Ka muaj që flitet, por ditët e fundit ka marrë vërtet zjarr lajmi se midis Shqipërisë dhe Greqisë po përgatitet një marrëveshje për partneritet strategjik, e cila do të shënojë pajtimin përfundimtar greko – shqiptar, duke zgjidhur problemet e trashëguara nga historia dhe duke i hapur një perspektivë të ndritur bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ata që më njohin, e dinë se unë kam qenë edhe mbetem në parim një ithtar i bindur në dobinë e marrëveshjeve dhe konkretisht për rastin kam qenë dhe mbetem një ithtar i bindur në dobinë e ndërsjellë që kanë Greqia dhe Shqipëria për të ndërtuar një partneritet strategjik të gjerë, të qëndrueshëm dhe miqësor. Pra, kam një vlerësim të sinqertë për punën e bërë në këtë drejtim nga ministri Bushati dhe diplomacia jonë.
Por më duket krejt e papranueshme përpjekja e qeverisë për t’ia paraqitur shqiptarëve këtë marrëveshje si kthesën e shumëpritur në marrëdhëniet shqiptaro – greke. Është një propagandë e mërzitshme dhe fund e krye e gënjeshtërt. Marrëdhëniet me Greqinë janë përcaktuar si strategjike nga të gjitha qeveritë shqiptare nga viti 1991 e deri në vitin 2013. Dhe me të drejtë. Të tilla këto marrëdhënie i bën vetë realiteti, ku interesat e shqiptarëve dhe të grekëve ndërthuren me një mijë fije të pazgjidhshme. Të gjitha qeveritë shqiptare kanë punuar me sa kanë ditur dhe sa kanë mundur për këtë qëllim gjatë kësaj periudhe (1991 – 2013).
Nuk është vendi këtu të shkruajmë historinë. Por disa fakte duhen përmendur qoftë edhe fare shkurtimisht. Sot, Greqia është ndër partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë si me praninë e investimeve të veta te ne, madje edhe në sektorë strategjikë si bankat apo energjia, edhe me shkëmbime tregtare. Janë hartuar dhe nënshkruar gjatë viteve një numër shumë i madh marrëveshjes dhe protokollesh dypalëshe, që e bëjnë kuadrin ligjor të marrëdhënieve nga më të plotët, që Shqipëria ka me një vend të huaj. Kemi madje edhe Traktatin e Miqësisë, i cili në vetvete është dokumenti më i lartë, që e vendos partneritetin midis dy vendeve tona në një rrafsh strategjik, hartuar, firmosur dhe ratifikuar nga parlamentet e të dyja vendeve qysh në vitin 1996. Do kujtuar se Greqia është një nga vendet e para anëtare e BE-së, të cilës iu propozua nga qeveria shqiptare e kohës arritja e një traktati miqësie. Dhe ajo e pranoi. Kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Ky traktat miqësie nuk u anulua as në pranverë 1997, kur te ne ndodhi ajo që dihet.
Sigurisht që në vitin 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet, ka pasur probleme ende të pazgjidhura në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Por kjo është ndonjë çudi. Probleme ende të pazgjidhura ka edhe midis Gjermanisë dhe Francës,që përbëjnë shembullin më të suksesshëm të partneritetit strategjik në planet. Por nuk ka pasur asnjë tension të ndjeshëm e që do të shënonte prishje të klimës së bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe Greqisë. Përkundrazi, ka pasur një klimë shumë të mirë, shprehje e një vullneti të mirë edhe në Tiranë, edhe në Athinë, për t’i parë marrëdhëniet si një proces në rritje, gjatë të cilit do të zgjidheshin problemet me dashamirësi dhe seriozitet, në dobi të të dyja palëve dhe të krejt rajonit.
Po ndalem shkurtimisht te tri nga këto probleme, të cilat me sa duket do të përbëjnë substancën e marrëveshjes për partneritet strategjik, që pritet të nënshkruhet brenda kësaj pranvere, gjatë një vizite të Kryeministrit Tsipras në Tiranë.
Së pari, është ndërtimi i varrezave për ushtarët grekë, të rënë brenda territorit shqiptar gjatë luftës së përgjakshme italo – greke në vitin 1940. E vërteta: Marrëveshja për ndërtimin e këtyre varrezave është arritur në vitin 2009 dhe ka filluar qysh atëherë zbatimi i saj. Të gjithëve iu kujtohet pse ky zbatim u ndërpre. Ishte një skandal i turpshëm që plasi në media. Njerëzit, të zgjedhur nga pala greke, për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë, po abuzonin. Pra, nuk ishte qeveria shqiptare as me ndonjë ndryshim të politikës së saj dhe as me paaftësinë e saj, që u bë pengesë për t’i shkuar marrëveshjes deri në fund. Sot po punohet për realizimin e këtij projekti me rëndësi kryesisht për emocionet njerëzore të shoqërisë greke, duke u mbështetur tërësisht në marrëveshjen e arritur nga qeveria Berisha.
Së dyti, është marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar midis dy vendeve tona. Të gjithë e dinë se qeveria Berisha pati mbyllur një marrëveshje për këtë qëllim. Edi Rama e sulmoi me të gjitha mënyrat këtë marrëveshje duke e çuar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi. Unë e di shumë mirë sa delikate është kjo marrëveshje. Ajo përbën një rast të artë për demagogët për të manipuluar një pjesë të opinionit publik. Por nuk ka qenë kjo që më ka penguar mua të përfshihem në arritjen e kësaj marrëveshjeje gjatë kohës që drejtoja Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në kemi gjithë vijën e kufirit me Greqinë de facto të përcaktuar, por jo de juro. Pala greke nuk e ka firmosur kurrë protokollin e Firences (1925), i cili përmbyll angazhimin e fuqive të mëdha për përcaktimin e kufirit tokësor greko – shqiptar. Pikëpamja ime ishte që përcaktimi i kufirit detar të shërbente si një rast për ta formalizuar gjithë vijën tonë kufitare, që nga liqeni i Prespës e deri në detin Jon, përballë Karaburunit. Qasja ime nuk gjeti mbështetjen e duhur. Por unë nuk e kam kritikuar dhe as lavdëruar marrëveshjen që arriti pasardhësi im në atë detyrë, Lulzim Basha. Siç nuk e kam kritikuar as Edi Ramën pse e çoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese. Kam qenë dhe jam i mendimit se vendimi që mori kjo Gjykatë krijonte mundësinë për një negocim të dytë, i cili doemos duhej të sillte përmirësim të marrëveshjes. Sepse vend për përmirësim ka gjithmonë. Marrëveshja e përsosur nuk ekziston. Pra, edhe për këtë problem, që Edi Rama e gjeti të pazgjidhur kur mori timonin, nuk kishte asnjë përgjegjësi qeveria Berisha. Madje, autoritetet greke nuk e kanë fajësuar kurrë qeverinë Berisha për mungesë vullneti në zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga historia midis dy vendeve tona, përfshirë edhe kufirin detar. Kjo është e vërteta.
Problemi i tretë është ai i ligjit të luftës, i cili me sa duket po gjen më në fund zgjidhje. Dhe gëzohem. Mbetet për t’u parë cila do të jetë përmbajtja e kësaj zgjidhjeje. Por, do pranuar se ky ligj absurd dhe historik ka mbetur në fuqi kaq gjatë, qoftë edhe vetëm në letra, jo për faj të qeverisë Berisha apo të qeverive paraardhëse shqiptare. Faji ka qenë i tëri në Athinë dhe vetëm në Athinë. Meritë dhe mençuri e qeverive shqiptare ka qenë se nuk i kanë kushtëzuar marrëdhëniet me Greqinë me heqjen e këtij ligji. Kjo ka ndodhur sepse ato i kanë vlerësuar me të drejtë këto marrëdhënie si strategjike. Në Athinë, një sjellje e tillë është mirëkuptuar dhe pavarësisht ndonjë konvulsioni momental, këto marrëdhënie janë çuar vazhdimisht përpara, pa pritur që timonin ta merrte Edi Rama. Kjo është e vërteta gjithashtu.
