Autori Nuri Dragoj është i njohur për botimet që ka bërë për shkrimtarin Kasëm Trebeshina. Pas dy veprave të para për të realizoi edhe të tretën, “Kasëm Trebeshina, një jetë para gjyqit”.
“Duke shfletuar arsenalin e plotë të biografisë së Trebeshinës, duke u konsultuar gjithashtu edhe me dëshmitarë të ndryshëm okularë të asaj periudhe, disa prej të cilëve janë edhe pjesëmarrës në ngjarjet që përshkruhen në faqet e librit. Pas plotësimit të njohurive, vetvetiu u pa i nevojshëm kompletimi i librit me fakte të dokumentuara dhe ngjarje reale, të cilat ndodhen në procesverbalet e protokolluara të dosjes së tij.
Pas një pune të disiplinuar hulumtuese trevjeçare, sot ndihem i kënaqur dhe njëkohësisht i emocionuar që po i paraqes lexuesit shqiptar botimin e dytë dhe relativisht të plotë të biografisë së shkrimtarit disident, Kasëm Trebeshina”, ka thënë autori. Kemi shkëputur sot prej këtyre hulumtimeve disa fakte me interes për lexuesin.
Martesat mes të rinjve partizanë; dëshirën e tyre për t’u celebruar në luftë, atje, mes maleve; ndikimin që kishte hierarkia e drejtuesve në zgjedhjen e grave etj.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe janë bërë edhe disa nga martesat e lidhjet më të njohura të komunizmit sepse ishte koha kur Enver Hoxha i kishte propozuar për martesë Nexhmije Xhunglinit, kur Mehmet Shehu kishte bërë për vete Fiqereten, (pas fejesës së saj të parë me Ludovikun), kur Hysni Trebeshina, megjithëse i martuar dhe me një fëmijë, kishte filluar t’i vinte syrin Vito Kondit, kur Nako Spiru dashuronte Liri Belishovën etj.
KUNDËR MARTESËS ME VENDIM PARTIE
Ajo që ndodhi me punimet e Kongresit të Rinisë Komuniste në Helmës i plotësoi parametrat e një melodrame dhe komedie, e cila pa dyshim që do të mbahet mend gjatë. Më tepër sesa një shpalosje platformash për luftën, ky kongres do të shërbente si paradë vajzash e djemsh, të cilët nga salla e Helmësit do të shkonin në gjendjen civile për të kërkuar celebrimin. Parulla e partisë dhe direktiva e PKSH-së ishte që në atë kongres rinia të mbarsej me idealet më të larta komuniste, por aty ndodhi diçka tjetër.
Shumë nga vajzat pjesëmarrëse mbetën me barrë pas kontakteve seksuale me komandantë e komisarë të çetave e batalioneve. Nëntë muaj pas Kongresit të Helmësit, disa prej ish pjesëmarrëseve të këtij kongresi lindën fëmijë të bukur, të cilëve u vunë emrat Partizan, Fitore, Kongres, Stalin, Trim etj. Baballarët e tyre të vërtetë ndofta nuk u morën vesh kurrë saktësisht, por në gjendjen civile të mëvonshme gjithçka u regjistrua sipas rregullave.
Disa prej vajzave e djemve të partisë për herë të parë po e kuptonin në këtë kongres se ç’do të thotë të rënkosh nga lumturia. Kishte nga ato çifte që gdhiheshin jashtë tërë natën dhe pastaj, në mëngjes, me sytë e zgurdulluar nga pagjumë- sia mbështesnin kokën mbi pëllëmbët e duarve e flinin gjatë punimeve të Kongresit. Edhe ata që dinin shkrim e këndim, gjatë atyre ditëve nuk shkruanin gjë tjetër veçse letra dashurie, duke vepruar njëlloj si të rinjtë e sotëm në mesazhet e celularëve. Sepse, më në fund, në gjirin e këtij kongresi u shfaq e dukshme gara e meshkujve për t’u lidhur me femra të bukura, të cilat ndodheshin në radhët e ushtrisë partizane.
Madje, kjo garë në qarqet e larta kishte filluar shumë kohë më parë, kur Enver Hoxha i kishte propozuar për martesë Nexhmije Xhunglinit, kur Mehmet Shehu kishte bërë për vete Fiqereten,(pas fejesës së saj të parë me Ludovikun), kur Hysni Trebeshina, megjithëse i martuar dhe me një fëmijë, kishte filluar t’i vinte syrin Vito Kondit, kur Nako Spiru dashuronte Liri Belishovën etj.
