Nuk është e lehtë që në përmasat e këtij shkrimi të përshkruhet e të thuhet gjithçka rreth një figure me vlera kaq të mëdha në fushën e artit dhe muzikës, që i kalon kufijtë kombëtarë, siç është kompozitori i shquar shkodran, Mark Kaftalli.
Përveç talentit, që u lind bashkë me te, ishte dhe djepi që rriti shumë artist të shquar, ai që e përkundi me melodi dhe këngë të cilat u bënë që në fëmijërinë e tij një ushqim që do të rriste një talent të madh.
Ky pra ishte krijuesi dhe kompozitori i ardhshëm, Paganini shkodran i violinës, që do të shkruante historinë e tij në librin e madh të kulturës shqiptare.
Sa për të krijuar një njohje më të gjerë rreth jetës dhe veprimtarisë të kompozitorit Mark Kaftalli, mendoj se është e udhës të përmendi këtu disa nga momentet më interesante të jetës së tij.
Mark Kaftalli ka lindur në Shkodër më 14.12.1933. Ka kryer kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, nën drejtimin e mësuesit Zef Alimhilli në vitin 1949-1952. Më vonë në vitin 1952-1955, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë, ku vazhdoi studimet për violinë nën kujdesin e kompozitorit-violinist Nikolla Zoraqi. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në vitin 1955 deri në vitin 1969, punoi nën kujdestarinë private të kompozitorit Preng Jakova për mësimin e harmonisë dhe kompozicionit. Është prezantuar për herë të parë në shtëpinë e kulturës të qytetit të Shkodrës me orkestrën e madhe dhe korin e këtij institucioni, ku Gjon Saraçi ishte në piano dhe Prenk Jakova ishte shefi dhe drejtuesi i muzikës. Suksesi i Markut ishte befasues për nga talenti i tij i jashtëzakonshëm. Karriera e tij deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje për 30 vjet në Teatrin “Migjeni”, si udhëheqës artistik.
Kompozitori dhe instrumentisti i madh shkodran, Mark Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoj festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër, ku me kontributin dhe punën e tij profesionale, si dhe të kompozitorit Prenk Jakova me një orkestër të përbërë prej 15 instrumentistësh pati një sukses shumë të madh. Po në këtë vit u realizua dhe festivali i parë i muzikës së lehtë në Tiranë.
Në festivalin e parë të kompozitorëve amator, Marku fitoj çmimin e parë me këngën “Vallë çka dru” me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë Marku. Këtë këngë e këndoj Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula.
Karriera e Markut vazhdoj me qindra koncerte në të gjithë Shqipërinë, si dhe festa, dasma e gëzime familjare me formacione të ndryshme dhe me kolegë shumë të afirmuar në këtë zhanër muzikor. Mbi 30 vjet si violinist ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe. Që në krijimin e shkollës së muzikës (sot shkolla artistike kombëtare “Prenk Jakova”), Marku punoj si mësues violine (i jashtëm), me nxënës si: Lorenc Mosi, Angjelin Gjoni, Çesk Marashi, Edi Ndoja, Nimet Salabegu etj.
Ka marrë pjesë si violinist në formacione të ndryshme artistike në turne jashtë Shqipërisë si: Turne me ansamblin e Ushtrisë në Kinë, Kore, Vietnam, Mongoli si dhe në ish Bashkimin Sovjetik (1955), me formacion miks-popullor në Romani (1971), me Orkestrën e Radio Shkodrës, në Kosovë (1980) me Orkestrën e Shtëpisë së Kulturës në Turqi (1981), me orkestrën private në Francë e Gjermani (1994), si dhe gjatë viteve 1994-2005 në Kosovë e Mal të Zi i ftuar si violinist.
Që nga viti 1967 dhe sot, Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Është nderuar me çmime të shumta, si dhe me urdhërat: “Naim Frashëri” i klasit të dytë në vitin 1969 dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë në vitin 1983.
Emri dhe suksesi i mjeshtrit të jareve shkodrane artistit të merituar Bik Ndoja dhe këngëtarit të shquar, artistit të merituar Shyqyri Alushi, janë produkt i punës së palodhur dhe profesionale që kompozitori Mark Kaftalli bëri me këto artistë dhe për çudi, kjo figurë potenciale e muzikës nuk ka tituj më të lartë që ai i meriton.
Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Prof. Fadil Kraja komenton: “Mark Kftalli është një ndër figurat më karizmatike në historinë e muzikës së lehtë shqiptare në përgjithësi dhe i këngës qytetare të Shkodrës në veçanti. Nuk njoh ndonjë tjetër si ai, së paku në Shkodër, me krijimtari aq të pasur muzikore. Autor i qindra këngëve të muzikës së lehtë, shumë prej të cilave i qëndruan kohës dhe i dëgjojmë edhe sot. Autor operetash dhe komedish muzikore të suksesshme, violinist virtuoz, drejtues autoritar prej dhjetëra vitesh i orkestrës së Estradës Profesioniste në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Grumbullues, përpunues dhe orkestrues i përkryer dhe ndoshta unikal i këngës popullore e në veçanti, të mirënjohurit “Ahengu shkodran”, pedagog që lançoi dhe i bëri të njohur në gjithë vendin shumë këngëtarë të muzikës së lehtë dhe asaj popullore. Ky është Mark Kaftalli i cili i dha aq shumë artit muzikor në Shkodër dhe nuk u shpërblye sa duhet për këtë. Për habi apo neglizhencë, Mark Kaftalli nuk gëzon titujt më të lartë që meriton. Ndoshta mund të shlyhet kjo “harresë” këtë vit kur Marku feston tetëdhjetëvjetorin e lindjes.
“Mjeshtri i madh” këngëtari Bujar Qamili shprehet për z. Mark Kaftalli: “Ishte sodisfaksion dhe kënaqësi e privilegj i madh për çdo këngëtar kur dilte në skenë dhe para kishte drejtuesin e orkestrës Mark Kaftalli. Unë e kam pas këtë fat që në moshën 15 vjeç nën drejtimin e tij të interpretoj këngën popullore shkodrane. Mark Kaftalli mbetet një ikonë e çmuar e Teatrit “Migjeni”. Por më vjen shumë keq që sot ky emër kaq i madh që i ka dhënë Shkodrës kaq shumë, mbetet jashtë vëmendjes të pushtetit lokal dhe të drejtuesve të kulturës, të cilët nuk kujtohen të pakten me i bërë një ftesë, në ndonjë eveniment artistik që organizohet në Shkodër, i cili pse jo mundet të jetë edhe kryetar jurie. Në temperamentin e Markut spikaste edhe një humor i lindur, i hollë që shpesh e manifestonte edhe nëpërmjet barcoletave dhe bejteve”.
Drejtuesi i muzikës në teatrin “Migjeni”, Mjeshtri i nderuar, Ilir Zoga thotë me respekt për z. Mark Kaftalli: “Është një personalitet i shquar i muzikës në qytetin e Shkodrës por dhe më gjerë. Kontributi i tij artistik është mjaft i madh dhe shumë i vlerësuar. Si drejtues muzike për shumë vite në Teatrin “Migjeni”, ishte i pari që hodhi në partitura këngët apo pjesët e ndryshme orkestrale. Shquhet për reformim të formacionit muzikor dhe shpesh herë luajti edhe këngë dhe instrumentale të huaja që për kohën nuk ishte e lehtë një gjë e tillë. Me formacionin e Teatrit “Migjeni”, vuri në skenë me mjaft sukses edhe operetat dhe komeditë muzikore të krijuara nga ai.
Mjeshtri Kaftalli shquhet edhe si një kompozitor me mjaft vlera në disa zhanre të muzikës si, këngë për fëmijë, këngë qytetare, këngët e muzikës së lehtë dhe opereta. Me virtualitetin e tij si violinist na ka trashëgu lojën me mjaft profesionalizëm në të gjitha zhanret ku ai ka luajtur por në veçanti interpretimin mjeshtëror në jaret e famshme Shkodrane. Si vazhdues i rrugës së tij artistike në Teatrin “Migjeni”, jam i kënaqur që m’u dha rasti të them dy fjalë për këtë mjeshtër të muzikës”.
