, pat popull të madh në funkcione, por ma vonë, jo fort vonë, mbrenda vjeti, një sulm i shpejtë, i rrufeshëm. Dom Ejll Kovaçi, pushkatim. Dom Dedë Malaj, i zjarrtë, po ashtu. Pater Konrad Gjolaj, njëzet e pesë vjet. Zhurmë e poterë në Shqipni. Lufta e klasave ishte në zenith.

Pranë kryeministrisë, ishte një zyrë për çështje klerikale: për të gjitha besimet. Për të shkue atje, kalohej nëpër një korridor të shtruem bukur e futej në një dhomë mesatare, me asgja të posaçme.

Ka qylyma, poltrona të mëdhenj, një tryezë dhe një poç: lampadar. Rrijnë të varuna në mur, suaza e Leninit, e Stalinit, e Enverit dhe e Mehmetit. Në tryezë asht një zyrtar me pak flokë, me rroba civile, por me gradën e kolonelit, njeri i matun që merr e ep lajme me delikatesë e, që flet lehtë, gati si çup-çup, se asht dhomë që ka të bajë me aso njerëzish që falen. Shteti u bante ftesa përfaqësuesve të besimeve, për t’u gjetë në festa. Kështu për 1 Majin, për 28 e 29 Nandorin, ata do të gjindeshin në tribunën e madhe të Tiranës. Edhe ata vijshin me ba urime, me rastin e Pashkëve. Memorie.al

“Enver Hoxha, në goditjen e ‘grupit sabotator’, u nxit nga shërbimet sekrete greke”- Dëshmia e rrallë e dy ish-drejtuesve të Naftës

Siç dihet, në vitin 1975 Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i saj Enver Hoxha, deklaroi publikisht se; në Industrinë e Naftës është bërë sabotim armiqësor. Deklarimi u mbështet në rezultatet jo të arrira që industria e Naftës dhe e Gazit kishte patur në vitet e fundit, si në fushën e prodhimit të naftës dhe gazit, por sidomos në fushën e studimit e kërkimit, për rezerva të këtyre burimeve energjetike, që konkretizoheshin më pas me zbulimin e vend-burimeve të reja. Në këtë kuadër, shqetësimi lidhej me faktin se nuk po realizoheshin planet e shtetit që ishin miratuar zyrtarisht, për prodhimin e naftës dhe gazit. Si rrjedhojë, nuk po zbuloheshin vend-burime të reja nafte dhe gazi, sipas detyrave që ishin vendosur në planet ekonomike të shtetit. Kjo cënonte zhvillimin normal të ekonomisë, sepse nafta ishte thembra e Akilit, për ekonominë e kohës, ku konsiderohej  jo vetëm si një çështje  ekonomike, por  edhe  politike dhe ideologjike !

 

Pas këtij deklarimi, organet e Partisë dhe të Shtetit, si Komiteti Qendror i Partisë dhe organet e tjera të Shtetit, si Ministria e Punëve të Brendshme, Sigurimit i Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata, organizuan punën që të merrnin masa e duhura. Në radhë të parë, të faktonin këtë veprimtari armiqësore edhe nëpërmjet studimit të dokumenteve. Kjo veprimtari sabotuese dhe armiqësore siç u konsiderua nga Enver Hoxha, përcaktua paraprakisht, madje me emra konkret, që në Plenumin e Komitetit Qendror, që u mbajt posaçërisht për këtë qëllim. Në fjalën që mbajti Enver Hoxha në këtë plenum, e cila u konsiderua edhe si konkluzion përfundimtar, u kërkua që të ndërmerren veprime të mëtejshme, për zbulimin e veprimtarisë së këtij grupi armiqësor, siç u përcaktua gjatë fjalimit.

Në datën 24.03.1975, u organizua Aktivi i Partisë, për të diskutua në lidhje me punën armiqësore në sektorin e naftës e të gazit nën drejtimin e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Haki Toska. Ky aktiv u mblodh në Pallatin e Kulturës Patos, ku ishin të ftuar mjaft naftëtarë, mes të cilëve edhe autorët e këtij shkrimi. Në këtë aktiv merrnin pjesë Sekretarët e Parë të Komiteteve të Partisë së rretheve, që kishin aktivitet të lidhur me Industrinë e Naftës, si dhe përfaqësues të Ministrive të ndryshme, Sigurimit të Shtetit, përfaqësues të Degës speciale (për naftën) të Ministrisë së Brendshme në Fier,  që mbulonte Industrinë e Naftës etj.

Ky Aktiv u organizua posaçërisht për të diskutuar mbi “veprimtarinë armiqësore të grupit sabotator të naftës”, që ishte cilësuar tanimë si i tillë, nga vetë Enver Hoxha. Në këtë Aktiv, ishin ftuar të merrnin pjesë edhe të cilësuar e “Grupit Armiqësor”, madje edhe të diskutonin, por që në fund dolën të arrestuar nga ky takim. Në këtë grup ishin përfshirë; Lipe Nashi (ish-Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës dhe Gazit, me seli në Fier, me eksperiencë pune në Industrinë e Naftës dhe Gazit, i arsimuar në Shkollën e Partisë në Moskë, drejtues organizativ i shkathët dhe i zoti), Beqir Alija ( Ing. gjeolog, diplomuar në ish-BRSS, ish Drejtor i Institutit të Naftës Fier, i martuar me një grua sovjetike).

Koço Plaku (Ing. gjeolog, i diplomuar në ish BRSS, punonte në Institutin e Naftës Fier dhe vëllai i gjeneral Panajot Plakut, i cili ish  arratisur për në ish-Jugosllavi), Milto Gjikopulli, (Ing gjeolog, studimet i kish kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Shef i Sektorit të Përgjithësimeve në Institutin e Naftës Fier, specialist mjaft i mirë), Protoko Murati (Ing. gjeolog, studimet i kish kryer në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Shef i Sektorit të Gjeologjisë në Institutin e Naftës Fier), Jani Konomi (Ing. Prodhimi Nafte, studimet i kish kryer në Institutin e Naftës Bukuresht, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës Ballsh).

Në këtë kohë. pati një konvejer arrestimesh dhe dënimesh. Filloi me Ing. Nuredin Skraparin, gjeolog, vazhdoi me grupin e Lipe Nashit, që u arrestuan në kuadrin e aktivit të naftës në 27 mars 1975, më tej vazhdoi me arrestimin e Jani Konomit (Ing. Prodhimi Nafte, studimet i kish kryer në Institutin e Naftës Bukuresht, kryeinxhinier i Ndërmarrjes së Nxjerrjes së Naftës Ballsh) dhe Dhimitër Stefës (Inxhinier gjeolog, i diplomuar në Rumani) në 18 Prill 1975. Mbas tyre u arrestuan dhe u dënuan me pushkatim, dhe Abdyl Këllezi (Kryetar i Komisionit të Planit të shtetit dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së), Koço Theodhosi (ministër i Industri – Minierave, anëtar i Byrosë Politike specialist i lartë: kimist i diplomuar në Francë). Ky aktiv u zhvillua nga data 24-27 Mars 1975. Në ditën e fundit ata u arrestuan në prani të gjithë pjesëmarrësve.

Në aktiv mori pjesë dhe e drejtoi atë, Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, etj. Në presidiumin e aktivit ishte dhe Ing gjeolog Kadri Rama, (i cili pak më vonë, u arrestua dhe u dënua me 24 vjet burg, i akuzuar për sabotim) dhe Jorgo Varfi (teknik i mesëm i prodhimit të Naftës). Varfi i kishte dërguar një letër Enver Hoxhës, duke i ngritur shqetësimin se; “Në Industrinë e Naftës po bëhen sabotime dhe punë armiqësore”.  Letra mund të konsiderohet sipas mendimit tonë, si fillesa e kësaj reprezalje, që u bë në Industrinë e Naftës në atë kohë.

Në atë aktiv, në radhën e parë të sallës, ishin të pranishëm edhe autoritete të tjera të vendit si: Koço Theodhosi, (ish- Ministër i Industri Minierave , i cili pak më vonë u dënua dhe ai, me pushkatim, i akuzuar për sabotim dhe punë armiqësore) dhe Piro Gusho, ish-Sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Fierit (i cili mbas pak ditësh të mbarimit të aktivit të naftës, nga presionet që i bënë në një analizë Partie në Fier, e zhvilluar në Shtëpinë e Oficerëve, në pushimin e mbledhjes, shkoi në shtëpi dhe vrau veten), etj.

Atmosfera e tensionuar në aktiv!

Kur u bë analiza e “Grupit Armiqësor” të Lipe Nashit, atmosfera e krijuar ishte shumë e ndezur dhe e tensionuar. Analiza u zhvillua në një mjedis masiv të mbushur me njerëz të shumtë në sallën e Pallatit të Kulturës Patos. Salla ishte mbushur plot me përfaqësues të punëtorëve, që punonin në Sektorin e Naftës , por edhe me specialistë të ndryshëm. Drejtimin e analizës e kryesonte një presidium, me në krye Haki Toskën, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së; njeri që ishte përzgjedhur të përfaqësonte autoritetin e partisë. Ishte një situatë shumë e rëndë presioni psikologjik, që endej mbi të gjithë specialistët e naftës.

Diskutimet ishin të përgatitura në mbështetje të Enver Hoxhës dhe të PPSH-së dhe ato përmbanin kritika të ashpra ndaj personave që ishin cilësuar si “sabotator dhe armiq”. Në ditën e fundit të Aktivit, dolën edhe të akuzuarit një e nga një, e mbajtën fjalën e tyre, duke bërë autokritikë të thellë. Por diskutimi i tyre u ndërpre në mes, nga një zë (klithëm) që erdhi nga fundi i sallës: “të arrestohen, nuk kemi ç’të dëgjojmë nga këta armiq e sabotatorë”. Sigurisht ai që foli ishte i udhëzuar dhe i vënë qëllimisht nga Sigurimi i Shtetit, që të bënte një thirrje të tillë. Të akuzuarit kryesorë ishin Lipe Nashi, Beqir Aliaj, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, etj. Ne i njihnim të gjithë shumë mirë, madje me Milto Gjikopullin dhe Koço Plakun, kemi pasur shumë shoqëri.

Por edhe me të tjerët nuk ishim të largët se na lidhte puna. Ishte skenar shumë i çuditshëm! Disa prej tyre sapo ishin dekoruar deri me dekoratën më të lartë: “Hero i Punës Socialiste”, siç ia kishin dhënë Lipe Nashit, ndërkohë brenda një periudhe shumë të shkurtër, u akuzuan për sabotim dhe veprimtari armiqësore! Disa kohë mbas arrestimit të grupit të ashtuquajtur “armiqësor”, na thirrën nga Ministria e Brendshme, grupe-grupe dhe na ngarkuan me analizën dhe ekspertizën e “veprimtarisë armiqësore”, të grupit të Lipe Nashit.

U caktuan disa grupe pune, për të bërë këtë analizë dhe ekspertizë si: “Grupi i gjeologjisë”, “Grupi i prodhimit të naftës”, “Grupi i shpimit të puseve të thellë për naftë dhe gas”, “Grupi i prapavijës”, etj. Për të qenë në përputhje me këndvështrimin politik, u njohëm me materialet e Komitetit Qendror të PPSH-së, sidomos me fjalimet e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, në plenumet e fundit të Komitetit Qendror dhe materiale të tjera politike. Kryetarët e grupeve i thirrën në Tiranë, në Komitetin Qendror dhe u dhanë një material “Tepër Sekret”, në lidhje me problemin e “grupit të sabotatorëve”, që ishin arrestuar.

Shqyrtimi i dokumentacioneve

I kushtuam mjaft kohë, shqyrtimit të dokumentacioneve, por dhe akuzave që u bëheshin atyre në përgjithësi, apo akuzave që bënte “klasa punëtore”, në analizat që zhvilloheshin anë e mbanë industrisë së naftës, në organizata të ndryshme, ku analiza kryesore bëhej ne organizatat bazë të partisë të çdo njësie. Materiali kryesor bazë për ne si pjesë e Grupit të Ekspertëve, ishte fjala e Enver Hoxhës, e cila tashmë ishte një akt-akuzë e bërë për këtë grup. Në këtë kuadër, ne ishim të detyruar që t’i përmbaheshim kësaj akuze, sepse nuk na u la që të bënim ne ekspertizën dhe të evidentonim problematikat përkatëse e, pastaj të fliste Enver Hoxha, ku të jepte konkluzionet, por u bë e kundërta!

