Tensionet në Ballkan janë rritur sërish teksa forcat serbe të sigurisë akuzohen se kanë rrëmbyer tre oficerë të policisë së Kosovës brenda territorit kosovar. Kryeministri Albin Kurti e quajti hyrjen e forcave serbe në territorin e Kosovës agresion që synon destabilizimin. Pengmarrja pason arrestimin e tre serbëve që akuzohen me pjesëmarrje në përplasjet e dhunshme me paqeruajtësit e NATO-s në Kosovën veriore në maj. Një nga të dyshuarit është filmuar teksa sulmon e rreh të rinj shqiptarë në Mitrovicën veriore dhjetorin e kaluar.
Pengmarrja ndodhi teksa Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po mbante fjalën e saj në Parlamentin Evropian dhe iu bëri të ditur gazetarëve se Prishtina është thuajse gati me një propozim për çtensionimin e situatës në veri. Ndërkaq, presidenti serb Aleksandar Vuçiç festonte Ditën e Rusisë në ambasadën ruse në Beograd, duke theksuar lidhjet e forta të vendit të tij me Moskën pavarësisht luftën e saj kundër Ukrainës.
Në javët e fundit, Vuçiç ia ka dalë të shkaktojë mosmarrëveshje midis Kosovës dhe përkrahësve të saj perëndimorë, duke fortifikuar pozitën qendrore të vendit të tij në politikën e Perëndimit për Ballkanin, si dhe të shkaktojë një konflikt ndërshqiptar midis Prishtinës e Tiranës, gjithçka me qëllimin e shmangies që sfidave të brendshme për pushtetin e tij.
Pas dy rasteve të të shtënave masive, një valë protestash kundër dhunës me armë filloi në Beograd më 3 maj, duke kërcënuar me përmbysjen e qeverisë. Protesta e gjashtë që nga fillimi i majit u zhvillua në qendër të Beogradit më 9 qershor, me opozitën që kërkonte ndjekjen penale të zyrtarëve të qeverisë, përfshirë Vuçiç dhe kryeministren Ana Brnabiç.
Vuçiç, i cili nuk arriti të shtypte lëvizjen e protestës me anti-mitingje, kishte nevojë për një shpërqendrim të jashtëm. Dhe e gjeti menjëherë në veri të Kosovës. Kur Prishtina vendosi të lejojë tre kryebashkiakë të sapozgjedhur shqiptarë dhe një boshnjak që të hynin në zyrat e tyre komunale në veri të Kosovës, grupe të organizuara serbe, të mbështetura nga Beogradi, shkaktuan dhunë kundër policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të NATO-s atje. Si pasojë e përleshjeve, më 29 maj u plagosën 30 trupa paqeruajtës. Raportohet edhe për 52 civilë të plagosur.
15 mijë serbët që jetojnë pranë kufirit me Serbinë refuzojnë ta pranojnë Kosovën si shtet i pavarur dhe bojkotuan zgjedhjet bashkiake të organizuara nga Prishtina në prill. Si rezultat, fituan kandidatët shqiptarë e boshnjakë, me një pjesëmarrje shumë të ulët në votime. Vuçiç i uroi serbët e Kosovës për “mosbindje paqësore politike dhe për refuzimin e zgjidhjeve të imponuara”. Megjithatë, Departamenti i Shtetit i SHBA i njohu zgjedhjet si në përputhje me kërkesat ligjore e kushtetuese të Kosovës, duke shprehur edhe keqardhjen që jo të gjitha palët e shfrytëzuan të drejtën demokratike për pjesëmarrje.
Megjithatë, më 18 maj, një deklaratë e përbashkët nga vendet e Pesëshes – SHBA, Francë, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe – deklaroi se “si pasojë e bojkotit nga një pjesë domethënëse e komunitetit serb, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjata për këto bashki”. Deklarata efektivisht ua ndaloi kryetarëve të rinj marrjen e detyrës, duke rënë kështu pré e lojërave politike të Beogradit.
Dështimi i Prishtinës për t’iu bindur këtyre kërkesave u dënua përfundimisht nga Perëndimi si një mëkat më i madh se shpërthimi i dhunës që plagosi ushtarët e NATO-s. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Prishtinës do të kenë pasoja në marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Kosovë. Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se Washingtoni do të zbatojë sanksione kundër Kosovës pas trazirave – i pari ishte anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2023” të udhëhequr nga SHBA.
Çuditërisht, ambasadori Hovenier pohoi edhe se SHBA “do të ndërpresë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohjen nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizatat ndërkombëtare”. Nëse kjo ndodh, padyshim që përfiton jo vetëm Beogradi, por edhe përpjekjet përçarëse të Moskës në Ballkan.
Qeveria e Kosovës po përballet me sfidën për të vendosur nëse do të pranojë kërkesat e Washingtonit dhe Brukselit për çtensionim të situatës duke mbajtur zgjedhje të reja lokale dhe tërhequr forcat speciale të policisë nga zona. Më 2 qershor, Osmani dhe Kurti deklaruan se janë të hapur për thirrjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komuna veriore me shumicë serbe – në përputhje me kërkesat e zyrtarëve perëndimorë.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha në Pragë se duhet të plotësohen disa kushte para se Prishtina të mund të marrë në konsideratë zgjedhjet e reja: e para është dhënia fund dhunës dhe, e dyta, “angazhimi nga Serbia se nuk do të kërcënojë më me bojkot të zgjedhjeve nga ana e qytetarëve serbë në Kosovë”.
Pika ku kanë ngecur diskutimet është themelimi i një Asociacioni autonom të Komunave Serbe në Kosovë me kompetenca gjithëpërfshirëse vetëqeverisëse, përfshirë marrjen e fondeve për zhvillim nga Beogradi. Edhe pse u ra dakord më 2013 nga Beogradi dhe Prishtina, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se disa dispozita në statutin e propozuar janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Në fakt, marrëveshja, siç është propozuar, mund të bëhet një hap drejt ndarjes së Kosovës, pasi praktikisht do të eliminonte kontrollin shtetëror mbi një pjesë të konsiderueshme të vendit.
Si për t’i komplikuar më tepër gjërat, kryeministri shqiptar Edi Rama nxiti një konflikt ndërshqiptar duke dërguar një propozim në Paris dhe Berlin në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, pa u konsultuar me Prishtinën. Kjo nuk u prit mirë në Kosovë, ku u perceptua si në shërbim të interesave serbe. Kurti argumentoi se “Rama duhet t’i propozojë Vuçiçit një draft për shqiptarët në Luginën e Preshevës në takimin e ardhshëm të Ballkanit të Hapur, në vend që të dërgojë propozime për serbët e Kosovës në Paris dhe Berlin. Në fund të fundit, neni 8 i Kushtetutës shqiptare e detyron atë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve”.
Me sa duket, politika perëndimore në Ballkan po dështon dhe nevojitet një qasje e re. Marrja me të mirë e Vuçiçit i ngjan politikës së marrjes me të mirë të presidentit rus Vladimir Putin, çka çoi në dështimin për të parashikuar e parandaluar luftën brutale kundër popullit ukrainas. Ngjashëm me politikën perëndimore me qendër Moskën në Euroazi, SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë zbatuar një politikë ballkanike që ka në qendër Beogradin, pavarësisht udhëheqjes nacionaliste të Serbisë që paraqet rrezik të shtuar për disa shtete ballkanike, përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën.