HEROI MARK ÇUNI ASHT THEMELUESI I ORGANIZATËS SË PARË DEMOKRATIKE EUROPJANE ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR”, NË SHKODER NË VITIN 1945. EDHE NJË ZAMAK I FLAMURIT TONË.
Mark Çuni (1920 – 1946), ishte nga fshati Bushat i Shkodres, i pushkatuem në moshen ma të bukur kur kje 26 vjeç. Mark Çuni formoi një organizatë antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” me të gjitha besimet, per me realizue zgjedhjet pluraliste në Shqipni, atëherë kur ende nuk diheshin “rezultatet e Konferences së Jaltës”, kur Ever Hoxha kerkonte me rrejtë e mashtrue në Shkoder, si gjithmonë me Sejfullah Maleshoven per “zgjedhje demokratike” dhe “Shqipni të Lirë e të Pavarun”, pikrisht atëherë kur, thundrat e Titos dhe të Stalinit kishin fillue me zhytë në gjak e terror Popullin Shqiptar.
Bota vazhdonte me u la në gjak, e bombet binin mbi kokat tona kur Trimi Mark Çuni, mendonte per Liri, Paqë e Demokraci Europjano Perëndimore.
Këte e verteton z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, ku thotë: “Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”
ORGANIZATA ANTIKOMUNISTE “B A S H K I M I S H Q I P T A R”
Arrestimet kishin fillue nga fundi i vitit 1945, para zgjedhjeve në Shkoder.
Me 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbame nga ky trup gjykues vrasës: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela. Në bankën e të akuzuemve ishin:
- At Giovani Antonio Fausti S.J., vjeç 46, nga Breshia, Itali.
- At Daniel Llesh Dajani S.J., vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
- Mark Ndoc Çuni, vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
- At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra
- Gjergj Vat Bici, vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
- Gjon Prenk Shllaku, vjeç 22, nga Shkodra.
- Ndoc Gjelosh Vata, vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
- Preng Llesh Lezaj, vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
- Pjetër Gjok Ejlli, vjeç 20, nga Beltoja, Shkodër.
- Andro Lubo Petroviq, vjeç 32, nga Shkodra.
- Ernest Gjok Dema, vjeç 26, nga Shkodra.
- Gjelosh Lulash Bajraktari, vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh, Dukagjin.
- Luigj Ndoc Kçira, vjeç 20, nga Shkodra.
- Prof. Gjelosh Lul Marku, vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
- Zef Gjin Mirdita (Buka), vjeç 19, nga Shkodra.
- Gjovalin Kol Zezaj, vjeç 17, nga Shkodra.
- Nino Zef Kurti, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
- Myfit Qamil Bushati, vjeç 18, nga Shkodra.
- Qerim Sadik Myftari, vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
20.Luigj Sokol Shoshi, vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.
21.Frano Pjetër Mark Mirakaj, vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
22.Pjetër Palok Berisha, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
23.Osman Brahim Plaka, vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
24.Pjetër Sali Pjetërnikaj, vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.
25.Pjetër Mark Delija, vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
26.Dedë Mëhill Deda, vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
27.Jakë Vas Çunaj, vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
28.Pashuk Kol Matia, vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
29.Pjetër Kokërr Gjoka, vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
30.Nik Deli Lekbibaj, vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
31.Rrok Martin Lacaj, vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
32.Çesk Zef Gjeluci, vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
33.Ndoc Rrok Jaku, vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
34.Tonin Nush Bianku, vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
35.Lazër Simon Kodheli, vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në
Shtypshkronjën Françeskane.
36.Ndue Bib Doda, vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.
Kjo asht lista e plotë e Organizatës e marrun nga Arkivi i MMTiranë.
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjegje:
Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,
(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):
“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:
Pader Giovani Fausti S.J., nga Breschia Itali,
Pader Daniel Dajani S.J., nga Shkodra,
Pader Gjon Shllaku OFM, nga Shkodra,
Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
Qerim Sadik Myftari nga Vuthaj, Guci,
Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.
Aktet e fajtorisë së Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për t’u shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.
Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar në Shkoder u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
Gjelosh Lulashi: “Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!”
Patër Danjel Dajani: “I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut, me pasë me më thanë dy meshë.”
Patër Giovani Fausti: “Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!”
Patër Gjon Shllaku: “Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”
Mark Çuni: “I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”
Qerim Sadiku: “I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!
Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.
Shënim (FR):
Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i jam përmbajtë origjinalit, si edhe në ortografi. (autori).
Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
“Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit. Frederik Nosi d.v.”
Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga vrasësi i pashpirt Ever Hoxha, prandej edhe Tito, e pat dekorue më 1 korrik 1946, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e “gëzon edhe sot” atje ku asht!
Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të pafajshmit e kësaj organizatë. Per nga numri i Antarëve ajo tronditi Shkodren!
Mark Çuni deklaroi para trupi gjykues:
“Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë. Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë. Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim por unë e kam ba. Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue. Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë prej tyne. Faji bie mbi mue.”
Prof. Gjelosh Lul Marku tha:
“Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate. Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Pater Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike. Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka shfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata.
Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për “dorën e zezë”, por, për këtë nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e mij. Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu.”
Gjergj Vat Bici tha:
“Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë.”
Andro Petroviq tha:
“Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue. Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë. Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!”
Mark Gjon Shllaku tha:
“Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë “Antonjane”, dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.”
Pjetër Gjoka tha:
“E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo: “Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike!”.
Luigj Kçira tha:
“At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj.
Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, e jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij.”
Xhakoni Gjon Shllaku tha:
“Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport Pater Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë Pater Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945 Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit. Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira për me i shpërnda.”
Ndërhynë prokurori Aranit Çela:
“Thuaj i pandehur, çfarë ke thënë ti në hetuesi për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën, se si këta klerikë që janë këtu në bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur, për të rrëzuar Pushtetin Popullor?”
Xhakoni Gjon Shllaku i përgjegjet:
Nëse doni, unë edhe e çveshi këmishën, dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani. Për poezinë e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte pritë keq T. Jakova. Rektori, asht e vërtetë se e ka shkye gazetën “Koha e re”. Dij se ata që ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.”
Gjelosh Lul Marku tha:
“Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve të trakteve me kenë të armatosun, nuk asht e vërtetë se kemi pasë lidhje me të arratisun.”
Mark Çuni tha:
“Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris. Nuk kam pasë asnjë dijeni për poezinë e dërgueme T. Jakovës. Gjoni ndoshta, thotë këto, se don me shpëtue vedin.”
At Giovani Fausti S.J., tha:
“Unë nuk dij sëpse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte. Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë. Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç’parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë.
Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika. Unë i nënshtrohem gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue ateiste dhe imorale.
Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi.
Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm. Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t’ikte po ne e mbajtëm. Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu vërtetë i ka mbyllë shkollat por në punë të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një qeveri tiranike e nderon për mos me shkaktue randime ma të mëdha, se edhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i em ka kenë negativ.
Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë m i n o r a n c ë.”
Ndërhynë prokurori A. Çela:
“Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptarë, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë një m i n o r i t e t !”
At Giovani Fausti, përgjegjet:
“Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por m i n o r a n c ë , e kam fjalën për PAKICË.”
At Daniel Dajani S.J. tha:
“Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit. Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa. Nuk dij që Pader Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste. Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë. Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë. Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë.
Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë. Po persëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.”
At Gjon Shllaku O.F.M., tha:
“Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue Eprorët, për mos me u përzi Kleri në politikë.
Me datën 28. Janar. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.
Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë. Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista. Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.
Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit Shqiptar. Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam ditë kurrgja.
Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit Aranit Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.
Av. Muzafer Pipa tha: “Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.”
Kryetari i trupit gjykues lexon vëndimin:
“Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq.”
Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).
***
Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë, Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).
Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit, se Klerikët e akuzuem për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit të Qarkut të Shkodrës.
Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor, si përfundoi ?
– Edhe këtë do ta lexoni !
Shënim (FR): Edhe Prof. Simon Deda në Durrës, mbytet në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta, edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si ajo e Prof. Kol Prelës!? Aspak çudi!
E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën e vritën pikërisht ata, që me trutë e tyne tue dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin e Vorrëve të Rëmajit në Shkoder, më 4-mars-1946, se, guxuen e kanë thanë: “Komunistët kanë vorrue Shtetin në gropën e gjakderdhjëve, të grindjëve, të përçarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës, të vëllavrasjës e spijunlleqëve!”
Shqipnia edhe sot, asht model i papersëritshem i komunizmit n’ Europë!
Melbourne, 29 Mars 2022.
Komentet