Ne si grup ekspertësh tashmë, ishim para një kufiri të rrezikshëm, për ta kaluar, apo thyer, fjalës së mbajtur nga Enver Hoxha. Nga data 4.05.1975, deri në datën 1.09.1975, u shkëputëm nga puna për të punuar në Komisionin Qeveritar, për evidentimin e “punës armiqësore në industrinë e Naftës, të grupit të Lipe Nashit”. Ne, autorët e shkrimit, ishim caktuar anëtarë të grupit, për Sektorin e Industrisë së Shpimit. Në këtë grup, merrte pjesë: Ing. Fatmir Shehu-Kryetar grupi, Inxhinier shpimi, Ing. Hysen Bundo, Inxhinier shpimi, Ing. Elmaz Leka, Inxhinier shpimi, Ekonomist Genci Xhuvani (djali i Prof. Dr. Aleksandër Xhuvanit dhe kunati i Ramiz Alisë, ekonomist dhe një njeri shumë fisnik dhe i ditur) dhe një inxhinier mekanik, Ing. Arif Gjata; një njeri mjaft i përgatitur dhe fisnik.

Në këtë grup merrte pjesë edhe Sulo Kamberi, një përgjegjës pusi me eksperiencë, në cilësinë e përfaqësuesit të klasës punëtore Analiza jonë nisi duke na shkëputur fillimisht nga puna dhe u autorizuam se kishim të drejtë që të merrnim çdo dokument të cilin, e konsideronim se ishte i nevojshëm në kuadër të kësaj ekspertize. Ditën e parë pas krijimit si grup i Sektorit të Industrisë së Shpimit, u thirrëm dhe u takuam me zv/ministrin e Brendshëm, Feçor Shehun, i cili edhe na orientoi për detyrën që na ishte ngarkuar. Drejtoria e Përgjithshme e Naftës dhe e Gazit, me arrestimin e Lipe Nashit, u shkri menjëherë dhe u bllokuan gjithë dokumentet. Mbas kësaj shkrirje, Ing. Hysni Frakulla, ish-Sekretar i Komitetit të Partisë së Patosit, u caktua në rolin e drejtuesit të plotfuqishëm, për administrimin e përkohshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës në Fier.

Sigurisht që grupi ynë, ashtu si grupet e tjera, u krijuan mbasi çdo gjë ishte bërë fakt, nga ana e më të madhit të vendit – Enver Hoxhës. Ai nxori një material zyrtar, ku bënte akuza direkte dhe e cilësonte këtë grup, si “armiqësor dhe sabotator”. Pra, të akuzuarit ishin arrestuar dhe akuzuar për punë armiqësore, nga vetë Enver Hoxha, ekspertiza jonë ishte formale dhe ishte e detyruar që të bëhej politike dhe jo një analizë reale ekonomiko- teknike e shkencore. Për rrjedhojë, ne ishim në një situatë shumë të vështirë, sepse  për çdo gjë ishte me kufij të përcaktuar ideologjik dhe politik. Ne si grup ekspertize, nuk mund të bënim dot asnjë argumentim tjetër, veçse që të mbështesnim konkluzionet politike, që i kishte bërë vetë Enver Hoxha, në bazë të të cilit edhe grupi faktikisht, ishte arrestuar.

Grupi jonë i ekspertizës së shpimit, në fakt, nuk kish ndonjë lidhje, me asnjë të arrestuar e të akuzuar për punë armiqësore. Por Sigurimi i Shtetit shpesh na “konsultonte” dhe udhëzonte që edhe në industrinë e shpimit, pavarësisht se nuk ishte arrestuar ndonjë person, bashkë me grupin e ashtuquajtur armiqësor, të Lipe Nashit, kishte shumë vend për të bërë analiza të thella! Sipas tyre, edhe në industrinë e shpimeve, kishte patur punë sabotuese, sepse aty ishin bërë avari që kishin dëmtuar shumë ekonominë, dhe partia kish hedhur parullën: “Të luftojmë konceptet se: nuk ka shpim pa bërë avari, se shpimi, nuk mund të bëhet pa avari, se avaritë janë si thërrimet, kur ha bukë”, etj.

Konkluzionet tona si ekspertë

Ne si grup, ishim shumë të bindur dhe kishim argumentuar, se avaritë që ishin bërë, nuk kishin qenë për faje konkrete individësh, por për shkaqe tekniko-teknologjike të caktuara. Madje, në sektorin e shpimit, ishin bërë mjaft studime dhe aplikime, që  kishin zgjidhur probleme të vështira, të cilat edhe specialistët sovjetikë gjatë punës së tyre, kur u përballuan me to, nuk kishin mundur t’i kapërcenin. Në drejtim të grupit tonë u këmbëngul shumë, që të argumentonim mundësinë e sabotimit, në drejtim të mbytjes së shtresës produktive dhe si pretekst, të nxirrnin përdorimin e baritit, i cili përdorej me sukses në përballimin e presioneve anormale të larta, dhe më vonë të bykut të orizit, që përdorej me sukses kundër humbjeve të qarkullimit. Kjo gjë u argumentua nga ana jonë, se përdorimi i baritit është një nevojë teknologjike, që është e pranishme në tërë praktikën botërore të shpimeve, sidomos në shtresa me përmbajtje fluidesh, që kanë presione të larta.

Ne argumentuam nëpërmjet studimeve që kishim bërë, se në praktikën tonë të shpimit kemi takuar shtresa me gradient presioni, mbi 2.1-2.2 atm /10 metra, gjë që detyronte përdorimin e baritit dhe rënduesve të tjerë. Gjatë kohës së punës në kuadrin e ekspertizës, herë pas here, sidomos kryetarët e Grupeve, thirreshin veç e veç, nga Ministria e Punëve të Brendshme, siç ishte vetë ish-zv/ministri i kohës, Feçor Shehu, apo nga Hetuesia e Përgjithshme dhe kërkonin konsulencë prej shumë ekspertëve, që ishin angazhuar në këtë punë nga të dy institucionet. Grupi i Ekspertëve të Sektorit të Industrisë së Shpimit, nuk kishte asnjë të arrestuar apo burgosur nga ky sektor, brenda grupit dhe nuk pati ballafaqime konkrete, siç pati Grupi i Ekspertëve të Gjeologjisë dhe i Nxjerrjes së Naftës, me të arrestuarit, gjatë hetuesisë apo zhvillimit të gjyqeve.

Kjo ekspertizë zgjati nga data 4.05.1975, deri në 1.09.1975 dhe të themi të drejtën, nuk gjetëm ndonjë element të theksuar që të vërtetonte punën armiqësore të këtij grupi, sidomos në fushën e shpimeve. Ne si grup ekspertize, nuk mund të dilnim kundër analizës dhe denoncimeve, që ishin bërë nga strukturat e shtetit dhe personalisht nga Enver Hoxha, para se të krijohej e të fillonte nga puna grupi i ekspertizës. Prandaj nuk synuam që të kundërshtonim përmbajtjen politike të kësaj çështje, sepse e dinim se ç’na priste! Rruga më e drejtë, mendojmë se do ishte që; para se të akuzoheshin të arrestoheshin dhe të dënoheshin, të bëhej ekspertiza e dokumentuar nga ekspertë teknik dhe ekonomik.

Vetëm më pas, kur të gjendeshin fakte, duhet të dilnin akuzat për sabotim armiqësor. Në gjykimin tonë, kjo do ishte rruga më e drejtë dhe jo e kundërta, siç u bë, që; “u vu karroca para kalit”. Megjithëse, grupi jonë e ruajti etikën politike të “vlerësimit” të akuzave, që ishin bërë nga vetë Enver Hoxha ,për “sabotimin në naftë”, para se ne të krijoheshim si Grup Ekspertësh, në mënyrë unanime, mundëm që me argumentime shumë të hollësishme, të shmangim burgosjen apo dënime më të rëndë të çdo drejtuesi të kohës, që kish punuar në industrinë e shpimeve të naftës.

Në fakt në atë kohë, në industrinë e shpimeve, ushtronin aktivitetin e tyre  gjashtë ndërmarrje shpimi, me rreth 70 sonda, më kapacitete shpimi, deri në 6.700 m. dhe kishte një aktivitet shumë të madh, pasi realizoheshin rreth 300 mijë metro linear shpime. në vit. Gjatë punës. për shkaqe të shumta bëheshin edhe avari të tipave të ndryshme, madje dhe fontana të pa kontrolluara (shpërthim gazi), të cilat në përgjithësi kanë qenë pasojë e mosnjohjes së saktë të prerjes gjeologjike (sidomos në puset e kërkimit). Kjo ndodhte edhe për shkaqe të thyerjes së disiplinës teknike dhe protokolleve të punës, gjatë kryerjes së proceseve të shpimit.

Bilanci ynë i analizës, ishte një sukses për grupin tonë të ekspertëve të industrisë së shpimit, pasi ishim nën presion të zbulonim patjetër; “veprimtari armiqësore dhe sabotuese”, në këtë sektor. Kësisoj, ndërsa në sektorin e gjeologjisë pati dy pushkatime dhe dënime të tjera të rënda, po ashtu dhe në industrinë e prodhimit të naftës dhe gazit, pati dënime të rënda, në industrinë e shpimeve, pati vetëm një dënim, siç ishte përjashtim nga partia i Prof. Ramadan Perhatit dhe dërgimi për edukim në bazë, pranë gjirit të klasës punëtore. Ai u përjashtua nga Partia, siç u deklarua, për “një fshehje në autobiografi”. Ky dënim u bë nga struktura që kishin të bënin me organizatën e partisë, ku ai bënte pjesë. I dënuari nuk ishte i rekomanduar nga ekspertiza jonë! Madje në ekspertizën tonë, nuk ishte përmendur asnjëherë emri i tij.

S’kemi pse mos të themi, se; duke patur besim të plotë tek Partia dhe tek udhëheqësi kryesor i saj, nuk mund të dyshonim tek ajo që deklarohesh në atë kohë, sepse kishim bindjen që Partia, para se të të dënojë, ka të dhëna të plota, nga shumë burime informacioni, që nuk diskutoheshin në atë kohë. Ata që kanë punuar dhe jetuar në atë regjim, e kuptojnë natyrën e bindjeve tona. Gjithkush mund ta provojë, që t’i thotë një njeriu, jo më shumë se një javë rresht, se; “sa qenke zverdhur”! e të shohë se ai do të zverdhet me të vërtetë. Po ne që u lindëm dhe u rritëm me emrin e Partisë e të Enver Hoxhës në mendje, si mund të ishim ndryshe?!  Gjithsesi intuita jonë, na bën të dyshojmë se ajo trazirë e pështjellim i madh që u krijua në atë kohë, mund të ketë qenë edhe veprimtari e shërbimeve inteligjente armiqësore të huaja.

Tashmë është e ditur se ato kanë qenë aktive në Shqipëri, deri në nivele të larta, sidomos ato fqinje e, me shumë mundësi ajo greke, me qëllim që të shkatërrohej industria e naftës dhe rrjedhimisht, ekonomia shqiptare që e kish naftën, thembrën e Akilit. Këtu mund të shtojmë se Greqia dhe sidomos ithtarët e Vorio Epirit në atë kohë, nuk mund të mos kenë qenë të shqetësuar që Shqipëria, zbuloi naftë në Vurg, që siç dihet ata e quajnë pasuri të tyre. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë nuk është çudi që Enver Hoxha, të ketë rënë preh e kësaj loje, kur dhe letrën “frymëzuese”, e bëri një minoritar, që s’mund të themi se e ka bërë me iniciativën dhe ndërgjegjen e tij, por i induktuar me mënyra të stërholluara, nga shërbime të caktuara, të specializuara për këto punë!

Kemi pasur dhe kemi bindje të plotë, që në Industrinë e Naftës, nuk kish hapësira për mundësi sabotimi, nga specialistë apo drejtues të veçantë, sepse ajo industri ishte e organizuar me një konvejer shumëfish kontrolli, duke filluar nga studimet dhe projektimet që bëheshin, e deri në aprovimin e tyre, për t’u zbatuar, të cilat fillonin nga grupet e vogla të punës, e deri ne vazhdim tek këshillat shkencore, tek  njësitë organizative në bazë dhe më lartë në Ministri e, deri në Kryeministri, etj. Dënimet dhe “turbulencat” që janë bërë në kuadrin e Industrisë së Naftës, kohë mbas kohe, mendojmë se kanë qenë plotësisht të pa justifikuara.