Në atë kongres, së bashku me fishekët, vajzat filluan të mbanin në xhepa ndonjë copë xhami a pasqyre, ku ato shikonin herë pas here fytyrën dhe krehjen e flokëve. Dhe, megjithëse punimet teorike të këtij kuvendi kaluan mirë, fill pasi shkuan nëpër çetat partizane, shumë prej vajzave u filluan të vjellat. Kjo ndodhi sepse ato ishin duke pritur fëmijën e parë në jetën e tyre, si edhe për faktin se kushtet e luftës ishin të papërshtatshme për lindje fëmijësh.
Dashuria është e bukur dhe në thelb përbën kulminacionin e ndjeshmërisë pozitive të universit, por vajzat e bukura në batalion, si edhe dashuria në mes të luftës përbëjnë një dëshpërim për komandantët që mendojnë natë e ditë mbi strategjitë e përballjes me armikun. Ndofta në vijat e luftimit kjo ndjesi dashurie për çiftin bëhet akoma më emocionante, por për shumë komandantë të luftës ajo përbën një lloj tradhtie ndaj qëllimit të përbashkët.
Për këtë arsye, kur Kasëm Trebeshinës i kërkuan të caktonte një delegacion për në kongres, ai as që e vuri ujin në zjarr. Ua la të tjerëve që ta gatuanin edhe kësaj here çorbën dogmatike, siç kishin bërë gjithmonë… Celebrimet e të rinjve të Kongresit që donin të krijonin familje në mal. Ai kishte ndjeshmërinë të kuptonte se nga ky organizim nuk do të kishte asgjë pozitive për mbarëvajtjen e luftës.
Madje, ai gati e dinte se femrat që kthehen zakonisht nga kongreset nuk kanë më nevojë për komandantët e luftës, por për mamitë e materniteteve. Por Kasëmi nuk i pengonte dot dhe as që kishte ndërmend t’i pengonte këto organizime formale.
Kështu që djemtë e vajzat e tij vajtën në Helmës, ku bënë dashuri dhe, sapo u kthyen, kërkuan të bënin celebrimin. Kur Kasëmi thirri dy prej kapitenëve për t’i pyetur se çfarë kërkonin që të përsosnin armatimin e luftës, ata iu përgjigjën: Ne duam të bëjmë celebrimin me dy nga partizanet tona. Kjo ishte e tepërt. Për një njeri që dashurohet marrëzisht me misionin e patriotit, dashuria seksuale përbën një atavizëm.
Sipas tij, gjithçka do të kishte kohën e vet më vonë, por tani të gjitha energjitë duheshin harxhuar për çlirimin e atdheut. Ndërsa celebrimi në çetë ishte një teprim që nuk mund të tolerohej. Vërtet në Helmës qe vendosur të lejoheshin martesat, por si mund të krijohej familja në mal? Po fëmijët që mund të lindnin? Familja është e shenjtë dhe nuk mund të krijohet me direktiva, në mënyrë kolegjiale.
Por ky kundërshtim, si shumica e opsioneve të tij në luftë, iu mor për ters nga udhëheqësit politikë. Por ai qe i vetëdijshëm se këto lloj martesash ishin prologu i shkatërrimit të familjes, i rënies së saj në grackën e korruptimit moral. Udhëheqësit komunistë, njësoj si sulltanët e haremeve mesjetare, i bënë të lumtur skllevërit e revolucionit të kuq, duke i martuar lehtë, nën dritën e hënës dhe krismat e dyfekëve. Sipas Trebeshinës, Kongresi i Helmësit ishte pazari ku u shitën dhe u blenë pa pare dhëndurët dhe nuset.
Dhe repartet partizane u kthyen në zyra ku regjistroheshin martesat. Komunistët e gradave të larta morën vajzat më të bukura dhe ato që mbetën u ndanë midis atyre që kishin më pak rëndësi. Asnjë vajzë nuk u martua me ndonjë partizan të thjeshtë.
INTERESAT E FEMRAVE PËR TË ZGJEDHUR BURRA TË PUSHTETSHËM
Hierarkia e gradave, në këmbim me hierarkinë e bukurisë femërore, bënë këmbimin e radhës dhe mrekullinë e asaj idiotësie që nuk mund ta kishte emrin as dashuri, as familje, por ishte një përzierje e padëgjuar më parë dhe prej së cilës rrodhi një deformim i paimagjinuar i moralit dhe sistemit të vlerave të tjera të familjes. Deri tani asnjë shkrimtar dhe asnjë analist nuk e ka studiuar fenomenin e martesave në luftë, ku hierarkia mbizotëron mbi përzgjedhjen e nuseve. Aty është pikërisht momenti ku femrat zgjohen nga idealizmi dhe fillojnë të bëjnë llogaritë për interesat e ardhshme.
