I will honor Christmas in my heart, and try to keep it all the year.
Charles Dickens
Unë do të nderoj Krishtlindjet në zemrën time dhe do të përpiqem ta mbaj atë gjatë gjithë vitit.
Charles Dickens
I will honor Christmas in my heart, and try to keep it all the year.
Charles Dickens
Unë do të nderoj Krishtlindjet në zemrën time dhe do të përpiqem ta mbaj atë gjatë gjithë vitit.
Charles Dickens
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë përfundojë më luftën në Kosovë. Mori fund ngrehina artificiale e Titos. Kosova fitojë pavarësinë pas shumë vitësh të okupimit klasik nga serbosllavia. Shtëgtimi në liri nuk fillojë ashtu siq është pritur. Dështuan njerëzit e politikës në shtetndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme. U vunë interesat përsonale para ineteresit të përgjthshem. Politika e autoriteteve shqiptare do të kishte qenë ndryshe që nga viti 2000, mund të kishte qenë një histori suksesi. Të gjithë kemi pritur zhvillime shumë më pozitive të te gjitha proceseve. Të disa njerëz të politikës dhe afaristë u preukopuan nga lakima për përfitime, në kurriz të tjerëve, në dëm të shumicës. Krijuan lumturi për vete dhe familjët e tyre, e për të tjerët shumicë pak ju honger palla!
Ata që duan vetëm të kenë për veten e tyre, kan një strukturë të veqantë prej grykësve dhe sadizmit. Kan një zemer të ftoftë apo të themë zemer të ligë dhe shpirt të varfër. Për njerëzit më karaktër të fortë dhe moral të duhur, kjo është abnormale, është jashtë mendjës se shëndosh të njeriut normal. Njerëzit e pa përgjegjshem dhe të pa ndërgjegjshem të politikës, e kapën Kosovën e vogël fortë për gryke duke krijuar kriza përmanente ekonomike–mjerim siocial, kriza politike dhe institucionale. U ngritën mbi popullin duke u ndie të pa prekshem, jashtëzakonisht të fuqishem sepse bën para në kurriz të popullit më të varfër në Evropë. Shpirti i tyre ju tha nga grykësia për pasurim të pa kufishem, i shëndrroj në hiena.
Na u mbushë kuvendi dhe institucionet më dëbil politik, më tylifarë matrapazi dhe analfabeti potencial, duke lënë anash njerëz më kredbilitet, dhe të zotët në profesionin e tyre. Një person që është i pamësueshëm nuk i sheh gabimet e veta, ndaj hap pas hapi thellohet në një gjykim të kufizuar dhe rrjedhimisht të rrezikshëm. Aftësia për të perceptuar gabimet e veta është një fitil. Por ata që janë të shtyrë vetëm nga dëshira për “më shumë” e humbin këtë instinkt. Kjo është kur shpirtërat humbasin shkëlqimin e tyre. U humbas rasti në Kosovë për përsonalitete autentike, për njerëzit të cilët posedojnë vlera.
Shumë njerëz të politikës të pas luftës adhurimi i vetës i mbushi më ndjenja arrogance. Nga humbja e reflektimit edhe shpirti vdes. Qëllimi i të gjitha regjimeve autoritare, e shumë u instalua pas luftës kjo logjikë, është eliminimi i veçorive dhe shtypja e rezistencës. Ashtu si objektivizimi i njerëzve dhe kthimi i esencialitetit të tyre në vlerë përdorimi është karakteristikë e personazheve nekrofile. Dhe, të jetosh jetën me gjithë zemër dhe mirë është e dhënë. Është qëllimi që ne e quanim sukses në kohën e vlerave. Ky është përkufizimi i vërtetë i suksesit të gjithë neve. Vetëm ky….
Nga Dashnor Kaloçi/Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, (pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë.
Në dosjen në fjalë, gjenden të plota dhe me faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË MILTO KOSTAQIT, MJEKUT TË MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
Proçes-verbal
(Dëshmie)
Tiranë më 29 Dhjetor 1981
Unë, Koço Josifi, hetues në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitarit qytetarin Milto Kostaqi, i biri i Koços, dhe i Erifilisë, i datëlindjes 1934, lindur në Gjirokastër, banues në Tiranë, lagja Nr. 8, rruga “4 Shkurti”, pallati 7, apartamenti 8, me arsim të lartë, mjek në Ministrinë e Punëve të Brendshme, anëtar partie.
Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale, që ka në bazë të nenit 202 të Kodit Penal.
Dëshmitari
Milto Kostaqi
“Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë: Kam punuar si mjek pranë armikut Mehmet Shehu. Më datën 17 dhjetor 1981, unë kam qëndruar në dhomën e mjekut, pranë shtëpisë së armikut Mehmet Shehu, kurse në Komitetin Qendror, atë e ka shoqëruar mjeku tjetër, Llesh Rroku. Këtë ditë Mehmet Shehu, ka qenë në një mbledhje në Komitetin Qendror, nga ku është kthyer rreth orës 14:00.
Mjeku Llesh Rroku, që kur ishte në Komitetin Qendror dhe kur ende nuk kishte përfunduar mbledhja, më ka marrë mua në telefon dhe më ka thënë që Mehmet Shehu, e kishte tensionin shumë të lartë, 16-17, pasi asnjëherë atij nuk i kishte arritur në këtë shifër. Rreth orës 16:00 Mehmet Shehu iku përsëri në mbledhje dhe së bashku me atë ka shkuar përsëri Llesh Rroku, kurse unë kam qëndruar në dhomën e mjekut pranë shtëpisë së tij.
Në darkë, rreth orës 20:30, Mehmet Shehu u kthye nga mbledhja dhe mbas pak ka thirrur mjekun Llesh Rroku, i cili i kishte matur përsëri tensionin, të cilin vazhdonte që të kishte ende të lartë. Siç më tha Lleshi, ai e kishte pyetur Mehmet Shehun dy herë, nëse kishte mbaruar mbledhja, por Mehmeti nuk i kishte kthyer përgjigje, kishte kërkuar që të pinte kafe, ndërsa Lleshi i kishte thënë, që të mos pinte kafe, mbasi e kishte tensionin e lartë. Por Mehmet Shehu, nuk e dëgjoi dhe piu kafe.
Lleshi i kishte dhënë edhe disa medikamente, për uljen e tensionit, mbas kësaj, duke parë gjendjen shëndetësore të Mehmet Shehut, unë nuk kam vajtur në shtëpi. Kemi qëndruar deri në orën 24.00 dhe ramë për të fjetur, unë kam fjetur në një dhomë së bashku me oficerin e shërbimit, Dashamir Rrapaj, Lleshi ka fjetur vetëm, tek dhoma e mjekut, Ali Çeno, fjeti tek dhoma e shërbimit të oficerit.
Në datën 18 dhjetor 1981, jam ngritur nga gjumi rreth orës 6.00, në këtë kohë, janë ngritur nga gjumi dhe shokët e tjerë dhe po rrinin në pritje, në dhomën e mjekut, se mos na thërriste Mehmet Shehu, për ndonjë shërbim që mund të kishte nevojë. Rreth orës 8:00, ka thirrur në foni, Vladimit Shehu, i cili me sa më kujtohet, ka kërkuar Jonuz Luton dhe pak më vonë, njoftoi që Ali Çeno, të shkojë urgjent, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Pa kaluar as dhjetë minuta, lajmërohemi me foni, që mjekë të vijnë urgjent brenda. Atëherë unë së bashku me Llesh Rrokun dhe ndihmës mjekun, Nestor Lesko, pasi morëm çantën e urgjencës dhe aparatin e elektrokardiografit dhe defribilatorin, me shpejtësi u ngjitëm në katin e dytë, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Unë dhe Lleshi, u futëm menjëherë brenda në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Tek dera e hyrjes së kësaj dhome, nuk kishte njeri, kurse në dhomën e gjumit dhe punës së Mehmet Shehut, që është ngjitur me dhomën e gjumit të tij, e komunikojnë së bashku, pashë se tek telefonat, ishin Ali Çeno, Vladimir Shehu dhe Jonuz Luto.
Ne u drejtuam për nga zyra, por ata na thane, shikoni nga krevati. Unë me Lleshin, u kthyem nga krevati. Pamë që Mehmet Shehu, ishte i shtrirë në krevat, i zbehtë në fytyrë, i mbuluar deri në afërsi të qafës me çarçaf dhe batanije, me syze me skelet metalik të verdhë dhe me fytyrë, drejt nga tavani.
Duke menduar se mos i kishte rënë të fikët, i kam vënë dorën në ballë dhe pashë që ishte i ftohtë, i hoqa njërin nga jastëkët që kishte nën kokë, duke menduar se mos kishte ndonjë ulje tensioni. I hoqa kuvertën së bashku me çarçafin dhe i kapa dorën për t’i matur pulsin. Pulsi nuk punonte.
Duart i kishte të mbledhura, të ngurosura nën batanije, të vendosura mbi gjoks dhe të përthyera në bërryl. I dallova në anën e majtë të gjoksit, një njollë të kuqe gjaku. Më shkoi menjëherë mendja, se kishte vrarë veten. Pashë mbi krevat një pistoletë.
Kur e pamë, së bashku me Lleshin, që ishte një vetëvrasje me armë zjarri, nuk kam bërë asnjë veprim tjetër, por e kam rregulluar gjithçka që lëviza, ashtu siç e gjeta. Në këto momente, Llesh Rroku, ka gjetur në dysheme afër krevatit, një gëzhojë, të cilën e mori dhe e vendosi mbi komodinën e krahut të majtë të krevatit, të Mehmet Shehut.
