Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër Pult, monsinjor Angelo Massafra, tha se lumturimi i martirëve është një shenjë mirënjohjeje për ata, të cilët u dënuan dhe torturuan padrejtësisht.
Arqipeshkvi, i pyetur nëse është momenti që shteti shqiptar të dënojë krimet e komunizmit, tha se mundet që të imitojë Kishën Katolike, e cila bëri gjyqin e gjatë në Vatikan për 38 martirët, duke lënë të nënkuptohet se duhet ndërmarrë një hap i tillë. “Unë shpresoj që me festën e 5 nëntorit në kemi bërë gjyqin tonë që ka filluar në vitin 2002 dhe u mbyll në vitin 2010 në Vatikan për 38 martirët.
Gjyqi është shqyrtuar shumë mirë nga Vatikani me ekspertët. Është lexuar krejt materiali prej 2500 faqesh. Të gjithë martirët janë dënuar nga inati ndaj fesë i sistemit të atëhershëm. Nuk ka as arsye politike, as kombëtare, por vetëm fetare për dënimin e tyre.
Mendoj që mund të jetë një nxitje apo një shtyrje që shteti shqiptar të imitojë atë që ka bërë Kisha Katolike. Lartësimi i martirëve është lartësimi i të gjithëve atyre që kanë vuajtur të krishterë ose jo. Katolikët kishin vuajtje të mëdha, edhe pse nuk ishin një bashkësi e madhe, por janë torturuar në mënyrat më të tmerrshme nga shteti monist. Shpresoj që shteti ta imitojë kishin në këtë situatë rigjykimi të historisë”.
Kisha Katolike ka gati edhe logon për 38 martirët në Shqipëri. Padër Gazmend Tinaj, drejtuesi i Provincës Françeskane, ka shpjeguar simbolin e kësaj logoje të dizajnuar enkas për 38 martirët.
“Rrethi,- tha padër Tinaj,- është simboli i qiellit, botës shpirtërore që paraqet amshimin, ndërsa një simbolikë kanë edhe ngjyrat. Në të gjithë këtë gjithëpërfshirje domethëniesh, simbolesh të ndryshme, ndërlidhet mirë edhe jeta e secilit nga martirët, që nuk e deshën jetën e vet aq sa ta donin vdekjen.
Ata i dhanë dëshmi Hyjit të vërtetë, duke marrë pjesë në mundimet e Kryqit, Djep i jetës”. Mesha e shenjtë më 5 nëntor do të kremtohet nga Angelo Amato, kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve, ku do të jetë i pranishëm në kremtimin solemn kardinali i nderit, dom Ernest Troshani.
Do të jenë të pranishëm në bashkëkremtim 20 ipeshkvij nga vende të ndryshme të botës, si dhe rreth 300 meshtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, diaspora dhe vende të tjera të botës.
Kisha katedrale do të jetë e hapur për të gjithë, të vetmet vende që do të rezervohen do të jenë për familjarët e martirëve dhe për autoritet e larta shtetërore.
SHKODER/ SENAD NIKSHIQI