“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe i lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi i zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”
FIODOR DOSTOJEVSKI
(Vijim)
Emrat e tyre janë të shumtë e secili prej tyre përfaqëson një stoli për kujtesën kombëtare, por besoj se ai i Mark Gjomarkajt zë vendin e parë në atë rrjeshtim të gjatë heronjsh. Nëse Shqipëria do të bëhet një ditë një Vend që të fillojë të përkundë nëpër djepat vlerat e shqiptarizmit, shtatoren e parë të saj duhet t’a ngrejë për këtë HERO të rrallë e të pavdekshëm në zemrat e bashkëkombësve, idhtarë të lirisë e të vlerave të kombit. Atdheu mbështeti mbi shpatullat e tij rinore, zemrën e tij të madhe e mëndjen e tij të mprehtë, të gjitha shpresat në çastin më të kobshëm të historisë së tij, duke e vënë në krye të trimijë djemsh azganë me një detyrë krejtësisht të pamundur: të ndalonte vërshimin e brigadave filosllave komuniste në Veriun e tij, me shpresën po aq të papërfytyrueshme të zbarkimit anglo-amerikan në Shqipëri. Ai e pranoi me vullnetin e një Prometheu bashkëkohor, me vetëdijen e plotë për pamundësinë e sendërtimit të ëndrrës liridashëse të kombit të tij, por me vendosmërinë me të cilën spartanët e mbretit të Spartës së lashtë, Leonidhës së I, u flijuan më shumë se dymijëekatërqind vite më parë në të njëjtin gadishull.
Shtetari kombëtarist Tahir Kolgjini përshkruan në shkrimin e tij, mbrëmjen e fundit të kaluar në kullën e Kapidanit në Shkodër së bashku me këtë të fundit e me birin e tij, Markun. Kjo prozë ka vlerë të veçantw për të kuptuar përmasat e jashtzakonshme morale e njerëzore të heroit, largpamësinë e tij, vullnetin e qëndrueshmërinë karakteriale kundrejt një gjëndje pa shpresë, virtutin madhor të njeriut që flijon gjithshka për hir të detyrës, me gjykim të ftohtë e pa lëkundje, që mendon për të gjithë e për të gjitha pritmëritë, pa menduar kurrë për vetveten…..
“Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet ë ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit. Në kët rasë Marku më drejtohet:
“Or Tahir, duhet të përgatitesh se ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”
“Për ku or Mark?
“Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.
Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.
“Baba âsht i vjetër, prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mundt’i lâ vetëm. N’atë minutë qi un të largohem nga Shqipnia, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”
Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:
“E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnia dikur, në nji mënyrë ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”
Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.
Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjonin lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo. Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.”
Ernest Koliqi në shkrimin e tij tregon atë që i kish thënë Ali Këlcyra për bisedën që kishte patur me princin e Mirditës në prefekturën e Shkodrës në ditët e fundit para hyrjes së komunistëve:
“Aliu, pasi lufta e nacionalizmit kundër fuqive shkatërrimtare mund të quhej e humbur e këshilloi të dalë në mërgim për t’i vazhduar jashtë orvatjet për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Ai u përgjigj: “Jam edhe unë i mendimit që nacionalistët duhet të dalin dhe t’a vazhdojnë jashtë veprimtarinë për të shpëtuar Shqipërinë nga robëria e rëndë mizore që po i kërcënohet. Shkoni ju e do t’ju jap me vete babën që është në moshë të thyer dhe një vëlla që t’a përcjellë. Sa për vete , mendoj se vendi im është këtu. Nuk mund t’i le mirditasit vetëm tani që një shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta.Juve ju qoftë udha e mbarë e bëfshi punë të mbara në atë anë”.
Ndjenja dhe përgjegjësia e detyrës vetiake kundrejt atyre bashkatdhetarëve, shokëve e miqve, që kishin ndarë me të idealet e shqiptarizmit dhe përpjekjet për t’i shmangur atdheut fundin tragjik, janë në mëndjen dhe zemrën e Mark Gjomarkajt në një shkallë të tillë sipërore të pakrahasueshme të natyrës njerëzore, sa që të ligjërojnë plotësisht vetmohimin në kufijtë e hyjnores, i cili është karakteristika më e spikatur e botës së brëndëshme të një heroi të shekullit të shkuar, i paracaktuar të mbetet feneri më i lartë e më i ndritur i idealizmit shqiptar për breza të tërë.
