Marshimi i Grave u rikthye të shtunën në Uashington dhe qytete të tjera në të gjithë Shtetet e Bashkuara me qëllimin për të inkurajuar amerikanët që të votojnë për largimin e Presidentit Donald Trump dhe të protestojnë ndaj emërimit në Gjykatën Supreme të gjykatëses konservatore Amy Coney Barrett pas vdekjes së gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg.
Një kundër-protestë e organizuar nga një grup konservator i grave po zhvillohet gjithashtu të shtunën para Gjykatës së Lartë. Forumi i Pavarur i Grave planifikon një tubim “Unë jam me të”, në mbështetje të konfirmimit të zonjës Barrett.
“Nuk është vetëm sa për të thënë që ne do të ndalojmë Trump-in”, tha drejtorja ekzekutive e Marshimitt të Grave, Rachel O’Leary, në fillim të tubimit në Uashington. “Është më shumë për të thënë se do të duhet të përmbushim premtimin e këtij vendi për të gjithë ne. Dhe i takon secilit prej nesh të inaugurojmë veten, për ta bërë atë të ardhme realitet. Lejojeni!”.
Sipas një autorizimi të lëshuar nga Shërbimi Kombëtar i Parqeve, organizatorët prisnin që midis 6’000 dhe 10’000 njerëz të mblidheshin në Freedom Plaza në Uashington për një tubim të mesditës, pasuar nga një marshim në Gjykatën Supreme dhe duke përfunduar me një teleton (një “maratonë” mesazhesh telefonike). Organizatorët e marshimit thonë se qëllimi është dërgimi i 5 milionë mesazheve që inkurajojnë njerëzit të votojnë në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.
Organizatorët e Marshimit të Grave thanë se ata po inkurajojnë veshjen e maskave dhe distancimin fizik për shkak të pandemisë. Ata gjithashtu thonë se po dekurajojnë pjesëmarrjen nga njerëzit që jetojnë në vatrat e nxehta të koronavirusit dhe po u kërkojnë njerëzve në të gjithë vendin që të bashkohen në marshimet lokale, në vend që të udhëtojnë në distanca të gjata.
Qindra tubime dhe ngjarje të ngjashme po ndodhin të shtunën në të gjithë vendin, me disa që zhvillohen virtualisht ose nëpërmjet karvanit të makinave për shkak të pandemisë. Një marshim po mbahet gjithashtu në Universitetin Cornell, ku gjykatësja Ginsburg ndoqi kolegjin.
Marshimi vjen ndërsa republikanët në Senat planifikojnë të fillojnë votimin javën e ardhshme për konfirmimin e zonjës Barrett, e cila, nëse konfirmohet, do t’i jepte gjykatës një shumicë konservatore 6 me 3. Demokratët kanë shprehur shqetësimin se gjykatësja Barrett mund të votojë për të përmbysur vendimin në çështjen Roe v. Wade, një vendim i rëndësishëm që mbështet të drejtën e gruas për abort.
Marshimi i parë i grave u mbajt në vitin 2017, kur miliona njerëz u mblodhën për të protestuar për inaugurimin e Presidentit Trump. Marshimet e mëvonshme janë përqendruar në zgjedhjen e më shumë grave në poste lokale, shtetërore dhe kombëtare. zëri i amerikës
Komentet