Ish drejtori i shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, i nderuari Sabah Bytyçi (sot me banim në Belgjikë) shprehet për Markun me nostalgji: “Mark Kaftallin e kam njohur në fillim te viteve -90. Dëgjova që në Gjakovë kan ardhur tre artist të muzikës popullore nga Shkodra, Bik Ndoja, Shyqyri Alushi dhe violinisti Mark Kaftalli. Shkova në atë lokal ku ishin dhe u njoftova me Bikun dhe Markun, me që Shyqin e njihja që nga viti 1970 kur ishim në Shkodër me ansamblin “Shote Galica” të Gjakovës. U gëzova pa masë që pata rastin të rrija me këta artist të cilët i kam ëndërruar që kur isha fëmijë. Jam rritur me muzikën popullore të Shqipërisë së Mesme dhe posaçërisht me muzikën shkodrane. Jam rritur me jaret e Bikut, Luçije Milotit, me zërin e ëmbël dhe të kristaltë të Marije Krajës, Shyqyri Alushit, Naile Hoxhës, Xhevdet Hafizit etj. U gëzova pa masë që njoha një violinist i cili tërë jetën e tij i ka përciellë jaret e Shkodrës dhe të Bikut, e ky ishte Mark Kaftalli. Gishtat e tij nga qelibari lodronin edhe atë natë në violinën e tij të cilën e kishte sjellë nga Shkodra. Me që nuk kishin fizarmonicist, menjëherë u mblodhëm dy tre shokë muzikant dhe pa kurrfarë problemi me shumë afsh dhe dashuri të madhe i përcillnim këngët e Bikut dhe të Shyqit. Variacionet e Markut nuk kishin të ndalur. Të nguliteshin në zemër dhe të çonin peshë. Melosi shkodran, zëri i kristaltë i Bikut dhe Shyqit, tingujt e ëmbël të violinës së Mark Kaftallit, ngritën peshë publikun që gjendeshe atë mbrëmje në atë restorant, ovacionit nuk kishin të ndalur tërë natën. Unë isha shumë i lumtur që bëja muzikë me një violinist ku tingullin e tij dhe zërin e ëmbël që rrjedhte nga violina e tij, e kisha pranë.
Miqësia me Markun ka vazhduar një kohë të gjatë. Me që unë isha drejtor i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” të Gjakovës, gjatë kohës kur Marku gjindeshe në Gjakovë rrinim së bashku në shkollë dhe në shtëpinë time. Markun e kam patur mik shtëpie. Marku i ka njohur shumë mirë notat dhe disa këngë popullore shkodrane, si dhe disa këngë personalisht të tija, mi ka shënuar në pentagram edhe sot i kam të ruajtura në bibliotekën time. Marku kishte një teknikë të hatashme në violinë, i binte shumë ëmbël dhe ishte në gjendje të luante në çdo lloj tonaliteti. Akoma më tingëllon në vesh zëri i violinës së Markut në përcielljen e këngëve, “Për mu paska ken kismet”, “Jare nji k’llyf me ar ta çova”, “Kënga e kalasë së Shkodrës”, “Metelikun ta kam falë” e shumë e shumë këngë nga reportori i Bik Ndojës të cilat Marku i qante me lot me violinën e tij.
Kam qenë disa herë në Shkodër në shtëpinë e Markut, jam njoftuar edhe me djalin e tij dhe me gruan e Markut zonjën Bora, ishte një grua shumë zonjë, më ka respektuar tej mase dhe na ka shtru me hangër e me pi ashtu si e ka zakon shqiptari kur i shkon miku në shtëpi. Sot me që gjendem në mërgim kam mallë dhe dëshirë të jem në Shkodër dhe t’i takoj miqt e mi të vjetër të muzikës, Markun, Bikun dhe Shyqin”.
Shkodra ka shumë kompozitorë dhe artistë të dëgjuar, por kompozitori Mark Kaftalli ka arritur të shkruaj posaçërisht për formacionin “Classic Sound’s” dhe e ka drejtuar atë në një pjesë kohe të mirë gjatë koncertit që u organizua në Teatrin “Migjeni” me rastin e 75 vjetorit të lindjes së tij, të cilin e kanë shoqëruar edhe pse në moshë, Florinda Gjergji dhe i madhi i këngës shkodrane Bik Ndoja.
