Gazetari Genc Burimi, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka analizuar zhvillimet më të fundit politike lidhur me paraqitjen e Sali Berishës në SPAK. Sipas tij, kjo situatë tregon një përpjekje për martirizimin e liderit të opozitës, e cila meriton reagime të forta. Burimi ka sugjeruar se një protestë përpara GJKKO-së do të ishte më se e drejtë, pasi ajo ka marrë një masë që nuk i është kërkuar as nga SPAK dhe as nga vetë Berisha.
Ai e konsideron këtë si një moment kritik për opozitën dhe demokracinë në vend. Duke e krahasuar situatën me një ngjarje në SHBA, Burimi ka sjellë në vëmendje takimin e fundit mes Giorgia Melonit dhe Donald Trump-it. Ai ka treguar se Trump ka realizuar një film kritik ndaj drejtësisë amerikane, duke mbrojtur avokatin e tij të “martirizuar”. Në këtë kontekst, Burimi thekson se kritikat e Berishës ndaj drejtësisë shqiptare janë mëse të justifikuara.
Gjithashtu, ai shprehu dëshirën për një reagim më të ashpër ndaj SPAK-ut dhe elementëve të tij, që po pengojnë Partinë Demokratike. Për Burimin, duhet të ketë një presion publik të qartë që SPAK-ut t’i refuzohet një mandat i dytë.
‘A nuk duhej të bëhej një protestë edhe para GJKKO-së, e cila sot është fajtore për marrjen e një mase që nuk i është kërkuar nga askush, as nga SPAK-u dhe as nga Berisha? Pra, a nuk meriton sot edhe GJKKO-ja të ketë një protestë si shenjë pakënaqësie para dyerve të saj?
Ky është një martirizim i liderit të opozitës.
Pra, është minimumi i minimumit kjo që bën Berisha sot, duke kritikuar SPAK-un.
Të jap një shembull: besoj e kemi parë dje takimin e Melonit me Trump, dhe çfarë i sugjeroi Trump Melonit? I sugjeroi të shihnin bashkë filmin që Trump ka bërë kundër drejtësisë amerikane, filmin që quhet “The Eastman Dilemma”.
Eastman është emri i avokatit të Trump-it, i cili është martirizuar, është masakruar nga drejtësia amerikane. Kështu që, kur presidenti i fuqisë së parë në botë, që është garant i drejtësisë amerikane, bën një film kundër drejtësisë amerikane dhe ia shfaq atë kolegëve perëndimorë, nuk mendoj se Berisha është në një rrugë të gabuar me këtë që po bën, duke kritikuar ashpër drejtësinë.
Ajo që do të doja të shihja është që të ketë pankarta kundër atij SPAK-u, kundër atyre elementëve në SPAK, si Dumanit etj., për të cilët nuk duhet të ketë më mandat të dytë. Sepse gjithçka që bëjnë sot është të pengojnë Partinë Demokratike dhe Berishën të fitojnë zgjedhjet, në mënyrë që, duke i marrë zgjedhjet Rama me mbi 92 deputetë në parlament, këtij SPAK-u t’i rishikohet mandati i rinovuar.
As mos ta mendojnë! Kjo duhet t’u bëhet e qartë dhe me pankarta.’- u shpreh Burimi.