Pas kësaj, unë, Llesh Rroku dhe Nestor Lesko, jemi larguar nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë. Kurse Vladimiri, Aliu dhe Jonuzi, ishin ende në dhomën e punës të Mehmet Shehut dhe merrnin në telefon. Pasi kam dalë në korridor, më thanë që Fiqret Shehu, nuk është mirë. Unë kam shkuar në dhomën e gjumit të saj, ku ajo rrinte së bashku me Fatbardhën dhe i dhashë një valium, për ta qetësuar.
Më pas ka ardhur aty Kadri Hazbiu, i cili i shoqëruar nga Ali Çeno, ka hyrë në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Ka qëndruar pak aty dhe ka shkuar tek dhoma e Fiqretes. Dëgjova që Kadriu i tha Fiqretës; “Mehmeti u kritikua në mbledhjen e Byrosë Politike, por këtë gjë, nuk duhet ta kishte bërë”! Kadriu Hazbiut, i kanë dhënë një letër, që kishte lënë Mehmet Shehu, para se të vriste veten. Pasi ka ikur Kadri Hazbiu, dhoma e gjumit të Mehmet Shehut, është mbyllur, por unë nuk e di se kush e bëri këtë veprim. Nuk më kujtohet me saktësi, sa kohë ka kaluar, kur ka ardhur grupi hetimor, por unë jam futur së bashku me ata, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Si dëshmitar i pranishëm, ka qenë edhe Ali Çeno.
Së bashku me shokët e grupit hetimor, është përshkruar gjithçka që ishte në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, por nuk janë kontrolluar teshat e tij personale, gardëroba, si dhe nuk është bërë këqyrja e dhomës së tij të punës. Gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, Elham Gjika, nuk ka qëndruar gjatë gjithë kohës në dhomën e gjumit, por ka dalë prej saj.
Se ku ka shkuar Elhami, sa kohë ka qëndruar dhe çfarë veprimesh ka kryer, unë nuk e di, pasi jam përqendruar në veprimet e këqyrjes së vendit të ngjarjes në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Pasi ka përfunduar këqyrja e dhomës së gjumit, kemi dalë në korridorin e katit të dytë dhe në këtë kohë, ka filluar që të bëhej kyçja dhe dyllosja e dhomave të Mehmet Shehut, e cila ka vazhduar rreth një çerek ore.
Nga dhoma e gjumit, mbasi ka përfunduar këqyrja, më kujtohet se ka dalë në korridorin e katit të dytë Bashkim Çuberi, Fatos Harito dhe unë. Në korridor, nuk më kujtohet që të kenë dalë së bashku me ne, Elham Gjika, Koço Josifi, Ali Çeno dhe Estref Myftari. Këta, me sa më kujtohet, kanë dalë së bashku, mbasi ka përfunduar dyllosja e dyerve.
Kur kanë përfunduar këto veprime, kemi zbritur në katin e parë të ndërtesës, ku janë pyetur si dëshmitar, unë, Ali Çeno, Fiqret Shehu, Llesh Rroku dhe më duket dhe Vladimir Shehu. Unë nuk e di, që ndonjë person, të jetë pyetur si dëshmitar, me shkrim, në katin e dytë. Kur janë pyetur dëshmitarët, kanë qenë të tre shokët e Hetuesisë, Elham Gjika, Koço Josifi dhe Dhimitër Beshiri.
Pas disa ditësh, më kanë thirrur në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në zyrën e Elham Gjikës, unë kam firmosur proces-verbalin e pyetjes sime, i cili ishte i shtypur me makinë. Unë, nuk kam vënë re, që gjatë kohës që bëhej këqyrja e vendit të ngjarjes, ndonjë person, që të ketë hyrë në dhomën e punës të Mehmet Shehut, mbasi kam qenë i përqendruar, së bashku me mjekun Bashkim Çuberi e Fatos Harito, në këqyrjen e kufomës së Mehmet Shehut”.
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROÇES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE, TË MIMOZA TRESA, PUNONJËSE NË SHTËPINË E MEHMET SHEHUT, NGA ANA E KRYETARIT TË HETUESISË SË TIRANËS, KOÇO JOSIFI
PROCES-VERBAL
(DESHMIJE)
NE TIRANE, ME 28 DHJETOR 1981
Unë, Koço Josifi, kryetar i Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, në prani të shokut Elham Gjika, pyeta me cilësinë e dëshmitares, qytetaren Mimoza Tresa, e bija e Hamidit dhe e Xhevrijes, e datëlindjes 1963, lindur dhe banues në Tiranë, Lagjja Nr. 5, “Rruga Konferenca e Pezës”, pallati Nr. 13/2, me arsim tetëvjeçar, me punë në Drejtorinë e Pritjes.
Dëshmitarja u lajmërua për përgjegjësinë penale që ka, në bazë të nenit 202, të Kodit Penal.
Dëshmitarja
Mimoza Tresa
Mbasi u pyet rreth çështjes, deklaroi:
Kam qysh nga muaji korrik 1981, që punoj si punëtore në shtëpinë e Mehmet Shehut. Në datën 17 dhjetor 1981, rreth orës 13.00, kam filluar punën, së bashku me mua në turn, ishte dhe punëtorja Farie Lila. Gjatë gjithë ditës, unë, Mehmet Shehun nuk e kam parë, por vazhdoja punën poshtë, në kuzhinë. Rreth orës 21.45, iku shoqja ime, Farije Lila, për në shtëpi dhe mua më la vetëm. Edhe darkën atë natë, Mehmet Shehut dhe Fiqirete Shehut, ja u çoj Farija.
Rreth orës 22.10, Mehmet Shehu i ra ziles dhe unë shkova në zyrën e tija, në katin e parë, ishte së bashku me Fiqrete Shehun, kur unë shkova aty, ai më porositi, t’i bëja një kafe për veten e tija. Unë bëra kafen dhe së bashku me një gotë ujë, ia çova lart, po në zyrën e tija, në katin e parë, edhe kur i çova kafen në zyrë, ishin të dy, Mehmeti së bashku me Fiqreten, në një tavolinë që është në zyrë. Pasi lashë kafen, unë shkova përsëri në kuzhinë.
Rreth orës 23.00, unë dola për të parë, nëse Mehmeti me Fiqreten ishin ose jo në zyrën e katit të parë, ku u çova kafen, kur shkova aty, dera e zyrës ishte e hapur, drita e fikur, kuptova që ata ishin larguar nga kjo zyrë. Unë nuk i pashë se ku shkuan, por duke menduar se ata do të ishin ngjitur lart, në katin e dytë, ku kanë edhe dhomat e fjetjes, mora filxhanin dhe gotën e ujit dhe shkova në guzhinė.
Rreth orės 11.15, unë shkova në dhomën e gjumit, që është në katin e parë, nga pjesa e vjetër e ndërtesës dhe rreth orës 23.30, kam rënë për të fjetur. Në dhomë isha vetëm, dhoma ku flija unë, është ngjitur me dhomën e infermjereve, që atë natë ka qenë Valentina Gina. Gjatë gjithë natës, unė kam fjetur normalisht dhe nuk kam dëgjuar asnjė lloj zhurme, nuk më ka zgjuar gjatë natës asnjeri dhe jam zgjuar në orën 5.00, të datës 18 dhjetor 1981.
Mbasi u ngrita, kam shkuar në guzhinë, kam përgatitur ushqimin për djemtë e Mehmet Shehut, Vladimir Shehun dhe Bashkim Shehu, të cilët erdhën, hëngrën bukë dhe u larguan. Në orën 7.30 të datës 18 dhjetor 1981, unë jam larguar nga puna, për në shtëpi, punën e vazhduan shoqet e turnit tjetër, Farija, me të tjerat.
Vetëvrasjen e Mehmet Shehut, unë e kam marrë vesh në orën 20.00, të datës 18.12.1981, kur e dha televizori, isha në shtëpinë time, sepse në orën 12.30, të kësaj date, unë shkova për në punë, por oficeri i shërbimit, nuk më lejoj të hyja dhe më tha të kthehesha në shtëpi, pasi ka dhenë urdhër përgjegjësja, për pushim, kështu unë u ktheva në shtëpinë time.
Procesin pasi e lexova, thëniet janë shkruar drejt, ndonjë gjë tjetër rreth kësaj çështje, nuk di. Memorie.al
Publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990.
Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Veç këtij hiri, Perëndia u dha njerëzve të parë edhe hiret e përtej natyre që përmbahej në dhuratat, mos me pësue asnjë vuejtje, as uri, as etje, lodhje, sëmundje, as vdekje. Na kishim me Perendinë varësi, që me e njohtë, me e dashtë e, me e ndigjue. Atëherë provë. As Perëndia, nuk muejt me na ba të pavarun, mos me na vu në provë e, kjo marrëdhanie e provës, tue qenë e domosdoshme, asht jeta. Lidhje fort ideale. Lidhje pozitive. Dy njerëzit e parë qenë lajmërue, se çka asht e keqja dhe konsekuencat e saj, e dy njerëzit e parë, prej krenisë me u ba si Zoti, tundim i jashtëm nga djalli, morën udhën e pandigjesës, që i bani të hajshin në të vërtetë frutin. Bjerrshin hirin e mbinatyrshëm të Zotit edhe hiret përtej natyre dhanë falas prej Tij. Iku parrizi i tokës. U mbyllën dyert e Parrizit.