Këtu, natyrisht që nuk ka se si përjashtohen edhe instinktet, por për një formacion luftimi, këto kuriozitete do të ishin të tepërta e të panevojshme. Në thelb, vizioni i Helmësit për martesat nuk përbënte asgjë të keqe në lidhje me mjedisin shoqëror, por, në fakt, dëmi u vinte vetëm komandantëve të luftës, ku çiftet do të zhdukeshin për orë e ditë të tëra duke bërë seks, në kohën kur batalioni do të merrte urdhra urgjente për marshime. Ai vetë, duke qenë një nga kuadrot më me përgjegjësi, mund të zgjidhte vajzën më të bukur, por e refuzoi me përbuzje këtë dhuratë të komunistëve shqiptarë, që po e futnin familjen në një krizë me pasoja historike.
Kur i erdhi rasti, mori për nuse një vajzë të mrekullueshme që ia propozoi nëna e tij, e cila i qëndroi në krah edhe në Golgotë, kur kurora me gjemba e revolucionit të kuq i shponte trupin dhe shpirtin! Por, në atë kohë, ai ende nuk e kuptonte se këto ishin deformime të sistemit. Ai besonte se ishin defekte të natyrës njerëzore, e cila duke qenë e dobët, shfaqte simptoma të tilla krize…
Dhe historitë nuk kishin të sosur. Një ditë, i raportuan se një nga kuadrot e batalionit kishte lënë gruan e fëmijët dhe qe martuar me një partizane. Këtë e pati realizuar me ndihmën e një kuadri tjetër, që Trebeshina e kishte nën varësi. Ja ku po e shtynte familjen shqiptare Kongresi i Rinisë Komuniste. Menjëherë urdhëroi arrestimin e tyre dhe mbylljen në kishën e Pilurit. Akuza: poshtërim të familjes, ndërhyrje të turpshme në intimitetin e të tjerëve, në kundërshtim me detyrat ushtarake, korruptim moral dhe mashtrim të një të miture… (vajza që ata e kishin shtyrë në këtë martesë aventuroze ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe).
Sapo mendoi se e mbylli edhe siparin e kësaj historie të turpshme, dikush e lajmëroi se e kërkonin në telefon nga Bolena. E parandjeu se kolegët e tij kishin njoftuar komandën eprore për dy arrestimet që porsa pati kryer. Ngriti dorezën e telefonit dhe… parandjenja u bë realitet. Komandanti i Brigadës, pasi e pyeti për shëndetin dhe situatën në krahinë, ashtu si duke qeshur, i tha që të lironte dy kapitenët. Kasëmi kundërshtoi ftohtë. Iu përgjigj se ishin në një repart ushtarak, në kushte lufte, nuk ishin në një qendër tutorësh e përndjellësish të vajzave të mitura. Ai e quajti atë një urdhër kodoshësh.
MASHTRIMI I NJË TË MITURE GJATË LUFTËS NGA PARTIZANI I MARTUAR
Me gjithë lutjen e tjetrit për t’i liruar dy të burgosurit, Kasëmi nuk u tund nga e veta. Pas një dialogu goxha të gjatë, herë – herë me ton të acaruar, komandanti e urdhëroi Kasëmin në emër të udhëheqjes më të lartë, që së bashku me komisarin e batalionit dhe dy kapitenët e arrestuar, të paraqiteshin nesër në shtabin e Brigadës.
Të nesërmen, Kasëmi dhe komisari hipur mbi kuaj përpara dhe dy kapitenët me duar të zgjidhura në këmbë, mbajtën frymën në Bolenë, drejt e në dhomën ku po i prisnin Vasil Nathanaili, Qemal Klosi dhe Mehmet Jahua. Incidentin e rëndë, me pasoja korruptimin moral dhe degradimin e kuadrit partizan, ata të shtabit, u menduan ta paraqisnin me ngjyra të lehta akuareli, “si një rast normal, favorizuar nga rrethanat e reja që u krijuan pas Kongresit të Helmësit”.
Shoku Vasil i bëri ftesë Kasëmit që të mos e bënte qimen buall, por të pajtoheshin dhe të shkonin si miq të mirë në front. Kasëmi nuk u tund nga fakti se vajza ishte e mitur dhe mashtrimi i një të miture, veçanërisht në rrethanat e luftës, përbënte një krim të rëndë. Ndërhyrjeve ironike të anëtarëve të shtabit ai u kundërvuri argumentin politik, se komisari i kompanisë i ishte imponuar me dhunë psiqike vajzës së vogël, në emër të partisë.
