“Ky është një moment tepër serioz për vendin tonë”, ka thënë Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon për BBC TV. “Ata përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare, pasi mund të shkatërrojë mbrojtjen tonë. Mbi të gjitha, ata përbëjnë kërcënim për sigurinë ekonomike, duke rritur taksat mbi të ardhurat dhe duke dëmtuar të gjithë klasën punëtore
Jeremy Corbyn, një veteran i majtë që adhuron Karl Marksin, u zgjodh si lider i Partisë opozitare Laburiste në Britaninë e Madhe javën e kaluar, një fitore që mund ta bëjë më të afërt se kurrë daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian dhe që një ish-kryeministër laburist ka thënë se mund ta bëjë partinë të mos zgjidhet më kurrë.
I pritur me brohoritje nga mbështetësit e tij në dhomë dhe i përshëndetur nga radikalët përreth Europës, triumfi i Corbynit ka hapur tashmë perspektivën e përçarjeve të mëdha brenda partisë, madje disa druajnë se do t’i largojë votuesit me politika radikale, ku përfshihen çarmatimi njëpalësh bërthamor, shtetëzimi dhe taksa mbi pasurinë. “Gjërat mund dhe do të ndryshojnë”, tha Corbyn gjatë fjalimit të tij, pasi mblodhi plot 59,5 për qind të votave, duke fituar me një marzh më të lartë nga sa ishte parashikuar. Megjithatë, kur hyri në garë ai ishte thjesht një i jashtëm në parti.
“I falenderoj paraprakisht të gjithë ata që do të punojnë për të arritur fitore të mëdha, jo vetëm që partia laburiste të fitojë zgjedhjet, por për fitore emocionale për të gjithë shoqërinë tonë që të tregojnë se nuk ka pse të jemi të pabarabartë, jeta nuk ka pse të jetë e padrejtë dhe se varfëria nuk është e paevitueshme”, tha 66-vjeçari i thinjur.
Fitorja e tij reflekton mbështetje të madhe për lëvizjet e majta përreth Europës, pasi Syriza fitoi zgjedhjet në janar në Greqi dhe partia spanjolle kundër masave të rrepta ekonomike Podemos, është duke fituar pikë në opinionin publik. Të dyja këto parti e mirëpritën me entuziazëm fitoren e Corbyn.
“Zgjedhja e Corbynit në krye të partisë laburiste është një shtysë e fuqishme përpara për frontin pan-europian kundër masave të rrepta dhe përçon mesazh shprese për popullin europian”, tha Syriza në një deklaratë. Ngritja e Corbynit jehon në mënyrën që senatori Bernie Sanders po nxit të majtët demokratë ta mbështesin atë kundër Hillary Clintonit, si kandidat për zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara.
Megjithatë, shkalla e përçarjes që ka krijuar fitorja e Corbyn brenda partisë së tij u bë menjëherë e dukshme, pasi një politikan laburist dha menjëherë dorëheqjen nga posti i zëdhënësit të shëndetësisë teksa Corbyn ishte duke mbajtur fjalimin e tij të parë si lider i partisë. Të tjerë ndoqën shembullin e tij, duke thënë se nuk mund të shërbenin në skuadrën e Corbynit. “Puna ime do të jetë e komplikuar, këtë e kuptoj shumë mirë”, tha Corbyn përpara qindra mbështetësve që këndonin himnin socialist “Flamuri i kuq”, kënga tradicionale e Partisë Laburiste që prej vitit 1925.Laburistët kalojnë majtas
Si një republikan, i cili fitoi mbështetjen e politikanëve të tjerë laburistë që të hynte në garë vetëm për të shkaktuar debat më të madh, Corbyn tashmë ka krijuar afrimitet me mbështetësit laburistë, duke përçmuar konsensusin pro-biznesit të lënë trashëgimi nga Tony Blair, i cili ka fituar tre herë zgjedhjet në krye të Partisë Laburiste, por tani është tepër jopopullor në Britani dhe nëpër botë për shkak të përfshirjes së tij në pushtimin e Irakut.
Corbyn ka ofruar taksa të larta mbi pasurinë dhe ambiguitet rreth vazhdimit të anëtarësisë në Bashkimin Europian. Ai është një kundërshtar i fortë i sulmeve ushtarake kundër Sirisë, gjë që do të thotë se Kryeministri David Cameron do të ketë të vështirë të fitojë mbështetjen parlamentare të nevojshme për të bombarduar Shtetin Islamik që ai e konsideron kërcënim ndaj sigurisë britanike.
“Vendimet merren në kohëra zhurme, në kohëra entuziazmi. Shko këtu, pushto atje, bombardo këtu, bëj këtë, bëj atë”, tha Corbyn, gjatë një proteste për të mbështetur refugjatët sirianë disa orë pas fitores së tij. “Ka shumë këshilla ushtarake dhe mesa duket ka shumë zgjidhje të thjeshta. Fatkeqësisht, luftërat nuk përfundojnë kur shkrepet fisheku i fundit, apo kur lëshohet bomba e fundit”, Corbyn gjithashtu ka votuar “Jo” për Europën në një referendum të vitit 1975 dhe suksesi i tij mund ta bëjë më të mundshme daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian, kur Cameroni të mbajë një referendum publik deri në vitin 2017.
Ai ka mundur dy ish-ministra laburistë, Yvette Cooper dhe Andy Burnham, si dhe Liz Kendall, e cila konsiderohet si trashëgimtarja e Tony Blair. Si një veteran i Parlamentit për më shumë se 30 vjet dhe me një eksperiencë të gjatë të të votuarit kundër partisë së tij, Corbyn pati sukses me përçimin e mesazhit të rritjes së investimeve qeveritare nëpërmjet printimit të parasë dhe rishtetëzimin e një pjese të madhe të ekonomisë.
Gjatë fushatës Corbyn është pyetur shpesh nëse mbështet mendimet e Marksit, bashkëautori i librit “Manifesti Komunist”. “Marksi ka qenë një figurë magjepsëse prejt të cilit mund të mësojmë shumë”, ka thënë ai në një intervistë gjatë muajit korrik. Shprehja e admirimit për Marksin ka qenë një tabu e madhe në rangjet e laburistëve që pas luftës së viteve 1970 dhe 1980 për të çrrënjosur influencën e militantëve marksistë nga partia. Edhe vetë fjalë “socializëm”, e cila rrjedh lirshëm në fjalorin e Corbynit, është trajtuar gjithmonë me ndrojtje nga ana e laburistëve./rd
Komentet