U prish natyra njerëzore. Fitoi egoizmi, urrejtja, hakmarrja. Erdhën luftat. Bota u fut në mëkatin e luftës. Na trashiguem mëkatin e tyne, tue mbetë të bijtë e njerëzve të parë në lufta e ligështi, për të ardhë prishja e individit e si rrjedhim të këqijat e pasojat në shoqni. Me lanë një komb pa realitetin shpirtnuer, fillon shkatërrimi i tij. Mos na njerëzit arrijmë të kryejmë vepra të mbinatyrshme pa hirin e Zotit? E përpjekjet, përparimet që duhet të bajë njerëzimi, mund të jenë ma e vogla reformë, garanci, pa luftue në esencë natyrën e mëkateve e pa pasë frymën e Dekalogut[1] e forcën e religjionit? Te na ngjau tragjedia e madhe. Na u errësuem në koshiencë, në njohje, në dije shpirtnore, në ndërgjegje. Ramja poshtë qe e përgjithshme.
Nuk kemi të veçanta ngjarjet, që në pjesën e parë të diktaturës, me pushkatime, burgje terror, shtetëzim personash, shkatërrim të furishëm të shtetit të maparshëm, të përmbysjes së sistemit, këto janë ngjarje të ngjajtuna kudo në histori e, që njerëzit tanë kanë qendrue edhe heroikisht, me një rezistencë burrnore që i ka ba të mbahen në kambë. Por esenca e diktaturës qendron, gjatë ndërtimit të një shoqnie të re, të formimit të të quejtun e “njeriut të ri”, që na nuk kishim me pushue tue e shprehë me fjalët; “prishja e karakterit”, diktatura qendron te frytet e saj, kur njerëzit bijnë në ligështi e, në shpërbamje. Prishja e karakterit, vinte nga raportet shoqnore të tillë, ku jeta ishte punë e burg, qendronte në zbatimin me rigorozitet të reformave, te lidhjet e përditshme të varunisë së njerëzve e, populli që drejtohej prej grupeve dhe aparatit zyrtar të egër e shtypës, te njerëzit drejtues plot instinkte.
Shumica e frikësueme, pa personalitet, jetonte edhe në një servilizëm e, kishte forma të shumta spiunazhi. Ishte një atmosferë mbytëse me hajni, dredhi, reklamë, anmiqësi, presione, luftë klasash e diktaturë proletare, pa dinjitet kulture e, individi. Me mbylljen e kishave, u pa dukshëm rrënimi i një prishjeje e i një çorientimi, e i një demoralizimi e të këqijat e njeriut, merrshin të haptë e fuqi. Ngjarjet lidheshin njena me tjetrën: mbyllja e kishave, arrestime meshtarësh, gjyqe terrori, meshtarët në punë të randa.
Në fabrikën e tullave
Punët e randa ishin tri: në fabrikën e tullave, në ndërtime dhe në fermë. M’u donte të hyjsha edhe unë. Më caktuen në fabrikën e tullave, ku punojshin njerëz që kishin qenë në burgje politike dhe ordinere. Fjala punë, ishte sinonim i lodhjes së madhe, i këputjes, i frikës, i pasigurisë, i shpërblimit të vogël, që i bajshin të turfullojshin, të flitshin me vete, se si do ta shpenzojshin pesëmbëdhjetë ditëshin historik, në Shqipni. Unë kisha dëshirë disi, me u marrë me punë fizike, sidomos të thejsha tokën, me u kënaqë në mbjellje, por e vërteta ishte se, nuk kisha fuqi. Isha i ligësht fizikisht nga natyra dhe më mundonte arterio-skleroza dhe dy exsostrosa në kambë. Nuk qëndrojsha dot shumë.
Më zgjodhën një punë të lehtë: me shpërnda tjegullat me shpejtësinë e të riut, prej vendit të motorit që i nxirrte, deri te vendi i thamies së tyne. Kjo punë ishte zinxhir, pa pushue për gati tetë orë. Me bajtë tetë copë tjegulla, në çdo udhëtim. Të gjitha lëvizjet e një ditë punë, ishin si me ba tridhjetë km. në ditë. Kjo çdo ditë. Kjo një ditë, dy, tri. U lodha fort. Nuk muejsha. Njëherë, më ra një tjegull e butë nga dora, në tokë. Shpejt më paditën. Denoncim thirret. U ndalue krejt puna. U provokue mbledhje. Po bahej hataja.
“Kujdes të keni, të mos biejnë tjegullat në tokë”, – foli brigadieri e sekretari i partisë. – “Nuk po e quejmë punë anmiqësore këte radhë. Por kujdes e, kujdes fort”. Mbas tri javësh, përgjegjësi më largoi, tue më pa se isha i aftë. “Këtu asht vend punë”, – më tha. Përgjegjësi i rreptë, nxanës imi i dikurshëm, pa më dhanë asnjë shej njohjeje, lëshoi një raport të mirë për mue, të mbyllun në një zarf, për t’ia dërgue Drejtorisë së Përgjithshme të ndërrmarrjes, në të cilin kishte shkrue: “Jo nuk do të punojë, por nuk mundet. Na dërgoni këtu, njerëz të fortë për punë”!
Në fermën bujqësore
Më dërguen në fermë, ku punova disa muej. Puna këtu ishte: mbjellje, prashitje, vjelje barishtesh, frutesh. Mue nuk më vinin me vjelë speca, patlixhana për eksport. U muer vesh se kësi lloj punësh, nuk do t’i bajshin të dyshimtit. Nuk ia besojshin reaksionarëve, se, simbas tyne, bajnë sabotime.
Do t’u largojsha edhe prej ferme, mbasi kisha një raport medikolegal, që nuk më lejonte me punue kurrsesi në diell e, në kambë. Një ngjarje fort e randë ngjau në shtëpinë tonë. Në mbasditen e 25 korrikut, vjen vëllai, Gjergji, te vendi i punës, ku isha tue punue në arë. Ishte fort i pikëlluem, fort i tronditun. Më lajmon vdekjen e Kelit, të mbytun në ujë. Një provë e randë për ne në familje.
Më biente detyra të ngushëlloj babën, nanën, motrën e vëllanë. Iu shtruem të gjithë vullnesës së Zotit. M’u dhimbt për së forti e sidomos, për atë natyrën që kishte, mund ta quejsha të pandreqshme. E sa herë në bisedime që kisha me Padër Meshkallën, më thonte se; asht një njeri të cilit i mungon vullneti. Ishte i dashun, shpirtmirë, por i çthurun e, të gjithë njerëzit që e morën vesh vdekjen e papritun të tij, patën një keqardhje. Kishim provue me e ndihmue me qetësi dhe dashamirësi vëllaznore e njerëzore, Gjergji dhe unë. Kisha rasa që i jepsha edhe qortime, por të dashuna. E kurr nuk ma merrte për të keq fjalën e, më thonte: “Ke arsye për çka më thue, por unë, baj gabime”. Sa herë më jepte fjalën, por e mbante për pak kohë. Nuk kishte asnjë përfundim të mirë.
Një ditë në meshë, në kohën e lutjes për të gjallë, tue pasë një gjendje shpirtnore të naltueme dhe si ndërmjetës para Zotit, i siellem Krishtit me këto mendime e kujtime, se isha gati të vuejsha vdekjen, çfarëdo për atë, por t’i shpëtonte shpirtin.
E kjo meshë e lutje, ngjau tri ditë para vdekjes së tij. Atëherë e sot, e quejta providenciale vdekjen e tij. Vendi i vdekjes qe Ishulli i Lezhës. Mbasi e kishin xjerrë trupin, ditën e neserme, para dite, e sollën kufomën në arkivol. Baba e qau si një patriarkë e, nana e veshun me të zeza, ishte grueja e dhimbave.
Për shumë kohë mbeta në kujtime për atë. Kisha nisë të lodhesha fizikisht. Kah muej i dhetorit, u largova nga puna e randë, nga ferma.
Mungonte krejt ushqimi. Jetojshim me mundin e Gjergjit, që punonte në hidrocentralin e Vaut të Dejës, në një punë me tre turne, mes të ftohtit e të urisë, me një pagë të vogël të tij dhe të një pensioni, që i ra prindëve të provuem nga ajo vdekje. Por asnjë nuk e lëshuem veten. Ishte forca e Zotit në atë dhinibje e, atë provë e guxim të krishtenë, që i jepshim njeni-tjetrit. Për ne lëngonte natyra, jeta dhe unë po hyjsha, mbas pak kohe, në disa fshehtësi të shpirtit, në një bote të rrethueme nga të gjitha anët. Re të mëdha më rrijshin mbi krye dhe më futeshin me peshë qiellore në shpirt. Vejsha oroe se këto masa të mëdha, kishin punë me mue e, kalojshin me shpejtësi rrufesh, njena mbas tjetrës. Re e mendime të zymta.
Dhimbjet e mia
Disa kohë, para se t’u bajsha meshtar e, deri ditën e arrestimit tim, gati 16 vjet të veprimtarisë sime fetare, fort të dendun dhe me një kontakt me shumë njerëz e, që kjo gjendje e mirë shpirtnore do të vazhdonte edhe njëzet e pesë vjet, kohë kur jam tue shkrue këto rreshta, deklaroj fuqinë e Zotit në mue, se për të gjithë këto vjet, nuk do të kisha asnjë mëkat mortar, të asnjë lloji, në shpirtin tim. Kisha një pastri e një qetësi të vazhdueshme. Asnjë personë nuk e kam shikjue, me ndonjë qëllim të keq. Por pa pritë, pa kujtue, si një zhgjetë në tru, më hyni një mendim, një dyshim.
