MARY EDITH DURHAM
(1863 – 1944)
Kështu e thirri Edith Durham Shkodren në 1901: “Shkodra Europjane!”
Mary Edith Arthur DURHAM ishte vajza e madhe prej tetë fëmijve që kishte një mjek kirurg i njohun në Londer Arthuro Durham. Në moshë të vogel u çfaqën tek kjo vajzë prirjet per art. Talenti i saj i dha drejtim që në moshë të vogel drejtë Akademisë së njoftun Mretnore t’ Arteve.
Vdekja e Babës Arthur i hapi probleme mbasi kishte edhe nanen e smurë dhe i duhej kujdes i madh per ate. E kjo nuk ishte punë ditësh po vitesh.
Kur Edith ishte në moshen 37 vjeçare, mjekët e këshilluene që do t’ ishte mirë me ba një pushim jashta Londres, që të qetsohej. E ashtu bani!
U nis fillimisht në Triestë e prej aty me një anije të Austrisë, pronarit të njoftun Llojd, udhtoi drejtë Kotorrit e në Cetinë të Malit të Zi. Ishte muej Gusht i vitit 1900, kur Edith shkruen: “Kur xuna përherë të parë një fill të lamshit ballkanik, pa kuptue se sa thellë do të ngatërroheshe ma vonë dhe, aq ma pak, se si ky lamsh do të mplekste ma në fund gjithë botën”.
VIZITA E PARË E MARY EDITH DURHAM NË SHQIPNI
Mbas një qendrimi disamujor në Mal të Zi, u nis per vizitë në Shqipni.
Ishte viti 1901 kur Edith Durham viziton perherë të parë Shqipninë dhe u vendos në qytetin e Shkodres, per të cilin Ajo ka shkrue: ‘U mahnita nga energjia dhe origjinaliteti i popullit Shqiptar… “Shkodra më bani për vete. Kishte ngjyrë, jetë, art. Banorët ishin miqësorë dhe të aftë dhe, nuk e kalonin kohën tue pi raki apo tue u sorollatë poshtë e përpjetë rrugave, si në Cetinë. Kishte mbi vete diçka të njerëzishme”.
Mendoj se:“Miss Edith DURHAM asht personi ma i Nderuem jo Shqiptar, që ka vizitue Shkodren në Shek. XX, dhe ka vlersue tej mase qytetarët e atij Qyteti Hero si asnjë i huej, që ka shkelë aso kohe në kalldramet e rrugave të Shkodres së nderueme të Ilirisë së vjeter pranë Rozafës!”
Në Shkoder Ajo u vendos në shtëpinë e Mark Shantojës, i cili ma vonë u ba shoqnuesi i saj në udhëtimet e viseve të Veriut Shqiptar. Gjatë këtyne udhëtimeve ajo mblodhi dhe shënoi ngjarje e histori si dhe fotografoi afër pothuaj çdo aspekt të jetës së fshatëve malore, tue grumbullue një arkiv të pasun nga trashigimia kulturore shekullore e qytetit të vjeter.
Mary Edith Durham që në momentet e para të ardhjes në Shqipni tregon se Ajo asht shumë e perkushtueme per çështjen Shqiptare.
Mbas Luftës së Parë Botnore Edith Durham u kthye në Londer dhe në vitin 1918, ishte sekretare e Shoqatës Angli – Shqipni që u themelue nga Aubrey Herbert në Londer, per mbrojtjen e të drejtave të Shqiptarve.
Edith Durham u perpoq per njohjen e Shqipnisë në Lidhje të Kombeve.
U angazhue kryesisht në vitin 1920 si Mike e Shqiptarve, dhe qendroi pa u shkëputë asnjëherë nga mbrojtja e të drejtave të tyne deri në vdekje.
Në vitin 1939 Ajo ishte 76 vjeç dhe doli me pankartë në rrugët e Londres, të shkrueme anglisht: “Larg duertë prej Shqipnisë!”. Ishte dishka krejt’ e paparashikueshme nga londinezët një qendrim i këtillë i Saj!
Edit Durham në moshen 81 vjeçare, me 15 Nandor 1944, u nda kso jete!
