Ndërhyrja e Ramës në godinën e selisë së Kryeministrisë duke transformuar fasadën dhe katin e parë në funksion të krijimit të një qendre të ashtuquajtur “për hapje dhe dialog”, përveç debateve që ka ngritur për sa i përket shkeljes së ligjit të mbrojtjes së monumenteve të kulturës, heshtjes së institucioneve përgjegjëse ndaj këtij akti, mungesës së transparencës së fondeve me të cilat është kryer transformimi, kërkesës ndaj Kryeministrit të merret me hallet e vendit e jo me qejfet e tija, ka ngritur edhe një problem sa të vjetër, edhe aktual: atë të raportit të pushtetit me artin në një shoqëri.
Në një shkrim të keqpërkthyer e të keqinterpretuar që i dedikohej kësaj teme, autori holandez Vincent W.J. van Gerven Oei shkruan: “Edi Rama duhet të jetë një njeri i frustruar. I frustruar prej provincializmit të shijes së drejtorit të Galerisë që ka zgjedhur, i frustruar për shkak të mungesës totale të vizionit të ministres së tij të Kulturës; i frustruar për shkak se princi i tij i kurorës, kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, ka ndjeshmërinë artistike të një bretkose.
Aq i frustruar, sa që ai deshi t’i tregonte vendit të tij një shembull të vetëm se si dizenjohet dhe kurohet një hapësirë kulturore kontemporane. Dhe ai vendosi ta bëjë këtë në të vetmen hapësirë, përveç shtëpisë së tij, ku mund ta bëjë: në zyrën e tij, ” duke realizuar, gjithë sipas autorit, një gjë shumë të mirë, por jo në vendin e duhur. (The Unofficial Viw of Tirana (92))) Sipas meje, shpjegimi psikologjik se Rama e ndërmori këtë nismë për shkak të frustrimit që i kanë shkaktuar të zgjedhurit e tij në institucionet e kulturës është kryekëput i gabuar.
Po ashtu nuk është i saktë konstatimi se ky është i vetmi vend “përveç shtëpisë së tij”, ku Rama pushtetar ndërmerr të tilla nisma artistike, pasi ka kohë që ai po tenton të trajtojë tërë Shqipërinë si shtëpinë e tij private. Edhe argumenti se kjo hapësirë kulturore është shumë e mirë, por nuk është vendosur në vendin “e duhur”, më duket se nuk qëndron pasi ajo është ngritur tamam në funksion të vizionit që ka Rama për raportin e artit të tij me politikën e tij dhe prandaj vlerësimi i saj nuk mund të ndahet nga vendi ku ajo është vendosur. Megjithatë, koncepti i frustrimit që përdor autori më duket i rëndësishëm për t’u përdorur në këtë debat, sepse vërtet bëhet fjalë për një kryeministër të frustruar, për ministra e drejtorë të frustruar, për artistë të frustruar e më në përgjithësi, për një shoqëri të frustruar.
FRUSTRIMI NGA GËNJESHTRA E IMPONUAR
Sipas vizionit të propaganduar në broshurën e shpërndarë me rastin e inaugurimit, kati i parë i Kryeministrisë do të shërbejë si një qendër trehapësinore që “synon të bëhet një laborator ku do të mund të hetohen kufijtë ku takohen fusha të ndryshme të artit, të politikës dhe të kërkimit shkencor”. Këtë e theksoi edhe drejtoresha e qendrës, kur tha se këtu do të ekspozohen artistët kritikë. Dhe këtu fillon ironia, sepse na sugjerohet se kati i parë do të dialogojë me katin e dytë dhe të tretë, madje do të mund të bëhet edhe kritika e asaj që bëhet në katin e dytë dhe të tretë.Madje, madje, sipas interpretimit që i bënë disa ekspozitës inauguruese, atje do të mund të gjejmë edhe Ramën artist dhe intelektual duke dialoguar me Ramën politikan. Në këtë kontekst, trekërpudhëshi në oborr, vepra e artistit Höller, gati na mallëngjen e na bën të ndiejmë keqardhje për këtë artist që paska zgjedhur të vetësakrifikohet duke u bërë politikan për t’i bërë mirë këtij populli sepse, në rrugën për të bërë mirë, i është dashur të bëjë edhe ndonjë kompromis me të keqen.
