MARK MARKU
Para disa ditësh, Kryeministri Rama paralajmëroi nisjen e një fushate spastrimesh në administratën publike, duke i ftuar qytetarët që ta “ndihmonin” në këtë fushatë spastrimesh përmes denoncimeve që ata do t’u bënin zyrtarëve të korruptuar në llogarinë e tij në Facebook. Pa kaluar as pak ditë nga deklaratat e tij, ai e konkretizoi këtë ide “gjeniale” me shpalljen e një “liste të zezë” me emrat e 100 zyrtarëve të denoncuar nga qytetarët në faqen e tij në Facebook, që sipas tij ishte përzgjedhur nga njëfarë “skuadre shënimesh”, e cila, po sipas Kryeministrit, i kishte verifikuar denoncimet e qytetarëve dhe kishin rezultuar si të vërteta. Këtë fushatë denigrimesh dhe linçimesh publike të nëpunësve të shtetit shqiptar Kryeministri e quan reformë të administratës publike.
Është e paktë të thuash se “reforma” që ka nisur Kryeministri Rama është shkallmim i çdo shprese për një administratë publike normale, shkallmim i bazave të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri. Edhe më e paktë të thuash se ajo është thjesht një lojë me publikun për të hequr pjesën e LSI-së nga administrata publike dhe për ta zëvendësuar atë me militantët e vet politikë. Ajo është, mbi të gjitha, një shenjë kobzezë për fazën e re në të cilën ka hyrë shoqëria dhe demokracia shqiptare. Kryeministri i sapozgjedhur i vendit i ndërsen qytetarët e vet në një fushatë denoncimesh anonime, të cilat pa kaluar nëpër asnjë filtër gjyqësor, shndërrohen në akuza përmes Kryeministrit.
Qytetarët ndihen të ekzaltuar se Kryeministri i vendit të tyre po i fton në bashkëqeverisje, po i bën bashkëluftëtarë në luftën ndaj korrupsionit, njësoj siç ndiheshin të ekzaltuar të njëjtët qytetarë gjashtëdhjetë e ca vjet më parë, kur Enver Hoxha dhe gardistët e kuq të revolucionit komunist shqiptar i ndërsenin turmat shesheve dhe sallave të kinemave kundër “armiqve të popullit”, klerikëve, burokratëve, pronarëve, intelektualëve, apo njësoj si në kohën e Revolucionit të Madh Kulturor kinez kur, Mao Ce Duni, timonieri i madh kinez, i ndërsente turmat e uritura dhe të indoktrinuara kundër burokratëve, intelektualëve, kastës së vet politike komuniste dhe qytetarëve të thjeshtë që nuk u pëlqenin gardistëve të kuq.
Nuk është rastësi përkimi i një detaji nga fillimi i kësaj fushate të “timonierit të madh” Rama me një detaj të fushatës së “timonierit të madh” Hoxha. Një avokat kishte hyrë në komunikim përmes Facebook-ut me Kryeministrin, duke i mbrojtur të akuzuarit sipas një logjike juridike dhe, po sipas kësaj logjike, e paralajmëronte Ramën se ajo që po bënte ishte një gjë shumë e rrezikshme për shtetin e së drejtës në Shqipëri. Kryeministri i sulej avokatit duke e tallur dhe kërcënuar dhe duke e paralajmëruar se “nuk kishte parë gjë akoma”.
Një detaj i tillë me avokatë është përsëritur edhe me avokatin e njohur Myzafer Pipa, vëllain e shkrimtarit dhe disidentit Arshi Pipa, i njohur për faktin se kur shteti komunist arrestoi klerikët françeskanë, shkoi në sallën e gjyqit për t’u përballur me valën popullore të denoncimeve të nxitura dhe sajuara nga regjimi i Enver Hoxhës, duke u ofruar avokatinë e tij klerikëve, gjë që e pagoi me një pushkatim spektokalor vetëm disa muaj më pas. Edhe sot, si atëherë, populli ekzaltohej, ndërsehej dhe kërcente shesheve duke brohoritur timonierin e madh.
Është më se e qartë se Rama nuk ka asnjë koncept për qeverisjen, shtetin ligjor, Kushtetutën, administratën publike, të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Ose i ka dhe i injoron me vetëdije. Nëse do të respektonte sadopak ligjin për administratën publike që e ka miratuar po ai vetë dhe që, sipas propagandës së tij, na ka rropatur kokën se do të realizonte reformimin e kësaj administrate, do të kuptonte se Kryeministri nuk ka aty rolin e kryegjykatësit të administratës publike.