Po, Emni i Saj mbeti i Perjetshem në Zemrat e Shqiptarve me Veprat që Edith Durham i ka lanë të shkrueme Popullit Shqiptar aq të dashtun me disa episode të panjoftuna po të perjetëshme në zhvillimet e Tij historike.
Në 25 vjetë Ajo i la Popullit Anglez dhe Shqiptar këto Vepra që kurr nuk do të shlyhen nga kujtesa historike dhe publiçistike e Shekullit XX:
“Nëpër tokat e serbëve” (1904). “Brenga e Ballkanit” (1905), “Shqipnia e Epërme” (1909), “Lufta për Shkodren” (1914), “Njëzet vjet ngatërresa Ballkanike” (1920) dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” (1928), pa shenue këtu publiçistiken e shkelqyeshme të Miss Mary Edth Durham.
Asht shumë interesante që Edith Durham erdhi krejt rastësisht tek ne në Shqipni dhe në një kohë aq të shkurtë ka shpreh kur ishte këtu si dhe në librat e Saja, mendime të vlefshme per kulturen tonë dhe trashigiminë e saj e, posaçerisht per Shqipninë e Veriut dhe malsorët e Alpeve tona.
Ajo jo vetem jep mendime të vlefshme per krahinat tona të Veriut po, ajo që ka një randësi të madhe per ne, asht se shqiptarët dhe të huejt do të mësojnë nga Ajo disa të vërteta nga historia e tyne, dhe shumë të dhana për kombin, për trashëgiminë tonë kulturore, për qëndrimet e sjelljet e fqinjëve dhe të Fuqive të Mëdha në fillim të shek. XX, si dhe në vazhdim kundrejt Shqipnisë, tokave té saja dhe qeverisjes sonë. Referencat e Saja janë udhzime të vlefshme per studjuesit tonë të ardhëshem në të gjitha fushat e ndryshme shkencore dhe kryesisht ato historike e gjuhësore.
Edith Durham u njoh me popullin tonë e Ajo u ba, jo vetëm dashamirse e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studjuese e traditave dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një flamurtare e flaktë e të drejtave të Popullit Shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e pershkrimit saktë të disa ngjarjeve si kroniste besnike e tyne, me një fjalë, Ajo ishte një luftëtare e dejë dhe e zjarrtë e çështjes Shqiptare.
Me qëllime të caktueme nënvleftësuese të krijimtarisë së Saj ka shumë pseudoshkencëtarë që e cilsojnë Atë nder shkrimet e veta si shqiptarofile dhe me epitete të tjera, nga i vetmi qellim që asht një “mëkat” që Ajo e kishte, sepse ushqente simpati e ndjenja të sinqerta ndaj popullit Shqiptar, tue vue vedin perballë në mbrojtje të së vërtetës historike dhe të çeshtjës Shqiptare.
Ajo ishte me të vërtetë një e huej proshqiptare por asnjëherë nuk ishte armiqësore me popujt serb e atë malazez, por ishte kundër politikës së tyne gjithnjë pushtuese ndaj trojeve Shqiptare. Sa ishte gjallë, epiteteve të këtilla që i venin të huejtë kurr nuk ju asht pergjegjë, përkundrazi, miqësinë me Popullin Shqiptar e konsideronte një fat të madh, që Ate e bante edhe ma krenare dhe të lumtun në jeten e Saj. Edith Durham ishte rast i rrallë me një përkushtimi të këtillë ndaj fateve të një populli mik.
Ndoshta ndikonte edhe ajo që pernatyrë kje intelektuale e guximshme.
Edith Durham ishte parimore e mbi të gjitha guximtare. Ajo nuk kishte paragjykime ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por i gjykonte çështjet me drejtësi. Ajo tue veshtrue popujt e Ballkanit, i cili popullohej nga sllavët dhe shqiptarët arriti të kuptonte shumë mirë intrigat, mbrapaskenat dhe veprimet djallëzore të serbëve dhe malazezëve ndaj Popullit Shqiptar.
E ato ngjarje dalin të sakta nga pershkrimet e historianit Nail Draga, i cili shpjegon sesi Mit’hat Frashëri, që në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë” shkruente: “Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.