I madhi Zot premtonte, për të mirën e shpirtit tim, të bijsha në disa tortura shpirti, që thirren skrupuj. Dyshimet e mia ishin, a i kisha ba mirë rrëfimet e mia, para se t’u bajsha meshtar. Ato filluen lehtë e, u randuen. Krizë në shpirt. Fillon të kullojë gjak në shpirt. Sëmundje fort e randë. Një kontroll së kaluemes. Analizë. Pështjellim. Trazoj rrëfyesit. Kam thanë gjithçka u thojte e, nuk kam lanë asgja për turp, por më ka mungue precizioni. Ata tue pa se kisha ra në skrupuj, ngulshin kambë, se isha rrëfye mirë. Nëse jam rrëfye, mbasi u bana meshtar, ndonjë fantazi për skrupulozitet, përsëri më asht dashë me paraqitë, si materie rrëfimi e të hershme.
Tash po i pohojsha tue ba zmadhime, deformime, e shtue numra, landë të qenuna e të paqena. I bajsha me shumë përsëritje, imtësi, hollësi, saktësi, përulje e pendim të ri. Nuk po thojsha se jam i bjerrun, por më dukej se përsëritsha fjalët e Krishtit. “O Atë, pse më ke lëshue dore”?! Edhe unë si meshtar i tij, bahem si një Krisht i fortë, i munduem, i sprovuem. Për mue Qiella ishte e nxime. Prej torturave këputesha. Këputesha gati krejt. Lagesha e thahesha. Bahesha qull. Mbytesha. Gati mbytesha. Por Krishtin e dojsha fort. Krishti asht një Qenie, që duhet dashë. Figura fort e dashuna ime dhe e botës. Stuhi në hapësinë, në qiell, në veten time. Më dukej se isha me dy shpirtën, dy Zefa.
Në njenin shpirt vuejtja, jetë skrupujsh, në tjetrën qendresa. Rrëfyesi më priste me qetësi, me duresë e sjellje, “Gjithçka të ma lejsh mue”, – më thonte. Nuk ndigjoj as rrëfyesin. “Skrupolozat kanë një kreni”, – kështu thotë teologjia morale dhe skrupolozi i madh i saj, Shën Alfons de Liguori. Skrupolozave u duket se askush nuk di, nuk kupton si ata, e këte nuk e bajnë me vetëdije, se për ndryshe, kishte me u shtue një mëkat i ri në rrëfim, mëkat sakrilegji. Skrupolozi lodhet, nuk ka fuqi ma, nuk ka guxim të thotë: “Të bahet çka të bahet, nuk rrej”! Isha futë në torturë. Jetojsha në torturë. Isha futë si në një çmendi të mbrendshme. Nisa të shkrihesha, isha ba si një kufomë.
Jashtëmënisht unë siellesha mirë me të gjithë njerëzit, nga frika e mëkatit. Edhe shumë mirë. Kisha logjikë. Ruhesha fort, që të mos i flas kuj asnjë fjalë, sado të vogël, asnjë zemrim me askend, se mendojsha mos bajsha mëkat. Mëkat të madh fort. Mëkat për ferr. Për mue nuk ekzistonte ma mëkati i vogël, mëkati venial. Asnjë diferencë me mëkatin mortar. Prandej rrijsha si një statujë para tjerëve, si një qenie pa personalitet, se edhe atëherë, kur më dukej me mbrojtë vetën, nuk e bajsha. Kisha ra në këte pozitë. Për t’i dalë të drejtës së tjerëve, kjo nuk më mungonte. Kisha anormali mbrenda vetës, krejt normal para tjerëve. Jetojsha si një qyqar dhe luftojshe si një hero. Nuk kisha siguri për vete. I sigurtë e çaste gëzimi, kisha fort mbrenda rrëfimit.
E mbas ndonjë ore, niseshin përsëri ethet e skrupujve e, më delte se isha përsëri në zonën e bjerrjes. Unë isha një qenie fort e dhimbshme. Në një gjendje që do të më vazhdonte me intensitet, të afër tri vjetësh, se mandej më vijshin tue u largue nga ndihma e meshtarit e, përmirësimi i shëndetit. E, kur nisa të delsha e të shihsha se isha ngjitë përpjetë. Një njohje e re erdhi edhe në mue, tue u ba i durueshëm, i gjanë me të tjerët, tue u ardhë në ndihmë atyne që vuejnë, atyne që kanë delikatesë shpirtnore dhe atyne që fshajnë e dënesin. Largojsha interesat e mia, egoizmin dhe çdo urti meskine, se sakramendi i rrëfimit, të cilit i kisha hy thellë, po më largonte edhe çrregullimet e mia. Sakramendi i rrëfimit pa skrupuj, të lidhë krejt me Perendinë.
Kam mësue se askush nuk asht njeri ma i mirë, se në ato çaste kur rrëfehet. Edhe Krishti që e ka themelue këte sakramend, ka marrë parasysh edhe nevojën psikologjike tonën, se kush jemi, duhet t’ia tregojmë dikuj. Atëherë Zoti na jep hirin për të marrë vesh dhe se kush jemi. Përmes rrëfimit zbulohemi, naltohemi, shndërrohemi, shndërrojmë potencat në akt dhe shkojmë drejt gjendjes së mirë të aktit, shembëlltyra të vërteta të Zotit. Me shkue njëherë me u rrëfye, asht me plotësue pak çaste shkencën e njohjes së mbinatyrshme, pse rrëfimi shlyen e shfuqizon. Për arsye të shëndetit, edhe mjeku nevrolog më këshilloi, ta kalojsha kohën e verës, mes bjeshkëve. Mendimi i tij ishte Razma, e këtë me e kombinue me klimën e Shirokës, fshat i vogël buzë liqenit të Shkodrës.
Unë do të shkojsha në Razëm, për shtatë vjet, shtatë vera. Një vend me një bukuri mahnitëse, mes ahave e ma nalt edhe pishave. Bajsha shëtitje të bukura te “Shpella e Dhenve dhe e Pëllumbave”, mes krojeve të argjanta e, “Pusi i Granashdolit”, rranzë Veleçikut, prej kah shihsha shumë në horizont: edhe liqenin, alpet, fushën e Tuzit dhe thithëshe ajrin e drandofilltë dhe aromat e luleve malit e, të lëndinave të buta. Kisha babën e mirë me veti e, çdo javë vinte me kalue dy-tri ditë edhe vëllau, Gjergji. Nisa me të vërtetë me u përtri. Largohej ligësina, largoheshin skrupujt e plot gëzim, këto ishin zëvendesue me meditime. Lexojsha “Lahutën e Malcisë”.
E lexojsha rranzë Veleçikut, së bashku me Dom Kolec Tonin, që kishte ardhë pak ma vonë në Razëm e, marrë edhe ky një dhomë për të kalue stinën e verës. Ku kishte ma të bukur se ato bjeshkë, për ta lexue ‘Lahutën e Malcisë’, se në vendin e ngjarjeve, në logun e zanave, mes maleve të malësorëve?! Unë kisha marrë me qira shtëpinë e një malësori, i quejtun Gjeto Prelë Kota. Kur kishte qënë në gjendje të mirë pasunie me tufa bagëtish, Gjetoja kishte jetue në një kasollë, që tash e kishte vendue me qira, për ata që vijshin me verue. E për veti, kishte ba shtëpi të re, kur i kishte mbarue pothuej krejt pasunia e, jetonte me rroga. Nga dy dhomat e kësaj shtëpie, vendoi me qira njenën, ma të madhen, për familjen e bekueme të Gac Zojzit, arsimtar, piktor, tjetrën për mue.
Kjo familje ndej krejt muejin e korrikut e, gjatë kësaj kohe unë, i bana fshehtas vajzës së tyne tetë vjeçe, katekizmin dhe i dhashë po aty kungimin e parë dhe në Shkodër Krezmimin, në shtëpinë e gjyshit të saj, Zef Dodës, drejtor i shkollës me të cilin pata punue dhe i dhashë lajmin e largimit tim nga arsimi. Dita e kungimit të parë të vajzës, kje një festë për të dyja familjet, kje një e dielle e paharrueshme në robni. Në vjetët tjera, unë me babën e vëllaun, morëm një dhomë që ishte për tokë, në kasollen e tyne. Kishim pranë familjen e nderueme, të guximshme e të ndershme, të Ndok Kirit, nip i Pater Frano Kirit.
Mesha në Razëm
Në dhomën time, çdo ditë celebrojsha meshën e, vinte për ta sa herë edhe familja e Ndokës, që kishte të shoqen dhe dy fëmijë të vogjël: Francin, mbi pesë vjetësh e, Nestin, gati katër. Kujtoj këte ngjarje, se kur një ditë u ula për të ble në dyqan, në qendër të Razmës, e u ngjita për të kthye në dhomë për të celebrue Meshën Shejte, Nesti me duel para tue më thanë: “Axha Zef, thuej Meshën, se rrij me të ruejtë unë përjashta, që të mos vijë kush”. Gjeto Prelë Kota ishte një burrë i mpreftë, energjik dhe i fjalës. Po të kishte pasë shkollë, do të kishte qenë një orator, ndoshta si një Padër Anton, si një Dom Lazër Shantojë e, sa të tjerë.