Vepra na flet për frustrimin e kërpudhës së mirë Rama ndaj kërpudhave helmuese dhe halucinogjene Rama-t, pasi këto, për të fituar votën, e kanë mashtruar të mirin duke i bërë premtime të rreme, ia kanë mbushur grupin parlamentar me kriminelë, trafikantë prostitutash dhe vrasës, i kanë imponuar koalicion me partinë e një njeriu të cilin dy vjet më parë i miri ka kërkuar me ngulm të futet në burg si i korruptuar.
Por, vini re, sikurse ia ka thënë ai vetë një prej artistëve miq që ka ekspozuar, autorit të tendës mbi portën e Kryeministrisë, Philippe Parrenos, i miri Rama vërtet ka luajtur në një fushë të minuar, por “pa e tradhtuar ndërgjegjen”, “pa i ulur standardet e tij morale” dhe duke mos hequr dorë nga vetironia dhe arti, përkundrazi, siç e provon edhe së fundi, duke bërë vepër arti në shërbim të qytetarëve edhe zyrën e tij të punës. Sa gjë e bukur! Këta shqiptarët paskan një Kryeministër vërtet të iluminuar, që paska vetinë për të parë veten me sy kritik, që hapka një qendër dialogu me kritikët e vet mu në zyrën e vet. Ja ç’do të thotë kur bëhen artistët politikanë!
Kjo është një ide ndoshta më e mirë edhe se ajo e Platonit që i kërkonte këta filozofë. Kështu po na shitet ky operacion i fundit i Ramës, sikur arti është instrument dhe njëherësh alibia e një politikani të mirë. Në fakt po u shitet të huajve kështu, jo ne shqiptarëve. Ne të gjorët, në fakt, shërbejmë në këtë histori thjesht si balta për krijimtarinë e tij dhe të artistëve rreth tij, që, me art-politikën e tyre po na plazmojnë ne, së bashku me Shqipërinë, siç na plazmuan, p.sh., kur ngjyrosën pallatet gri të Tiranës me ngjyra, duke na bërë të vrapojmë me gëzim të paguajmë taksat. Madje, madje, në këtë fushë po i japim mend edhe botës se si mund të ndryshojë një shoqëri nëpërmjet artit.
Shihni për këtë një artikull në prestigjiozen britanike “Financial Times”, shkruar fill pas vizitës së Merkelit. Kështu pra, duke na menduar si një popull i mësuar për gjysmë shekulli të jetojë me gënjeshtra të imponuara, ndërkohë që kemi përditë përballë ujkun, propagandistët e pushtetit, jashtë dhe brenda vendit, na ofrojnë të hamë kërpudha halucinogjene e të ndjekim gjurmët për të harruar se ujku pushtetar kurrë nuk na ka ofruar veshë të hapur për dialog gjatë vendimmarrjeve të tij për të përmirësuar jetën tonë; se sot ka një konsensus të gjerë se Rama dhe ata që e mbajnë në pushtet, me paratë dhe mediat e tyre, na e kanë kthyer Tiranën në një qytet të pajetueshëm, pasi na kanë lënë vetëm 0,5 metër katror gjelbërim për person; se vetëm gjurmë artisti politikan, që i ka shërbyer komunitetit, nuk mund të gjesh mes qindra pallateve të ndërtuara mbi fusha sporti, oborre shkollash, parqe, ndërtesa historike, apo kur sheh mu në qendër të Tiranës dy nga pallatet më të shëmtuara të saj ndërtuar mbi rrënimin e dy kinemave historike të qyteti.
Mirëpo, me forcën e pushtetit dhe parasë, edhe një akt vandal dhe i papërgjegjshëm ndaj një ndërtese historike, monument kulture, mund të na paraqitet edhe si një akt emancipues, si provokim artistik. Prandaj, një nga frustrimet kryesore në këtë histori është ai i yni, që kërkojnë të na bëjnë edhe budallenj. Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se është një frustrim i dyfishtë, sepse edhe ata që na e imponojnë e pë- sojnë në mënyrën e tyre.
