Kur Matteo Salvini ishte nënkryeministër dhe ministër i Brendshëm i Italisë ai dilte në Sheshin e Kuq me tshirt-e me foton e Putinit ndërsa qendrimet e tij ndaj refugjatëve ishin shumë të egra. Në rrjetin social shkruante: “Thonë që duhet t’i presim të gjithë dhe kështu – për pak kohë Refugjatë në Itali do të jenë italianët”. Edhe Giorgia Meloni nuk mbetej prapa. Kur krijoi qeverinë, për të larguar jehonat negative të deklaratave të Salvinit dhe të sajat, që e bënë të pritej në Londër edhe pranverën që shkoi me pankarta “No to faschist Meloni – refugees welcome”, kryeministrja e Italisë ia këmbeu Salvinit portofolin e ish ministrit të Brendshëm me atë të Infrastukturës dhe Transportit, por siç duket nuk ndryshoi qendrimet ndaj refugjatëve. Ato Giorgia Meloni i mbante të fshehura, ndryshe nga flirtet politike me premierin e Shqipërisë Edi Rama që i bënte në fushë të hapur, ndërsa ishte në kulmin e krizës me ish bashkëjetuesin Andrea Giambruno, me të cilin i lau hesapet shpejt pas sjelljeve të tij jo të përshtatëshme zbuluar nga Stricia la Notizia.
Giorgia Meloni po e nënvleftësonte imazhin e saj politik, si një personazh i denjë i serialit të librave të Bruno Vespës kushtuar sakrificave të grave italiane per interesat e Italisë. Sepse natyrisht nuk është komode që gjithë televizionet e botës ta fokusonin ndërsa kryeministri i Shqipërisë i hidhej në qafë dhe i jepte bacione mediatike. Shqipëria e vogël me gjatoshin Edi Rama dhe Italia e madhe me trupvoglën Meloni, megjithëse Giorgia me sharmin e saj e sfidon proverbin italian “Altezza mezza belleza”. Por problemi i premieres italiane nuk është interesi i Italisë por i kolltukut kryeministror të Giorgia Melonit.
Gjithësesi, sikur të mbetej puna tek idili romantik, ku do ta gjenim. Por fishekzjarri plasi dje, ku në Romë u nënshkrua marrëveshja që ka zjerë gjatë vapës së gushtit, kur Meloni kishte zbarkuar në jug të Shqipërisë për pushime nën shoqërinë e premierit shqiptar dhe gazeta italiane l’Avvenire në botimin online shkruante “Meloni “scopre” l’Albania, Rama la saluta: un’amica non un pericolo fascista” – “Meloni zbulon Shqipërinë, Rama e përshëndet një mike dhe jo një rrezik fashist”. Tre vjet më parë Rama kishte shembur në Tiranë Teatrin Kombëtar si një vepër e kohës fashiste, ndërsa gjatë stinës së verës kishte pirë verë të kuqe me miken e tij duke i dhënë tone shakaje “rrezikut fashist”.
Të dy luftojnë të mbajnë e zgjasin pushtetin mbi shpinën e një Shqiperie të sfilitur nga një sistem hibrid, thellësisht i korruptuar dhe një kryeministër autokrat që po e shpopullon vendin e shqipeve nga shqiptarët.
Natyrisht, problemi i refugjatëve është madhor dhe lidhet me pafuqishmërinë e dobësimin e Perëndimit, por kur fluksin e refugjatëve që është bërë mollë sherri dhe nuk e përballojnë dot katër fuqitë më të mëdha të Europës – Italia – Franca – Anglia dhe Gjermani e si mund të gjendet një zgjidhje tek vendi që është gjithashtu pjesë e problemit!
Deti midis Shqipërisë dhe Italisë ka qenë gjithmonë një territor në përdorim të trafikantëve, të cilët tani do të kenë carta bianca për trafik të qënieve njerëzore, drogës, armëve dhe terrorizmit.
Në Shëngjin dhe Gjadër ku pritej lulëzim i turizmit dhe ishte krijuar shpresë për shqiptarët, pikërisht aty Edi Rama dhe Giorgia Meloni do të krijojnë hotspot-et e tyre duke i dëbuar turistët dhe bashkë me ta edhe shpresën e shqiptarëve për jetë normale e stabilitet.
Ndërsa Rusia synon të hyjë me çdo kusht në Ballkan nga Mali i Zi, Serbia, BH dhe Veriu i Kosovës, Giorgia Meloni dhe Edi Rama i krijojnë kushte optimale duke inauguruar një qendër të re krize, m’u buzë detit Adriatik.
Edi Rama, me kokën e vet të mbrapshtë pa u konsultuar me Parlamentin dhe institucionet e shtetit shqiptar, të cilat i ka uzurpuar, pa u konsultuar me opozitën të cilën e ka eleminuar, pa u konsultuar me NATO-n që e ka injoruar, shkon direkt tek Giorgia në Pallatin Chigi dhe nënshkruan marrëveshjen zjarrëvënëse të Ballkanit.
Giorgia Meloni dhe Edi Rama kanë të njëjtin problem politik, duan pushtetin me çdo mjet, por kësisoj, duke vënë në rrezik sigurinë e rajonit dhe të Europës ata duhet të largohen në mënyrë urgjente nga pushteti.