Por ata nuk donin t’ia dinin. Ngjarjen e quajtën një incident pa rëndësi që, gjithsesi, nuk mund ta cenonte kompaktësinë e batalionit. Donin ta mbyllnin gjithçka me një drekë pajtimi, ku bashkë me gllënkat e pijeve, ata të kapërdinin dhe komedinë e radhës dhe kaq. Kasëmit nuk i mbetej veçse t’i komandonte përsëri dy aventurierët, pa i rrofshin prangat me të cilat i pati lidhur në kishën e Pilurit! Këtë ai nuk mund ta kapërcente.
Me një qetësi apostolike, u ngrit në këmbë, hoqi me kujdes armët dhe i lëshoi përtokë. – Ju mund të bëni ç’të doni, – tha duke i mëshuar zërit, – kurse unë po iki në shtëpi. – Ti je i çmendur, Kasëm! – thirri Vasili, gati duke ulëritur. – Ashtu jam, por ja ku i keni armët. Megjithëse ua kam rrëmbyer armiqve e nuk kam marrë asgjë prej jush, po jua dorëzoj, sikur t’i kisha marrë në magazinën tuaj. – Dil pak jashtë dhe prit! – ndërhyri Qemali.
Ai doli jashtë pa armët e tij, pasi përsëriti edhe një herë betimin se persona të degjeneruar nuk mund të shërbenin kurrë nën komandën e tij. Kur hyri prapë brenda, Vasili i tha të merrte armët e tij, se çështja qe mbyllur dhe dy kapitenët do t’i çonin në një batalion tjetër. Por Kasëmi kishte merak të merrte në batalionin e tij një toger, që ishte zënë me eprorët e tij, ngaqë nuk ua duronte paaftësinë, kapadaillëkun dhe shtirjen. Ishte kokëshkrepur, por i drejtë dhe e kishin pëlqyer njëri – tjetrin që në takimin e parë. Ata sikur i pickoi grerëza nga kjo kërkesë e zv.komisarit të Batalionit, por, më në fund, lëshuan pe dhe i thanë se ia kishin falur togerin, mund ta merrte.
Pasdite, së bashku me Komisarin e Batalionit, u nisën për në Spidhe, duke përtypur në mendje secili sipas mënyrës së tij ngjarjet e tensionuara të atyre ditëve… Ndërkohë, askush nuk guxonte të fliste një fjalë të keqe për të. Natyrisht, ndonjë nga krerët e paaftë lëshonin ndonjë tullumbace, por shumë shpejt e tërhiqnin atë, madje kishin dhe frikë nga serioziteti i kuadrit më të ri në moshë.
KASËM TREBESHINA, I VETMUAR MES NJERËZVE
Ndodh ndonjëherë në jetë, kur në mes të një suksesi të madh, njeriu ta ndiejë veten të vetmuar dhe të braktisur. Kjo, sidomos konstatohet te personalitetet e fuqishme, kur sapo është ndier krisja e zhgënjimit. Kështu ndodhi edhe me Trebeshinën, megjithëse në atë periudhë bregu i Jonit, nga Llogaraja në Sarandë, ra në duar të partizanëve.
Gjermanët nuk kishin më asnjë shans që të ktheheshin në këtë parajsë tokësore, të lënë në mëshirë të fatit, që as në ëndërr nuk e kishin parë në vendin e tyre. Anijet britanike hynin e dilnin lirisht në portin e vogël të Spidhesë. Njësia partizane mbajti në Pilur dy kompani, njëra prej të cilave ishte kompania armene. Në Spidhe u dërguan dy kompani të tjera, me të cilat shkoi dhe Kasëmi.
Ai u vendos në një banesë të vogël, me dritare nga deti, që të mund të kontrollonte zonën. Incidentet e fundit, sidomos ngjarja me dy kapitenët pijetarë, krijuan një mur të padepërtueshëm midis tij dhe strukturave politiko – administrative të kohës. Besimi në fenë e re, të cilën ai kurrë nuk e përqafoi plotësisht, u lëkund përfundimisht.
Tanimë ishte i bindur se shoqëria e re që po lindte ishte e krimbur që në embrion dhe frytet e saj s’mund të ishin ndryshe, veçse të krimbura. Korruptimi, imoraliteti, ishin vetë natyra e saj, ndërsa parimet dhe normat vetëm një maskë e keqe. Por thellë – thellë, ai ende besonte se në krye të lëvizjes komuniste botërore kishte idealistë të papërlyer, që, fundja, do të ndërmerrnin ndonjë hap për ta shpëtuar njerëzimin nga kompleksi i instinkteve kriminale, interesi i ulët dhe korruptimi deri në gjenin e ri që po lindte./panorama