FRUSTRIMI I RAMËS SI ARTIST E SI POLITIKAN
Duke iu referuar të vërtetave më të thella të njeriut, atyre psikologjike, është e lehtë të konstatosh se Rama, si shumë të tjerë, qysh në rini, ka pasur prirjen (njerëzore) për t’u dukur, për të pasur sukses, për t’u bërë i famshëm, për të afirmuar vetveten, “vullnetin për pushtet” – nëse do të përdornim një shprehje niçeane – për çka jo pak njerëz kanë zgjedhur politikën dhe artin. Problemi i madh i njeriut që i hyn aventurës së jetës është se këto egoizma rinore me procesin e pjekurimit duhet t’i nënshtrohen gjithnjë e më shumë respektit për tjetrin (te njeriu), kënaqësisë së krijimit (tek artisti), kënaqësisë së shërbimit (te politikani), ndërgjegjësimit se ajo që kemi bërë është shumë modeste në krahasim me atë që kemi trashëguar.Por ky pjekurim arrihet kur, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm me vetveten, i nxjerrim kafshët e egra të inkoshiencës në dritën e koshiencës sonë, duke i zbutur ato, gjithë duke i mbajtur nën kontroll. Përndryshe, kur këto kafshë të pazbutura nuk nënshtrohen, kur egoizmi nuk temperohet nga edukata e mirë, mund të gjendemi përballë një individi të rrezikshëm, si për veten, edhe për të tjerët. Dhe mua më duket se në nivel psikologjik jemi në këtë rast të dytë. Rama është vërtet i frustruar, por jo për shkak të mediokritetit të drejtorit, ministres dhe kryebashkiakut të porsazgjedhur, por sepse është dëshpërimisht i panginjur dhe i panginjshëm me pushtet politik dhe famë artistike për shkak se i ka jashtë kontrollit kafshët e inkoshiencës.
Problemi themelor i tij nuk është fakti se drejtori apo ministrja nuk kanë vizion, por sepse këta i ka frustruar për t’i komanduar ashtu si do ai, në funksion të vizionit të tij; me fjalë të tjera, për t’i trajtuar si zero që duhen thjesht të vihen prapa njëshit për t’i rritur vlerën këtij të fundit. Fakti që ministrja e Kulturës nuk jep asnjë shpjegim për mënyrën banditeske se si u ndërhy në një monument kulture, apo fakti që në Galerinë e Arteve, kati i tretë, që ka qenë dedikuar artit kontemporan, ka më se një vit që është kthyer në depo për të ruajtur ikonat që i janë konfiskuar një tregtari sepse, sipas zërave që qarkullojnë në Galeri, Rama kërkon ta bëjë vetë atë kur t’i vijë radha, sipas vizionit të tij dhe me artistët që do ai, për publikun që do ai, janë provë e kësaj.
Dhe ky është një problem jo i vogël për fatet e kulturës e të institucioneve demokratike në këtë vend. Prandaj, sipas meje, përtej sofistikimeve se Rama artist na u bë politikan për të na emancipuar e çliruar, e vërteta e thjeshtë e vizionit të raportit të politikës (së tij) me artin (e tij) është në thelb e njëjtë me të vërtetën e vizionit që kanë për raportin e biznesit (të tyre) me politikën (e tyre) oligarkët shqiptarë miq e sponsorë të Ramës, të cilët, për të qenë të suksesshëm në bizneset e tyre, kanë zgjedhur të bëhen njësh me pushtetin politik apo edhe atë mediatik, si dhe ta përdorin Shqipërinë thjesht si vend për të fituar, ndërkohë që kënaqësitë e jetës për veten dhe familjen i shijojnë jashtë shtetit.
Kemi të bëjmë, pra, thjesht me abuzim me pushtetin për interesa personale, me konflikt të hapur interesi. Dhe brenda këtij konflikti gjejmë edhe frustrimet e vërteta të Ramës artist e Ramës politikan. Si artist, atë thellë-thellë e mundon pasiguria, sepse kur ishte krejtësisht i dedikuar artit nuk mundi ta gjente dot veten si artist, kurse pasi u bë kryebashkiak dhe tani Kryeministër është bërë i famshëm, fatkeqësisht pa e gjetur veten, por duke e humbur në favor të sajimit të një veteje të rreme, të pavërtetë. Kjo pavërtetësi e mundon me pyetjen nëse u bë artist më i mirë kur u bë pushtetar apo është fuqia magjike e pushtetit që mbledh rreth tij gazetarë, artistë e kuratorë arti.
Atë e mundon frika se pa Ramën pushtetar do të zhduket edhe Rama artist, prandaj kapet me thonj pas atij duke e ndjerë, gjithsesi, me gjithë efektin e kërpudhave halucinogjene dhe helmuese që ka ngrënë, se pikërisht ky pushtet është varri i tij si artist. Më anë tjetër, si politikan, duke mos qenë i aftë të bëjë politika të shëndosha rimëkëmbjeje të vërtetë të vendit, jo vetëm për shkak të paaftësisë së tij, por edhe për shkak të darës së sistemit kriminal që është krijuar në Shqipëri, të një shteti në shërbim të mafies, ai kapet fort tek artisti, si alibi, dhe na ofron ekzibicione artistike si ky i fundit që pamë.
Ndërkaq, këto dy frustrime si dy anë të medaljes bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për të tjerët, sepse e çojnë te prirja e pakontrollueshme për të nxjerrë jashtë loje çdokënd që nuk hyn në ombrellën e pushtetit të tij artistik e politik, duke pervertuar kësisoj edhe artin, edhe politikën e Ramës. Në këtë aspekt, modeli i tij më tragjik është Neroni, i cili një nga ëndrrat e tij më të mëdha kishte që të bëhej aktor të luante në skenë. Ai ishte i vendosur ta realizonte ëndrrën e tij, ndonëse në Romën e asaj kohe, për një perandor të luante në skenë ishte njëlloj sikur një politikan i sotëm të jetë njëkohësisht edhe prostitutë (në kuptimin real të fjalës jo metaforik).
Kështu, pasi shpartalloi një grup senatorësh komplotistë dhe u bë tejet i fuqishëm, vendosi të dalë në skenë për të garuar në kompeticionin teatror të kohës. Gjatë shfaqjes senatorët pëshpëritnin me njëri-tjetrin se çmimin e parë duhej patjetër t’ia jepnin atij, se s’kishin nga t’ia mbanin. Dhe kështu bënë. Por Neroni nuk ngopej. Kur e shoqja e tij guxoi që pas shumë lëvdatash e përgëzimesh t’i vinte në dukje edhe ndonjë defekt që kishte shfaqur gjatë aktrimit, por që e kishte korrigjuar shpejt, ai u mërzit kaq shumë nga vërejtja, sa që e rrahu për vdekje.
Po ashtu, për të realizuar projektet e tij grandioze artistike në Romë, ai urdhëroi plaç- kitjen e thesareve të vendeve të shenjta të Romës dhe kur këto s’mjaftuan, boshatisi edhe arkat e Perandorisë derisa u bë i padurueshëm për të gjithë dhe pati fundin e njohur. Këtë sindromë, që e kemi përjetuar edhe në kohën e Hoxhës kur shkrimtarët, artistët, studiuesit më të talentuar të vendit ishin të detyruar të përkuleshin përpara talentit suprem të liderit suprem, tani po e jetojmë si farsë që na lehtë- sohet e bëhet edhe e gëzueshme ndonjëherë, në sajë të ngjyrave të larmishme që përdor artisti Rama.
A e keni vënë re se përgjatë autostradës Tiranë – Vorë për të tërhequr vë- mendjen e të huajve që vijnë nga Rinasi u ka imponuar konstruktorëve të rrugës jo vetëm palmat, që për shumë janë jashtë vendit jo vetëm nga pikëpamja funksionale, por edhe estetike, por edhe një lloj bordure anësore me toptha betoni që ndërrojnë ngjyrë çdo kilometër, që është dukshëm jofunksionale, madje e rrezikshme. Mirëpo, askush nga ata që janë përgjegjës institucionalisht nuk flet. Prisni o ju që heshtni, se s’keni parë gjë akoma.
FRUSTRIMI NGA PROVINCIALIZMI
Nuk mund të mos ngrihet edhe një pyetje lidhur me Qendrën për Hapje dhe Dialog. Pse do të duhej të inaugurohej kjo qendër me rastin e vizitës së Merkelit? A nuk do të kishte më kuptim politik, por edhe artistik, që fillimi i saj të niste me shqiptarët për shqiptarët me rastin e ndonjë, le të themi, përvjetori, si p.sh. të Konicës apo Nolit? Pse duhet të prezantohet si COD në anglisht, dhe jo në shqip si QHD? Edhe Anri Sala a nuk do të ishte më me vend të vinte të bënte ndonjë prezantim apo konferencë, apo ku di unë, në këtë QHD për të komunikuar me artistë të rinj shqiptarë dhe jo për t’i shpjeguar Merkelit se çfarë kuptimi kishte ajo qendër dhe ajo ekspozitë? Për mua, i gjithë inskenimi që pamë ishte një provë se shqiptarët në këtë histori kanë pak rëndësi.Rëndësi ka përshtypja që Rama & Co lënë te të huajt, fama që fitojnë te të huajt; legjitimiteti që na japin të huajt, çmimet që na japin të huajt që bëhen të rëndësishme edhe për shqiptarët pastaj, sepse identifikohen me ta. Fatkeqësia është se ne gati-gati jemi mësuar me këtë kondicion, apo na kanë mësuar, pa e kuptuar se thellë-thellë kemi të bëjmë me një përdorim të shëmtuar politik të provincializmit. Nuk ka mënyrë më të lehtë për të manipuluar shqiptarët sesa duke shfrytëzuar kompleksin e provincialit dhe po ashtu, nuk ka vend më të lehtë për të manipuluar të huajt sesa një provincë ku ata shkelin vetëm në mënyrë sipërfaqësore pa u thelluar e ku, për të kuptuar vendin, nuk takojnë veçse intelektualë që tërë jetën nuk kanë bërë tjetër, veçse shërbëtorin e pushtetarëve.
Ky provincializëm kap jo rrallë nivele absurdi, sepse injorimi i shqiptarëve shkon deri në vetinjorim e vetëgënjim, kur në emër të suksesit te të huajt, thuhen edhe të pavërteta, thuren edhe gënjeshtra, boll që ato të jenë mbresëlënëse për ta, e shqiptarët duhet të heshtin për to e të ndihen krenarë për njerëzit e famshëm të tyre që i thonë. Kështu, në sajë të këtij provincializmi, ndërkohë që ne shohim ujkun përditë në Tiranë, gjurmët e tij, që nisin nga Tirana për t’u shfaqur pastaj në ndonjë gazetë të huaj, për t’u rikthyer me këmbët lyer me miell verbues përsëri në shtypin tonë, bëhen më të rëndësishme se ai vetë.
Ne shtrëngohemi t’i gëlltisim pa i tretur fare argumentet se reduktimi i qytetit në vetëm 0.5 metër katror gjelbërim për person është një krim i paparë ndaj nesh dhe fëmijëve tanë, sepse kryebashkiaku i djeshëm, Kryeministër i sotëm, ka hyrë në listën e njerëzve të famshëm që kanë ndihmuar njerëzimin me artpolitikën e tij. Ç’kuptim ka në një provincë të mjerë të shprehësh mendime që nuk përkojnë me ato të qendrës së perandorisë. Si mund të guxojmë ne mjeranët të vëmë në pikëpyetje artistë të njohur botërisht, si Perreno, Demand, Höller, Sala, Edi Rama.
Në fakt, ky përdorimi i provincializmit nga Rama & Co nuk është gjë tjetër, veçse politikë e keqe artistësh dhe art i keq politikanësh dhe më provincialët në këtë histori janë pikërisht këta shqiptarët e njohur, sepse njerëzit që manipulohen kështu nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrim i atyre që i manipulojnë. Për fat të mirë, vë re se numri i shqiptarëve të rinj që janë çliruar nga ky kompleks i provincialit është shtuar, edhe pse nuk përbën dot një masë kritike për të sjellë një përmbysje mentaliteti. Siç e vërtetuan edhe mjaft reagime ndaj aktit të fundit të Kryeministrit.
Ne kemi ende shumë nevojë për artistë dhe intelektualë që t’u flasin shqiptarëve me fjalët e Wilhelm Reich: “Bëhuni vetvetja, o subhumanë. Vetvetja’ po them, jo gazeta që lexoni, apo opinioni i fqinjit tuaj të sëmurë. Kuptoni se duhet të bëheni dreri që keni brenda jush, Zoti brenda jush, filozofi, poeti, brenda jush. Por ju nuk mendoni kështu, ju mendoni si anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, të Klubit të bilave, apo të Ku Klux Klanit, dhe, mu pse mendoni kështu, silleni kështu.” (Dëgjo, o njeri i vogël, 1946) Thirrje si kjo kërkojmë ne të na vijnë nga artistët e politikanët e mirë, ashtu sikurse edhe nga veprat e tyre, dhe jo të na mbajnë në gjendjen e njeriut të vogël të provincës së vogël.
PUSHTETI I ARTIT DHE PUSHTETI POLITIK
Për raportin e politikës me artin, veçanërisht që nga shekulli XX, ka pasur debate të shumta që vijojnë edhe sot. Ndër më të njohurit ndoshta është ai midis vëllezërve Thomas dhe Heinrich Mann në fillim të shekullit XX, ku i pari, nën frymën e romantizmit gjerman (kultit të kulturës), theksonte supremacinë e artit mbi politikën, prandaj nevojën e artit për të qenë apolitik: “Nuk ka asnjë përvojë tjetër jetësore të aftë për ta nxjerrë jashtë loje politikën, për t’i hequr asaj çdo lloj vlere dhe për ta bërë të bjerë në harresë, përveç përfshirjes shpirtërore në vlerat e përjetshme të njeriut nëpërmjet artit” (Mendime të një apolitiku, 1918); kurse i dyti, nën frymën e iluminizmit francez (kulti i civilizimit), e ka parë artin edhe si instrument të progresit e emancipimit moral e shoqëror (Zola, 1915).Pas tragjedisë naziste, Thomas Mann-i e ka korrigjuar veten duke u shprehur se humbja e instinktit politik tek artisti mund ta çojë atë në anën tjetër të barrikadës. Por, përtej këtij debati që është i hapur edhe sot për shkak të të vërtetave që përmbajnë të dy qëndrimet, ka një të vërtetë të përbashkët: se arti, edhe kur është politik, edhe kur është apolitik, ka pushtetin e vet e se, kur flitet për këtë pushtet në raport me pushtetin e politikanit, përvoja tregon se këto pushtete duhet të jenë të ndara, siç duhet të jetë edhe pushteti mediatik i ndarë nga ai politik. Në këtë kontekst, ajo që ndodh përtej fasadës art-politikë të Ramës nuk është shprehje e ndonjë vizioni të raportit të artit me politikën, por e prishjes së ndarjes së pushtetit politik me pushtetin e artit.
Qëllimi i vërtetë nuk është dialogu i artit me pushtetin, por përdorimi politik i artit dhe i artistëve në shërbim të pushtetit, sipas një mendësie të trashëguar totalitare fashiste apo komuniste. Duke pasur parasysh edhe politizimin e skajshëm nëpërmjet mediave të shoqërive që jetojmë (ku kjo e jona është shembulli më ekstrem), totalitarizmit të trashëguar ndoshta duhet t’i shtojmë edhe një formë “totalitarizmi të padukshëm”, siç do ta quante Claudio Magris, që e ka zhvilluar shoqëria moderne me ndërhyrjen e politikës në botën më intime të njeriut; në ndjenjat, artin, e gjithçka që nuk mund të politizohet dhe moralizohet aq kollaj, pa i lënë kësisoj individit asnjë hapësirë vërtet të vetën.
Në këtë kontekst, art – politika e Ramës si bashkim i pushtetit të politikës me atë të artit është ilustrimi më elokuent i thënies së Lordit Action se “Çdo pushtet korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”. Fakti është se edhe në vendet me demokraci të konsoliduar mbahet parasysh gjithmonë ideja se liria nuk jepet gratis, prandaj luftohet përditë kundër korruptimit nga pushteti. Edhe në Gjermani, edhe në Francë intelektualët dhe artistët më të shquar janë kritikë ndaj politikave të pushtetit. U pa kjo edhe në qëndrimet që ata mbajtën në lidhje me krizën greke.
Në Francë, së fundi ekonomisti dhe intelektuali i shquar Thomas Pickety, që në librin e tij të famshëm “Kapitali në shekullin XXI” denoncon prirjen gjithnjë e më të madhe për përqendrim të pasurisë në pak duar, refuzoi Legion D’honeur duke u shprehur se, sipas tij, nuk i takon pushtetit të përcaktojë se kush është i ndershëm. Ndërkaq, realiteti ynë është dhe vazhdon të mbetet shprehje shembullore e asaj se atje ku nuk ka demokraci, por përqendrim të pushtetit në pak duar, zakonisht kontrollin e marrin ata që kanë mentalitet gangsterësh, të cilët tentojnë të përcaktojnë jo vetëm të ndershmit e të pandershmit, të drejtët dhe të padrejtët, por edhe artistët dhe joartistët.
Dhe kësisoj artistët vazhdojnë të mbeten viktima të kësaj përvoje, sipas së cilës, që të bëhesh artist dhe intelektual i suksesshëm, duhet të kesh lidhje me pushtetin dhe mbështetjen e tij. Rama me lidhjen e shkurtër artist – politikan që ka bërë është shprehja më groteske e kësaj përvoje të hidhur pervertimi, si të artit, edhe të politikës. Për fat të keq, ilustrimi i kësaj përvoje vazhdon të mbetet edhe artisti i talentuar Anri Sala.
Në një kohë kur ne kishim dëshpërimisht nevojë për kritikën, jo vetëm të intelektualëve, gazetarëve, por edhe të artistëve, për të reaguar ndaj shëmtimit të peizazhit urban, shkatërrimit të trashëgimisë dhe zaptimit të hapësirave publike që filloi t’i bëjë kryeqytetit Rama pasi na i mori votat me sloganin “kthim në identitet”, Sala jo vetëm mori pjesë në aksionin e lyerjes së fasadave së bashku me një grup artistësh, por bëri edhe një dokumentar artistik mbi fasadat e lyera në të cilin promovohet ideja, e stisur në funksion të vetpromovimit jashtë shtetit, se ky operacion ishte një martesë fatlume e artit me politikën që u dha tiranasve optimizëm, i bëri ta duan më shumë qytetin dhe të paguajnë edhe taksa më shumë.
A thua artistët vërtet nuk e shihnin se çfarë ndodhte prapa fasadës, shkatërrimin e Tiranës historike dhe masakrimin e peizazhit urban të qytetit nga oligarkët që paguanin bojërat e tyre. Po tani, a nuk e pa Sala se vetëm disa ditë pas inaugurimit të Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe mbarimit të fushatë elektorale ku kryebashkiaku i zgjedhur Veliaj premtoi mosdhënien e asnjë lejeje ndërtimi, Rama paraqiti një projekt (si gjithmonë i organizuar me të huaj, por në shërbim të oligarkëve brenda) ndërtimesh moderne te hyrja e Parkut, që do t’u marrin qytetarëve edhe një pjesë të gjelbërimit dhe të hapësirës publike dhe që do të shkatërrojnë përfundimisht ansamblin arkitektonik rreth sheshit “Nënë Tereza”?
A u pa Sala apo ndonjë nga “artistët kritikë” që bashkëpunojnë në Qendrën për Hapje dhe Dialog të thonë një gjysmë fjale për këtë masakër të re urbane që na kërcënon? Ja pra ku na çon bashkëpunimi, për të mos thënë varësia e artit dhe artistëve nga pushteti. Në fakt, të flasësh për një qendër hapjeje dhe dialogu në shtëpinë e Ramës, është njëlloj sikur të flasësh për një festival kënge në një shtëpi shurdhmemecësh, sepse nëse ka ndonjë gjë që i mungon atij, është aftësia për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe kundër.