Atëherë, çfarë ka parasysh Edi Rama kur thotë se në vitin 2013 i gjeti marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjin jugor në pika të vdekur? Në përgjithësi ai ka vënë në punë një makinë të madhe propagandistike për të na bindur se historia e Shqipërisë fillon me ardhjen e tij në pushtet. Para tij këtu ka qenë shkretëtirë. Por në rastin e marrëdhënieve me Greqinë ka megjithatë një specifikë të rëndësishme. Ashtu siç e kishte shpallur edhe në programin elektoral, në programin qeverisës në vjeshtë 2013, ai zgjodhi që strategjike për Shqipërinë të ishin marrëdhëniet me Turqinë, duke çuditur dhe shqetësuar të gjithë partnerët tanë strategjikë perëndimorë, përfshi edhe Greqinë. Në zbatim të kësaj zgjedhjeje, Kryeministri ynë filloi të përdorte kundër Greqisë një fjalor nacionalist folklorik, duke provokuar edhe emocionet e opinionit publik grek, zakonisht lehtësisht të provokueshme. Rama dukej sikur donte t’i jepte prova pëlqyeshmërie Erdoganit, me të cilin shpallën edhe kalendarin e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Rama u bë madje edhe mik familjar i Erdoganit. E pamë të ulur në krye të vendit në dasmën e vajzës së tij. Nga ana tjetër, Athina zyrtare, e cila sigurisht që kishte mbajtur mirë shënim faktin se Rama ishte në zanafillë të prishjes së paktit për kufirin detar, i ndiqte këto sjellje të Kryeministrit tonë me një shqetësim në rritje dhe jo rrallë me nervozizëm. Kemi parë ministrin grek të Mbrojtjes të shfaqej në kufi i veshur me uniformë ushtarake, veprim ky sigurisht grotesk dhe pa kuptim për një burrë shteti, por që tingëllonte në të njëjtin stil me ligjërimet e Ramës, lidhur me gjuhën që flitej në Akropol në shekullin XVIII.
Kjo tablo, e përvijuar në mënyrë shumë të përmbledhur, mjafton megjithatë për të parë se rrokullimën marrëdhënieve të vendit tonë me Greqinë ua ka dhënë Edi Rama dhe askush tjetër. Po të vazhdonte edhe pak kjo rrokullimë, ato do të pësonin vërtet dëme shumë të mëdha, që do të ishin me pasoja për krejt rajonin. Arritja e marrëveshjes, që po trumbetohet me të madhe, na jep ndoshta të drejtë të marrim frymë të lehtësuar. Rrokullima është ndalur. Dhe ka shpresë që klima e bashkëpunimit midis dy vendeve tona të kthehet përsëri aty ku ishte në vitin 2013, domethënë e përshtatshme për partneritet strategjik. Unë e marr me mend sa e lodhshme dhe e mërzitshme ka qenë për ministrin Bushati të punonte gjithë kohës me veshët ngritur jo për të ndërtuar diçka të re mbi themelet e hapura nga paraardhësit e tij në atë detyrë, por të riparonte të çarat që hapte eprori i tij me përçartjet e veta.
Edhe diçka: po na thuhet se më në fund, pas kësaj marrëveshjeje për partneritet strategjik, Greqia nuk do të bllokojë më integrimin e Shqipërisë në BE. Edhe kjo është gënjeshtër e pastër. Fakt është se Greqia nuk e ka penguar as edhe një herë të vetme me votën e saj procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në NATO apo në ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare. Përkundrazi, vetëm e ka mbështetur gjatë këtyre 27 vjetëve.
Komentet