Pak më shumë se një vit e gjysmë për Markun vazhdoi jeta në malet e shpellat e Veriut të Shqipërisë, në krye të qëndresës kundër-komuniste. Kanë qënë muaj e ditë të një heroizmi të pazakontë, në të cilët ai dhe bashkëluftëtarët e tij, ishin të përkrahur nga populli i atyre krahinave, që i furnizonte me ushqime e i mbronte, duke u treguar për veprimet e forcave të mbrojtjes, gjithënjë në kërkim të tyre. Populli e pagoi shumë shtrenjtë ndihmën e përkrahjen kundrejt “bijve të malit”, nëpërmjet pushkatimeve, burgimeve, internimeve, shkatërrimit të jetëve të qindra e mijra familjeve të përndjekura pa mëshirë nga regjimi. Në shumicën e tyre ato qindra familje të shpërngulura forcërisht në kampin e çfarosjes së Tepelenës nga Mirdita, përbëheshin nga pleq, gra e fëmijë, duke vuajtur urinë, skamjen, sëmundjet, vdekjet. Bujaria, vendosmëria e flijimi i atyre njerëzve të thjeshtë ishte shqetësimi më i dhimshëm që përshkonte zemrat e atyre luftëtarëve të lirisë, por nga ana tjetër, ata së bashku shkruajtën një nga faqet më të ndritëshme të historisë shqiptare, duke na lënë edhe neve sot një krenari të ligjëshme.
Ai popull e ata heronj gjatë viteve të qëndresës, ashtu si klasa politike e kohës së luftës së Dytë botërore me mbrojtjen e hebrenjve, i ngritën vehtes një “exegi monumentum” të paarritshëm, e shënuan çaste kulmore të heroizmit të markës shqiptare, fatkeqësisht të papranuar e të mbuluar me baltën shekullore të harresës së diktuar nga kundërvlerat e ngritura në pushtet mbas 29 nëndorit të vitit 1944.
Gjatë atyre muajve të luftës kapidan Marku u vu jo vetëm në rolin e komandantit, duke u kujdesur që të shpërndante në krahina të ndryshme ushtrinë vullnetare të tij, për të mos mbetur vetëm në një vënd, si prè e përshtatëshme për forcat e Sigurimit e të ushtrisë së regjimit, duke ruajtur lidhjet në kushte krejtësisht të pafavorshme. Ai ishte organizatori i talentuar e pika e riferimit më e besueshme e më e vlefshme për luftëtarët e lirisë. Krijimi i një organizate kombëtare, të shtrirë në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ishte vepër e tij. N’atë bënte pjesë edhe grupi i qëndresës së Shkodrës, që drejtoi kryengritjen e Postribës, e cila, ndoshta për arsye të pamundësisë së komunikimit e të ndërlidhjes, filloi i pari betejën pa pritur urdhërin e komandantit. Megjithë befasinë e veprimit e suksesit të ditës së parë, kryengritja dështoi si pasojë e pamundësisë për të patur ndihmën e trupës së plotë të luftëtarëve të lirisë e grumbullimit të fuqive të shumta qeveritare. U vranë e u kapën mjaft prej atyre luftëtarëve e përfundimi i veprimit pati ndikim johenik tek ata që kishin rrëmbyer armët për të kundërshtuar regjimin komunist.
Lufta vazhdoi edhe për pesë vite të tjera, në kushte pabarazie të llahtarëshme e vështirësish të papërfytyrueshme, duke lënë në beteja lulen e rinisë qëndrestare, deri sa të fundmit luftëtarë e kuptuan se ëndrra e idealit të tyre ishte krejtësisht e pamundur të sendërtohej, dhe para forcës madhore të kundërshtarëve, u tërhoqën e shkuan në mërgim.