Kush e ka ndjekur aktivitetin e tij si politikan, nuk mund të mos vë re një gjuhë të impostuar mbi superioritetin, fyerjen, denigrimin dhe injorimin e tjetrit që mendon ndryshe. Ai ka vite që nuk del më në ndonjë debat duke preferuar rolin e të intervistuarit të vetëm, që nuk i përgjigjet seriozisht asnjë kritike për çfarëdo çështje që ngrihet, që nuk ka asnjë transparencë për vendimmarrjet e tij. Shikoni nivelin e atyre që ka si këshilltarë po ashtu. Së fundi, pamë se në Asamblenë e Partisë Socialiste u hodh propozimi më antidemokratik që mund të kishim dëgjuar ndonjëherë në këto njëzetepesë vite të ashtuquajtura demokraci: të gjithë do t’i nënshtroheshin zgjedhjeve, përveç kryetarit.
A mundet kush është intelektual e artist i vërtetë të qëndrojë indiferent ndaj këtyre sjelljeje të pushtetit e madje të bashkëpunojë me të? Prandaj ngulmoj se ideja e hapjes së një qendre dialogu dhe hapjeje për intelektualët dhe artistët mu në selinë e pushtetit, nën kurimin e Kryeministrit, instinktivisht, edhe pa e njohur Ramën dhe historinë që kemi me pushtetin, duhet të ishte refuzuar nga intelektualët dhe artistët e vërtetë. Sipas mendimit tim, edhe artistët e huaj të ekspozuar atje janë keqpërdorur, në mos korruptuar, nga Rama dhe Sala, sepse, në fakt, mjaftonte vetëm mënyra e paligjshme dhe arrogante me të cilën u hap kjo qendër që artistët e vërtetë të refuzonin të hynin atje.
Jo shumë kohë më parë, në Itali, bash në një vizitë të Merkelit, intelektualët italianë denoncuan përdorimin e artit të rinashimentos italiane nga Renzi për qëllimet e tij politike, vetëm pse vendosi në sfond të konferencën për shtyp me Merkelin një kopje të “Davidit” të Mikelanxhelos. Me këto nuk dua të them se pushteti politik nuk duhet të merret me kulturën, që kultura dhe arti të mbeten në dorë të privatëve që dihet se ç’kanë prodhuar, por se politikat demokratike kulturore, të investimeve pra publike në kulturë dhe art, duhet të jenë të tilla që t’i japin kulturës dhe artit hapësirat e autonomisë dhe lirisë, si pushtete të ndara siç duhet të jenë në një demokraci pushtete të ndara edhe ekzekutivi, legjislativi, gjyqë- sori, mediatiku, apo siç duhet të gëzojnë autonomi universitetet publike.
Si përfundim do të thosha se një vend si ky i yni, sa nga historia, aq edhe nga përvoja aktuale, ne kemi dëshpërimisht nevojë jo për shkrirje të pushtetarit me artistin, por për fuqizim të pushtetit të artit, qoftë në kuptimin që i jep atij Thomas Mann-i, si superim i politikës – apo, siç thotë Paveze, si “shpagimi ndaj padrejtësive të kësaj jete”, – qoftë në kuptimin e artit të angazhuar që bën politikat e veta për t’iu kundërvënë politikave të pushtetit.
Ne kemi dëshpërimisht nevojë për një grupim të të gjithë intelektualëve dhe artistëve të vërtetë në një lëvizje kundër arrogancës së një oligarkie injorante dhe kriminale, me në krye Kryeministrin e radhës, që po e çon vendin në një humnerë ekonomike dhe morale. Kjo nevojë urgjente më një anë dhe pafuqia për ta realizuar atë më anë tjetër, është një nga frustrimet më të mëdha të shoqërisë sonë në përgjithësi e të artistëve tanë në veçanti.
Komentet