E shoqja ishte Mara e madhnueshme, një bijë e Kastratit. Ishte si një matronë, me një bukuri fizike dhe personalitet. Kishin tri djelm të martuem e, të mirë dhe pesë vajza fisnike, të martueme në vende të ndryshme. Një herë Gjetoja, po delte nga shtëpia, për t’u ulë poshtë në qendër të Razmës. Ishte i hypun mbi një gomar, i veshun mirë, me xhaketë mbas krahëve. I thashë Gjetos këto fjalë: “Kur të vije koha, të vdisni ti edhe Mara, kanë për t’u vorfnue këto male”. U gëzue fort që i dhashë këtë nderim e, u çfaq në ate, edhe krenaria e maleve. Ju betohem se, po të hiqte Gjetoja qeleshën e bardhë mbi krye dhe Mara, xhubletën mbi shtat, e të visheshin alla franga, do të ishte një tjetër çift, për bukuri e, tue qenë njerëz të mirë, kur t’u vite koha me dekë, mund të shkojshin në Parriz, ata këtu në tokë mund të jetojshin krejt mirë edhe në Parriz.
Me shkue në Parriz, nuk duhet të kesh mëkate, me shkue në Parriz, duhet me dijtë gjuhën dhe me pas etiketa. E më shkonte mendja te parathania e Fishtës, që shkroi në ‘Kanunin e Lekës’, të Patër Shtjefën Gjeçovit. Aty flet për pesë qytetnime. Qytetnimin kryesuer, atë Kristian, ndër malet tona, i ven në radhën e tretë. Një herë më pyeti Mara, sa ishte ora, mbasi nuk e dinte, se ishte vra moti. “A asht afrue mesdita, se na jemi mësue me hangër bukën e mesditës, me të rame të këmbanës”, që binte në orën 12ºº të ditës. Në këtë rast, hodhi një sy prej shtëpie, kishës, që ishte shndërrue në magazinë e lotonte. “Asht ora gati 12ºº. Don edhe një të katërt ore”, – i tham unë. Ishin të rregullt, dijshin e i mbajshin dhjetë Urdhnimet e Zotit, njihshin disa pika të katekizmit, që i kishin ndie në predikimet kur shihshin meshën.
Çdo të dielle merrshin fjalën e Zotit, ata banorë me squetësi natyrore, prej meshtarit dhe të intelektualit, si në kryeqytetet e Europës dhe të botës. Në ato male jetonte një popull me cilësi gjeniale, një racë me tipare mendimtarësh, artistësh e matematikanësh. Kanë dalë nga zona e maleve, At Gjergj Fishta, Patër Ambroz Marlaskaj, Patër Benardin Palaj, Martin Camaj e, sa të tjerë, e kanë humbë kontigjente, që do të kishin muejtë të delshin e, të ndritshin kombin e kulturën tonë. Këto zona ku nuk shihet një rrugë, një shtëpi banimi si duhet, me njerëz të zdeshun e të pa ushqyem, ishin lanë në harresë e mbrapa dhe me qëllim e, pa asnjë kujde, për ata, nga çdo qeveri, tue i lanë me jetue në dorën e fatit e, që në rrethana të caktueme historike, mund t’u vinë momente, ku ata të shpërthejnë keqas, pa dijtë edhe ata çka banë. Qytetnimi kristian, kryesisht asht qytetnim zemre. “Po të mos e kemi këtë zemër, nuk e kemi askund”, pohon një shkrimtar modern francez. Memorie.al
Nga Vau i Dejës, Armir Mehaj, News24
“Betlehemi i gjallë’ i kthyer tashmë në traditë në fshatin Hajmel të Vaut të Dejës tërhoqi vëmendjen e qindra vizitorëve nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, duke improvizuar realitetin e rreth 2000 vjetëve më parë me lindjen e Krishtit. Në një skenë teatrale, në qiell të hapur që i përngjan antikitetit, mbi 250 banorë të zonës aktrojnë vullnetarisht duke të futur në botën e udhëtimit drejt lindjes së Jezusit.
Për gazetarin e News24, Armir Mehaj qytetarët pohojnë se përjetuan shpresën që sjell lindja e tij.
“Kjo ka filluar që në vitin 2018. Së bashku me besimtarët e tre fshatrave, vullnetarisht të gjithë marrin si aktorë që kalojnë 4-5 orë duke qëndruar këtu brenda “Betlehemit”, duke i bërë këto festa më të gjalla, siç është edhe tradita Françeskane për të rindezuar edhe njëherë në zemrat e besimtarëve dëshirën për Krishtin”, shprehet një prej banorëve.
Pamjet që të kthejnë pas në kohë emocionojnë vizitorët teksa kujtimet lidhen me shkrimin e shenjtë që sjell realitetin e mbi 2 mijë viteve më parë.
“Është vërtetë një ndjesi shumë e bukur dhe e veçantë”, shprehet një vizitore.
“Është hera e parë që vij këtu dhe jam shumë e lumtur. Shoh njerëz nga të gjitha anët”, thekson një vizitore tjetër.
“është hera e parë për mua këtu. Dhe kam ngelur pa fjalë. është origjinal sikur të ishim 2 mijë vjet përpara”, shton një vizitor.
“Vij nga Kosova, këtu është shumë bukur, i gjithë populli shqiptar i bashkuar”.
“Betlehemi i gjallë” sipas organizatorëve synon të përcjellë mbi të gjitha mesazhin e një shprese të re për botën dhe mbi të gjitha bashkimin e njerëzve në pritje të lindjes së madhe.
Qyteti i improvizuar i Betlehemit në fshatin Hajmel të Bashkisë së Vaut të Dejës është një shembull i gjallë i lindjes së Krishtit përmes të cilës përcillet mesazhi i bashkimit, paqes dhe se pas vështirësive sigurisht vijnë ditë të mira.
“Betlehemi i gjallë” vetëm në natën e parë tij u vizitua nga rreth 2 mijë qytetarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe jo vetëm.
(BalkanWeb)
Reformimi i shkollës është një sistem shumëplanësh dhe bashkëpunues i shumë faktorëve e aktorëve, ku japin ndikimin e tyre në forcimin cilësor të arsimit. Realisht sot sistemi që pretendon emrin, nuk po funksionon e për rrjedhojë mekanizmi i drejtimit dhe i menaxhimit subjektiv të arsimit ka ardhur gjithnjë në rënie. Arsimi nuk është një pirg reformash subjektive, që realisht kanë mbetur në letër, por është një projekt inteligjent që kërkon një menaxhim intelektual në rang qarqesh dhe bashkive të vendit.
Drejtimi i shkollës
nuk bëhet as nga militantët dhe as nga mësues të zakonshëm
Jo kushdo mund të bëhet drejtues arsimi, pavarësisht nga dëshira e mirë e njërit apo tjetrit. E parë në këtë këndvështrim mendojmë se militantizmi, e ka dëmtuar rëndë sistemin arsimor të vendit. Përzgjedhja e kuadrit drejtues të arsimit, i thënçin me konkurs, kanë vepruar, duke emëruar gjithnjë mbi bazën e kritereve të tjera, si ato nepotike, partiake, e pse jo edhe korruptive e servile, të cilat e kanë kompromentuar rëndë realizimin e reformës, duke krijuar kështu mendimin e gabuar se drejtor shkolle, arsimi rajonal apo vendor mund të bëhet kushdo. Në këtë kuptim, është paradoksale dhe i afrohet një shërbim i keq institucionit të arsimit dhe të ardhmes së tij, ku drejtori, që ka fituar të ashtuquajturin konkurs, ka më pak përvojë e përgatitje shkencore e pedagogjike sesa kolegët e tjerë. Është shkruar e shkruhet, është folur e flitet shumë për drejtimin, për drejtuesit e shkollave. Sa e si përzgjidhet drejtuesi? Sa efektiv e mjeshtëror është ai? Faktet dëshmojnë se konkurset apo opinionet, rekomandimet në emërime janë larg atyre që kërkon realiteti, koha, kërkesat në shërbim të reformimit. S’ka më të çmuar e realist se syri i kolektivit. Përse? Zotësia apo specializimi, posti drejtues efektiv rrezaton në kolektiv. Ai që merr postin e drejtorit a të drejtoreshës ka peshën e malit mbi supe. Pra, trinomi: Sinqeriteti, zotësi, dhe përkushtim, ia kalojnë çdo “konkursi”, çdo hamendësimi opinionesh nga lart. “Një shembull në praktikë, – thoshte ideologu i shquar Sami Frashëri,- është më mirë se një mijë fjalë të bukura”. Shembulli rrezaton aftësinë, taktin, vlerat, shpirtin krijues dhe nxit, organizon kolektivin pedagogjik. Drejtuesi me grada e konkurse (Sigurisht edhe këto duhen) por që i mungon shembulli i reformës, sinqeritetit e provat e përditshme si veprimtar, kurrsesi nuk gëzon respektin e trupës pedagogjike. Korrektësia drejtuesit nuk i falet të bjerë në grackën e konfromizmit apo të bajraktarizmit. Drita e dijeve rrezaton, kur udhëheq shembull, me kompetencë, si prijës e masovik. Problemet e sotme të shkollës janë sa të vështira aq edhe emergjente. Të bëjnë përshtypje qoftë drejtues të qeverisë, qofshin drejtues shkollash ku flasin “me duhet” , “duhet”, “edhe duhet”! Koha dhe dukuritë kanë nevojë për veprues reformues, vetëveprues, shëmbëllim në praktikë, takt, durim, e mbi të gjitha masivitet e premtim të punëve me kolegët, me prindërit. Takti i drejtuesit dhe i mësuesit është parësor, ku të shoqëruar me përkushtim e “peshoren” e fjalës, sigurisht të çojnë në arritje. Puna pa zotëruar atë çka e kërkon realiteti e koha ngjan me pemën pa kokrra. Kërkesat e reja kërkojnë përkushtim të ri, vlerësim serioz të dukurive.