***
Mbas ramies së diktaturës dhe miratimit të pluralizmit në Shqipni nga viti 1992 e ma vonë, kanë fillue të botohen veprat e Edit Durham, të plota pa çensurë. Duhet cilsue puna plot pasion e profesionalizëm e shtëpive botuese si ARGETA –LMG, Camaj-Pipaj, Arbëria, Dituria etj., në botimin e veprave të Edith Durham të plota dhe të përkthyeme në shqip.
Veprimtaria e saj hulumtuese e botuese ka kenë nxitje nga autoritete të ndryshme shkencore e kulturore, ku i janë kushtue artikuj, studime e botime të veçanta. Në gamën e këtyre botimeve bajnë pjesë: Afrim Q.Karagjozi, Mary Edith Durham,Tiranë, 2012, Medina Çoba, Mary Edith Durham dhe Shqiptarët, Tetovë, 2014,Marcus Tanner, Mbretëresha e Malësisë-Edith Durham dhe Ballkani, Prishtinë, 2017 etj.
Tue analizue jetën dhe veprimtarinë e Edith Durham, del se Ajo ishte grue e fortë, me kurajo, energjike, e dhanun mbas historisë, të shkruemit e saktë të saj dhe pikturës. Pra, ishte një grue ndryshe nga të tjerat.
Në vend të jetës së qetë dhe angazhimeve artistike Durham zgjodhi të kundërten, sepse jeta e saj nga koha kur la Anglinë, mori tjetër kthesë. Për 20 vjet Ajo jetoi në Ballkan. Punoi tue mbledhë materiale historike, tue i shkrue nder librat e saja e tue pikturue nder revista të kohes vepra me vlerë dhe të perjetëshme nder Shekuj.
Mblodhi folklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonave ku qëndroi. Ajo ju përkushtue shpirtnisht çështjes Shqiptare. Aty ku i shkeli kamba e ku qëndroi në viset Shqiptare u mirëprit nga Malsorët Shqiptarë.
Sot dokumentat e saja mbahen në Muzeun e Njerëzimit (Museum of Mankind). Instituti Mbretëror Antropologjik (The Royal Anthropological Institute) në Londër ruen shumë prej tyne, ndërsa koleksioni i madh me bizhuteri të grumbullueme në Ballkan ndodhet në Muzeun e Oksfordit e atë të Halifaksit. Po ashtu dhe Muzeu Banfield ka një mostër prezentuese rreth jetës dhe veprimtarisë së saj të plotë.
Në Ulqin ka një rrugë me emnin e saj. Ajo ishte e pranishme edhe në Ulqin, ku në shkrimet e saj disaherë e ka trajtue Ulqinin, e madje ka pikturue edhe një rrugë në këtë qytet në drejtim të Ranës e Kalasë, gja që ka kenë motiv i mjaftueshëm që një rrugë të emërtohet me emnin e saj,
Edith DURHAM për shqiptarët:
Gjithnjë Ajo thonte dhe shkruente se:
“Ai asht zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tanë prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit asht vepër shqiptare. Kostumi madhështor i Oborrit të Mretit Malit të Zi ishte krijimtari e rrobaqepsave Shqiptarë.
Shumica e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë Shqiptarë apo me prejardhje shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme – siç thotë Mis Durhami – shumica e formësimeve artistike që prap bahen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetuna në varrezat e tyne parahistorike, sa që sëbashku shkathtësia dhe stolia duket se janë trashëgue nga Ilirët e lashtë.
Pastërtia shtëpiake e Shqiptarit mund të jetë një shembull për shumë të tjerë.” Asht shumë interesant mënyra e vezhgimit t’ Edith Durham. Ajo ka sy të mprehtë e të jep pershtypjen se “asgja nuk i shpeton synit Saj”!
Jeta dhe veprat e Edith Durham janë të doemosdoshme që medoemos sot të studjohen nga rinia Shqiptare dhe të vehen në jetë nga Shqiptarët!
Edith DURHAM asht e vetmja shkrimtare në Botë, që e ka vlersue dhe, që e ka cilsue në shkrimet e Saja “Shkodren Europjane” si asnjëtjeter!
Vlera e veprave qendron se Edith DURHAM asnjëherë nuk ka gabue!
Vazhdon Pjesa e Dytë.
Melbourne, 13 Korrik 2024.