Në sallën e mbushur plot të teatrit “Migjeni”, vite me radhë janë përhapur tingujt muzikor të këngëve shkodrane dhe sidomos të albumit të përmbledhur të Kaftallit titulluar “Lumturia nuk dhurohet”, kënduar dikur nga Tonin Tërshana. Por, për kompozitorin dhe edukuesin e madh të brezave të këngëtarëve si dhe mjaft koleg në shumë personazhe të muzikës sonë kombëtare, sukseset e tyre ja dedikojnë kontributit që mjeshtri i vlerësuar Mark Kaftalli, ka dhënë në vite. Marku për disa vite ka drejtuar dhe udhëhequr orkestrën e estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës të përbërë nga muzikantët e talentuar Zydi Barbullushi fizarmonikë, Ylli Drishti kitarrë, Çesk Çefa kitarrë bas, Fuat Miloti bateri, Memli Salabegu klarinetë, Nazmi Lishi fizarmonikë, Njazi Burgia bateri, Gani Tahiri tromb, Muhamet Grimci klarinetë, Gjovalin Doda saks-klarinetë, Abdulla Haxhija tromb, Abdulla Salabegu kitarrë etj.
Mark Kaftalli është një nga emrat e njohur të muzikës shqiptare. Si kompozitor ka marrë pjesë në shumë festivale të këngës në Radio-Televizion, në festivalet e këngës popullore dhe të këngës për fëmijë. Ai ka kompozuar mbi 750 këngë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli është autor i shtatë operetave. Sipas specialistëve të muzikës, Kaftalli radhitet ndër emrat që kanë dhënë kontribut të madh në përgatitjen e talenteve të reja.
Mjeshtrit Kaftalli, Këshilli Bashkiak i Shkodrës i akordoi edhe titullin “Mirënjohje e Qytetit”, në natën e spektaklit me këngëtarët më të mirë shkodranë, që u organizua në Teatrin “Migjeni” në vitin 2008. Nuk duhet neglizhuar se, që në vitin 1995, Këshilli Bashkiak e vendosi në krye të listës për të përfituar pension të veçantë për kontribut të shquar në fushën e artit dhe të kulturës. Ky vendim asnjëherë nuk u zgjidh. Duhet pranuar se me figurën dhe personalitetin e Mark Kaftallit në një farë mënyre është abuzuar.
Duhet vlerësuar se Albumi i dirigjentit, instrumentistit dhe kompozitorit shkodran Mark Kaftalli, i prodhuar pikërisht në 75- vjetorin e tij, ka melodi të jashtëzakonshme shkodrane të dala nga shpirti i artistit të madh, që gjatë gjithë jetës ka prodhuar vetëm melodi shkodrane me muzikalitet të përveçëm. Në këtë album përveç “Lumturia nuk dhurohet” është edhe kënga e bukur “Përherë me Këngë” dhe po ashtu “Ndalu Vashë”. Ky album është edhe një nga sukseset e këngës shkodrane si në muzikë qytetare, dhe atë të lehtë tradicionale të kulturës së këtij qyteti. Kaftalli është krijuesi i qindra këngëve qytetare të kryeqendrës së veriut. Kompozitori shkodran Mark Kaftalli është nderuar dhe me titullin “Prenk Jakova”. Ky titull nderi ka nisur të jepet nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës si vlerësim për figurat që kanë bërë emër në fushën e muzikës dhe në ruajtjen e traditës e të vlerave të artit shkodran.
Në dhjetor të vitit 2012 me kërkesën e një grupi artistësh instrumentistë, kryesisht të formacionit “Classic Sound’s”, u formua Shoqata Kulturore Artistike “Mark Kaftalli”, që si objeksion ka që, përmes aktiviteteve, t’i transmetojë qytetit të Shkodrës dhe më gjerë vlera artistike, por kryesisht të evidentojë veprën e madhe dhe të larmishme të kompozitorit të shquar Mark Kaftalli.
Tani në moshën 80 vjeçare, Marku gëzon shëndet të mirë dhe merret me sistemimin e të gjithë krijimtarisë muzikore të tij, me sistemimin e përfundimin deri në botimin e tij të plotë të “Ahengut Shkodran”, si dhe me përshtatje të materialeve muzikore të ndryshme (të huaja dhe shqiptare), për ansamblin e harqeve “Classic Sound’s. Njëkohësisht vazhdon të krijojë këngë të zhanreve të ndryshme.
Edhe sot e kësaj dite violina e tij me tinguj gjithmonë rinorë i bashkohet jetës artistike të qytetit, gjë që tregon se Mark Kaftalli vazhdon të jetë vital sepse krah tij qëndron energjia rinore e një talenti tjetër, djalit të tij Anton Kaftalli.
Nga Ramazan ÇEKA