Moti ishte shumë i bukur, me një dritë të kristaltë gjithë xixëllima, por bënte ende ftohtë dhe, frynte një erë që i trazonte degët përplot lule erëlehta të kumbullave dhe bajameve, të cilat kishin guxuar sakaq të nusëronin në sfondin ende dimëror të drurëve të tjerë në kopsht…
Epo,ku parashikohet dot marsi trillan ? Nga temperaturat e ulëta si të shkurtit, mund t’ia behnin befasisht mëngjeset frymëngrohtë ; po po…
Por ja, njëherësh me bajamet dhe kumbullat, kanë çelur edhe zymbylat e manushaqtë, siç ka nisur të buisë edhe bari, blerimi i rrafshtë i të cilit ma ndërmend pranverën më tepër se çdo gjë tjetër.
Ah, ç’mars i ftohtë,
Por, edhe sa i bukur !
Po gushëkuqi, rregjenti besnik i bilbilit, që duket gjithmonë si i gjakosur, a e ka lënë kopshtin tashmë, në mesin e marsit ?
Sepse lypset t’i lërë vendin bilbilit, këngëtarit virtuoz, ah, edhe melankolik !
Dale…
Oh, gushëkuqi ende këndon ndër degë !
E si të largohet ai, përderisa bilbili i brishtë ende s’e ka filluar shtegtimin sfilitës për shkak të të ftohtit që të drithëron !
Ta lërë kopshtin pa këngë e, kësisoj ta mërzisë bilbilin, i cili edhe ai nga ana e tij, e pret kthimin e gushëkuqit në ditët e praruara të tetorit, kur ndërrojnë vendet për së dyti ?
I mrekulluar prej sjelljes fine të këtyre dy zogjve të vegjël me talent hyjnor, ndala mes kopshtit dhe, thashë :
O Zot, sa mirë që
Mund të flasim ende
Sot e kësaj dite për
Zogjtë këngëtarë që shtegtojnë
Nga njëri kontinent
Në tjetrin, edhe tashmë
Që bota kërcënohet fatalisht
Nga luftërat shfarosëse
Bërthamore …
2022
Komentet