Shpesh thuhet se; ata që u dënuan dhe u pushkatuan, kanë dëmtuar shumë industrinë e naftës, se i konsiderojnë si elita dhe korifenj të kësaj industrie dhe se vetëm ata e mbanin industrinë e naftës! Dhe këto i thonë ata që nuk e njohin realitetin. Në mbështetje të fakteve që i njohim fare mirë, mendojmë se këto dënime dhe pushkatime, e kanë dëmtuar shumë Industrinë e Naftës, jo se naftën e mbanin dhe ish në dorë tek ata që u dënuan dhe u pushkatuan , sepse nafta ka qenë një entitet ku rolin kryesor e kishin kolektiva dhe një sekuencë e tërë punimesh dhe kontrollesh, por këto dënime mendojmë se futën frikën në palcë, tek të gjithë specialistët, madje dhe punëtorëve të thjeshtë.

Pikërisht, ky ishte dëmi më i madh, madje katastrofik, që ju bënë Industrisë së Naftës nga këto dënime. Është një thënie e një ish-Presidenti të Amerikës, që thoshte: “Të kemi frikë nga frika”! Sigurisht edhe nafta ka pasur elitën e saj intelektuale, por nuk mund të thuhet asnjëherë, siç dëgjojmë jo rrallë, se “naftën e mbanin korifenjtë, një grusht specialistësh”, sado të ditur dhe me eksperience që të ishin. Pra Industria e Naftës, nuk u dëmtua se i ikën disa specialistë, sigurisht të shquar, por u dëmtua se me këto masa drastike dhe terrorizuese, ju fut në palcë frika, tek 1.700 specialistët e lartë, 5000 specialistëve të mesëm dhe mbi 30 mijë punëtor, që punonin në këtë industri shumë të komplikuar dhe më përgjegjësi.

Mbas këtyre dënimeve, asnjë, në çdo pozicion pune që ishin, nuk e ndjente veten të sigurt, për të nesërmen. A punohet me frikë?! Së bashku, me të gjithë grupin e ekspertizës së industrisë së shpimeve, punuam me paradigmën: “Kontrollo dhe ekuilibro”! Megjithatë, ne kërkojmë falje dhe ndjesë, për ndonjë qëndrim të padrejtë, për shkaqe vet mbrojtje, sado i parëndësishëm dhe i vogël qoftë, të cilin kemi qenë të detyruar të mbajmë, për arsye politike e, mund të ketë ndikuar sado pak, për shkak të ekspertizës sonë, në drejtim të dënimit të të akuzuarve. Ne nuk ishim vendimmarrës; ekspertët e hetimit dhe të drejtësisë, e kishin fjalën e fundit.

Mbasi doli nga burgu Lipe Nashi, që sigurisht njiheshim shumë mirë personalisht, por që e kisha shumë mik, pasi kishte qenë partizan me dajot e gjyshes time, nga Toçi i Tepelenës (Xhemalajt), e takova rastësisht në Sarandë dhe pimë një kafe. Këtë ndjesë ja kërkova sy më sy dhe ai më tha: -“Fatmir, ju ishit në prefësen e briskut për vete, sepse ne e kishim marrë dënimin, para ekspertizës sua, dhe po të na mbronit, (megjithëse nuk dëgjuam asnjë akuzë nga ty!), do shtonit radhët e grupit, që u arrestua, me në krye mua”! Memorie.al

Rrëfen Bedri Çoku: Klithmat e nëndheshme që tronditën Shqipërinë. Si u pushkatuan në kampin e Spaçit: Koprenca, Kokomani dhe Lezha

 (Fjala e mbajtur me rastin e përvjetorit të tre të pushkatuarve të kampit – burg të Spaçit, Xhelal Koprenca, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha, organizuar nga Ambasada e Republikës së Austrisë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit, ISKK.)

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndodhemi pranë kampit-burg – skëterrë, të diktaturës komuniste shqiptare, ku burra dhe djem të rinj, nga raca më e mirë e kombit tonë, atdhetarë e demokratë, u dergjën me dekada duke punuar me përdhunë, si skllevër, brenda këtij mali të pashpirt, të urryer e të zhgërryer, si vetë fytyra e diktaturës së egër komuniste, u treten eshtrat me dhjetëra prej tyre. Megjithatë, edhe pse nën trysnin e një diktature të pashembullt të historisë njerëzore, në këtë truall kaq të vogël, si një hinkë e përçudnuar e natyrës, kanë ndodhur ngjarje të tilla, për të cilat çdo popull i pushtuar nga regjim sadistë, sllavo-komunist, do të ndjehej krenar për racën e vet nga një regjim sadist, sllavo-komunist, do të ndjehej krenar për racën e vet.

Bëhet fjalë për ngjarje madhore, shumë domethënëse për politikën shqiptare, para dhe paskomuniste : E para, Kryengritja e Famshme e të burgosurve politikë të Spaçit, e cila filloi më 21 Maj të vitit 1973, dhe përfundoi në mënyrë tragjike më 23 Maj, me pushkatimin 4 djemve të rinj , Skënder Daja, 23 vjeç, Pal Zefi, 29 vjeç, Hajri Pashaj, 29 vjeç, dhe Dervish Bejko, 27 vjeç, si dhe me arrestimin e 80 të burgosur të tjerë, nga të cilët 61 u ridënuan me burgime të rënda. Të përkthyera në vite+burg i kalojnë njëmijë e treqind vjet. Por jo vetëm kaq… Një ngjarje tjetër, po në Spaç, po kaq tragjike erdhi si rrjedhim e një thepisjeje të madhe të ngjarjeve politike – ekonomike të Shqipërisë më 1978 -79, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve politike + ekonomike me Republikën Popullore të Kinës. Me këtë rast Shqipëria, përfundimisht u vetëizolua. Të vetëdijshëm, intelektualët që vuanin në këtë kamp-skllevërish, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike, vendosën, bashkërisht, të shkruanin një letër- protestë, drejtuar Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh-së, ku bëhej thirrje anëtarëve të saj që të distancoheshin nga rruga ku po i gremiste Enver Hoxha. Këta intelektuale, dhe të tjerë solidarë me ta, u arrestuan të ndarë dy grupe: Një grup me pikëpamje të djathta, përfaqësuar nga i burgosuri historik, Xhela Koprenca dhe grupi i të majtëve, kryesuar nga të burgosurit Vangjel Lezha dhe Fadil Kokomani….të dy ish – gazetarë të shtypit të asaj kohe. Nga këto dy grupe u pushkatuan tre të burgosur politikë, Xhela Koprenca, Vangjel Lezha dhe Fadil Kokomani. Ndërsa të tjerët me ridënime shumë të rënda. Mjaftojnë këto dy ngjarje të rralla në historinë e burgjeve komuniste që historianët tanë, veçmas nga INTERESAT e tyre POLITIKE, nisur thjesht nga interesi kombëtarë, të kishin rrokur këto dy ngjarje sa heroike, aq tragjike për kohën, kur u zhvilluan, me siguri që sot burgu i Spaçit, nuk do të ishte ky qe shohim i rrënuar dhe pa asnjë objekt mbresëlënës, por do të ishte një burg – Muze, i Kujtesës Kombëtare, nga të rrallët në kontinentin tonë. I dhimbshëm është fakti se, nga organet shtetërore apo personalitetet e shtetit, gjatë këtyre tri dekadave, nuk është përmendur asnjëherë, zyrtarisht, apo të jetë organizuar ndonjë konferencë përkujtimore për vlerat dhe rëndësinë e këtyre ngjarjeve, në këtë kamp-burg, i përzgjedhur nga qeveria diktatoriale kinse për t’i shfrytëzuar të dënuarit politikë, jo vetëm për të nxjerr nga nëntoka bakër e pirit, nga një minierë primitive, me rreziqe të panumërta për jetën e tyre, por nëpërmjet dhunës fizike e morale mbi ta, dhe trajtimit çnjerëzor në mënyrën e të ushqyerit, shpresonin që brenda disa vjetësh, këta të burgosur politikë, të mos ishin në gjendje më të komandonin veten e tyre fizikisht e mendërisht. Ndaj, ngaqë ishin të vetëdijshëm për ketë, çdo ditë në rrezik për jetën e tyre, të burgosurit në hyrje të galerisë, përqafoheshin dhe uronin njeri tjetrin : “ Zoti të ndihmoftë të dalësh gjallë!

I vetizoluar dhe i vetëshpallur shtet i diktaturës së proletariatit, klika kriminale, që drejtonte vendin, e molepsur nga megalomania e kreut të shtetit, pretendonte se ideologjikisht përfaqësonte kreun botëror të udhëheqjes marksiste-leniniste, për të përmbysur regjimet antipopullore imperialiste e revizioniste, pikërisht në një kohë kur, shtetet evropiane të të dy kampeve kundërshtare, ai i komunisteve me në krye Bashkimin Sovjetik dhe shtetet kapitaliste evropiane, me në krye SHBA, ishin gati të nënshkruanin në Helsinki paktin e famshëm historikë, të Sigurimit e Bashkëpunimit Evropian, sot institucioni OSBE-së. Marrëzia e kësaj klike shqiptare, e kriminalizuar me bashkëkombësit e vet, për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, shpallte me mburrje mospjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë Pakt Ndërshtetëror, duke organizuar e goditur, ndërkohë, grupe armiqësorë të sajuar, brenda radhëve të veta, si grupe, që kërkonin të minonin pushtetin popullor për t’u bashkuar me imperializmin amerikanë e social-imperializmin sovjetik. Kujtoni grupet armiqësore në art e letërsi, në ushtri grupin e gjeneralëve me në krye Ministrin e Mbrojtjes, në ekonomi grupin e Abdyl Këllezit, ministër i ekonomisë, dhe vriste cilindo që klika kriminale e mendonte se i rrezikonte pushtetin. Prandaj, ngritja krye e të burgosurve politikë të Spaçit, nga mënyra si u zhvillua në kohën e regjimit diktatorial, merr vlera të veçanta e të rëndësishme në historinë e popullit tonë. Thashë, e dhimbshme edhe për faktin sepse deri më sot, asnjë historian apo grup historianësh nuk është marrë me studimin e këtyre ngjarjeve, në mënyrë që të përcaktohen shkencërisht vlerat dhe përmasat e vërteta historike. Pa pretenduar se jam i aftë për të vlerësuar ngjarjet që duhet të hyjnë apo jo në aureolën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, apo ndërkombëtare, gjithsesi, si pjesëmarrës direkt në Revoltën e Famshme të 21 majit të vitit 1973, kam të drejtën të them se, nëse do kishin ndodhur këto që përmenda më lartë, pa asnjë dyshim që , datat e këtyre dy ngjarjeve në burgun famëzi të Spaçit, do të ishin futur në Protokollin e Ngjarjeve Përkujtimore të Kombit Shqiptarë.

E konsideroj nder dhe vlerësim të madh ardhjen e ambasadorëve të nderuar e të rëndësishëm për vendin tonë, pikërisht këtu, në vendin ku burrat dhe të rinjtë antikomunistë dhe demokratët shqiptarë, atdhedashës, vuajtjen në këtë katakomb dantesk, por, pikërisht pse ishin të tillë ata djem e burra vendosën për të sulmuar shtetin më të egër të diktaturës komuniste në botë. E them me krenari që ishte lulja e djelmërisë shqiptare, ishin bijë apo trashëgimtarë familjesh të mirënjohura të historisë së kombit tonë. Po përmend nipin e shkodranit të famshëm, Hodo Sokolit, që luftoi kundra grabitësve të trojeve shqiptare, me malazezët, Sami Dangëllia, ky Mandela i Botës, që e nisi kalvarin e vuajtjeve në burgun e Burrelit, më 1944 dhe u lirua me arkivol nga burgu i Shën Vlashit, pasi kishte bërë dyzetë e një vjet burg, pa që i lirë asnjë ditë. Shteti kriminal nuk dëshironte të mbijetonte një i burgosur, Kampion Bote, në Shqipëri, ndaj e la tri ditë e tri net, me stomak të plasur, pa e çuar në spitalin e Sarandës, jo më shumë se 12 kilometra larg. Ishte viti 1987. Me të drejtë “Zëri i Amerikës” në atë kohë, e shpalli Sami Dangëllinë Kampionin e botës, me 41 vjet burg. Por kush është kujtuar për këto ngjarje ekstremisht kriminale në Shqipërinë pluraliste? Apo për pesë mijë varret e paditura, ku dergjen eshtrat e njerëzve që donin Shqipërinë të lirë e demokratike, ku familjarët e tyre, nipërit e mbesat, miqtë dhe dashamirët mund të çonin një lule mbi varret e dashurve?