Pesha dhe përgjegjësia e një drejtuesi shkolle
është e madhe, ajo kërkon zotësi drejtimi dhe kualifikim të lartë
Shtrojmë pyetjen: -Sa psikolog është drejtori, po mësuesi? Pesha e rëndë në shërbim të edukimit nuk arrihet me konstatime, me këshilla, por me durim, veprim, e mbi të gjitha me zotërim të punëve të njohjes së kolegëve (vlerave e halleve) të njohjes së nxënësve të kulturës e traditave të familjeve të nxënësve. I ashtuquajturi portal “Mësues për Shqipërinë” është huazuar keq në arsim. Është paradoks i vërtetë praktikimi i kësaj formule famëkeqe për mësuesinë shqiptare, ku fare mirë dihet se në Itali dhe në disa vende të BE bazohet në meritë dhe është vërtetë kuptimplotë.
Për Italinë, mësuesit shkojnë ku ka nevojë vendi, sepse mësuesit motivohen dhe u krijohen kushte optimale për punë e jetesë. E kundërta po ndodh në sistemin tonë arsimor ky portal po shërben si fasadë djallëzore e MAS, DARP, DAVP, ku si pasojë ka sjellë një paligjshmëri të vërtetë, që po i bëhet me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve.
Me keqardhje shikojmë aty-këtu liberalizëm të theksuar në veprimtarinë mësimore edukative të punës në shkolla shtetërore, ndryshe po ndodh në disa nga shkollat private, ku zotëron rregulli dhe disiplina në kuota optimale. Kurse në disa nga shkollat publike mungon kërkesa unike e llogarisë ndaj nxënësve dhe informacioni i prindërve për shkelje disiplinore në shkolla. Adoleshenca e sotme është futur rrugës inkriminimit dhe prindërit heshtin apo s’dinë të punojnë me fëmijët në aspektin edukativ.
Me keqardhje dëgjojmë çdo ditë ngjarje makabre të adoleshentëve në rrethinat e shkollës dhe jashtë saj, që po trondit çdo ditë mbarë opinionin publik shqiptar. Me keqardhje vëmë re, MAS nuk ka impenjimin e duhur për të parë nëse është e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në reformimin e kuadrit drejtues në të gjitha hallkat e sistemit para universitar. Kemi plot raste të vërtetuara, për veprime abuzive, nga media e shkruar dhe auovizive. Me këtë sistem arsimor çdo ditë në rënie, shtrohet detyrë të përzgjedhim drejtues që kanë guxim intelektual, persona jopolitik dhe që janë kundër konformizmit, të jenë racional dhe të realizojnë dy synime te mëdha: Aktin e pastrimit, dhe të ndryshimit, duke filluar nga drejtimi në shkolla, në rang rajonal dhe vendor të vendit. E themi këtë, se kemi drejtues rajonal dhe vendor që kanë hyrë në vitin e tetë apo të dhjetë të punës, pa kontribuar në asnjë fushë të kërkimit shkencor, pedagogjik e didaktik, në një kohë që kemi plot breza të tërë të rinjsh që janë të shkëlqyer në një apo dy mastra shkencorë apo profesionalë, e që mbahen larg institucionit të arsimit rajonal apo vendor të vendit.
Administrata e arsimit
ka shumë shkresa burokratike dhe pak zgjidhje konkrete
Me keqardhje shikojmë një administratë të fryrë rajonale dhe vendore, që fatkeqësisht janë kthyer vetëm në zbatues të shkresave dhe vendimeve burokratike që vijnë nga lart dhe që në shkolla pak ose aspak shkojnë. Çdo gjë ka mbetur në besimin absolut të drejtuesve të shkollave, ndërsa me mësuesit dhe vështirësitë e punës së tij me nxënësit nuk merret askush. Fatkeqësisht, u hoq kontrolli inspektoratit rajonal të arsimit. Mendoj se ishte një gabim i rëndë i MAS. Shpresoj të rikthehet, sepse drejtuesit dhe mësuesit në shkolla do të jenë më impenjativ për punën e tyre mësimore-edukative.
Sado të flasim e të shkruajmë, përsëri është politika që ka ndërhyrë dhe ka shkatërruar sistemin arsimor, janë simpatizantët drejtues të arsimit që po e mbajnë gjallë politikën e ditës në arsim. Është folur dhe shkruar për ngarkesën mësimore të mësuesit dhe të nxënësit, për peshën e rëndë të çantës, për Altertekstin që është kritikuar gjithnjë dhe Ministria hesht, për librat e mbingarkuara me materiale pa vlerë, për asimilimin e vështirë të marrjes e njohurive, për uljen e numrit të nxënësve në klasa etj. Konkretisht çfarë po ndodh në tekstet shkollore? Ku janë vlerat intelektuale e kombëtare? Po bota akademike pse hesht përballë këtyre fakteve që na shqetësojnë? Vazhdojmë të kopjojmë librat e vendeve të tjera të botës, kur kemi programet tona mësimore edukative, të cilat mund të përshtaten fare mirë, duke ruajtur kulturën, pavarësinë edhe mbi të gjitha vlerat tona të çmuara kombëtare.
Për të shkuar në rrënjët e problemit, duhet të kthehemi tek qëllimi themelor i mungesës totale të menaxhimit intelektual të arsimit, që me keqardhje themi se askush nga drejtuesit qendror apo vendor s’e kanë marrë ende seriozisht dhe të kemi një përgjigje urgjente se si duhet ndryshuar, drejtuar dhe administruar në të ardhmen e shpejtë arsimi ynë kombëtar. Ajo që e vyshk shpirtin e arsimit, pa mëdyshje është politika. Përse? Sloganet boshe, formalizmi, këshillat falsë, fjalori i shthurur e amoral i politikanëve, grindjet e shpifjet e tyre ndaj njeri-tjetrit, ashtu sikurse tik-toku e celulari bëjnë të kundërtën e edukimit, e shfuqizojnë rolin e mësuesit e të drejtimit të shkollës. Fëmijët sot kanë ngarkesë të madhe jashtë librave e punëve të mira në klasë a shkollë. Përse? Shumicën i tërheq shembulli negativ. Pra, sistemi i arsimit kurrsesi nuk përparon pa gjetur “çelësin e shpirtit” të arsimit. Çelësi i shpirtit është dëshmia e suksesit, është shtylla kurrizore e sistemit të arsimit.
Faktet dëshmojnë se çelësi i drejtimit është ndryshkur, ka nevojë të gërshetohet me blerimin e shpirtit në drejtim të dijeve e të edukimit. Sa lexojnë e zbatojnë drejtuesit? Sa fryte u jep ecuria konkrete në shkollë e komunitet? A kanë shkallën e vërtetë të një vatre komunitare: me veprimtari, me dhomë muze, me histori shkolle?! Çdo ditë mbetet që drejtuesit të mbajnë pasqyrë për ecurinë reformuese, mësimore-edukative.
Shërimi më i çmuar i kombit e i brezave është që me zell e veprime konkrete të reflektojnë shpirti i sistemit bashkëkohor të arsimit. Flitet e shkruhet për seminare, për reformim, për evidenca e planëzime, për rolin edukativ të nxënësve. Sigurisht kjo është anë e mirë dhe vlen, por nëse vlerësojmë frytet e gjendjen konkrete e aktuale të arsimit duken sheshazi e në plotësi boshllëku edukativ, formalizmi e burokratizmi pedagogjik janë të veshur me qyrk demokratik. Përse? Nën petkun e lirisë, të lidhjeve të ngushta me nxënësit e të mbajtjes afër mësuesve frenohet, tulatet bien në formalizëm, kurse drejtuesi bie në konformizëm. Pra, nxënësi di të respektohet, vlerësohet, por kurrsesi nuk duhet heshtur e tulatur para dukurive negative, para shfaqjeve të pahijshme, para përsëritjes së gabimeve. Autoriteti, lidhjet formale, mos guximi për t’u përballur e vyshkin, e thajnë autoritetin dhe shpirtin e arsimit. Një i moshuar na tha: ” Arsimi në ditët tona është gati si lisi pa lena e si i sëmuri që i dhemb zemra. Lisi pa lena shpejt mbetët i tharë, i sëmuri rëndë nga zemra shpejt ndërron jetë”.
Zotësia e mjeshtëria pedagogjike e psikologjike e drejtuesit të shkollës dhe e mësuesit matet me punë që bën e frytet që korr me të vështirat, me tipat që sjellin probleme në shkollë në komunitet. Sigurisht që mendja e nxënësit është nën sulmin e internetit, tik-tokut e të plot dukurive negative që shfaqen në ekrane me fjalorin bajat e tepër vulgar, të mjaft politikanëve, deputetëve, analistëve që grinden etj. Sistemi arsimor pretendon emrin, po shpirti i arsimit? Ky shpirt merr jetë nga drejtimi korrekt, krijues e i guximshëm, nga vetëmohimi e vetë kualifikimi, në proces në punën frytdhënëse mësimore-edukative.
Njohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE) që ende nuk e kanë njohur shtetin kosovar është një faktor kyç dhe pengesë domethënëse për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO. Këto shtete, që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të BE-së, janë: Spanja, Sllovakia, Rumani, Greqia, dhe Qipro. Çështja e njohjes së Kosovës ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin e politikave të BE-së, duke krijuar një situatë ku një vend anëtar mund të bllokojë përparimin e një shteti të kandiduar. Ky fenomen ka pasur një ndikim të madh në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, dhe gjithashtu në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e tjera dhe aleatët ndërkombëtarë.
Njohja e Kosovës është një çështje që ka mbetur në qendër të politikës ndërkombëtare, dhe për të kuptuar më mirë si ndikon kjo, duhet të analizojmë disa aspekte kyçe: ndikimi në diplomacinë ndërkombëtare, ngërçet në lidhje me qëndrimet e shteteve të BE-së, ndikimi në mundësitë e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE, dhe ndikimet e politikave të brendshme të vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën.
Për të kuptuar pse njohja është kaq e rëndësishme për integrimin e Kosovës në BE, duhet parë se si funksionon procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. BE ka një politikë të përbashkët për shtetet që dëshirojnë të anëtarësohen. Ky proces përfshin disa faza, duke përfshirë hapjen e kapitujve të negociatave, përmbushjen e kushteve të caktuara për çdo kapitull, dhe arritjen e një marrëveshjeje të plotë për bashkëpunim të ngushtë dhe pjesëmarrje të plota në politikat dhe mekanizmat e BE-së.
Njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së është thelbësore për sigurimin e një qëndrimi të unifikuar dhe të bashkërenduar nga ana e BE-së ndaj Kosovës. Mungesa e njohjes ka bllokuar hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim, pasi disa shtete të BE-së, të cilat kanë refuzuar njohjen e Kosovës, mund të përdorin të drejtën e veto për të penguar hapjen e kapitujve të rinj.
Spanja ka qenë një nga shtetet më të mëdha që ka kundërshtuar njohjen e Kosovës, dhe kjo është ndikuar kryesisht nga çështja e Katalonisë. Katalonia, një rajon autonom në Spanjë, ka kërkuar shpalljen e pavarësisë, duke shkaktuar tensione të mëdha me qeverinë e Madridit. Spanja është shumë e shqetësuar që njohja e Kosovës mund të krijojë një precedent për rajone të tjera që kërkojnë pavarësi, si Katalonia, dhe mund të rrezikojë integritetin e saj territorial. Ky qëndrim ka pasur ndikim të madh në BE, pasi Spanja, si një shtet anëtar i rëndësishëm, ka përdorur ndikimin e saj për të bllokuar çdo mundësi për njohjen e Kosovës brenda BE-së.
Në një kontekst të gjerë, Spanja ka theksuar nevojën për një qëndrim të fortë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, duke e lidhur atë me çështjen e Kosovës. Ky qëndrim ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit të Kosovës, duke i dhënë mundësinë Serbisë të mbajë një aleat të fuqishëm në bllokimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.
Greqia, po ashtu, ka refuzuar njohjen e Kosovës për një sërë arsyeje, përfshirë çështjet e stabilitetit të Ballkanit dhe ndikimin që mund të ketë një njohje e Kosovës për statusin e disa rajoneve të tjera. Greqia ka pasur një politikë të mbështetjes për Serbinë, për shkak të marrëdhënieve tradicionale të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe për shkak të shqetësimeve për minoritetet dhe rrezikun e krijimit të precedentesh të mundshme për kërkesa të tjera territoriale në rajon.
Greqia ka parë njohjen e Kosovës si një rrezik për integritetin territorial të Serbisë, dhe për këtë arsye ka përdorur ndikimin e saj për të bllokuar çdo mundësi për njohjen e Kosovës brenda BE-së. Kjo ka krijuar një situatë ku BE ka pasur një ndarje të brendshme dhe një qëndrim të papajtueshëm për sa i përket njohjes dhe integrimit të Kosovës.
Sllovakia dhe Rumania janë shtete të tjera që kanë kundërshtuar njohjen e Kosovës për arsye të ngjashme me ato të Spanjës dhe Greqisë. Të dy shtetet kanë pasur një qëndrim të fortë pro-Serbisë, duke theksuar që njohja e Kosovës mund të krijojë një precedent për rajonet tjera që mund të kërkojnë pavarësi.
Sllovakia, për shembull, ka theksuar shqetësimin e saj për stabilitetin e Ballkanit dhe për mundësinë që njohja e Kosovës të nxisë tendenca të ngjashme në rajone të tjera. Rumania ka pasur një qasje të ngjashme, duke argumentuar se njohja e Kosovës mund të shkaktojë destabilizim në rajon dhe mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e Rumanisë me Serbinë, një shtet me të cilin ka ndërlidhje historike dhe strategjike.
Njohja e Kosovës është një çështje thelbësore për pjesëmarrjen e saj të mundshme në NATO. Pavarësisht se Kosova është një partner i ngushtë i NATO-s dhe ka bashkëpunuar me Aleancën për shumë vite, njohja e plotë nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s është një kërkesë e rëndësishme për t’u bërë pjesë e Aleancës Atlantike. Disa shtete anëtare të NATO-s, si Spanja dhe Greqia, janë kundër pranimit të Kosovës, duke argumentuar se ky proces do të minonte stabilitetin e rajonit dhe do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet me Serbinë.
Rumania ka qenë një shtet që ka pasur një pozicion të ngurtë kundër pranimit të Kosovës në NATO, duke shprehur shqetësime për mundësinë që ky proces të shkaktojë pasiguri në rajon. Sipas Rumanisë, pranimi i Kosovës në NATO mund të krijonte tensione me Serbinë dhe mund të rrezikonte ekuilibrin e sigurisë në Ballkan. Ky qëndrim ka pasur një ndikim të madh në mundësitë e Kosovës për të u bashkuar me NATO-n, duke ndikuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Aleancës Atlantike.
Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme diplomatike për të ndryshuar qëndrimet e shteteve që ende nuk e kanë njohur, përmes fushatave ndërkombëtare dhe aleancave strategjike. Kosova ka përdorur mbështetje të fuqishme nga aleatët ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë pasur një angazhim të fortë për të mbështetur njohjen e Kosovës dhe integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Njohja e Kosovës nga këto shtete është një çështje kryesore në procesin e dialogut me Serbinë, i cili është ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga ShBA. Kosova ka qenë e angazhuar për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë, që mund të përfshijë njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, shtetet që ende nuk kanë njohur Kosovën kanë përdorur këtë si një kartë të fuqishme për të ushtruar presion ndaj Kosovës dhe për të kërkuar koncesione nga ana e Kosovës dhe Serbisë.
Në përfundim, njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur është një çështje kyçe për përparimin e Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Pavarësisht përpjekjeve të Kosovës dhe diplomacisë ndërkombëtare, kjo çështje mbetet një pengesë e madhe dhe një burim tensionesh brenda BE-së. Kosova duhet të vazhdojë të ndjekë një politikë diplomatike të angazhuar, duke mbështetur aleancat ndërkombëtare dhe duke kërkuar mundësi për të arritur njohjen nga shtetet që ende janë të ngurtë në qëndrimet e tyre.
It is in pardoning that we are pardoned.
Francis of Assisi
Nëpërmjet faljes ne jemi të falur.
Françesku i Asizit
100.000 njerëz kanë demonstruar në qendër të Beogradit, studentë dhe qytetarë të tjerë, kundër Vuçiqit dhe qeverisë së tij. Protestat po e tronditsin qeverinë serbe, si do veprohet më tej?
Në qendër të Beogradit u mblodhën të dielën (22 dhjetor) mbi 100.000 njerëz, njoftoi Arkivi i Tubimeve Publike, i cili merret me numërimin dhe llogaritjen e numrit të demonstruesve në tubime të ndryshme. Kjo e bën këtë edhe tubimin më të madh në Serbi që nga 5 tetori i vitit 2000 kur u rrëzua Millosheviqi nga pushteti. Ndërsa policia flet për 30 mijë pjesëmarrës, e këtë e tha edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Është e qartë se thirrjes së studentëve që po bllokojnë fakultetet iu përgjigj një numër i madh i qytetarëve, të cilëve në protestë iu bashkuan edhe fermerët. Masiviteti i protestave është elementi që bie më shumë në sy, ndërkohë që shpresa kryesore e autoriteteve ishte shuarja graduale e protestave studentore, që filluan para disa javësh.
Arrestoni traktorin!
[“Duart i keni të përgjakura”, një prej motove të protestës në Serbi]
Protesta kaloi pa incidente të mëdha, por gjatë ditës ishte evidente se qeveria po përpiqej në mënyra të ndryshme të parandalonte një reagim më të madh të qytetarëve. Kështu që qëllimisht u ndalën trenat për në Beograd dhe autobusët.
Paranoja ishte e dukshme edhe gjatë “arrestimit të traktorit” të Zlatko Kokanoviqit, nga iniciativa “Ne damo Jadar” (Nuk e japim Jadar). Ai u bllokua në afërsi të sheshit Slavija, ndërsa policia e hoqi traktorin për gjoja parkim të paligjshëm.
E teksa qytetarët po përgatiteshin për protestën, Vuçiqgjatë ditës hapi pjesën e autostradës nga Krushevci për në Vërnjaçka Banja, ndërsa vëzhguesve të kujdesshëm nuk iu shpëtoi fakti që presidenti shoqërohej nga ambasadoriamerikanChristopher Hill.