Në Prosek të Mirditës, simbas një dokumenti të botuar nga studjuesi Kastriot Dervishi: “Shtabi antikomunist, 19 veta ishte nisur për lëvizje brënda Mirditës. Në mëngjesin e datës 13 qershor 1946, shtabi ra në pritë të komunistëve. Beteja zgjati shumë orë. Mark Gjomarkaj u plagos rëndë. Korieri i tij u vra. Duke mos patur shpresë shpëtimi, si dhe duke mos dashur të binte në dorë të komunistëve, Mark Gjomarkaj vrau veten. Megjithatë, regjimi komunist nuk donte të evitentonte këtë fakt, por vetëm atë të forcave të veta. Në këto raste, ai i daroviste ushtarët e vet me dekorata e grada në mënyrë që t’i kishte në raste të tjera edhe më të bindur në shërbim të tij.
Me anë të një shkrese të datës 6.7.1946 , kryeministri Enver Hoxha i kërkonte Presidiumit të Kuvendit Popullor, dekorimin e ushtarakëve që “u shquan për trimëri dhe abnegacion të veçantë në rrethimin dhe vrasjen e e Mark Gjomarkajt. (Vazhdon lista e emrave)”
Kështu u mbyll jeta tokësore e komandantit të përgjithshëm të kombëtarizmit shqiptar. Në ora 7 të mëngjesit të datës 14 qershor, pranë trupit të vdekur të një djaloshi 17-vjeçar, në kushte të pamundura për të vazhduar luftën, që për të ishte sinonim i vetë jetës, ky katolik i bindur, me gjakftohtësinë, maturinë e vendosmërinë, me të cilat kishte marrë të gjithë vendimet e jetës së tij të shkurtër, ai i dha fund jetës me një të shtënë revolveri, me fishekun e fundit që kishte në të.
Sigurisht n’atë çast vendimtar mendimi i ka shkuar tek Jezui, të cilit i ka kërkuar jetën e pasosur edhe se po kryente vetëvrasjen e dënuar nga kisha e Krishtit. Ndoshta n’atë çast vetëtimthi i ka kaluar nëpër mënd një shprehje e famshme e shkrimtarit të njohur italian Alessandro Manzoni, të cilën e kishte lexuar në një libër të tij, kur studjonte drejtësi në universitetin e Romës: “Kur për të ndjekur drejtësinë nuk ka rrugë tjetër veç vdekjes, është e sigurtë për ne që Zoti na ka shënuar atë për të arritur tek Ai.”
Komunistët u gëzuan shumë për “vrasjen” e tij, e si njerëz pa asnjë lloj respekti për vlerat shqiptare e njerëzore, e keqtrajtuan trupin e tij pa jetë në Sh.Pal, në Lezhë e në Shkodër. Atyre kriminelëve të regjimit u mungoi shpirtmadhësia e heroit të Homerit, që para hidhërimit të mbretit Priam të Trojës, nuk nguroi të dorëzonte me nderim kufomën e kundërshtarit të tij të vrarë prej tij, për t’i bërë varrimin që meritonte, si mbrojtës fisnik e guximtar i atdheut të tij.
Më pëlqen t’a mbyll këtë syzim timin mbi këtë personalitet të paperëndueshëm kurrë në kujtesën historike e në qiellin e lartë të shqiptarizmit të kombit arbëror, me pak fjalë të një shkrimtari simbol të shqiptarizmit në historinë e letrave shqipe, profesor Ernest Koliqit:
“Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t’u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, ai dha provën e gjallë se s’ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës. Tradita më e kulluar shqiptare lulëzoi në Të me trimëri epike, në vetitë e kreut që e dallonte e shpirt therorizmi i cili vë nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën…..
Gjaku i dy pinjollëve të Derës së Gjomarkajve, i Markut e i Lleshit, i cili ndoqi trimërisht fatin e vëllait më të madh, nji vit ma mbrapa në malet e Mirditës, si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kand nëpër treva shqiptare për të pohuar para botës se shqiptari çmon ma fort lirinë e vlerat gojdhanore të jetës, vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbënor.”
Së fundi pak vargje monumentalë të poetit Koliqi që do t’ë ishin epitafi më i madhërishëm në një përmendore më se të merituar të atij HEROI:
“Vajton granija e po ban gjam burrnimi
po e ama zemrën ndryn n’nji dry heshtimi
pik loti ajo nuk derdh qi mbet shkret votra
edhe vajin ndalon n’vllazën e motra:
S’e qajm na Markun, le t’a qajë Shqipnija
pse rrezja e fundme ai kje qi lshoi lirija…”
Fund