Them se Revolta e famshme e të Burgosurve Politike të Spaçit, ishte një ngritjekrye edhe për faktin e thjeshtë se ata nuk patëm pushkë e topa, por, për tri ditë e tri net, arritën ta mundnin pushtetin komunist. Për këtë është dëshmitarë i gjithë populli i Mirditës. U çliruan gati 2000 metro katrorë të mëmëdheut nga klika komuniste. U shporrëm kriminelët nga banesat e tyre, për tri ditë e tri net. U ngrit Flamuri Kombëtar, pa yllin e kuq, simbolin e internacionalizmit proletar, mbi dy krerët e shqiponjes, i cili u valëvit krenar në majën më të lartë të hapësirës së çliruar nga demokratët antikomunistë. Vërtet që nuk patën pushkë e raketa, por ama përdorën grushte, dru dhe hekura që goditëm pa mëshirë ata që po i përdornin si skllevër. Nuk patën strategë ushtarakë, por patën shpirtin e tyre të pa epur dhe dëshirën e madhe për ta mposhtur diktaturën. Ata bashkuan të gjitha krahinat e Shqipërisë me “Këshillin Krahinor” që e formuan gjatë zhvillimit të kryengritjes. Qenë të parët në Shqipëri që krijuan “Faltoren e Parë të mëkatarëve”, të cilët, për interesa të ngushta personale, kishin dëmtuar dhe dëmtonin bashkëvuajtësit e tyre, u falën nga Këshilli Krahinorë dhe, iu dha mundësia për t’u bashkuar me kryengritësit, duke shfaqur, me këtë rast, në mënyrë demonstrative, urrejtjen e tyre kundra regjimit. Ata çliruam veten, por nxitën edhe popullin të çlirohej si ata. Kryengritja e tyre mori dhenë edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Agjenci të ndryshme nëpër botë e përhapën si rrufe lajmin për aktin e guximshëm të burgosurve politikë në Kampin shfarosës të Spaçit. Ata lëshuam thirrje për të gjitha fuqitë e mëdha të botës, nëpërmjet spikerëve që hipnin mbi tarracën e pallatit dhe lexonin me zë të lartë promemoriet që lëshonte shtabi i kryengritjes: I bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, si dhe të gjitha vendeve të fuqishme të Evropës e të Globit, për t’i ndihmuar të çliroheshim nga diktatura komuniste. Parullat tyre me zë të lartë ishin: Poshtë…komunizmi”…”Poshtë…diktatura komuniste!”..“Rroftë…Amerika!”…“Rroftë Evropa Demokratike”…”Rroftë Bashkimi dhe Sigurimi Evropian”…”Ja vdekje, ja liri”…

Të gjitha këto që po i dëgjoni sot nga unë, mund t’i gjeni në arkivat e Shtetit shqiptar, sepse ngjarja e famshme është e filmuar dhe incizuar besnikërisht nga klika në fuqi. Vetëm vullneti dhe dëshira e mirë duhet për të zbuluar e thënë të vërtetën. Askush nuk e vuri në dyshim, në atë kohë, tronditjen e madhe që i shkaktoi shtetit të diktaturës, Kryengritja e të Burgosurve Politikë të Spaçit…

Faleminderit!

“Pushkatuam 65 ballistë në Lushnje, por gabuam. Ishim të dehur…”- Historiani i njohur publikon letrën e Mehmet Shehut, për masakrën e 30 tetorit 1943

Auron Tare

Pas grisjes së ‘Marrëveshjes së Mukjes’, si dhe pas mbarimit të Konferencës së Labinotit në shtator 1943, komunistët nisën zyrtarisht luftën civile. Nën drejtimin e jugosllavëve Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, ata shkaktuan vendit një prej tragjedive më të llahtarshme të vërejtura më parë, me pasoja të rënda edhe për unitetin kombëtar. Fill pas Labinotit, vrasjet u bënë dukuri e zakonshme. Sekretari organizativ i PKSH-së, Koçi Xoxe, i shkruante më 3.10.1943, sekretarit të përgjithshëm të partisë, Enver Hoxhës, ndër të tjera: “Përveç goditjeve që u dhamë (ballistëve-shënim), po i ndjekim këmba-këmbës për shfarosje. Sa për luftën me gjermanët, pothuajse hiç”.

Lufta ndaj jo komunistëve u bë qëllimi i vërtetë i asaj që duhej të ishte luftë kundër pushtuesit. Më 21 tetor 1943, Brigada e Parë Sulmuese (partizane) komuniste, nën drejtimin e Dushan Mugoshës, në Golem të Lushnjës, sulmoi fuqitë balliste të Isa Manastirliut, Hamit Matjanit, Tefik Sfirit dhe Hajdar Cakranit.

Thuhet se fuqia balliste, ishte 400 persona dhe prej tyre u vranë 10-15 veta. Shumë fshatarë u zunë robër. Me urdhrin e Dushan Mugoshës dhe Mehmet Shehut, u pushkatuan rreth 80 robër (Mehmet Shehu thotë; 60).

Këta ballistë ishin nga fshatrat: Remas, Kryekuq, Grabian, Shënkollas, Kalush, Gur, Shënpremte, Sulzotaj, Biçak (prej këtij fshati ishin më pak se 50 të pushkatuar). Nisur nga kjo ngjarje, me anë të një trakti të datës 26 tetor 1943, ‘Balli Kombëtar’ njoftonte se; “vëllavrasja kishte filluar”.

Në lidhje me masakrën e Lushnjës, komandanti i Brigadës së Parë, Mehmet Shehu, informon me një letër të posaçme, (shiko faksimilen) të cilën po e publikojmë më poshtë, të plotë.

Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare

Kur ishim në Dumre, unë u nisa me 2 batalione të brigadës dhe me 3 mortaja, për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirlliut, Hamit Matjanit, Tefik Cfirit e Hajdar Cakranit. Kur shkova pranë Lushnjës, ballistët ishin në Myzeqe, kështu bëmë përgatitjet për t’i rënë Lushnjës.

Porse para se t’i binim Lushnjës, me forcat e Brigadës dhe të Lushnjës, Isa Manastirlliu, na doli befas nga krahu i djathtë, për të marrë krahët neve, ndërsa Hamit Matjani, mendonte të na merrte krahun e majtë, nga Kosova. Neve u detyruam t’u përgjigjemi menjëherë. U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballistë: 172 robër, 10-15 të vrarë.

Robërit i gjykuam. Gjyqi përbëhej prej meje, nën komisarit të komandës vendit Lushnjës dhe një partizani të batalionit të parë, të brigadës. Neve (gjyqi) vendosëm ekzekutimin e 65 ballistëve. Të tjerët, 29 vullnetarë, për Brigadë dhe batalione të vendit, të tjerët u liruan të çarmatosur.

Me të vërtetë që Ballit i u dha një grusht i fortë me ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij (çerdhe të Hamit Matjanit dhe luftëtarë kundër nesh, me armë, kusarë, kriminelë e grabitës të popullit), porse mua më duket se kam qenë gabuar, kemi ekzekutuar, kemi qenë shumë të rreptë.

Do të mjaftonte pushkatimi i 15-20 ballistëve, nga më përgjegjësit. Porse këtë radhë, gabimi, faji kryesor, është imi personalisht, mbasi gjyqi kryesohej prej meje dhe, deri diku, të 2 anëtarët e tjerë, kanë qenë influencuar prej meje.

Unë, i dehur relativisht nga urrejtja kundër ballistëve tradhtarë, i revoltuar nga krimet dhe tradhtitë e tyre, i rrëmbyer nga temperamenti mikroborgjez i çasteve, qesh i mendimit, për këtë masë të pamasë!

Kjo ka rrjedhur edhe nga shkaku, se unë isha vetëm dhe shokët e tjerë të shtabit brigadës, ishin larg, s’munda të këshillohesha me ta, sepse s’premtonte koha.

Sikur shtabi i brigadës, të qe i gjithë pranë gjyqit, sigurisht që nuk do mbërrinin në ato përfundime. Gjurmët e këtij terrori, duhen zhdukur dhe shpresojmë se do ta zhdukim në të ardhmen.

Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem më i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çasteve, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare./ Memorie.al

“Konsumin më të lartë e ka pasur familja Hoxha, me rreth 2 tonë mish“- zbulohet dokumenti për abuzimet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së

 Nga vilat e ‘Bllokut’ e shtëpitë e pushimit, te ushqimet, pijet dhe pakot e ardhura nga jashtë

Kjo drejtori u shërbente kryesisht familjeve të tyre, në përbërje të të cilave bënin pjesë edhe prindërit, fëmijët e martuar dhe familjet e tyre. Sipas të dhënave në raport, u konstatua se veprimtaria e Drejtorisë së Pritjes, nuk ishte krijuar mbi bazën e një ligji të caktuar, por bazohej tek një vendim i Byrosë Politike, me numër 39, datë 23.7.1976; “Mbi trajtimin e kuadrove udhëheqës të Partisë e të shtetit”, shoqëruar edhe me ndonjë letër të Këshillit të Ministrave.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve, ka qenë tepër sekrete. Ato i fshiheshin popullit, aq sa edhe punonjësit e administratës të Drejtorisë së Pritjes, duhet të dinin vetëm pjesën që ua kërkonte detyra. Komisioni hetimor i vitit 1991, kishte arritur në përfundimin se; veprimtaria ekonomike e financiare e Drejtorisë së Pritjes, thithte financime të mëdha shtetërore, që vetëm për vitet e fundit, arrinin në shifrën prej 200 milionë lekë (të reja), një pjesë e madhe e të cilave ishin në valutë.

Sipas të dhënave të komisionit, drejtoria dispononte një potencial prej 183 milionë lekë, mjete themelore dhe një personel prej 646 punonjësish, për të cilët harxhohet 6.2 milionë lekë paga. Komisioni konstatonte ndër të tjera se; për 26 familje të elitës komuniste, sigurohej e konsumohej ajka e produkteve ushqimore të prodhuara në vend e, në disa raste edhe të importuara nga jashtë.

Referuar shifrave që paraqiten në konkluzionet e raportit të mëposhtëm, deputetët e opozitës thanë në kuvend, se; shuma e shpenzuar nga Byroja Politike dhe familja e tyre, ishte e barasvlershme me shumën që konsumonin disa qytete të Shqipërisë. Kjo për shkak se në Shqipërinë komuniste, shumica e popullsisë jetonte në zonat rurale, ku paga mesatare nuk arrinte as deri në 1000 lekë të vjetra, në muaj.

Raporti i Kontrollit të Shtetit, për abuzimet e udhëheqjes së PPSH-së

Të 26 familjet e trajtuara, janë furnizuar pa kufizim me shumëllojshmëri artikujsh ushqimorë të cilësisë së lartë. Për periudhën shtator 1989 – shtator 1990, kur u vu në zbatim sistemi i racionimit të produkteve ushqimore për tërë popullatën, të 26 familjet, konsumonin mesatarisht çdo ditë produkte të ndryshme si: 62 kg mish e nënproduktet e tij, 13 litra vaj, 86 litra qumësht, 20 litra pije, verë e birrë, 56 kg. fruta e perime, etj. Me këto sasi ushqimesh, në kushtet e tallonit në Tiranë, do të garantohej furnizimi me mish i 450 familjeve, me vaj, i 110 familjeve, me djathë, i 190 familjeve dhe me vezë, i 134 familjeve.

Konsumin më të lartë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e ka pasur familja Hoxha, e cila është furnizuar me rreth 2 tonë mish, 7 kv. sallam, 523 litra vaj, 3.1 kv gjalpë, 326 litra raki, pije e verë, 250 litra birrë, 5.8 tonë fruta dhe agrume, 1.5 kv. lajthi, kikirikë e arra, 1.8 kv. Kafe, etj., etj.

Në vitin 1989, familjet janë furnizuar me artikuj ushqimorë, me vleftën prej 1.8 milionë lekë. Nga këto, sipas rregullit të parashikuar në vendimin e Byrosë Politike, është zbritur vlefta e ushqimeve të caktuara për personelin shërbyes të këtyre familjeve, si dhe për tri familjet kryesore: Hoxha, Alia e Çarçani, zbriteshin edhe shpenzimet e pritjeve, përcjelljeve e të darkave, që organizoheshin në shtëpitë e tyre, të cilat mbuloheshin nga shteti; të gjitha këto me një shumë prej 582 mijë lekësh.

