Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin nr. 12/67 të datës 21. 3. 2012 ka emëruar Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, në pjesën me Malin e Zi. Duke qenë se marrëveshja e firmosur nga të dy komisionet në Vjenë, 26 gusht 2015, ka mangësi që dëmtojnë territorin shtetëror të Kosovës, qeveria e Republikës së Kosovës, me Vendimin e saj nr. 01/06 të datës 3. 10. 2017, autorizoi një tjetër Komision Shtetëror për të bërë vlerësimin e punës së ish-komisionit të mëparshëm.
Në raportin e këtij Komisioni theksohet se puna e ish – Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, është karakterizuar nga mosnjohja e plotë dhe mosrespektimi i rregullave elementare të së drejtës ndërkombëtare publike, sidomos të së drejtës së traktateve dhe të së drejtës diplomatike. Ky proces është karakterizuar nga mungesa e plotë e transparencës, paqartësi dhe keqinterpretime, duke shpërfillur autorizimet zyrtare dhe duke tejkaluar mandatin zyrtar. Si pasojë e këtyre parregullsive, çështja e demarkacionit të kufirit Kosovë – Mali i Zi, nga një çështje thjesht teknike e shënimit të kufirit në terren, është shndërruar në njërën nga temat më të rëndësishme politike në Kosovë.
Aspekti historik
Parë në aspektin historik, rregullimi federativ i ish-Jugosllavisë është vendosur në Mbledhjen II të AVNOJ-it (KANÇJ), që ishte organ politik, i cili krijoi organet federative të kohës. Mandati për përcaktimin territorial të njësive federative iu ngarkua Ministrisë së Konstituimit, e cila, krahas përgatitjes së Kushtetutës, përcaktoi edhe kriteret për përcaktimin e kufijve të brendshëm dhe në raste të veçanta formoi edhe komisione të posaçme për delimitim të vijave kufitare të njësive federative. Sipas Kushtetutës së vitit 1946 të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, është legjitimuar ndërtimi federativ i shtetit, i përbërë nga njësitë federale dhe nga krahinat si rajon autonom.
Nga viti 1946 e deri në vitin 1968, sidomos më 1974, kompetencat e Kosovës zgjerohen dhe Kosova njihet si Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, si element konstituiv i Federatës Jugosllave. Autonomia dhe kompetencat e Krahinës Autonome të Kosovës u përcaktuan me ligjin për Krijimin dhe Rregullimin e Rajonit Autonom të Kosovës dhe Metohisë, botuar në “Gazetën Zyrtare” të Serbisë, nr. 28/45 (1945). Këtu fillon administrimi efektiv i territorit të Kosovës, territor ky i përkufizuar në bazë të procesit të përkufizimeve territoriale të njësive federative të ish – Jugosllavisë. Përveç të drejtës së administrimit të territorit, sipas kësaj kushtetute nuk mund të ndryshoheshin kufijtë e Kosovës pa pëlqimin e saj. Kushtetuta e ish–RSFJ – së, nga viti 1974, në nenin 5 përcakton: “Territori i republikës nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e republikave, kurse territorin e krahinës autonome – pa pëlqimin e krahinës autonome.”
Më 15 maj 1946, Sekretariati i Qeverisë së Republikës Federative të Jugosllavisë u dërgon të gjitha republikave një qarkore, me të cilën është kërkuar nga njësitë federale: “…sa më shpejt që të paraqisni propozimet e mundshme për ndryshimin e vijave kufitare. Propozimet duhet të shpjegohen në detaje, duke përfshirë në vetvete përbërjen etnike të vendit të kërkuar, lidhjen e tij ekonomike dhe motivet për të cilat kërkohet ndryshimi. Propozimit t’i bashkëngjitet harta e republikës, ku, përveç kufijve të tashëm, gjithashtu, mund të futni propozime për ndryshime në delimitim.“
Në bazë të kësaj qarkoreje, nga Kosova u kërkua t’i kthehej pylli Vaganica (Haxhaj), i cili i ishte marrë banorëve të Rugovës në bazë të një vendimi të Gjykatës së Madhe në Podgoricë, në vitin 1931. Kjo kërkesë në atë kohë u miratua. Nga këto dokumente, kriteret e caktuara për delimitimin e kufijve të brendshëm ishin: kriteri etnik, ekonomik, politik dhe administrativ.
Pas vitit 1990, Komisioni i Badinterit legjitimoi sovranitetet kushtetuese e territoriale të ish-njësive federative dhe si të tilla ato u shndërruan në shtete sovrane sipas të drejtës ndërkombëtare. Pakoja e Ahtisarit njeh kufijtë e Kosovës, siç ishin deri më 31 dhjetor 1988, kur Kosova kishte Kushtetutën e saj. Në dokumentet juridike të pas luftës 1999 mbi të cilat u administrua Kosova, dhe Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme e vitit 2001, e përkufizon Kosovën si “territor i pandashëm”. Pra, me të gjitha dokumentet juridike ndërkombëtare e vendore, territori i Kosovës njihej siç ka qenë deri më 31 dhjetor 1988 dhe rrjedhimisht edhe kufiri me Malin e Zi, siç ka qenë i përcaktuar në vitin 1945.
