Kosova dhe Gjermania nënshkruan sot marrëveshje në vlerë 90 milionë euro, teksa me këtë synohet mbështetje për dy vjet, ku 20 milionë janë në formën e granteve.
“Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
“Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, vazhdon njoftimi i MF.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në anën tjetër ka përmendur bashkëpunimin gjermano-kosovar, duke thënë se si rrjedhojë ka kontribuar në standard më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët, duke promovuar rritjen ekonomike dhe punësimin e rregullt.
Sipas ambasadorit Rohde, projektet e radhës të cilat do të zbatohen përmes fondeve të zotuara sot, do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të gjelbër dhe inovativ të Kosovës. /KosovaPress/