Para 26 vitesh, pikërisht me 26 mars 1999, fshatrat e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël në Kosovë përjetuan një prej masakrave më të tmerrshme të regjimit të Sllobodan Milosheviçit.
hte dje në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe në 26- vjetorin e masakrave që ndodhën në këto fshatra. Duke numëruar viktimat e të zhdukurit, Osmani tha se regjimi gjenocidal i Serbisë kishte për qëllim shfarosjen e popullit, duke djegur edhe kufomat pas krimit. Osmani, para familjarëve të masakruarve 26 vjet më parë në Krushë të Madhe, u betua dje se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë e krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar. E para e vendit tha se kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme.
“Sot kujtojmë me dhimbje dhe nderim 241 banorë të vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 të vrarë në Krushë të Vogël nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit. Sot e kësaj dite, 64 persona nga Krusha e Madhe, si dhe 60 nga Krusha e Vogël, mbeten të zhdukur me dhunë nga regjimi serb, si dëshmi e krimit të përsëritur dhe i dhimbjes së pashuar të familjarëve që akoma nuk kanë ku të vendosin një lule kujtimi. Në mesin e të vrarëve kishte fëmijë e pleq, e edhe gra shtatzëna, si dëshmi se mizoria e regjimit të Millosheviçit nuk kishte kufi. Pasi i vranë banorët e këtyre fshatrave, ata i dogjën kufomat, me qëllim të pastër për të shfarosur popullin tonë nga tokat tona. 241 burra e djem u masakruan mes tyre 7 fëmijë e 5 gra përfshirë edhe një grua shtatzënë” , u shpreh Presidentja e Kosovës.
Edhe pas 26 vitesh kur ende 64 persona figurojnë të zhdukur, Osmani tha se është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale, sepse familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë.
“E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur”, tha ajo, para familjarëve në këtë ditë përkujtuese.
Vjosa Osmani vlerësoi se një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb, ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia.
“Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit e familjes së tij, por një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja: ‘ku është Ukshin Hoti?”, ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë”. Osmani tha se masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, por është e përditshmja, është e sotshmja.
“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë, e sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe, është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Sot para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, theksoi presidentja.
MESAZHI I KURTIT
Në Krushë të Madhe e të Vogël shkuan edhe kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përkujtoi dje në 26-vjetorin e vrasjes viktimat e regjimit serb në Krushë të Madhe.
“Në Krushë të Madhe përkujtuam një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb. Ndërmjet 25-27 mars 1999, forcat serbe vranë pamëshirshëm 155 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe shtatë fëmijë e pesë gra. Njëra nga to ishte shtatzënë. Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, mes tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm e veprimtarin e paepur Ukshin Hoti. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucione fetare e kulturore”.
“Në njërin prej dy krematoriumeve në Krushë të Madhe, gjurmët e të cilit janë ende të dukshme, forcat serbe dogjën 19 civilë të pafajshëm shqiptarë. E në krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, u dogjën mizorisht mbi 40 civilë të tjerë”. “Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj, drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryerësit nuk janë dënuar. Është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer masakrat duke tentuar dhe zhdukjen e kufomave e gjurmëve të krimit. Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lum, e forma të tjera «njerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave, janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal”. Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Kurti përmendi funksionalizimin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
“Kemi zhvilluar bazën ligjore të munguar për shumë vite dhe rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të tyre. Në shërbim të drejtësisë për këto krime, kemi bërë të mundur gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë të luftës. Kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, që ata të përballen me drejtësi”. “Andaj, nga Krusha e Madhe bëra thirrje edhe një herë sistemit të drejtësisë në Kosovë që të trajtojë krimet e luftës me urgjencë dhe përgjegjësi morale, historike e kombëtare përveçse atë profesionale. Themeli i paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i kriminelëve. Lavdi 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve nga Krusha e Madhe!”, deklaroi Albin Kurti.
ZHDUKJA E PROFESORIT
Ukshin Hoti lindi në Krushë e Madhe më 17 qershor 1943 – dhe u zhduk nga 16 maj 1999. Ka qenë filozof dhe aktivist shqiptar. Profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe më pas i filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe themelues i UNIKOMB, një partie politike në Kosovë. Për shkak se përkrahu demonstratat e 1981 në Prishtinë, u arrestua për të parën herë nga autoritetet jugosllave më 21 nëntor tok me Halil Alidemaj, Ekrem Kryeziu, etj. Më 1994 u dënua me 5 vite në burgun e Dubravës. Më 16 maj 1999, kur dënimi i tij mbaronte dhe duhej të lirohej; u mor peng nga rojet e burgut dhe nuk është parë më. Vendndodhja e tij nuk dihet, shumë aktivistë të të drejtave të njeriut e konsiderojnë të vdekur. Është i pari që shkroi për konceptin e demokracisë autentike në viset shqiptare që nga 1994.[4] Si studiues mbahet mend për veprën “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, botuar më 1995 në Tiranë.
Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij. Sipas Bajrush Xhemailit, një nga të burgosurit, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk dihet gjë për të. Fati i tij ishte në duart e pushtetit serb. Tri ditë më vonë, me 19 maj 1999, burgu i rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serbë radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut. Rojet dhe paramilitarët serbë zbrazin rafalët e tyre mbi të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitraloza, snajperë dhe bazukë.
Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. Organizata mbi të drejtat e njeriut Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vuri në dukje dëmet në raportin e tyre. 26 vjet më parë, nga data 25 deri më 27 mars 1999, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme në Krushë të Rahovecit, ku u vranë 243 persona dhe 893 shtëpi u shkatërruan nga zjarri. Kjo ngjarje tragjike mbetet masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së vitit 1998-1999. Për fat të keq, ende shumë persona nga Krusha e Madhe mbeten të zhdukur, dhe ende nuk ka pasur një hetim të plotë dhe të drejtpërdrejtë për këtë krim të rëndë. Masakra në Krushë ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe disa figurave të tjera politike e ushtarake serbe. Megjithatë, asnjë individ nuk është ndëshkuar për krimet e kryera në këtë fshat, dhe procesi hetimor nuk ka arritur të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre. gsh