Martin Camaj nuk mbijetoi si shkrimtar në Perëndim, por si gjuhëtar dhe studiues.
Komunikimi i tij me lexuesin ose me botuesit dhe rrethet letrare ishte një katastrofë. Librat luksozë që i kishte nxjerrë me shpenzimet e veta, më tepër i fali sesa i shiti.
Në arkivat e „Vatrës“ në Boston kam ndeshur në vitin 1992 edhe dhjetëra arka me libra të pashitur e të pashpërndarë të Camajt.
Përkthyesi, të cilit Camaj i mësoi shqipen për vite me radhë në katedrën e tij, pasi e ndihmoi poetin në botimin e një vëllimthi dygjuhësh më 1991, tha se nuk e ndihmonte më, ngaqë kishte vendosur të merrej me mjekësi popullore. Deri më sot ka pasur shumë premtime dhe një sërë tekstesh të përkthyera, por botime të Camajt në gjermanisht asnjë tjetër më.
Mendon njeriu, si të mos arrijë një gjë kaq të lehtë shkrimtari i hollë elitar Camaj, mjeshtri i mitologjisë së fshehur dhe i shenjave misterioze nga karpat shqiptare, poeti i vetëm modern evropian i pasluftës nga Shqipëria?
Ambasadori i Berishës në Francë, mesa di, ka botuar në vetëm 4 vjet ushtrimi të profesionit konsullar mbi 6 libra në frëngjisht, kurse Camaj merrte kredi të rënda nga bankat për shtypje librash dhe prapë shumë pak arriti në çështje të njohjes.
Shpjegimi i vetëm është se, kur shkruante shqip poezi ose parabola në prozë, Camaj nuk është motivuar aspak nga jehona që do të gjente në rrethet kulturore të Perëndimit. Sado që do ta ketë mërzitur shumë injoranca e emigrantëve shqiptarë që asnjë poezi nuk e kuptonin dhe nuk e blinin, sado që do t’ia kenë rënduar kancerin sorollatjet e fundit të botuesve gjermanë-austriakë, sado që para vdekjes nisi të gëzohej si fëmijë për disa shkrime mbi të në Frankfurter Allgemeine ose në Süddeutsche Zeitung, këto konfiguracione s’kishin pasur të bënin fare me magjinë e krijimit. Ndaj mendoj se në fund të fundit, përpara veprës së kryer dhe Perëndisë, do të ketë vdekur si njeri i lumtur. (Marrë nga intervista dhënë revistës Përpjekja, nr. 7, 1996)/Hejza