Si rezultat, janë paguar nga familjet 1.2 milionë lekë, që për familje të veçanta përbëjnë shuma tepër të mëdha, tej mundësive, nga të ardhurat e ligjshme të tyre, po të kemi parasysh edhe shpenzimet e tjera të jetesës, si për qiranë, ujin, energjinë elektrike, veshjen, e të tjera me radhë.

Familja Hoxha, nga 367 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 72 mijë lekë.

Familja Alia, nga 133 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 25 mijë lekë.

Familja Çarçani, nga 91 mijë lekë të konsumuara, ka paguar vetëm 57 mijë lekë.

Vilat luksoze të Byrosë Politike të PPSH-së

Jetohej në vila luksoze dhe të pajisura tej normativave të parashikuara në vetë vendimin e Byrosë Politike. Në përdorim të familjeve, të 82 vilat e banimit dhe të pushimit, i kanë kushtuar shtetit, 88 milionë lekë dhe pajisjet e brendshme, 28 milionë lekë. Vetëm familja Hoxha, ka pasur në dispozicion 2 vila banimi dhe 4 vila pushimi, me vleftë 26 milionë lekë dhe me pajisje me vleftë 10 milionë lekë.

Ndërsa të tjerët, nga një vilë për banim dhe nga një vilë për pushim, megjithëse vendimi nuk përcakton, që të ketë vila pushimi personale. Vilat personale të Haki Toskës, Spiro Kolekës, Vito Kapos, Manush Myftiu, Lenka Çukos, Rita Markos, Hekuran Isait, Pali Miskës, Simon Stefanit, Hajredin Çelikut, Besnik Bekteshit etj., kushtojnë 1.2 milionë lekë, me sipërfaqe banimi të bollshme e, që në kushtet tona në secilën prej tyre, mund të strehoheshin 7 deri 8 familje.

Kështu për banesën e Foto Çamit, megjithëse kishte nevojë vetëm për rikonstruksion çatie, në vitin 1988, u shpenzuan 657 mijë lekë, pasi iu shtuan 3 dhoma e 3 banjo, duke e çuar numrin e tyre, në 11 dhoma dhe 5 banjo, kur përbërja familjare, ishte vetëm 4 veta.

Për banesën e Manush Myftiut, (anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së dhe zv/kryeministër), megjithëse kishte nevojë vetëm për rikonstruksionin e çatisë dhe veshjen e disa mjediseve dhe anekseve, në vitin 1988, u shpenzuan 400 mijë lekë, pasi u shtuan 4 dhoma dhe 3 banjo, duke e çuar numrin e tyre, në 12 dhoma e 6 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 6 veta.

Në banesën e Lenka Çukos, (anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së) në vitin 1986, kur filluan punimet për riparimin e çatisë, me kërkesën e saj u ndërhy edhe në strukturat e tjera ekzistuese të ndërtesës, si dhe u shtuan 4 dhoma e 2 banjo, duke e çuar numrin e tyre në 15 dhoma e 5 banjo.

Në banesën e Besnik Bekteshit, (anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së dhe ministër i Energjetikë), megjithëse kishte 10 dhoma, në vitin 1986 shpenzohen 312 mijë lekë, duke shtuar edhe 3 dhoma të tjera dhe 3 banjo, kur përbërja familjare ishte vetëm 6 veta.

Në banesën e Simon Stefanit, (anëtar i Byrosë Politike, sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministër i Punëve të Brendshme), në vitin 1988 shpenzohen 626 mijë lekë për të shtuar 4 dhoma, megjithëse kishte 8 dhoma dhe përbërja familjare ishte vetëm 8 veta.

Edhe në vilat e plazhit të Durrësit, që shërbenin për pushime, janë bërë shtesa të pamotivuara për nevojat e familjes. Kështu vilës së Pali Miskës, me 4 dhoma, në vitin 1986, i shtohen 5 dhoma dhe 4 banjo, duke shpenzuar 400 mijë lekë. Vilës së Hekuran Isait, me 7 dhoma, në vitin 1987, i shtohen 3 dhoma e 2 banjo. Vilës së Qirjako Mihalit, me 5 dhoma, në vitin 1988, i shtohen 2 dhoma dhe 4 banjo të tjera.

Vetëm në mjediset e banimit të familjes Hoxha, në pallatin kryesor të saj, ka 7.2 milionë lekë pajisje, ndër të cilat 262 kolltukë, kanape e divane, me një vleftë prej 430 mijë lekësh, 47 dollapë, me një vlerë prej 71 mijë lekësh, 556 abazhurë, llambadarë e ndriçues, me vleftë 314 lekë, 28 frigoriferë me vleftë 133 mijë lekë, 29 televizorë e videokaseta, me vleftë 178 mijë lekë, 19 magnetofon e radio-magnetofon, me vleftë 73 mijë lekë, 65 biblioteka, dollapë e dhoma gjumi, me vleftë 448 mijë lekë, 200 qilima leshi, me vleftë 233 mijë lekë, 3.747 metra katrorë sixhade e tapet, me vleftë 900 mijë lekë e, me radhë aparatura ngrohjeje, ftohjeje, pastrimi, kondicionerë, aparate fotografike dhe aparate të tjera, me vlefta të konsiderueshme.

Nga 25 milionë lekë, që është vlefta e pajisjeve në vilat personale të banimit e të pushimit, sipas vendimit të mësipërm, u takojnë familjeve vetëm 6.5 milionë lekë, ose vetëm një e katërta e asaj që është shpenzuar, pjesa tjetër prej 18.5 milionë lekësh, janë shpenzime të tepërta për luks dhe të shpërdoruara për privilegje të tyre.

Edhe po ta marrim si të mirëqenë këtë vendim të Byrosë Politike, amortizimi i pajisjeve mbi normat e lejuara për to, përbën një dëm ekonomik dhe shpërdorim. Nga amortizimi i tyre, i llogaritur për 3 vjetët e fundit, që zë shumën për 2.7 milionë lekë, në ngarkim të familjes Hoxha, janë 1.4 milionë lekë, të familjes Alia, 372 mijë lekë, të familjes Çarçani, 105 mijë lekë, të familjes Isai, 102 mijë lekë, e kështu me radhë.

“Pako nga jashtë shtetit”!

Koli apo pako të ardhura nga ambasadat e vendeve të ndryshme të botës, në adresë të Drejtorisë së Pritjes ose, edhe me iniciale të tjera. Vetëm nga pikat doganore të Rinasit, të Tiranës e të Durrësit, për vitet 1989-1990, në adresë të Drejtorisë së Pritjes, kanë ardhur 1 323 koli, me adresën marrëse; “Drejtoria e Pritjes”, 294 koli me adresë “x-31” dhe “Drejtoria e Shtypit”, ndërsa 335 të tjera, në adresë të familjeve të veçanta. Këto nuk kontrolloheshin nga Dogana, pasi i tillë ishte edhe udhëzimi sekret. Këtu nuk llogariten qindra apo mijëra pako, të ardhura e të dala nga drejtime e pika doganore të ndryshme, të paregjistruara e pa kontroll doganor.

Në këto rrethana, nuk gjendet se sa kanë qenë, çfarë është futur dhe çfarë ka dalë nëpërmjet këtyre kolive. Përveç atyre që kanë ardhur në adresë të Drejtorisë së Pritjes, nuk kanë munguar edhe pakot për familje të veçanta, sigurisht pa tagël dhe kontroll doganor.

Kështu, për vitet 1989-1990, familjes së Nexhmije Hoxhës, i kanë ardhur 294 koli, familjes së Lumturi Rexhës, 18 koli, Simon Stefanit 32 koli, Qirjako Mihalit 25, Haxhi Lleshit 101 koli, Lenka Çukos e Spiro Kolekës, nga 24 koli, Besnik Bekteshit 47, Shefqet Peçit 9 dhe të tjerëve nga 6, apo më tepër. Ndoshta këto koli kanë qenë taksat që këto familje mblidhnin nga rrjeti i të afërmve apo, i miqve të caktuar nëpër ambasada, apo kudo në botë prej tyre.

Grabitja e pajisjeve kur u përzunë nga vilat luksoze

Ka përfunduar inventarizimi fizik i pajisjeve të familjeve të përmendura. Me dorëzimin e vilave të banimit, disa persona i zhveshën e, i dëmtuan ato, duke marrë pjesët e instaluara. Kështu vlefta e dëmit nga familja Toska, është 11 mijë lekë, nga familja Myftiu, 5.300 lekë, nga familja Mihali, 4.300 lekë, nga familja Murra, 1.300 lekë.

Gjithashtu rezultuan edhe 90 mijë lekë mungesa, në pajisjet për përdorim në banesa, të cilat u zhdëmtuan ashtu si dhe dëmtimet e mësipërme. Krahas kësaj, me komision të posaçëm, u rivlerësuan pajisjet që u mbajtën nga vetë familjet dhe u arkëtuan prej tyre shumat përkatëse, për 750 mijë lekë. Pjesa tjetër u grumbullua.

Veshjet luksoze dhe kozmetika e grave të udhëheqjes

Janë bërë shpenzime të konsiderueshme në valutë, për veshje luksoze dhe kozmetikë. Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të veçantë, për t’u trajtuar udhëheqja partiake dhe shtetërore, si dhe familjet e tyre, me veshje apo kozmetikë importi, si dhe me veshje speciale të porositur në vend, çdo vit janë vënë në dispozicion shuma të mëdha në valutë dhe në lekë.

Me urdhër të ish-titullarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit, nëpërmjet Industrial-Impeksit, për vitet 1988-1990, u janë dhënë ambasadave në Romë, në Vjenë dhe në Paris, 457 mijë dollar, për blerje, privatisht me dollarë në dorë në dyqanet speciale dhe të modës mallra, si; veshmbathje, kozmetikë, pajisje gjuetie, elektro shtëpiake apo ushqimore.

Theksojmë se fondet e dhëna nga Drejtoria e Pritjes dhe të përdorura nga Industrial-Impeksi, nëpërmjet edhe ambasadave, kanë qenë jashtë kontrollit. Në disa raste mallrat jashtë shtetit, janë blerë nga vetë përdoruesit dhe pagesa e vleftës së tyre, është bërë me vonesë, nga një deri në tre vjet.

Kështu familja Hoxha në vitin 1988, ka marrë 3.300 dollarë dhe pagesa e vleftës së mallrave të blera me to, është bërë në qershor të vitit 1991. Po kështu ka vepruar familja Çarçani, për 1.500 dollarë dhe e Qirjako Mihalit, për 1.000 dollarë. Në këto ambasada ,nuk justifikohen sot, 91 mijë dollarë. Kjo diferencë dhe të tjera, mund të argumentohen nëse janë shpërdorime, abuzime apo shpenzime të pa dokumentuara, vetëm pasi të kryhet kontrolli në vend.

Blerja e veshjeve dhe e artikujve të kozmetikës, është bërë me çmime të larta në valutë, ndërsa vlerësimi për pagesë nga ana e përfituesve, është bërë me lekë vendi dhe me çmime tepër të ulëta. Ka përfituar më shumë nga diferenca midis valutës së harxhuar dhe çmimit të paguar, familja Alia, për 174 mijë lekë, familja Hoxha, për 84 mijë lekë, Pirro Kondi, për 13.700 lekë, Adil Çarçani, për 25.200 lekë, Qirjako Mihali, për 5.500 lekë, Llambi Gegprifti, për 3.300 lekë. Memorie.al

Jeta e jashtëzakonshme e Andrée Blouin, heroinës së pavarësisë së Afrikës

“E di që mund të vdesësh dy herë. Së pari vjen vdekja fizike… të harrosh është një vdekje e dytë”, vëren skenaristja Eve Blouin, në një epilog në fund të autobiografisë së nënës së saj.

Eva e kupton këtë ndjenjë më shumë se shumica.

Në vitet 1950 dhe 60, nëna e saj, e ndjera Andrée Blouin, u hodh në luftën për një Afrikë të lirë, duke mobilizuar gratë e Republikës Demokratike të Kongos kundër kolonializmit dhe duke u ngritur për t’u bërë një këshilltar kryesor i Patrice Lumumba, kryeministri i parë i DR Kongos dhe një hero i nderuar i pavarësisë.