Vuçiq përsëriti qëndrimin e tij se “nuk do t’ia dorëzojë askujt pushtetin pa zgjedhje, nuk ka bir nëne që do ta marrë pa zgjedhje sa të jem gjallë. Ju mund të më vrisni, por pa zgjedhje nuk do të merrni pushtetin”. Në mbrëmje, Aleksandar Vuçiq mbajti një fjalim ku tha se “një tubim jashtëzakonisht i madh është mbajtur në Beograd. Ata janë të orientuar nga opozita, por unë kam qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjoj se çfarë mendojnë të tjerët”, tha Vuçiq. Por ai theksoi se “nën flamurin serb duhet të të bashkohemi rreth qëllimeve themelore”.
Nuk ka tërheqje
Protesta masive ishte kulmi i bllokadave disajavore të fakulteteve dhe shkollave të mesme në Serbi. “Ky tubim i përmbushi pritshmëritë”, tha për DW Dragan Popoviq, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike. “Ishte një demonstrim praktik i mbështetjes për kërkesat e studentëve. Po ashtu është treguar se kur ka një organizim të mirë dhe kur ka një pjesëmarrje të madhe, atëherë nuk ka incidente, rrahje, apo tentativa për të ndërprerë me dhunë tubimin”, thekson Popoviq. Sipas tij, autoriteteve u është treguar se njerëzit “duan drejtësi”.
“Këtu po ndodhin tragjedi që janë rezultat i mosveprimit të shtetit. Mendoj se Novi Sadi është pika e fundit në kupën e mbushur. Një tubim i tillë masiv është një mesazh shumë i qartë për autoritetet se dhembja ka shkuar deri në palcë. “Jemi me shpatulla pas muri, nuk ka më vend për tërheqje”, shton ai.
Artikulimi politik i protestës
Që nga fillimi i protestave studentore, ka rënë në sy distancimi i tyre nga partitë politike. Por shumica e opozitës mbështet kërkesat e studentëve. Tani pyetja kryesore është: Edhe sa kohë mund të bëhet presion ndaj qeverisë dhe si do të përfundojnë protestat e studentëve? Popoviq thotë se protestat në një moment duhet të artikulohen politikisht, nëse duam ndryshime. “Ka ide të ndryshme, por pa një opozitë të organizuar mirë politike nuk shoh asnjë mundësi për zgjidhje. Opozita duhet të jetë gati sepse në një moment kjo do të duhet të kapitalizohet politikisht. Qeveria do t’i shuajë protestat, por mendoj se kjo energji nuk do të shuhet lehtë”, tha Popoviq për DW.
Dy skenarë (të pa)mundshëm
Aktualisht po kristalizohen dy skenarë të mundshëm: greva e përgjithshme dhe qeveria tranzitore. Presidenti i Serbisë refuzon kategorikisht mundësinë e një qeverie tranzitore. Ndërkohë që edhe greva e përgjithshme është e diskutueshme, sepse në Serbi ka shumë sindikata që janë të përçara mes vete. Qeveria tranzitore për Vuçiqin do të ishte një njohje e kapitullimit, ndaj ai me siguri që nuk do ta pranojë. Ndërsa skenarët e tjerë akoma nuk janë të kristalizuar se si mund të realizohen. Por energjia për protesta akoma është e madhe, madje po shtohet./DW
Rënia e Qeverisë së Bashar al-Assadit nga duart e rebelëve, përfshirë atyre të mbështetur nga Ankaraja, e ka bërë Turqinë forcë të huaj mbizotëruese në Siri, në kurriz të Iranit dhe aleates së tij, Rusisë.
Turqia dhe Irani kanë garuar për vite kundër për ta shtrirë ndikimin e tyre në Kaukazin Jugor dhe duket se rivaliteti mes tyre tani ka shkuar deri në Levant.
“Republika islamike ka pasur shqetësime të jashtëzakonshme lidhur me ndikimin turk në Siri, qoftë ekonomik, politik apo ushtarak, edhe shumë kohë para rënies së Assadit. Por, me humbjen e aleatit të vetëm shtetëror të Iranit në rajon, këto shqetësime pritet të shtohen çdo herë e më shumë”, tha Behnam Taleblu, analist për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington.
Megjithatë, ekspertët thonë se profili gjithnjë në rritje i Turqisë në Siri, në dëm të Iranit, nuk do të thotë patjetër se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Teheranit do të preken në mënyrë të ndjeshme.
Pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, Irani dhe Rusia e mbështetën Assadin, ndërsa Turqia i mbështeti grupet rebele që e kundërshtuan sundimin e tij.
Irani kishte nevojë që Assadi të qëndronte në pushtet për ta përdorur Sirinë si platformë për t’i financuar dhe armatosur partnerët dhe përfaqësuesit e vet, veçanërisht grupin libanez Hezbollah.
Për Rusinë, sundimi i Assadit ua mundësonte Moskës ta mbante bazën ajrore Hmeimim dhe bazën detare në Tartus, duke i siguruar asaj qasje më të lehtë në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Detin Mesdhe.
Nga ana tjetër, Ankaraja në Siri e donte një qeveri në më të përshtatshme me vizionin dhe politikat e saj rajonale, veçanërisht ato që do t’i frenonin grupet kurde në verilindje të Sirisë. Një koalicion partish kurde, përfshirë Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD), udhëheq Administratën Autonome të Veriut dhe Lindjes së Sirisë.
Krahu i armatosur i PYD-së, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), i udhëheq Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja.
“Turqia i ka pasur tri shqetësime kryesore në Siri: luftimin e YPG/PYD, mundësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në Siri dhe parandalimin e flukseve të mëtejshme të refugjatëve drejt Turqisë”, tha Daria Isachenko, eksperte për Turqinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Rënia e Assadit më 8 dhjetor ka ndalur fluksin e refugjatëve drejt Turqisë, por “dy shqetësimet e para mbeten”, shtoi Daria Isachenko.
Siria tani kontrollohet praktikisht nga organizata e shpallur terroriste nga SHBA-ja, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dhe aleatët e saj – disa prej të cilëve janë të lidhur me Turqinë, rivalin e Iranit.
Isachenko thotë se ndikimi në rritje i Turqisë në Siri mund ta forcojë edhe më tej pozicionin e Ankarasë në Detin Mesdhe, nëse Turqia e nënshkruan një marrëveshje detare në stilin e Libisë me autoritetet e reja në Damask.
Rritja e prestigjit të Turqisë dhe dobësimi i pozicionit të Iranit në Siri mund të kenë pasoja për zhvillimet në Kaukazin e Jugut, ku Irani, Rusia dhe Turqia luftojnë për ndikim.
Ekspertët thonë se derisa bisedimet në Astana – një format i sponsorizuar nga këto tri vende për t’i dhënë fund konfliktit në Siri – mund të kenë dështuar, ato prapëseprapë shërbyen si një platformë për menaxhimin e interesave të ndryshme.
“Koordinimi dhe konsultimi për menaxhimin e konflikteve midis Turqisë dhe Iranit, si dhe Rusisë, në Lindjen e Mesme dhe Kaukazin e Jugut nuk duhet përjashtuar”, tha Daria Isachenko.
Ajo shtoi se edhe në Siri, Turqia dhe Irani mund të gjejnë disa interesa të përbashkëta, si për shembull gjetja e një kundërshtari të përbashkët si Izraeli, i cili ka hyrë në territorin sirian menjëherë pas rënies së Assadit.
Megjithatë, disa argumentojnë se Teherani do të përpiqet ta minojë ndikimin e Turqisë në Siri, me shpresën për ta shndërruar vendin në të ashtuquajturin “bosht i rezistencës” – rrjeti i lirë i aleatëve dhe përfaqësuesve rajonalë të Iranit.
“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike do të kërkojë mënyra për ta kthyer ndikimin në Siri”, tha Behnam Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).
Mbështetja e SHBA-së për Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, është dobësuar vitet e fundit për shkak të një kombinimi faktorësh, përfshirë tërheqjen e shumicës së trupave amerikane në vitet 2018 dhe 2019 dhe presionin nga aleati i NATO-s, Turqia.
Ankaraja, e cila kreu një inkursion në Sirinë veriore në vitin 2019 kundër forcave kurde, tani është në një pozicion të fortë për të sfiduar më tej kurdët, thonë ekspertët.
Që nga rënia e Assadit, grupet rebele të mbështetura nga Ankaraja janë përplasur me forcat kurde dhe kanë marrë qytetet Manbij dhe Tarafat, të cilat më parë ishin nën kontrollin kurd pranë kufirit me Turqinë.
Wladimir van Wilgenburg, një analist me bazë në Kurdistanin irakian, i cili është bashkautor i librit për kurdët sirianë, thotë se prania e 900 trupave amerikane që kanë mbetur mund të ofrojë një farë lloj mbrojtjeje për kurdët, por situata mbetet e pasigurt.
“Administrata e re në Damask ka gjasa të parapëlqejë marrëdhëniet me Turqinë e jo me SDF-në”, tha ai.
“Situata është e vështirë për kurdët, përveç nëse arrijnë një marrëveshje me HTS”, sipas tij.
Lideri i HTS-së, Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë me emrin e luftës Abu Muhammad al-Jolani, dëshiron t’i bashkojë të gjitha grupet e armatosura në Siri nën një flamur të vetëm. Por, nëse SDF-ja do të bashkohej, kjo do të ishte fundi i autonomisë kurde në Siri, thotë Wilgenburg.
Radio Evropa e Lirë
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet