Mijëra qytetarë të Kosovës sot morën pjesë në marshin protestues, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE, Astrit Dehari
PRISHTINË – Mijëra qytetarë të Kosovës sot morën pjesë në marshin protestues, duke kërkuar drejtësi për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Përkundër motit me shi, qytetarë dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje sot morën pjesë në marshin protestues i cili filloi nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë dhe vazhdoi deri tek Teatri Kombëtar.
Me arritjen përpara Teatrit Kombëtar, pjesëmarrësit bënë homazhe nderi përpara arkivolit të të ndjerit, Astrit Dehari, i cili ishte i mbështjellur me flamurin kombëtar shqiptar, kuq e zi. Në homazhe morën pjesë edhe kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe deputetët nga radhët e VV-së.
Ndërkaq me këtë rast, sot në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës u mbajt edhe një mbledhje komemorative. Gjatë kësaj mbledhjeje lideri i VV-së, Visar Ymeri foli për kontributin e të ndjerit Dehari për Vetëvendosjen dhe kërkoi drejtësi për vdekjen e tij, duke shprehur se ky regjim është përgjegjësi kryesor i vdekjes së tij.
Kurse, Avni Dehari, babai i të ndjerit Astrit Dehari në mbledhjen komemorative falënderoi të gjithë ata që kanë ardhur dhe shprehu se ndodhet aty në emër të djalit të tij dhe në emër të gjithë familjes. Ai gjithashtu shprehu bindjen se ëndrra e djalit të tij, Astritit për “Vetëvendosje” do të bëhet realitet.
Astrit Dehari, aktivisti i Vetëvendosjes ishte arrestuar pas sulmit ndaj Parlamentit të Kosovës dhe ndodhej në paraburgim për 68 ditë në burgun e Prizrenit. Ai ndërroi jetë ditën e shtunë, në rrethana ende të paqarta.
Ndërkaq, dje përfundoi ekspertiza e trupit të Deharit, ku sipas informacioneve të para të dalë nga autopsia, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore së Prizrenit, Sylë Hoxha bëri të ditur se vdekja e Deharit ka ndodhur si pasojë e mungesës së frymëmarrjes.
Varrimi i Deharit u bë sot në fshatin Zlatarr të Prishtinës. AA
Komentet