Kur Petro Marko botonte në gazetën “Bashkimi” të datës 7 gusht 1945, artikullin me titull “Vlora në kuje”, ndoshta ka menduar se hedhja dritë mbi ngjarjen-gjëmë me të cilën shkrimtari-luftëtar e më pas i shumëvuajtur, e hapte shkrimin e tij, do të ishte vetëm çështje muajsh. Ndeshja rastësore e një flete të zverdhur të atij numri të “Bashkimit”, na ngjalli një kureshtje të madhe dhe kësisoj, nisi një odise kërkimesh e hulumtimesh që mesa duket, nuk ka për t’u mbyllur plotësisht. Në këtë vend ku ngjarjet zënë njëra-tjetrën dhe ku njerëzit priren të harrojnë shpejt, gjithnjë e më të paktë janë ata që kanë interes dhe dëshirë të hedhin dritë mbi një episod kaq të dhimbshëm e ndoshta, kaq të sikletshëm për ndjeshmëritë e një qyteti jo dosido.
Por cila është historia? Le t’i rikthehemi hyrjes së artikullit të Petro Markos:
“Me të hyrë në Vlorë, njeriu ndjen diçka që i kujton të kaluarën. Po vajtimi i grave dhe ligjërimi i pa prerë i plakave të sjell në kohët e sotme. Sa nuk u kthyen nga kampet e vdekjes? GJASHTËQIND vlonjatë u dorëzuan nga tradhëtarët në kasapët e Hitlerit e sa u kthyen? Njëzet, tridhjetë, dyzetë, sa?… Atë që pësoi Vlora, nuk e pësoi asnjë vend tjetër: GJASHTËQIND martirë dhanë jetën e tyre në kampet e vdekjes duke mallkuar ata vlonjatë tradhtarë e të poshtër që kujtuan se me të tilla krime do të shuanin flakët e patriotizmës që ndizet për jetë në tokën e bekuar të Vlorës…”
Megjithëse vendi sapo kishte dalë nga tmerret e luftës më të përgjakshme që ka parë njerëzimi, kjo ngjarje megjithatë ishte shumë. Zhdukja pa nam e nishan e shumicës së këtyre gjashtëqind vlonjatëve brenda pak ditëve, ishte një ngjarje që nuk mund të kapërdihej kollaj, qoftë dhe për një arsye të thjeshtë: Pjesa dërrmuese e tyre nuk kishin të bënin me luftën, ishin kapur në rrugë si kalimtarë, në punë apo në shtëpi. Dhe nëse të paktën për shtypin zyrtar progjerman të kohës, masakrës si ajo e 4 shkurtit 1944 në Tiranë i vishej një sebep (ishte reagim ndaj atentatit kundër nipit të Xhaferr Devës), rasti i Vlorës ishte krejt më vete. Për më tepër, harresa që pesha e kohës, dhe heshtja që indiferenca e njeriut i kanë vënë mbi vete kësaj gjëme, e bëjnë atë edhe më të mënxyrshme.
Në nëntor 1943, gjermanët po bënin tre muaj që ishin instaluar në Shqipëri, duke zëvendësuar regjimin fashist italian, tashmë të falimentuar. Shqipëria jugore, e sidomos zonat e Vlorës e Gjirokastrës ishin shumë të rëndësishme për armatat e Vermahtit të angazhuar në Ballkanin jugor, jo vetëm për të siguruar një rrugëkalim të sigurtë tokësor në rast tërheqjeje nga Greqia, por edhe për të mbajtur nën kontroll bregdetin. Rreziku i një zbarkimi të madh apo të vogël anglez ishte eminent, siç u vërtetua pak muaj më vonë me luftën e Spillesë, ku britanikët pësuan humbje të rënda. Gjatë kësaj kohe, rajoni i Vlorës dhe trevat e afërta me të, ishin shndërruar në një teatër interesant të përplasjes së forcave, rrymave politike, ideve, dhe zhvillimet dinamike të ngjarjeve ndiqnin njëra-tjetrën. Balli Kombëtar ishte rritur si forcë politike e ushtarake. Gati gjysmë viti para rrëzimit të Benito Musolinit nga pushteti, bashkëpunimi komunisto-nacionalist ishte konkretizuar me luftën e Gjormit (1-2 janar 1943) kundër italianëve, por ndërkaq brenda vetë eksponentëve të Ballit kishte diferenca qëndrimesh dhe pikëpamjesh. Ndryshe nga hierarkia e ngurtë dhe disiplina e fortë komuniste, brenda Ballit Kombëtar gëlonin ngjyrimet politike që pavarësisht se kishin si sfond nacionalizmin, varionin nga bashkëpunimi pa kushte me gjermanët, tek kërkimi i pikave të kontaktit me partizanët (Hysni Lepenica etj), e madje tek nevoja e ndërtimit të një platforme socialdemokrate (Skënder Muço) dhe një bashkëpunim i ngushtë me aleatët kundër gjermanëve. Përballë kësaj force heterogjene, po ashtu baza komuniste e zonës kishte problemet e veta, pas përçarjes së solli lufta mes fraksioneve (në kujtimet e diktatorit Hoxha shtjellohet gjatë “grupi fraksionist” i Sadik Premtes), ku një rol të dorës së parë kishte emisari jugosllav Dushan Mugosha. Duhet thënë se në këtë fazë ende palët takoheshin me njëra-tjetrën, bënin debate e këmbenin pikëpamje, pa harruar garën për të tërhequr sa më shumë njerëz e armatime nga repartet e shkërmoqura italiane.
Panorama e kësaj jete vibrante politike, do të bëhej më e plotë në vakumin që la pas rënia e fashizmit, sidomos në periudhën gusht-shtator 1943. Por padyshim që kjo periudhë ishte jetëshkurtër. Ardhja dhe instalimi i gjermanëve në Shqipërinë tashmë zyrtarisht neutrale, por faktikisht të pushtuar, filloi të kristalizojë qëndrimet e palëve dhe gjithnjë e më tepër, parimi bazë i secilës palë u bë “o me ne, o kundër nesh”. Sa për gjermanët, në terrenin shqiptar ata sigurisht që kishin nevojë jo për bashkëpunëtorë “politikanë” që peshonin raportet e forcave dhe mbanin qëndrime të moderuara, por për njerëz besnikë dhe të bindur pa kushte. Në Vlorë, këta i gjetën në personin e vëllezërve Risilia.
Vizhdan e Pertef Risilia nga Risilia e Vlorës, përfaqësuesit më në zë të një dere të pasur, ishin gjermanofilë të thekur. Tek këta vëllezër dhe njerëzit e tyre, gjermanët gjetën besnikë të bindur dhe pa kushte. Aq i dukshëm dhe kompromentues ishte pozicioni i tyre si vegla gjermane, sa edhe Balli Kombëtar do të distancohej prej tyre dhe jo vetëm kaq, siç do ta shohim më tej. Në postin e tij si prefekt i Vlorës, Vizhdan Risilia do ta shfaqte veten si huri dhe litari në duart e nazistëve. Është e qartë se në situatën e re, detyra e tij kryesore ishte ta “qetësonte” qytetin dhe rajonin e trazuar, trazim i cili në nëntor 1943 ishte bërë acarues: Sulme nëpër fshatrat e Vlorës ndaj gjermanëve, atentate e aksione në qytet. Në skenën e madhe europiane të luftës, fitorja kishte nisur të anonte qartazi nga njëra palë, dhe ata nuk ishin gjermanët. Gjëja e fundit që nazistët kishin nevojë në këto rrethana, ishte pamundësia për të tërhequr trupat drejt veriut në rast nevoje.
Në këtë sfond, pas reprezaljeve të 10 tetorit me synim “goditjen e bazave të dyshuara të banditëve dhe familjeve të lidhura me ta”, në 25 tetor- 6 nëntor 1943, gjermanët kryejnë një akt të paprecedentë për Shqipërinë “neutrale dhe mike”: Rrëmbejnë në mënyrë rrufe dhe pa ndonjë arsye të dukshme, mbi gjashtëqind qytetarë vlonjatë, i hipin në kamiona të mbuluar dhe që nga ato momente, shumica e tyre nuk u pa më. Këta banorë u zhdukën në kampet e vdekjes në Gjermani. I shoqëruar nga SS gjermanë, Vizhdan Risilia dilte xhiro nëpër qytet dhe duke bërë me shenjë, piketonte njerëz që arrestoheshin në çast. Sigurisht që me këtë rast, Risilinjtë lanin edhe shumë hesape personale të tyret me vlonjatët. Por për më tepër, po rendisim disa intervista të mbledhura pas shumë mundimesh, të të afërmve të të zhdukurve dhe dëshmitarëve okularë të atyre ditëve, që edhe pas kaq shumë kohësh mbeten drithëruese. njesi te xhandarmerise shqiptare
Ja çfarë thotë 70 vjeçari Bardhyl Roqi, djali i Mujo Hasan Roqit: “Im atë, i datëlindjes 1895, ka lindur në Gjirokastër dhe për shumë vjet ka qenë në Amerikë, ku ka punuar tek shoqëria Vatra. Ishte mik me Faik Konicën. Është kthyer në atdhe në vitin 1927 dhe bleu një çiflik në fshatrat e Fierit. Ka qenë kryetar komune në Dibër, Lezhë e së fundi në Drashovicë të Vlorës. Ndodhej në Vlorë ditën e arrestimit, dhe e kanë rrëmbyer brenda në hotelin e Ilmi Çipit. Nuk dimë më asgjë prej asaj dite. Di nga nëna ime, se një person që nuk ja di emrin, i ka dorëzuar asaj unazën e tim eti dhe kaq. Shpresoj të vijë një ditë kur të zbardhet ky krim i shëmtuar”.
Shumë i detajuar është rrëfimi me shkrim i një dëshmitari okular të atyre ditëve, një fëmijë 10 vjeçar që do të bëhej funksionar me peshë në regjimin komunist, Harrilla Niko Papajorgji. “Kam lindur në Vlorë në tetor 1933, dmth në kohën e kësaj ngjarjeje kam qenë 10 vjeç… Kam parë me sytë e mi sesi natën por edhe në mes të ditës, gjermano-ballistët rrëmbenin dhe arrestonin pa asnjë lloj dokumenti a vendimi gjyqësor, qytetarë të Vlorës dhe i hipnin në kamiona të mbuluar me mushama. Kam qenë prezent tek pallati i Hamza Kokës ku ishte pastiçeri “Panozaqi”, kur morën Spiro Sulin, baba i pesë fëmijëve, dhe e shoqja Leni me fëmijët lebetiteshin duke u thënë “e keni gabim, Spirua nuk është pleksur fare me punët që mendoni ju”. Por ata nuk pyesnin. Pas tij, nga rrugica jonë po tërhiqnin zvarrë e pastaj e plagosën me armë xha E.Ymerin, të shoqin e Fetes me një tufë fëmijë. E hypën ashtu të gjakosur mbi kamionat e zinj. Pas ndonjë ore, pasi kishin bërë rrëmbime të tjera, u kthyen në lagjen tonë Muradie. Kësaj here nga ana tjetër e rrugicës, arrestuan doktorin dentist, baba i tre fëmijëve Emanuel Hazdurian”. Papajorgji kujton tmerrin që gjithë Vlora përjetoi me raprezaljen e atyre ditëve: familje të strukura nëpër shtëpi gjithë ankth se mos u trokiste dera, burra e djem të rinj që nuk dilnin jashtë, apo që përpiqeshin të dilnin nga qyteti. Ai shton se Vlora gëlonte nga fjalët: Ishin numëruar me përafërsi mbi 600 arrestime. Ja dhe disa emra: “…Ato ditë morrëm vesh se ishin arrestuar Llaqi Bitri me të birin, Josifin në lagjen Vranas, Mantho Gjyli tek kisha katolike, Vangjel Shkurti po në Vranas, Mit Simoni e Miti Strati në lagjen Çerekçi… Nga lagjet e tjera dëgjuam për Sami e Qazim Imamin, Hajredin Haxhirajn, Idai e Mazar Mezinin, Shenasi Natin, Koço Pandin, Nonda Papakostën… Në Skelë morën priftin Papa Isaia. Shkuan të kërkonin Milto Ndinin, xhaxhanë e dëshmorit të parë të Vlorës Teli Ndini, por ai çati më çati u shpëton dhe largohet nga qyteti”. Harrilla Papajorgji pohon se ato ditë, Vlora humbi mbi 600 burra e djem, “shumica prej tyre të papleksur me lëvizjen nacionalçlirimtare”.
Studiuesi Luan Memishaj ka bërë një punë hulumtuese serioze për ngjarjen e Vlorës. Në rrëfimin që atij i ka dhënë piktori Nestor Tasim Jonuzi, flitet për të atin Tasim Jonuzi, i diplomuar në Austri dhe anëtar qarkori i Ballit Kombëtar në Vlorë. Fakti është që Tasimi, një njeri i kulturuar dhe me autoritet si ndër njerëzit e thjeshtë, edhe në qarqet me ndikim, bëri një “gabim” që e pagoi shtrenjtë: Ai nuk e pranoi ftesën e gjermanëve për të punuar si përkthyes. Nga ana tjetër, shtëpia e tij ishte strehë e shumë veprimtarëve të luftës, të çdo krahu; si Veledin Hadëri, ashtu dhe doktorit Ibrahim Dervishi (që më pas mori detyra të larta në nomenklaturën komuniste). “Babai im nuk kishte pranuar të punonte me gjermanët”, pohon Nestor Jonuzi, “atë e arrestuan në nëntor 1943, së bashku me rreth 650 bashkëqytetarë, shumë prej të cilëve i njihte si miq e shokë nga qyteti, si dhe të njohur nga fshatrat përreth. Me arrestimin e Tasim Jonuzit, Risiliotët vranë dy zogj: Zhdukën një armik të tyrin dhe forcuan besimin tek gjermanët”.
*Dëshmitë janë mbledhur nga studiuesi Albert Kotini. Shkrimi është ripunuar pas një botimi në Revistën Klan, shkurt 2012
Vijon numrin e ardhshëm
Komentet