Nga SKIFTER KËLLIÇI
Ishte fund janari dhe fillim shkurti i vitit 1979, kur në përbërje të Brigadës së Parë Sulmuese, unë isha një nga rezervistët që do të sfiliteshim ditë e net me radhë pyjeve e maleve të vendit, në dëborë e në dimrin e ashpër që nga Tirana, në Dajt, Bizë e deri në Fushë-Studën kufitare me Maqedoninë…
Në atë marshim absurd, humbën jetën 4 vetë e dhjetëra të tjerë u plagosën… Ndërsa përballja me Mehmet Shehun, pas shkatërrimit të Brigadës së Parë në këtë marshim, mua e 1500 rezervistëve në atë takim, na ka lënë një shije të hidhur që dekadat nuk mund ta zbehin….
LAJMËRIMI
Ishte 14 janari i vitit 1979, kur në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku punoja si redaktor gjuhësor, mua dhe disa shokëve të tjerë, na erdhi papritur njoftimi nga Dega Ushtarake e Tiranës se duhej të paraqiteshim pas tri ditësh në Repartin 1105, komanda e të cilit ndodhej diku pranë Fabrikës së Qelqit në Tiranë. Të them të drejtën, meqë nuk kisha mbushur ende një vit që kisha nisur të punoja në këtë institucion, ishte hera e parë që më vinte një lajmërim i tillë. Dhe duhet thënë se nuk e prita me dëshirë, sido që e dija se në ditët e zborit, në më të shumtën e rasteve bëhej gallatë.
Ndaj atë ditë, sipas njoftimit të ardhur nga Dega Ushtarake, bashkë me shokë të tjerë, u ndodha që me mëngjes në zyrat e shtabit. Nuk bënte ftohtë dhe po rrëfenim qyfyre, derisa një ndër ushtarakët e komandës, që nuk dinim se ç’detyrë kishte, se gradat në ushtri ishin hequr me vakt e me kohë sipas shembullit të ushtrisë kinezë, na mblodhi dhe na dha ‘lajmin e gëzuar’ se ne do të kishim nderin që, duke vazhduar traditat e Brigadës së Parë, do të bënim një marshim të gjatë dhe të vështirë, nga Tirana deri në Fushë-Studën kufitare. Ndërsa ai fliste unë, vëllai im, Luani, e plot shokë përreth, vrisnim mendjen se si do t’ia dilnim mbanë këtij marshimi që e merrnim me mend se do të ishte i vështirë e sfilitës
ANKTHI
Vëllai im vuante herë pas herë nga kriza stomaku, sidomos po të ftohej, por, kur guxoi të hapte gojën, ushtaraku ia preu fjalën rreptas dhe me kaq ne u kthyem nëpër shtëpitë tona. Të themi të drejtën ishim tepër të shqetësuar për atë që na priste. Aq është e vërtetë, sa një ushtarak i lartë, mik i familjes sonë, u habit kur mori vesh që në këtë marshim do të merrja pjesë unë e vëllai dhe bashkë me ne, plot e plot rezervistë që ishim rreth tek të dyzetat.
Madje kishte nga ata që ishin edhe më të moçëm, kur partizanët e kësaj brigade si dhe të tërë partizanët që kishin marrë pjesë në njësitet partizane, ishin përgjithësisht nga 17 deri 30 vjeç dhe shumë rrallë edhe më të mëdhenj me moshë. Ky ushtarak, miku jonë, bisedoi me ata të Degës Ushtarake që, meqenëse nga një familje ishim dy vetë në listën e pjesëtarëve të këtij marshimi, të paktën të mbetej vetëm njeri. Dhe, ndonëse kishte atje një mik të fortë, nuk ia doli mbanë, sepse porosia e kryeministrit Mehmet Shehu ishte që të mos bëhej asnjë lëshim, sikur të ishim në kushte lufte…
PROLOG
Më 24 janar u ndodhëm përsëri në repartin 1105, por këtë radhë për të marrë rrobat ushtarake. Secili kishte një palë këpucë të reja, kapotë të përdorur, ashtu si edhe pantallonat, gjimnastorka, pra, një farë xhakete, benevrekët, çuditërisht prej doku, kur të tëra ato duhej të ishin të leshta. Pa pelerina e pa kokore, për doreza as që bëhej fjalë, do të degdiseshim drejt maleve, me rreth 2000 metra lartësi. Po kujt t’i qaheshim, kur kryeministri nuk donte t’ia dinte për asgjë, veç faktit që ne do të ndërmerrnim këtë marshim për të kënaqur trillet e tij? Sidoqoftë, një shok yni, ushtarak, se ku gjeti nja dy pelerina e dy kokore e kështu ne të dy vëllezërit, ishim ku e ku më të përgatitur se marshuesit e tjerë, që po shkonin në këtë aventurë… Tri ditë para të cilit nuk vura brisk në faqe.
E HËNË, 29 JANAR 1979
Dita e parë e marshimit, nisi dhe shthurja! Kështu, pra, me një mjekër ta parruar, që kurrë nuk më kishte ndodhur në jetën time, e cila do të rritej edhe më shumë gjatë ditëve të ankthshme, ngjarjet e të cilave do t’i rendis më poshtë, unë dhe im vëlla në orën 7.00, sipas lajmërimit nga Dega Ushtarake, u ndodhëm këtë radhë në një nga pikat e hapjes, së repartit 1105, ku ndodheshin dhe depot. Pas rrobave ushtarake, të cilat tashmë i kishim veshur, do të pajiseshim edhe me pushkë,(oficerët me pistoletë), e me pajime te tjera. Me vete kishim marrë ushqime për dy ditë, se, sipas rregullores ushtarake në të tilla stërvitje, hynim në forcë ditën e tretë.
Merret me mend se nënat, gratë e motrat e marshuesve kishin përgatitur, me gjithë kushtet e vështira, sa më shumë ushqime. Dhe kishin të drejtë. Po harronin se, sa do të domosdoshme, ato ushqime do të rëndonin në shpatullat tona gjatë marshimit që do të fillonte pas disa orësh. Sipas mundësive, secili ishte përpjekur që të vishej sa më trashë, edhe kjo një masë e domosdoshme, në kushtet e dimrit. Po t’u shtonim atyre edhe pushkët, lopatat xheniere, e mbi të gjitha, helmetat, kuptohet se çfarë peshe rëndonte mbi supet tona. Po, për fat, nga lart erdhi urdhri që helmetat t’i kthenim mbrapsht. Një e mirë kjo në të keqen e madhe.
NISJA PER MARSHIM
Nisja ishte parashikuar në orën 11.00 të mesditës, por, siç ndodh në të tilla raste, ajo u shty rreth orës tre pasdite. Nga pika jonë e hapjes morën me hov përpara dy kompani… Ne nuk dinim se sa ishte numri i pjesëmarrësve në këtë marshim, ku bënin pjesë rezervistë nga institutet e projektimit, të shtëpive botuese, të RTVSH-së, Uzinës “Enver”, Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, të Ndërmarrjes “Misto Mame”, etj., sepse çuditërisht, ndonëse atij iu dha shumë pompozitet, forcat pjesëmarrëse as nuk u rreshtuan të tëra, as nuk u përshëndetën para nisjes nga askush.
Mbi të gjitha, askush nga oficerët nuk na tregoi as atë ditë, as edhe më parë, se cili ishte qëllimi i këtij marshimi, si do të zhvillohej ai, nga do të kalohej, ç’detyra do të kishim sipas njësive të brigadës, cili ishte itinerari i marshimit, ku do të ndaleshim, ku do të flinim… Ne dinim vetëm se nga Tirana do të kalonim në Bizë e që andej në Fushë-Studën, emër që e dëgjonim për herë të parë. Ne po niseshim, pra, kuturu, të dalë ku të dalë! Dhe me këtë moto u zhvillua ky marshim i turpshëm që do të kishte pasoja tragjike.
RRUGËTIMI
Megjithatë, gjithçka filloi me gaz. Pasi kaluam kodrat pas Uzinës “Enver”, arritëm te kodrat e Liqenit të Tiranës, që andej, nga rruga e Elbasanit, u futëm përmes disa rrugicash, te lagjja “Ali Demi” dhe arritëm kështu tek tunelet e repartit instrumental të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”, ku do të bëhej një pushim i shkurtër. Deri këtu gjithçka shkoi në përgjithësi mirë, ndonëse, ngaqë disa ditë më parë kishte rënë shi, fushëtira kudo ishte njomur e nga hapat tanë, shndërrohej në baltë.
Që aty, meqë koha qe e butë, të veshur trashë, siç ishim, nisëm të djersinim e të kishim etje… Aty mora vesh se në këtë marshim numri i pjesëmarrësve ishte rreth 1500 vetë… Dhe e tërë kjo masë e stërmadhe njerëzish nën rrobën ushtarake, nisi tani rrugëtimin nga kodrat e Shkozës, një fshat i vogël, drejt malit të Dajtit. Ndërkohë, kishte rënë mbrëmja. Duke kaluar nëpërmjet monopatesh, dolëm në rrugën automobilistike. Oficerë të repartit që na shoqëronin, na rrinin pranë që marshimi të bëhej me rregull. Mirëpo nëpër terr, kur dëgjoheshin trokëllimat e thata të këpucëve tona të rënda, dalëngadalë nisi pështjellimi. Togat, kompanitë zunë të bëheshin lëmsh me njëra-tjetrën… Oficerët e repartit sikur na u zhdukën nga sytë… Oficerët rezervistë nuk arrinin të frenonin forcat që dyndnin përpara, duke lenë të zhytur në gjysmë-errësirë Tiranën e prushitur nga dritëzat që flakërinin në sytë tanë.
NATË E VËSHTIRË
Në të kthyer të rrugës së asfaltuar, që të shpie prapa Dajtit, para syve tanë, tashmë nën dritën e hënës që u shfaq befas në qiell, u shpalos pamja e prapme e këtij mali. Një pamje e frikshme krejt e kundërt me pamjen e Dajtit nga kryeqyteti, kur ky mal të shëmbëllen me një gamile të shtrirë, (mali me kurrizin e tij) dhe maja, si koka e kësaj gamileje. Kurse ne as që na lejohej jo më të shtriheshim, por as të qëndronim.
Vazhduam kështu deri sa arritëm në afërsi të Qafë Mollës, fshatit të parë pas Dajtit, kur kishte kaluar mesnata. Unë me shokë të batalionit të tretë, ishim shkëputur nga kompanitë e tjera. Ishim të kapitur e të qullur djersë, sepse çuditërisht, ndonëse ndodheshim mbi 1000 metra mbi nivelin e Tiranës, ende nuk bënte ftohtë. Befas nëpër terr sytë na pikasën një shtëpi të vetmuar anës rrugës automobilistike, thuajse e rrënuar dhe e pabanuar.
Bashkë me vëllanë tim e shokë të tjerë u futëm brenda. Dritaret e dhomave nuk kishin xhama, por ne aq na bënte. Pas më shumë se 10 orësh marshimi, kur nuk kishim pasur veçse dy pushime,(mbase ishte dhënë urdhër edhe për pushime te tjera, po kush e mori vesh në atë zallamahi që përfshiu marshimin), ne u shtrimë si mundëm, që të paktën të bënim një sy gjumë. E dinim ndërkohë që shokët e batalionit tonë, që ishte i treti, ishin diku vërdallë dhe se edhe ata po pushonin. Megjithatë, gjumi nuk na zuri. Ç’është e vërteta edhe kishim një çikë frikë. Ç’do të na thoshin komandantët kur të merrnim vesh se ishim shkëputur nga trupat?
E MARTË, 30 JANAR 1979
Mëngjes. Ne nuk mundëm të flinim edhe për një arsye tjetër. Pas mesnate, të shtrirë ashtu siç ishim, nisëm të ndienim të ftohtë, që sa vinte shtohej. Ndaj, pa aguar mirë, u ngritëm dhe bëmë drejt rrugës për t’u bashkuar me shokët me të cilët kishim humbur lidhjet. Dhe bëmë mirë, se ndërkohë disa oficerë po na kërkonin nga të mundnin dhe po të na kishin pikasur, të shtrirë sa gjerë e gjatë në shtëpinë e braktisur, mund të na gjente belaja me ta. Por, nuk ishim vetëm ne që “ishim shkëputur nga grigja”.
Në përgjithësi, tërë rezervistët e batalionit të tretë ishin shpërndarë si të mundnin. U mblodhëm të tërë dhe një oficer madhor na qortoi rëndë. Madje ai e cilësoi batalionin tonë, “batalioni i zi”, i cili po njolloste traditat e mira të Brigadës së Parë. Dhe të themi atë që është për të thënë, ai kishte të drejtë. Ne, sado pa përvojë, në këtë pikë e kishim shkelur. Thuajse që të gjithë. Ndaj heshtëm. Bile, disa nga ne premtuan se këto nuk do të përsëriteshin. Por nuk ndodhi kështu. Shthurja do të vazhdonte edhe më shumë gjatë marshimit. Por këtë radhë jo më për fajin tonë.
NGJITJA DREJT BIZËS
Mëngjesi i saj dite qe mjaft i bukur. Lamë pas Qafë Mollën, një fshat me shtëpi të veçuara dhe morëm drejt lindjes. Sipas itinerarit kaluam rrugën automobilistike dhe iu qepëm një kodre të thiktë, e cila më pas do të na nxirrte përsëri në rrugë. Siç duket, për të kursyer kohë. Por qe një ngjitje tepër sfilitëse, se kishim mbi shpatulla çantën e shpinës me ushqime, pushkët e pajimet ushtarake e mbi të gjitha, nuk ishim fare të përgatitur fizikisht për një aksion të tillë.
E të mendosh se ende nuk kishim arritur në zonën e dëborës, ku marshimi do të ishte ku e ku edhe më i vështirë. Duke marshuar pastaj përsëri përgjatë rrugës automobilistike, lamë pas Malin me Gropa. Diku nga e majta ishte Fekeni, një tjetër fshat, ku ishte vendosur një repart i vogël ushtarak e pastaj niste një fushëtirë e blertë. Marshuesit përsëri nisën të hallakaten e të ndaheshim nga njeri-tjetri. Kur kërkonim që pushimi të zgjatej ca më shumë, oficerët nuk na linin.
PRAGMBRËMJE E VËSHTIRË
Dhe ja, kur mesdita ishte thyer, nisi të shfaqej edhe dëbora. Shtresa e saj, ende e hollë, i ngjante një pëlhure të stërmadhe dhe të shqyer mbi kurrizin e copëzuar malor. Të vinte keq kur shihje atë dëborë të brishtë që dukej se do të tretej nën rrezet e diellit. Por ne ende nuk e dinim se sa mizore dhe e pabesë do të na shfaqej ajo disa kilometra më pas, kur po arrinim në zonën e Malësisë së Martaneshit, siç thashë më sipër, rreth 2000 metra mbi nivelin e detit.
E kjo do të bëhej edhe më kërcënuese, kur hijet e para mbrëmësore do të ndereshin mbi shpate e maleve e doemos, edhe mbi ne që vazhdonim këtë marshim. Atëherë kur nuk ishin bërë veçse disa kilometra rrugë, këmbët tona nisën të shkelnin mbi dëborë. Ndërkohë qielli po terratisej nga re të dendura, duke paralajmëruar keqësimin e motit dhe temperatura po ulej. Veç kësaj, nga malet zuri të frynte një erë cingëruese që na mavijoste fytyrat. Për më tepër, ca nga makinat që kishin kaluar gjatë ditës, ca dhe nga këmbët tona që shkelnin mbi dëborë, rruga filloi të bëhej e dystë, e lëmuar dhe mbi të gjitha, e rrëshqitshme, si të ishte pistë patinazhi. Dhe befas, u dëgjua një klithmë. Morëm vesh se ishte rrëzuar një zboristi dhe kishte thyer një krah.
Atëherë vazhduam marshimin duke lidhur krahët e njeri-tjetrit, që kështu të mos rrëzoheshim. Megjihatë, më pas një tjetër zborist ra nga një urë e vogël në një përrua dhe për fat të mirë dëmtoi vetëm supin. Më së fundi, kur kishte rënë mbrëmja arritëm në Martanesh. Përmes territ të dendur mezi shquanim disa shtëpi të kredhura në heshtje…Mbase ata që banonin kishin rënë të flinin ose nuk dëgjonin zërat tanë. Nuk dinim si do ta kalonim atë natë të gjatë ftohëse. Më pas mësuam se sipas udhëzimeve të eprorëve tanë, ne duhej të ndiznim zjarre partizane dhe kështu të pritnim mëngjesin e së nesërmes. Drurët do të na I sillnin me makina ushtarake.
Por ne nuk pamë asnjë makinë të na sillte dru. Kështu disa zboristë që kishin marrë me vete copa të mëdha plastmase të rrasura në çantat e shpinës, ashtu siç ishin të dërmuar nga lodhja, u shtrinë në dëborë dhe u mbuluan me to. Por, pa kaluar disa minuta, një nga komandantët iu kanos me zë të lartë: “Shpejt më këmbë…A nuk e kuptoni se në gjumë do të ngrini dhe do të vdisni!”. Dhe ata ashtu bënë. Vrisnim mendjen se si do ta kalonim atë natë polare. Dikush më tha se ca më tutje ishte një tunel I vogël. Unë im vëlla, Luani dhe dy shokë të tjerë, u sulëm andej nga ky tunel shpresëdhënës. Sapo u futëm brenda tij, na rrahu fytyrat një ajër disi I ngrohtë dhe na u duk se gjetëm shpëtim. Shpresë e kotë, se kur u shtrimë, ndjeva se si në shpina po më ftohej. Vura dorën poshtë dhe gishtat më prekën një rrëke uji që rridhte ngadalë nëpër atë tunel. Kështu që nuk mundëm të flinim.
U përpoqëm të ndiznim në zjarr, por ishte e pamundur, se pse na duhej një sëpatë që të copëtonim një trung të madh mbetur kushedi se si brenda tunelit, kur im vëlla kishte vetëm një brisk të vogël. Në atë gjendje shumë të rëndë, kur i ftohti po shtohej, pritëm të zbardhte dita agimin. Na u duk se pritëm një ditë të tërë. Atëherë dolëm nga tuneli dhe pamë se pranë një ngrehine ishte ndezur një zjarr i madh. U afruam rreth tij si të tjerë dhe ndjemë të nxehtit të na përplasej në faqet tona të rreshkura. Aty morëm vesh se komanda kishte dhënë urdhër që zboristët ta kolonin natën në sallën e kinemasë së Martaneshit. Ata kishim kaluar natën të ulur në karriget e kinemasë ose të shtrirë në dyshemenë e ftohtë prej çimentoje të saj. Por të paktën brenda katër mureve, mbuluar me tavan ,kurse për ne dhe të tjerë që ishin hallakatur diku për të gjetur si ne ndonjë vend sa për të mbuluar kokën, komandantët tanë ,as që e kishin bërë qejfin qeder
Atëherë pasi kishim ngrënë për dy ditë ushqimet tona, ata të komandës, na dhanë bukë që thuajse kishte ngrirë, djathë kaçkavall dhe nga dy kutia me sardele për çdo njërin nga ne. Ndërkohë, qielli ishte mbuluar me re të murrme, që edhe ato dukeshin si të ngrira, si ne duke na krijuar një gjendje të trazuar shpirtërore, si të parandienim se më të keqen kishim përpara.. Kudo rreth e qark na rrethonte dëbora…Nisëm kështu marshimin, sërishmi marshim nëpër rrugën me dëborë, ku rridhnin rrëke ujërash gurgulluese, për të arritur në Fushë Studion. \
Çuditërisht, në vend të urisë kisha etje. Pija herë pas here ujë nga këto rrëke dhe më dukej se lehtësohesha. Tutje rrugës shtriheshin pyje pishash që dukeshin të vetmuara me dege ku rëndonte dëbora. Ato më shëmbëllenin si balerina të ngrira dhe majat e tyre si kokëza që sikur i luteshin qiellit t’u shkrinte dëborën nga krahët… Kur pushonim bashke me vëllanë nga i cili nuk ndahesha, ndjenim që tabanët e këmbëve na dhembnin. Kjo për fajin tonë, sepse nuk i kishim lidhur mirë pecet në këmbë, ashtu siç na kishin porositur oficerët. Vëllai im, që vuante nga stomaku nisi të villte dh mezi mbahej më këmbë. Normalisht, ai nuk duhej të ecte por ne deri atëherë dhe më vonë nuk pamë ndonjë ambulancë që të vihej në shërbim të zboristëve që mund të sëmureshin. Kështu duke e mbajtur nga krahët, unë nga një anë dhe një shok nga ana tjetër, bëmë përpara. Anës rrugës nisëm të shihnin kodrina hirplote që në muzgun që po na mbulonte na shëmbëllenin si shtëpiza dhe na lindte dëshira që të futeshim shpejt në to për t’u ngrohur…
Por, ato nuk ishin veçse mirazhe, si në tregime të Xhek Londonit. Në horizont si yll polar pamë të ndriste një llambë elektrike. Aty duhej të arrinim . Porsa po i afroheshim saj llambe, ajo sërishmi na largohej. Ishin iluzione optike.. Kaluam kështu disa orë tashmë nëpër terr dhe arritëm aty ku shndriste kjo llambë, varur mbi hyrjen e një tuneli me diametër më të lartë se shtati i një njeriu, kishim arritur kështu më së fundi në Fushë-Studën. Nga tuneli thuajse i zhytur në errësirë spërndritnin cigare të ndezura dhe dëgjoheshin zërat e tyre të zvargur. Në atë mjedis të akulluar duhej të kalonim dhe një natë tjetër. Befas nëpër errësirë nisa të shquaj siluetën e një shtëpie alpine, me çati të pjerrët ku zakonisht banojnë rojtaret e pyjeve. Mora vesh se në dhomat e saj ishin vendosur vajza zboriste dhe sipër ndihmësmjeke. Takova një nga mjekët dhe i thashë gati me lutje përgjëruese nëse mund të kaloja natën bashkë me vëllanë tim të sëmurë që mezi mbahej më këmbë në dhomën me ndihmës mjekë. Rastisi të ishte tifoz futbolli dhe më njohu si komentator dhe pranoi.
Vizitoi me këtë rast dhe vëllanë që pas të vjellave ndjehej më mirë. Pas pak u ndodhëm në një dhomë të madhe në mes të së cilës ngrihej një fuçi e mbushur dinga plot me prush. Ndjemë se po na shkriheshin gjymtyrët e ngurtësuar. Gjeja e parë që bëmë ishte të hiqnim pecet nga këmbët të hanim pecet e qullosura nga ujët dhe dëbora që kishin depërtuar nga këpucët. Pastaj, vumë çantat e shpinës si nënkresë palltot ushtarake si mbulesë dhe bëmë gjumë si rrallë herë në jetën tonë. U zgjuam në mëngjes dhe pamë një diell të ndritshëm, që më kujtoi vargjet e eposit të kreshnikëve, “Fort po shndrit ai diell, por pak po nxen”. Por, sidoqoftë ndjeheshim të përtërirë. Kurse shokët tanë kishin kaluar një natë të llahtarshme në tunel pa mundur të mbyllnin sytë. Morëm vesh se në Fushë Studion do ta kalonim ditën dhe natën dhe të nesërmen me një mësymje, për të cilin ata të komandës nuk na kishin sqaruar, do të mbyllnim marshimin. Po si do ta ngrysnim natën, kur toka ishte mbuluar me një shtresë dëbore rreth një metër Me lopatat që ishim pajisur nisëm të gërmonim dëborën derisa hasëm në tokë.
Krijuam një sipërfaqe katrore në tokë dhe mure prej dëbore që të na mbronte nga erërat që mund të frynin gjatë natës, si të na kishin armiq. Ndezëm një zjarr të madh me degë pemësh që kishte përreth dhe aty kaluam atë natë gjatë duke vështruar herë pas here qiellin ku llamburitnin yjet që na dukeshin se na vështronin me përgjërim, sikur të na qanin hallin për mynxyrën që na kishte goditur. Mu kujtua romani “Edhe yjet rrinë e vështrojnë” i Kronint, që e kisha lexuar dikur netëve pranë sobës së ngrohtë. Askush nga ne nuk vuri gjumë në sy. Dhe ishte nata e katërt. Në mëngjes panë se këpucët që i kishim hequr për të ngrohur këmbët në zjarr, kishin ngrirë dhe nuk i mbathnim dot. Për të qeshur dhe për të qarë. I vumë pranë zjarrit që po shuhej, i mbathëm dhe dolëm nga “streha” ku kishim kaluar tërë natën. Asnjë nga komandantët tanë nuk pamë të na afrohej dhe të na pyesnim si po ndjeheshim.
MËSYMJA..
Po çfarë mësymje dhe kundër kujt? Pyeta një oficer që e njihja, po ai ngriti supat…Që të mos zgjatem, aty nga mesdita na urdhëruan të viheshim në vijë të drejtë në fushën e gjerë, me sa mbaj mend dëgjuam një krismë pistolete dhe u sulëm teposhtë… Vazhduam kështu arritëm në një fushë të sheshtë. Aty na urdhëruan të pushonim dhe pastaj të ngjiteshim sërishmi për të arritur aty ku ishim nisur. Ashtu bëmë…ndonëse ngjitja ishte shumë e vështirë. U ndodhëm kështu në Fushë-Studën. Atëherë, morëm vesh se marshimi kishte përfunduar me këtë sulm i magjinar.