Ajo shkëmbeu ide me revolucionarë të famshëm si Kwame Nkrumah i Ganës, Sékou Touré i Guinesë dhe Ahmed Ben Bella i Algjerisë, megjithatë historia e saj nuk dihet.

Në një përpjekje për të korrigjuar këtë padrejtësi, kujtimet e Blouin, të titulluar Vendi im, Afrika: Autobiografia e Pasioniarisë së Zezë, po ribotohet, pasi ka kaluar dekada të tëra pa shtypje.

Në libër, Blouin shpjegoi se dëshira e saj për dekolonizimin u ndez nga një tragjedi personale.

Ajo u rrit midis Republikës së Afrikës Qendrore (CAR) dhe Kongos-Brazzaville, të cilat në atë kohë ishin koloni franceze të quajtura Ubangi-Shari dhe Kongo Franceze respektivisht.

Në vitet 1940, djali i saj dy vjeçar, Rene, po trajtohej në spital për malarien në CAR.

Rene ishte i përzier si nëna e tij, dhe për shkak se ishte një e katërta afrikan, atij iu mohuan mjekimi. Javë më vonë, Rene kishte vdekur.

“Vdekja e djalit tim më politizoi si asgjë tjetër”, shkruante Blouin në kujtimet e saj.

Ajo shtoi se kolonializmi “nuk ishte më një çështje e fatit tim keqdashës, por një sistem i së keqes, tentakulat e të cilit shtriheshin në çdo fazë të jetës afrikane”.

Blouin lindi në vitin 1921, nga një baba francez i bardhë 40-vjeçar dhe një nënë zezake 14-vjeçare nga CAR.

Të dy u takuan kur babai i Blouin kaloi nëpër fshatin e nënës së saj për të shitur mallra.

“Edhe sot, historia e babait dhe nënës sime, ndërsa më jep shumë dhimbje, më mahnit akoma”, tha Blouin.

Kur ajo ishte vetëm tre vjeç, babai i Blouin e vendosi atë në një manastir për vajza të racave të përziera, i cili drejtohej nga murgesha franceze në Kongo-Brazzaville fqinj.

Kjo ishte praktikë e zakonshme në Francën dhe kolonitë afrikane të Belgjikës – mendohet se mijëra fëmijë të lindur nga kolonialistët dhe gratë afrikane dërgoheshin në jetimore dhe u ndanë nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Blouin shkroi: “Shtëpia e fëmijës shërbeu si një lloj koshi mbeturinash për mbetjet e kësaj shoqërie bardh e zi: fëmijët e gjakut të përzier që nuk përshtaten askund”.Përvoja e Blouin në jetimore ishte jashtëzakonisht negative – ajo shkroi se fëmijët në institucion ishin goditur me kamxhik, kequshqyer dhe dhunuar verbalisht.

Por ajo ishte kokëfortë – ajo u arratis nga jetimorja në moshën 15-vjeçare pasi murgeshat u përpoqën ta detyronin të martohej.

Blouin përfundimisht u martua me vullnetin e saj, dy herë. Pas vdekjes së Rene, ajo u zhvendos me burrin e saj të dytë në Guinea, një vend i Afrikës Perëndimore i cili qeverisej gjithashtu nga francezët.

Në atë kohë, Guinea ishte në mes të një “stuhie politike”, shkroi ajo. Franca i kishte premtuar vendit pavarësinë, por gjithashtu u kërkoi Guineasve të votonin në një referendum nëse vendi duhet të mbajë apo jo lidhje ekonomike, diplomatike dhe ushtarake me Francën.

Dega Guineane e lëvizjes pan-afrikane Rassemblement Démocratique Africain (RDA) donte që vendi të votonte “Jo”, duke argumentuar se vendit i duhej çlirim total. Në vitin 1958, Blouin iu bashkua fushatës, duke vozitur në të gjithë vendin për të folur në mitingje.

Një vit më vonë, Guinea siguroi pavarësinë e saj duke votuar “Jo” dhe Sékou Touré, udhëheqësi i RDA i Guinesë, u bë presidenti i parë i vendit.

Në këtë pikë, Blouin kishte filluar të zhvillonte një ndikim të konsiderueshëm në qarqet postkoloniale pan-afrikane. Ajo shkroi se pasi Guinea u bë e pavarur, ajo e përdori këtë ndikim për të këshilluar Presidentin e ri të CAR, Barthélemy Boganda, duke e bindur atë të largohej në një grindje diplomatike me udhëheqësin e Kongos-Brazzaville pas pavarësisë, Fulbert Youlou.

Por këshillimi nuk ishte gjithçka që Blouin duhej t’i ofronte kësaj Afrike që ndryshonte shpejt.

Në një restorant në kryeqytetin e Guinesë, Conakry, ajo takoi një grup aktivistësh çlirimtarësh nga ajo që më vonë do të bëhej DR Kongo. Ata i kërkuan asaj që t’i ndihmonte të mobilizonin gratë kongoleze në luftën kundër sundimit kolonial belg.

Blouin u tërhoq në dy drejtime. Nga njëra anë, ajo kishte tre fëmijë të vegjël – përfshirë Evën – për të rritur. Nga ana tjetër, “ajo kishte shqetësimin e një idealisti me një zemërim të caktuar ndaj botës siç ishte”, tha Eva, tani 67 vjeç, për BBC.

Në vitin 1960, me inkurajimin e Nkrumah, Andrée Blouin fluturoi vetëm në DR Kongo. Ajo iu bashkua aktivistëve të shquar të çlirimit meshkuj, si Pierre Mulele dhe Antoine Gizenga, në rrugë, duke bërë fushatë në të gjithë hapësirën prej 2.4 milionë km katrorë (906,000 milje katrorë) të vendit. Ajo preu një figurë të habitshme, duke udhëtuar nëpër shkurre me flokët e saj të shtruar, fustanet në formë dhe nuancat elegante dhe të tejdukshme.Në Kahemba, afër kufirit me Angolën, Blouin dhe ekipi i saj ndaluan fushatën e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e një baze për luftëtarët e pavarësisë angoleze që ishin larguar nga autoritetet koloniale portugeze.

Ajo iu drejtua turmave të grave, duke i inkurajuar ato të nxisin barazinë gjinore si dhe pavarësinë e Kongos. Ajo gjithashtu kishte një aftësi për organizim dhe strategji.

Së shpejti, fuqitë koloniale dhe shtypi ndërkombëtar e kapën erën e punës së Blouin. Ata e akuzuan atë se ishte, ndër shumë gjëra, zonja e Nkrumah, agjentja e Sékou Touré dhe “kurtizanja e të gjithë krerëve të shteteve afrikane”.

Ajo tërhoqi edhe më shumë vëmendjen kur u njoh me Lumumba.

Në librin e saj, Blouin e përshkruan atë si një burrë “të gjallë dhe elegant”, “emri i të cilit ishte shkruar me shkronja ari në qiellin e Kongos”.

Kur vendi fitoi pavarësinë e tij në vitin 1960, Lumumba u bë kryeministri i parë i tij. Ai ishte vetëm 34 vjeç.

Lumumba zgjodhi Blouin si “shefin e protokollit” dhe shkrimtarin e tij. Dyshja bashkëpunuan aq ngushtë sa shtypi i quajti “Lumum-Blouin”.

Blouin u përshkrua nga revista amerikane Time si një “41-vjeçare e pashme”, “vullneti i çelikut dhe energjia e shpejtë e të cilit e bëjnë atë një ndihmëse të paçmuar politike”.

Por një mori fatkeqësish goditën ekipin Lumum-Blouin – dhe qeverinë e sapoformuar – vetëm disa ditë pas mandatit të tyre.

Së pari, ushtria u revoltua kundër komandantëve të bardhë të Belgjikës, duke shkaktuar dhunë në mbarë vendin. Më pas, Belgjika, Britania e Madhe dhe SHBA-ja mbështetën shkëputjen në Katanga, një rajon i pasur me minerale ku të tre vendet perëndimore kishin interesa. Parashutistët belgë u kthyen në vend, gjoja për të rivendosur sigurinë.

Blouin i përshkroi ngjarjet si një “luftë nervash”, me tradhtarë që “organizohen kudo”.Ajo shkroi se Lumumba ishte një “hero i vërtetë i kohëve moderne”, por gjithashtu pranoi se mendonte se ai ishte naiv dhe, nganjëherë, shumë i butë.

“Është e vërtetë që ata që kanë besimin më të mirë janë shpesh të mashtruarit më mizorisht”, tha ajo.

Brenda shtatë muajve pasi Lumumba mori përgjegjësinë, shefi i shtabit të ushtrisë Joseph Mobutu mori pushtetin.

Më 17 janar, Lumumba u vra nga skuadra e pushkatimit, me mbështetjen e heshtur të Belgjikës. Është e mundur që Britania e Madhe të ketë qenë bashkëpunëtore , ndërkohë që SHBA-ja kishte organizuar komplote të mëparshme për të vrarë Lumumba – nga frika se ai ishte dashamirës ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Në librin e saj, Blouin tha se tronditja dhe pikëllimi i shkaktuar nga vdekja e Lumumba e la atë pa fjalë.

“Asnjëherë më parë nuk kam mbetur pa rrëke gjërash për të thënë”, ka shkruar ajo.

Ajo jetonte në Paris në kohën e vrasjes, pasi ishte detyruar në mërgim pas grushtit të shtetit të Mobutu.

Për të siguruar që Blouin nuk do të fliste me shtypin ndërkombëtar, autoritetet e detyruan familjen e saj – e cila ishte zhvendosur në Kongo – të qëndronte në vend si “peng”.

Ndarja ishte dërrmuese për Blouin, i cili, siç e përshkruan Eva, ishte “shumë mbrojtës” dhe “shumë nënë”.

Duke reflektuar për personalitetin e nënës së saj, Eva shton: “Askush nuk do të donte ta kundërshtonte atë, sepse edhe pse kishte një zemër të madhe dhe bujare, ajo mund të ishte mjaft e paqëndrueshme.”

Ndërsa Blouin ishte në mërgim, ushtarët plaçkitën shtëpinë e familjes së saj dhe e rrahën brutalisht nënën e saj me një armë, duke i dëmtuar përgjithmonë shtyllën kurrizore.

Familja e Blouin më në fund ishte në gjendje t’i bashkohej asaj pas disa muajsh ndarje.

Ata kaluan një periudhë të shkurtër në Algjeri – ku iu ofrua vend i shenjtë nga Presidenti i parë i vendit pas pavarësisë, Ahmed Ben Bella.

Më pas ata u vendosën në Paris. Blouin mbeti i përfshirë në pan-Afrikanizëm nga larg “në formën e artikujve dhe takimeve pothuajse të përditshme”, shkroi Eve në epilogun e kujtimeve.Kur Blouin filloi të shkruante autobiografinë e saj në vitet 1970, ajo ende kishte nderim të madh për lëvizjet për pavarësi të cilave iu kushtua.

Ajo vlerësoi shumë Sékou Touré, i cili deri në atë moment kishte krijuar një shtet njëpartiak dhe po shtypte pamëshirshëm lirinë e shprehjes.

Megjithatë, Blouin u bë thellësisht i dëshpëruar që Afrika nuk ishte bërë “e lirë”, siç kishte shpresuar.

“Nuk janë të huajt ata që e kanë dëmtuar më shumë Afrikën, por vullneti i gjymtuar i njerëzve dhe egoizmi i disa prej udhëheqësve tanë”, shkroi ajo.

Ajo e hidhëroi vdekjen e ëndrrës së saj, aq sa nuk pranoi të merrte ilaçe për kancerin që po i rrënonte trupin.

“Ishte e tmerrshme për të parë. Unë isha absolutisht e pafuqishme,” tha Eve.

Blouin ndërroi jetë në Paris më 9 prill 1986, në moshën 65-vjeçare. Sipas Evës, vdekja e nënës së saj u prit nga bota me “indiferencë të tmerrshme”.

Megjithatë, ajo mbetet një frymëzim në disa kënde. Në kryeqytetin e DR Kongos, Kinshasa, një qendër kulturore me emrin Blouin ofron programe edukative, konferenca dhe shfaqje filmash – të gjitha të mbështetura nga një etikë pan-afrikane.

Dhe përmes My Country, Afrika, historia e jashtëzakonshme e Blouin po publikohet për herë të dytë, këtë herë në një botë që tregon interes më të madh për kontributet historike të grave.