Kjo vërtetohet, përveç të tjerash, edhe nga deklarata e Millovan Gjillasit, i cili ka qenë personi më përgjegjës në procesin e ndarjes së territoreve brenda Jugosllavisë, sipas të cilit kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi ishte lënë në Çakorr e që vërtetohet nga teksti i Enciklopedisë ushtarake jugosllave, sipas së cilës “Kufiri mes Malit të Zi dhe Serbisë shtrihet nga majat Bogiçe, Çakorr, Hajlë dhe Zhleb”, çka e konfirmon edhe monografia për Kosovën: “Në pjesën veriperëndimore Kosova kufizohet me Republikën e Malit të Zi, linja kufitare ka gjatësi rreth 78.6 km. Nga trekufiri Kosovë – Shqipëri – Mali i Zi e deri te trekufiri Kosovë -Mali i Zi – Serbi, linja kufitare shtrihet nëpër kuotat e larta të Bjeshkëve të Nemuna – Bogiçevicë, Moken, Hajlë dhe Zhleb. Linja kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi pritet me dy arterie rrugore automobilistike në Qafë Kullë (1795 m) dhe Çakorr (1849m).”
Keqinterpretimi i së drejtës ndërkombëtare
Problemet, që kanë lindur nga Marrëveshja e nënshkruar për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, sipas komisionit të ri, burojnë kryesisht nga ngutia, paaftësia dhe papërgjegjshmëria e ish- Komisionit Shtetëror, i cili nuk ka marrë parasysh se përcaktimi i kufijve të brendshëm ishte ekskluzivisht në duart e institucioneve qendrore federative dhe asnjëherë nuk ishte kompetencë e njësive federative.
Ish-Komisioni jo vetëm nuk e ka njohur të drejtën ndërkombëtare, por as që e ka cituar saktësisht dispozitën e Konventës për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve (Montevideo, 1933). Sipas Konventës, shteti si subjekt i së drejtës ndërkombëtare duhet të ketë: popullsinë e përhershme; territorin e përcaktuar; qeverinë; dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtete të tjera.
Sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare, që iu referohen kufijve, demarkacioni është një çështje thjesht teknike, që nënkupton shënimin e kufirit në terren me vënien e shenjave në tokë ose në ujë (gurëve, shtyllave, piramidave, fenerëve ndriçues në liqene etj.), pra që ka kuptimin e fjalës “për të shënuar” ose “për të ndarë hapësirat e dy shteteve fqinje me vënien e shenjave kufitare. Sipas “Enciklopedisë të së drejtës ndërkombëtare”, delimitacioni e ka kuptimin e përshkrimit të kufirit në dokument të shkruar, kurse demarkacioni nënkupton shënimin e tij në tokë. Pra, detyra e ish – komisionit ishte jo për përcaktimin e kufirit in abstracto, por për shënimin e kufirit në terren. Ka dallime qenësore në mes të delimitacionit dhe demarkacionit, mosnjohja e këtyre dallimeve ka bërë që të ekzistojnë dallime dhe qasje të ndryshme në vetë tekstin e marrëveshjes, çka dëmton interesat territoriale të shtetit të Kosovës.
Analiza hartografike në raportin e ish-komisionit
Gjatë analizës së punës së ish – komisionit, janë konstatuar disa
lëshime profesionale dhe materiale, që kanë dëmtuar rëndë tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës. Këto lëshime manifestohen me shtrembërim të fakteve hartografike, mosshqyrtim në detaj të të gjitha fakteve hartografike, mos hulumtim të fakteve përmbajtjesore mbi efektivitetin, si një nga elementet kryesore të së drejtës ndërkombëtare për sovranitetin territorial.
Është konstatuar se në dokumentacion janë futur shumë materiale, të cilat nuk prezantojnë kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi. Nga kjo fitohet përshtypja se është bërë vetëm sa për të fituar në volum. Gjithashtu, në këto dokumente janë prezantuar edhe disa materiale hartografike, që nuk korrespondojnë me realitetin, apo nuk paraqesin origjinalitetin e vërtetë të materialit hartografik. Janë hequr nga tavolina e bisedimeve, pas kërkesës së Komisionit të Malit të Zi, harta topografike që përmbajnë saktësisht kufirin shtetëror midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Nga dokumentacioni mund të konstatohet se ish-Komisioni ka anashkaluar disa dokumente me vlerë relevante:
Hartat topografike 1925-1985, në pikën 2.1. (faqe 3-5): Nuk tregohet realiteti objektiv i këtyre hartave, sepse disa nga hartat topografike të Institutit Gjeografik Ushtarak e kanë vijën kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi nga viti 1949 deri 1958. Ish – Komisioni nuk jep shpjegime pse nuk i ka marrë në shqyrtim. Nga ky dokumentacion, i dorëzuar në qeverinë e Kosovës, u konstatua se ka shumë harta, që nuk i shërbejnë fare shqyrtimit dhe diskutimeve për shënjimin e vijës kufitare me palën malazeze.