Ligji i përcakton qartë si statusin e nëpunësit, ashtu edhe rastet e rekrutimit apo largimit të tij nga kjo administratë. Kryeministrit i takon thjesht të zbatojë ligjin e miratuar nga maxhoranca e tij. Kryeministri e di, ose duhet ta dijë mirë, se Kushtetuta dhe ligji për drejtësinë nuk i njeh atij të drejtën e kryegjykatësit që përcakton vërtetësinë e apo pavërtetësinë e akuzave dhe denoncimeve të bëra ndaj qytetarëve. Është gjykata ajo që e ka këtë të drejtë.
Ai e di mirë ose duhet ta dijë të paktën mirë përderisa është Kryeministër se qytetarët në një shtet demokratik kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në momentin që gjykatat në të gjitha nivelet ta shpallin një qytetar si të tillë, pra fajtor, para ligjit. Është shkelje themelore e të drejtave të njeriut nëse ndodh e kundërta. Kryeministri duhet të dijë shumë gjëra, por ai ose nuk i di ose nuk do t’i dijë. Ai na ka paralajmëruar edhe në fushatë se nuk e dinte ose nuk donte ta dinte se policia duhej të ishte e papolitizuar, se gjobat për shkeljet e rregullave të qarkullimit nuk vihen për të pasur më shumë spitale dhe shkolla (sado t’i pëlqejë një gjë e tillë popullit të etur për dije apo në nevojë për shërbime shëndetësore), se nuk kishte asnjë ofertë elektorale për popullin e tij përveç dëshirës së pakufishme për pushtet të pakufizuar.
Qytetarët shqiptarë (më saktë 25% e tyre) e votuan ambicien e tij dhe tashmë sapo kemi filluar të shijojmë kënaqësinë e të qeverisurit nga timonieri i madh. Dhe timonieri i madh nuk po vonon t’ia tregojë popullit se ç’mund të bëjë. Ai po e josh popullin e vet në aventurën e madhe autoritariste të vetën. Populli i tij mund të ekzaltohet me një Kryeministër që, pasi është votuar nga shumica e qytetarëve pjesëmarrës në zgjedhje, i kërkon atij mendim për prioritetet që duhet të ketë qeverisja e tij. Populli i tij mund të ekzaltohet nga loja që ai luan me të duke e ndërsyer kundër nëpunësve të tij, mediave apo gjykatësve, për të fshehur paaftësinë e tij për të qeverisur vendin.
(Nuk është rastësi që përqindja e votuesve të tij në zgjedhjet e fundit, 49%, përkon pikë për pikë me përqindjen e një sondazhi të realizuar para disa muajsh nga OSBE-ja, kur rezultonte se po aq për qind e popullsisë kishte nostalgji për figurën e Enver Hoxhës). Por populli që nuk e ka votuar atë duhet të reagojë sa nuk është vonë. Opozita e çoroditur pas humbjes së 25 qershorit duhet të fillojë ringritjen e saj dhe ringritja e saj nuk fillon as me fjalimet bajate me demokratët e zhgënjyer të mëtuesve për kryetar të saj, e as me qurravitjet e ca ishpolitikanëve mediokër, tmerrësisht të varfër intelektualisht, që hallin e vetëm të Shqipërisë dinë humbjen e posteve të tyre, gjë që duhet të kishte ndodhur të paktën nja 10 vjet më parë, por me aksion konkret politik.
Dhe aksioni konkret politik fillon me mbrojtjen e të drejtave elementare të qytetarëve të kërcënuar. Organizatat e korruptuara të shoqërisë civile duhet të vihen në mbrojtje të qytetarëve. Mediat e “kazanit” duhet të ushtrojnë funksionin e tyre, edhe pse Kryeministrit nuk i pëlqen një gjë e tillë. Dhe, më në fund, vetë të 100 të akuzuarit nga Rama duhet të ngrenë një padi penale ndaj Kryeministrit Rama dhe ta hedhin atë në gjyq. Ky do të ishte vërtet një rast i mirë për të provuar se ky sistem i reformuar tashmë përmes ligjit të vetingut është garant i shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Nëse jo, atëherë vetingu ka dështuar që në nisje dhe ndoshta këtu do të preken edhe ambasadorët, “engjëjt mbrojtës” të këtij ligji. Se një ligj është funksional jo vetëm kur ndëshkon qytetarët e thjeshtë, por edhe Kryeministrin, nëse ai u bie më qafë qytetarëve. Kjo po që do të ishte një shenjë inkurajuese për Reformën në Drejtësi dhe vendosjen e drejtësisë në vend.
Komentet