Lexuesit e rinj do të mësojnë për vajzën që nga sistemi kolonial u fsheh në luftën për lirinë e miliona afrikanëve me ngjyrë./ BBC – Syri.Net

“Dridheshim, një roje i pashpirt pa një të burgosur që kishte mbi krye plasmasin, e nxori nga rreshti dhe e…”- Zbardhen kujtimet e ish-Ipeshkvit të Shkodrës

Nga Dom Zef Simoni

Pjesa e katërmbëdhjetë

Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.

Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.

Në kamp

Gjithçka bahej me një rregull. Në kamp nuk kishte asnjë konfuzion të jashtëm. Në orën pesë të mëngjesit, bahej zgjimi. Ndihej zani i fortë i Dhimos, ish-oficer, e mbas lirimit të tij, gati njëzetë vjetësh në burg, ndigjohej zani i Jorgjit, çoban vlleh. Tellallë të burgosun. Zgjimi ishte fjalë e randë për ne. Të burgosunve iu çilshin sytë e gjatë natës e, kishin pikëllimin e ditës, kur delte një diell i bukur e i shndritshëm, mes atyne maleve të thata, nësa i burgosuni merrte koshiencën e gjendjes së vet. I burgosuni çdo ditë mund të bante një formim, ose një rrënim të jetës së vet, nëpër të cilën kalonte. Ky futej në punë, në galeritë e nëntokës edhe ata që nuk punojshin në minierë, gjindeshin në tunelet e luftave mizore, tue u gjetë në pozicionet ma të tmerrshme që ka toka dhe kontinenti ynë. Dhe ti pyet veten.

Çka baj këtu, ku gjendem, ku jam, pse jam këtu?! Të gjendesh vetëm një ditë e natë, njëzet e katër orëshe, në këtë vend, nuk të duhet vetja asgja. Por me ditë, me javë, me muej, vjete, me të tanë jetën, shumë edhe të vdesin këtu. Gjithçka do të bahej me shpejtësi mbas zgjimit, për të krye nevojat personale. Një torturë antinjerëzore në ato WC pa dyer, gjithsej trembëdhjetë e, me shpejtësi me u la në ato pak çezme me pak ujë, për të gjithë të burgosunit. Aty edhe me la rrobet, tue pasë pak govata. Gjithçka pak, ngusht dhe ngut. Një shkuemje e ardhje, një lëvizje njerëzish, që shumë edhe ngitshin si të tërbuem, se po avitej koha rreth orës 730, kur tellalli lajmonte apelin tjetër.

Për këtë do të mblidheshin të gjithë në tarracë, tue u ngjitë disa kambë shkallë. Tarraca ishte e madhe, ku mund të bahej edhe një shëtitje, që herë herë lejohej e, të shumtën e herës jo, pse që andej shihej diçka ma tepër e, dukej dhe një cep rruge. Apeli bahej rregullisht dy herë në ditë, e nisi të bahej edhe tri here, mbas vdekjes së diktatorit të dytë, kryeministrit Mehmet Shehu. E deri që vinte koha e numërimit, do të rrijshim shpesh herë edhe një orë e ma, në kambë, në shi, në të ftohtë, në ngricë e akull, edhe në pikën e të nxehtit të verës.

Kjo ishte një orë e randë e shtypjes sonë. Kalojshim dy nga dy tue zbritë nëpër shkallë, tue hjekë kapelat e, tue dalë kokat tullace tonat, në prani të oficerit të rojes, të policëve për t’u dhanë nderimin, për t’u hjedhë si kem zotave të rrejshëm. Ata dojshin që të mos kishim asnjë personalitet, por që këtu edhe mblidhej helmi i mallkimit tonë, që do të binte patjetër mbi njerëzit e dhunës, mbi dhunuesit e njeriut. Këtu qëndronte në një anë fitorja e rrejshme e komunizmit, por këtu do të ishte edhe jona, pse në ato orë sinjifikative e të përqendrueme në çdo ditë, ma në shej të shtypjes, nga shkaku i tyne, do të bijë ndëshkimi i Zotit mbi ata që dhunojnë dinjitetin e njeriut.

Dinjiteti i njeriut asht pronë e Perëndisë. Asht fort e randë me të rrahë, me të gandue me goditje shtazarake, me të vra, por ia kalon të gjitha të zezave, me të poshtnue, pse poshtnuesi do me hjekë dinjitetin. Komunizmi nuk ka ba të keqen vetëm tue pushkatue e tue burgosë njerëz, pse këso punësh kanë ndodhë gjatë kohës së historisë të panjehuna, as pse ka prishë karakterin njeriut, që kjo prishje asht konsekuencë e të këqijave, por kryesisht se komunizmi, e ka prishë karakterin, tue dhunue sistematikisht e çast për çast dinjitetin, e njerëzit kanë arritë vetë të mos kenë dinjitet. Pse u thyen nazistët e fashistët gjatë Luftës së Dytë Botnore? Kjo u ngjau atyne, pse dhunuen dinjitetin e anmiqve të vet. Kjo do t’u ngjajë edhe çdo forme të komunizmit. Këtu ishte siguria jonë e, për shumë kohë, edhe morali ynë.

Aty kishte një organizim të tillë, që, po nuk pate vullnet edhe të fortë, mund të rrëzoheshe, shkojsha tue ra. Një pjesë të kohës, mund të shëtitshin rreth njëmijë e pesëqind vetë, në ato dy oborre të vogla, që duhej të kisha kujdes të mos shpëtonte ndonjë fjalë, bisedë, se spiunët të viheshin mbrapa, për ta dëgjue. Fjala burg ndryshon nga hetuesia. Në hetuesi ke luftë të fortë, përpjekje, shumë andrralla. Del e rrallë, mos me dalë. Kurse në burg, ke një jetë me një farë stabiliteti të keq. Ke punë, ke ajër. Por je futë në një diçka të gjatë, me ditë, me vjet dhe të papërcaktueme, pse mund të dënohesh përsëri. Po të ishte e mundun të rrijsha me secilin njeri aty, e po të hyjsha në mbrendinë e atyne qenieve që thirren të burgosun, do të zbulojshe botën e dhimbave të tyne e, do të shihsha se në ata asht mbyllë gjithçka.

Vizitat e motrës në Spaç e Ballsh

Në burg je futë në një errësinë. Ke vetëm realitetin e presionit. Kje nda nga familja, nga të afërmit, nga miqtë. Njerëzit e familjes, pret me aq dashuni. Këta rrinë me ty afër dhjetë minuta. Te vëllau e te unë, vinte motra, aq e sakrifikueme për ne. Mjaft me kujtue për atë vështirësitë që kishte për të ba udhëtime në Ballsh, ku ishte Gjergji e, në Spaç, me rrugë të vështira për të ardhë te unë, që në udhëtim do ta mundonte pshtjellimi që kishte në stomak e, që do ta bante fytyrën e saj si të një kufomë, në çdo udhëtim. E krejt peshën ushqimit që do t’i binte tue ecë kambë në një copë rrugë e, kishte nxjerrë nga gojët e paushqyeme. Në takim u bajshin biseda të shkurta, të shpejta e të kjarta, e takimi mbaronte me përshëndetjet e fundit e lot nanash, motrash, nusesh dhe fëmijësh. Familjet, për të na ndihmue, na dërgojshin pakot edhe me postë.

Të papunët  në Spaç

Kishin vuajtje, lodhje, ata që punojshin me tre turne në minierë, dërrmoheshin. Të papunët që ishin rreth pesëqind vetësh, edhe ata bajshin punë të vogla, të mbrendshme. Ishte një kuzhinë që e quejshin private. Për të përgatitë zjarrin, komanda jepte pluhun qymyrit, për të ba topa. Të gjithë të burgosunit e papunësisë, nxirreshin jashtë në një patalok, të ulun ndenjun afër zyrës së komandës, në të ftohtë, ngricë, erë, për të ba topa me dorë. Një punë që zgjat rreth dy orësh, pothuej çdo ditë, tue na ndejë mbi krye brigadieri çoban, i papunësisë. Nuk ishte nevoja të kishe një polic ma të mirë. Ata që punojshin, kishin racionin e bukës, 900 gr. në ditë e, gjellë në mëngjes e drekë. Darka kishte çajin me copën e marmalatës, ose të djathit. Sa herë, kishte asish që nuk hajshin orizin, ose makaronat me mish, për arsye se atyne që nxirshin sidomos piritin, u pritej oreksi e, ua jepshin shokëve të vet, që i kishin në papunësi, ku kishte shumë uri.

Në papunësi kishte 600 gr. bukë në ditë, por edhe kjo nuk jepej e saktë. Kuota e ushqimit, ishte në vlerën e tetë lekëve të vjetra në ditë. Në një javë, mund të binte vetëm voj luledielli, dy lugë gjelle. Ishte racion. Në daç haje gjellën, në daç mos e ha. Çdo mëngjes dimnit, nuk të daheshin disa lloj purrijsh të thatë, ardhë me makina ndër thasë, që nuk haheshin, nuk kapërdiheshin e, na i derdhshim në kazanat e tepricave, për thitë e komandës. “Oh, nuk shtihet në gojë ajo supa e orizit në drekë”. Ngërdhesheshin gojët. Kërkohet kund ndonjë presh o hudër, që hynte në kamp prej komandës. Një pjatë me groshë të hollë e, kjo çdo tri ditësh, e kthente ditën në një festë. Çdo mbramje për darkë, do të merreshe rriskën e bukës dhe gotën e çajës, pothuej pa sheqer. Mes vapës, shiut, borës e akullit, deri në temperaturën minus 10-15, për sa vjetë, do të ishim të inkuadruem në rreshta, tri orë e ma tepër në ditë, në tri kohët e ngranjes, për të marrë atë ushqim që e kishin përgatitë të tillë, për të na prishë çdo dëshirë për të jetue. Ushqim i përshtatshëm, vetëm për shejtënt e kafshët.

Kur binte shi, nuk u lejonte për të marrë plasmasa për t’u mbrojtë. Kështu lageshin të gjithë e, baheshin qull kapotat e krenat. Dridheshim sidomos, kur shiu binte në të ftohtë. Një roje e pashpirt, pau një të burgosun që kishte vu mbi krye plasmasin. E nxori nga rreshti dhe e vendosi në një pozicion, që mbi qafën e tij të bijshin pikat e shiut, për t’i kalue nëpër shtat. Gjithkah më delte keq. Edhe po të kishem një farë komoditeti, shpirtnisht nuk do të më pëlqente, se më dukej sikur të mendojsha për ndejtjen aty, për një jetë, që bahet jotja, që zgjaste kështu kohën e robnisë. Dispozicioni duhet të ishte i tillë, që mos me jetue me realitetin. Asht një mënyrë për t’i shpëtue ramjes, për të mbajtë nalt moralin tand dhe me mendue përherë, që mos të shkëputesha për asnjë çast nga e ardhmja, nga ajo që nuk e ke prezent.

Ka jetë ma. Edhe mos me pasë, edhe mos me jetue ma, asht vlera se nuk je rrëxue. “Frangar, non flectar”. (“Përkulem, por nuk thehem”). Ç’më duhet atëherë realiteti? Harroje! Mërdhas? Lëviz, për me u nxe! Kam uri! Do të ha. Jam i lodhun, tue ndejë në kambë edhe apel, ma tepër se tri orë, katër, në ditë me shi, në diell. Do të çlodhem dhe jetoj. Ky asht një stoicizëm. Por ka edhe ma për mue. Ka tjetër për atë që i jep vështrimin e naltë jetës. Ajo që shejtnoi vuejtjen, më del gjithherë përpara. Sakrificë me shpërblim. Vuajtjen unë nuk e kërkoj fort, por e pranoj, kur jam në atë. Kam qëllim të naltë. Vuen Krishti në mue. Edhe më duket atëherë, se vuej ma pak. Ajo shkrihet në meritim. Edhe kështu punoj për të ardhmen.

Tash mund ta çmojmë edhe temën e hartimit të Padër Gjonit, që na dha në klasën e gjashtë të liceut: “Gjenitë formohen në vetmi, karakteret në zhurmë”. Vetmi ka pak, aspak. Zhurmë ka shumë. Këtu formohen karakteret. Në çdo çast mund të acarojë dikush. Njerëz shumë të mirë, të sjellshëm, të edukuem, shpirtmirë, me ide dhe ideale, por ka edhe asish që janë mbrapa në mirësitë njerëzore. Ngushtica që asht karakteristikë e kohës dhe e regjimit, i jepshin rast grindjeve, sa zbulimeve që ngjanin ndër ata njerëz intrigantë, spiuj, të veseve që përshkojshin kampin, tue i dhanë asaj grope natyrore të burgut, frikë e ankth.

Në burg natyra jote ishte e pamundun, të mos shfaqeshe me të tanë fuqinë e vet, në thellësinë e veprimeve. Zbuloheshe krejt. Jeta këtu nuk kishte maskë. “Pse, o njeri, o i burgosun i del shoqit tand para në radha, kur je vu në rresht, për të marrë bukën, pa i marrë lejen, pa ndonjë arsye”?! E këtë nuk do ta bajë ndonjë i sëmurë, ndonjë që nuk ka ndihma, por ata që kërkojnë me përfitue në gjithçka. Po pse atëherë ke ra në burg? Plotësova idenë, se drejtësia duhet të jetë karakteristika e parë e njeriut. Njeriu, po nuk qe i drejtë me ty, ai asht bisha jote. Mos vallë janë kushtet, rrethanat, gjithçka mbi njeriun. Jo. Këta ndikojnë. Por nuk janë. Personaliteti i njeriut, asht i njajtë, në çdo rast. Unë kisha vendosë për veti shpesh here, që bukën ta merrshe ndër të fundit në radhë, pa shikjue a më delte kush përpara. Ruejsha qetësinë.

Vetëm një herë e pyeta një të burgosun, i cili për tri ditë rresht, vinte para meje në radhë, më delte para. Hynte dhe nuk me përshëndette. Nuk më flitte asnjë fjalë. M’u zgjue një kureshtje e, tue pasë një zemërim të mbrendshem, e pyeta në të tretën ditë, me një farë toni: “Përse o djalë më del para, tue qënë unë fort ma i madh se ti në moshë, edhe i sëmurë? Unë i gjykoj keq këto veprime”! i tham. “Vij, – më tha, – para teje, se nuk më thue gja, pse ju priftënt jeni njerëz të mirë. Ju duroni. Ke shumë arsye. – Më tha, e tue më lypë të falun, vazhdoi: – Jam i ri, e nuk dij çka baj nga vuejtjet. Jam djalë i vetëm dhe prindët i kam në vështirësi, si edhe të sëmurë”. I kërkova edhe unë të falun:

“Rri para meje, kur të duesh.” Por ai nuk erdhi ma, por më jepte një përshëndetje në kamp. Ky fakt gati si i ngjashëm me atë ngjarjen, kur protestova në kishë për mos me ia dhanë kemin atij shoqit tim. E përshkonte veten time një dell shekullar. Kishte shumë të rinj që preokupoheshin për dije, sidomos për gjuhët e huaja. Gjatë vjetëve të burgut po të zbulohej kush se merrrej me ato, ia merrshin fletoret, shënimet dhe ato t’i izolojshin për tridhjetë ditë. Kështu u dënuen herë mbas herë, edhe njeni për tridhjetë fjalë të gjuhës italishte. Për një fjalë, një ditë burg. Për tridhjetë, shumëzim aritmetik. Ndej tue mërdhitë se ishte dimen. Duel në krye të muejit. I ndejën gati shokët me ushqime për ta marrë veten në dorë, ajo fytyrë që ishte ba si kufomë.

Birucat e vdekjes

Me u futë në birucë, donte të thonte, sidomos dimnit, me hy në një dhomë torture, e gjatë gati dy metër, ku nëpër bira hynte erë e akull e, le të imagjinohen pasojat e randa fizike, në këto dhoma të quejtuna “birucat e vdekjes…”! Arsyet e hymjes ishin ma të ndryshmet e, për disa persona që komanda i quante kokëfortë e të rrezikshëm, për pikëpamjet e tyne, pritshin shkakun ma të voglin, për t’i shti në birucë. Më këtë persona atëherë organizojshin edhe rrahjet me skuadra policësh, që arrinin deri në 13 veta.

Po të gjente roja shkakun ma të voglin e shkeljes së rregullores: se nuk asht rregullue mirë shtrati, o tue hangër ndonjë send sado të vogël, në dhomën e fjetjes, aty e kishe vendin. Birucat ishin vendosun mbi përrue e dimnit frynte era e ftohtë. Ishte këtu pika e akullt në Shqipni. Përroni përfund ishte krejt akull e për plasat e birucave hynte era e pamëshirshme si katileshë. Mbrendë nuk hynte asnjë ushqim tjetër veç atij të komandës. I dënuemi do të rrinte tanë ditën në kambë, me një veshje të hollë, pse të hiqshin edhe ndonjë xhup që kishe. Në mbramje do të hyjshin dy batanije të leckosuna.

Çdo natë në torturën e fortë të dimnit, të akulluem me borë në tokë e ngricë në zemër. Kamp e tmerr. Kampi i Riedukimit 303 Spaç, i kishin vu emnin. Baheshin mbledhje të shpeshta e, i kryesonte komanda me komandantin, ose ma shpesh komisari politik. Ato ishin mbledhje të idhta, që zakonisht baheshin ditë të dielle paradite. Lëshohej në ato zeheri komunist, me rrebtësi ushtarake e, ishin paralajmëruese arrestimesh të reja në kamp. Kishte raste që bisedohej për të drejtat e të burgosunve, por ma tepër për detyrat. Flitej për rregullimin e brendshëm, pastërti, ushqimin që nuk ndërronte aspak. Ushqimi kontrollohej çdo ditë nga oficeri i rojes dhe mjeku i kampit. Ishin dy mjekë; mjeku ushtarak i komandës dhe mjeku i burgosun i kampit.

Mjeku i burgosun, në infermieri bante vizitat, jepte mjekimet dhe lejet e pushimit të kufizueme, mos me dalë në punë për ata të minierës e, për të papunët me pushue në shtrat, kur ishin me temperaturë. Komanda porositte në çdo mbledhje, që të rrijshim urtë e të mos flitshim kundër pushtetit: “se na ju presim gjuhën. Gjuhën tuaj gjarpën. Prej kësaj gjuhe, keni ra këtu. Ky asht pushteti ideal”. Thonte nënkomisari, Nikolla, prej Puke. “Hi, hi”, qeshte kah fundi i sallës, ndonje grup i të burgosunve. Pa e dijtë shkakun e zhurmës, nënkomisari merrte zemër e ndezej flakë në fytyrë, tue marrë një ngjyrë të keqe të fortë. “Mos hidhni vner kundër pushtetit, Riedukohuni. Për këtë kemi vu edhe leximin e shtypit”.

Çdo ditë, veç ditës së dielle, që kishte pushim, bahej leximi i artë i veprave të shokut Enver, tri orë në ditë e, në vjetët e fundit, dy orë, deri kah ora 1030 të paradites. Pastaj na mbërthejshin në shtrat, për mos t’i ba zhurmë na të papunësisë, atyne që flejshin për të dalë në punë, në turnin e dytë. Do të mbretnonte një heshti vorri, në sa bota në këtë orë asht në lëvizjen e ditës e të jetës. E nësa ishim të shtrimë, kontrolloheshim vazhdimisht nga policia, që përshkonte dhomat me një ecje të ngadalë e, tue na lëshue sytë mbi secilin. Për dymbëdhjetë vjetë, unë ndijsha leximin.

Lektori ishte i burgosun. Do të rrijshim të gjithë me vëmendje. Ishte prezent brigadieri i rrebtë e papunësisë, Jorgji. E kur hynte roja në sallën e leximit, të gjithë rregullojshin pozicionet e veta. Një roje në repartin e Përparimit, afër Sarandës, ku gjindeshe në vjetin e fundit të burgimit, pau një të burgosun të moshuem që kishte ulë kokën mbi tavolinë. Roja me qetësinë ma të madhe, kërkoi një kovë ujë, për t’ia hjedhë në fytyrë e, tue i lëshue një britme shkyese, i tha: “Kështu i dëgjon ti veprat e mëdha të shokut Enver”?! dhe e nxuer jashtë, për ta çue në komandë. Me shkue në komandë, donte me thanë me hy në torturë.

Ishte dimën, shumë të ftohtë. Kishte ngricë. Malet përreth të zbardhueme prej bore. Ishte ditë me pak diell, diell i marrtë, 7°C. Do të bahej kontroll në kamp, siç bahej një herë në muej. Kontrolli zgjati gati pesë orë. Lektorit i thanë të lexonte. Çka? Veprat e shokut Enver. Na nxeheshim. Na nxejshin veprat.  Urrejtje, nxehtësi zemrimi. Kamp e tmerr. Në Spaç shtojshin telat me gjemba, rrethime. Ishin katër. U shtue edhe një. U banë pesë. Rojet ushtarake që ishin ditë e natë në kontroll, na zgjojshin kuriozitetin. Ata vejshin helmeta. Herë i hiqshin, herë i vejshin edhe mbrenda dite. Na bajshim interpretime politikë brenda burgut. Çdo ditë jetojshim me frikë, kishim presionin e madh psikologjik.

Formoheshin bindje, se vështirë të delej ma prej aty: nga kampi i shfarosjes. Një i burgosun që kishte qenë në kampin e Mat’hauzen, thonte se ky i Spaçit, ia kalonte atij për mundimin dhe terrorin. Hyjshin fjalë: “Këto ditë do të ketë arrestime”. E hidhte fjalën ndonjë agjent i tyne. Ka arrestime. Arrestime mbas arrestimesh, në burg. Pa pritë pa kujtue apel. “Apeli”, thirrte zani i trishtueshem. Ora 11°°. Leni leximin. Asht apeli. Të gjithë rrijnë pa za, heshtje vdekjeje. Të gjithë të radhitun. U nxinte për ne qielli, erreshin zemrat. Secili thonte me veti; mos jam unë? Mos jemi shumë? Përsëri nana, fëmijë që do të vuejnë. Përsëri me strajca për të marrë mbrapa me lot ndër sy, me kambë të këputuna, njerëzit e tyne. Çka janë këto ngjarje kështu?!

Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho (23 shkurt 1979)

Hynte në kamp komisari politik, komandanti, operativi, oficera dhe shumë roje. Arrestohen si anmiq të popullit. Rojet u futshin mes të burgosunve. U vejshin hekura ndër duer. Të arrestuemit çojshin krenat përpjetë, shej papërulje. Heshtje e krejt kampit gjat asaj dite. Ditë zije. Kështu veprojshin sa herë. Edhe katërdhjetë vetë pëmjëherë. Por këtë arrestim, e banë pa apel, por tue i marrë nëpër dhoma. Përsëri shtijshin fjalë se do të arrestohen edhe tjerë. U arrestuen përnjëherë edhe njëzet e shtatë. Edhe grupi i Fadil Kokomanit dhe i Vangjel Lezhos, me 23 shkurt 1979.

Të dy ishin me pikëpamje të forta komuniste. Këta të dy, i kishin dërgue nga burgu një letër Komitetit Qendror, tue i kërkue të ndërronte vija e Enverit, me e hjekë Enverin. Këta dojshin me u rivendosë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Atje kishin mbarue edhe studimet. Komunizmi nuk xen vend. Ai ka diktaturë e totalitarizëm. Për Fadilin, Vangjelin e shokët e tyne, duhet me marrë frymë gjithçka, nëpër birën e Moskës. Komunizmi me dhunë e merr pushtetin, me dhunë e gjak e mban. Dhuna e gjaku, asht binom i komunizmit. U ishte mbushë mendja atyne, se ishin në të mbarën.

Po Bashkimi Sovjetik kje shembull i përsosun i tmerrit e, për gjashtëmbëdhjetë vjetët, i nxorën sytë e ujtë Shqipnisë. Çka i duheshin lidhjet me këtë vend e, me këto ide e parime?! Po të jeshë komunist, të hiqet koka edhe prej tuejve, edhe po të bajsh ndonjë kritikë. Fadili ishte stoik, gazetar e letrar. Vangjeli ishte gazetar, letrar edhe besimtar kristian. Ishin njerëz me guxim dhe të ndershëm nga karakteri. Kishin ra shumë persona që i përkitshin rrymës së revizionizmit, djemtë e sa kuadrove të partisë dhe të pushtetit, si të Beqir Ballukut, Teme Sejkos, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, me tendenca demokratike e, sa të tjerë. Të gjithë kishin pikëpamje socialiste, por nga karakteri të ndershëm e, mund të rrijshe pa asnjë frikë me ata, mund të flitsha lirisht, pse ishin vërtetë besnikë. Memorie.al

Vijon


Send this to a friend