Ish – Komisioni nuk e ka pasur parasysh faktin se vija kufitare në hartat topografike nuk është e rastësishme, por e ka një bazë politike dhe juridike. Hartat topografike, të punuara nga Instituti Gjeografik Ushtarak, nuk janë harta të thjeshta dhe të punuara nga kushdo, por janë harta të sakta dhe të punuara me një cilësi të lartë teknike dhe profesionale.
Në faqen 2, paragrafi i parë, ish – Komisioni thekson: “Janë hulumtuar dhe analizuar, gjithashtu, edhe harta dhe materiale nga enciklopeditë jugosllave dhe ushtarake, të botuara nga viti 1959 deri në vitin 1990. Hartat, në këto enciklopedi, si për Kosovën, Malin e Zi apo Serbinë janë të shkallëve të zvogëlimit 1:50 000. Për shkak të pasaktësisë dhe paqartësisë së informacionit në këto harta, Komisioni nuk i ka konsideruar ato si informacion me vlerë të mjaftueshme teknike dhe profesionale për përcaktimin e kufirit”.
Ky pohim përbën shtrembërim dhe keqinterpretim të informacionit, sepse në Enciklopedinë e Jugosllavisë, kufiri mes Kosovës me Malin e Zi, e po ashtu edhe me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, paraqitet në planshete, në harta me shkallë 1:300 000 dhe se shumë qartë e lehtë mund të identifikohet dhe të vërtetohet kufiri, i cili përputhet krejtësisht me vijën kufitare të paraqitur në hartat topografike me shkallë 1:50 000. Nëse analizohet nga aspekti i orgjinalitetit të dokumentit hartografik dhe rëndësia politike, kjo vijë mund të konsiderohet si falsifikim i hartës së vërtetë nga kushdo që e ka bërë.
Nga e gjithë kjo, mund të konstatohet se gjatë bisedimeve nuk u është kushtuar vëmendje e mjaftueshme hartave zyrtare dhe kredibile për të identifikuar vijën kufitare administrative mes Kosovës dhe Malit të Zi. Meqë Krahina e Kosovës dhe Metohisë përbëhej nga rrethet, është lehtë të identifikohet kufiri midis rrethit të Andrijevicës, nga ana e Malit të Zi, dhe rrethit të Pejës, nga ana e Kosovës, që ishin rrethe kufitare. Ky identifikim i asaj kohe mund të bëhet përmes hartave zyrtare shtetërore, sikundër është ajo e vitit 1948, miratuar nga Ministria e Arsimit e RP të Malit të Zi dhe është shtypur në Zagreb. Kjo mund të konsiderohet si material hartografik shumë i besueshëm dhe origjinal mbi vërtetësinë e vijës së parë të kufirit administrativ mes Kosovës e Malit të Zi.
Të njëjtën vijë kufitare e identifikojmë edhe në hartat topografike, dhe harta të tjera, sipas të cilave vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk përputhet me atë të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror Ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi (Vjenë, 26 gusht 2015). Nga të dhënat e siguruara vihet në përfundim se kontrolli efektiv i institucioneve tona mbi ato territore ka ekzistuar pandërprerë gjatë gjithë periudhave kohore, që nga vënia e kufirit administrativ (1945-46) në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Marrëveshja nuk mund të prodhojë efekte juridike
Si përfundim komisioni konstaton se: vija kufitare në Marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi (Vjenë, 26 gusht 2015), nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish – Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
Marrëveshja në Kosovë është pritur me kundërshtime të mëdha. Për këtë arsye, Marrëveshja jo vetëm që nuk është ratifikuar, por as nuk prodhon efekte juridike derisa të ratifikohet. Në Konventën e Havanës për Traktatet (1928) parashikohet se: “Marrëveshjet bëhen të detyrueshme vetëm pas ratifikimit nga palët kontraktuese, madje edhe po qe se ky kusht nuk është i paraparë në plotfuqi të biseduesve ose nuk paraqitet në këtë Marrëveshje”.
Në aspektin kushtetues, sipas kushtetutave të të gjitha vendeve sovrane dhe të pavarura, fitimi dhe humbja e territorit, si dhe caktimi i kufijve shtetërorë, bie në kompetencë të organit përfaqësues – Kuvendit. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 18.1, çdo marrëveshje ndërkombëtare, që ka të bëjë me “territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake”, miratohet nga Kuvendi i Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve. Kjo do të thotë se pa këtë votim nuk mund të ketë asnjë detyrim të vlefshëm për Kosovën në aspektin ndërkombëtar.
Shikuar nga këndi i së drejtës ndërkombëtare, shtetet e treta nuk kanë asnjë arsyetim ndërkombëtar juridik të kërkojnë nga shteti ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare
Komentet