Eurokomisari Hahn qëndroi për vizitë në Maqedoni edhe më 21 mars, ku pas takimeve me liderët politik porositi se e inkurajon presidentin e Maqedonisë që “urgjentisht të rishqyrtojë qëndrimin e tij”
SHKUP – Admir Fazllagik
Kriza disavjeçare politike në Maqedoni u thellua kur kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski, në janar të vitit 2015, doli në konferencë të jashtëzakonshme për media në të cilën iu drejtua opinionit duke akuzuar liderin e LSDM-së opozitare Zoran Zaev për tentim jodemokratik dhe jolegjitim për marrjen e pushtetit, me atë se e ka kërcënuar me audio-inçizime kompromituese në të cilat mund të dëgjohet keqpërdorime të pretenduara të zyrtarëve qeveritarë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Më pas, lideri i opozitës, Zaev, në fillim të muajit shkurt të vitit 2015, filloi me publikimin e atyre audio materialeve kompromituese, të ashtuquajtura bomba, të cilat tek qytetarët shkaktoi revoltë dhe u organizuan protesta në kryeqytyetin e Maqedonisë, Shkup, si dhe në mbarë territorin e shtetit, ndërsa kërkuan dorëheqjen e Qeverisë së kryesuar nga Nikolla Gruevski.
E gjithë kjo solli deri tek rrija e presionit diplomatik mbi liderët politik në Maqedoni, që në fund rezultoi me arritjen e marrëveshjes politike për tejkalimin e krizës në Maqedoni (Marrëveshja e Përzhinës, 02 qershor/15 korrik) e nënshkruar nga partitë më të mëdha politike në Maqedoni, me ndërmjetësim të eurokomisarit për Zgjerim, Johannes Hahn.
Marrëveshja parashihte Qeveri teknike, në të cilën do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës, reforma në media, ndarjen e partisë nga shteti, formimin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) e cila do të punojë në rastet që dalin nga përgjimet, me qëllim që të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme korrekte dhe demokratike parlamentare. Zgjedhjet u caktuan dy herë, njëherë u parapanë për më 24 prill të vitit të kaluar, më pas u anuluan për në 5 qershor, që në fund të mbahen më 11 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, në muajin prill të vitit të kaluar, vendimi i presidentit Gjorge Ivanov për të aboluar politikanë kundër të cilëve ka hetime për vepra të mundshme penale shkaktoi pakënaqësi tek qytetarët dhe një pjese të partive politike, për shkak të cilës u organizuan protesta, që në fund të muajit maj të vitit të kaluar, Ivanov të tërheq këtë vendim.
Nga zgjedhjet për përfundimin e krizës, deri në thellimin dhe transformimin e krizës nga politike në institucionale
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë të cilat u mbajtën më 11 dhjetor të vitit të kaluar duhej t’i jepnin fund krizës politke në vend dhe të fillojë një fazë e re e stabilizimit të skenës politike në vend.
Por, përkundrazi, jo vetëm që nuk iu dha fund krizës politike, por ajo nga politike, u shndërrua në institucionale dhe kushtetuese.
Për gjendjen e tillë kontribuan rezultatet e ngushta zgjedhore të cilat i kanë dy partitë më të mëdha politike në vend, partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe ajo opozitare Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), e cila në zgjedhjet e fundit mori një kontingjent të konsiderueshëm të votave shqiptare në Maqedoni, por edhe partitë e bllokut shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila në këto zgjedhje mori shumë më pak vota, ndërsa subjekti i ri politik në bllokun shqiptar, Lëvizja BESA fitoi pesë mandate dhe arriti të faktorizohet në skenën politike të Maqedonisë.
Pas këtyre rezultateve, vijuan negociata mes partive politike. Mandatin për formimin e Qeverisë, presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov ia dha kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski si parti e cila fitoi më shumë mandate në Kuvend, 51, i cili në afat prej 20 ditëve për formimin e Qeverisë nuk arriti të merret vesh me partnerin shumëvjeçar të koalicionit BDI-në, për shkak të platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni. Kjo platformë u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare , e cila përmban disa kërkesa mbi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Liderët e partive politike shqiptare u zotuan se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e re të Maqedonisë nëse nuk pranohen kërkesat e përmendura në deklaratë. Platforma e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni, e cila në fakt është deklaratë e përbashkët e tre partive shqiptare BDI, Lëvizja BESA dhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët e cila, sipas tyre u arrit në Shkup po e firmosur në Tiranë, në kabinetin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Për VMRO-DPME-në kontestuese është ajo se kjo deklaratë është miratuar në shtet të huaj me ndërmjetësim të kryeministrit të këtij shteti, ndërsa në aspektin përmbajtësor deklarata në fjalë sipas tyre nuk është në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, për çka mendojnë se mund të vjen deri te ridefinimi i shtetit.
Në këtë kontekst, ata përmendin edhe Ligjin për dygjuhësi në tërë territorin e shtetit, sipas të cilit, gjuha shqipe do të mund zyrtarisht të përdoret në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë, që për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme.
Pas dështimit të negociatave mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë, presidenti Ivanov doli para opinionit me qëndrim se mandatin do t’ia ndajë atij që do të sigurojë shumicë parlamentare prej së paku 61 nënshkrime të deputetëve por edhe sipas programit të tij nuk do të rrezikojë karakterin unitar, sovranitetin dhe identitetin e Republikës së Maqedonisë.
Pas kësaj kërkese të presidentit Ivanov, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, arriti që në marrëveshje me partite politike shqiptare BDI, BESA dhe Aleanca me Shqiptarët që t’i sigurojë nënshkrimet e kërkuara, por edhe përskaj këtij fakti, presidenti Ivanov u prononcua se “nuk do ti ndajë mandatin secilit që negocion për platforma të shteteve tjera me të cilat rrezikohet populli maqedonas, unitariteti, sovraniteti dhe pavarësia e shtetit”.
Në vargun e këtyre ndodhive, më 7 mars, presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov dërgoi një letër deri te anëtarët e Këshillit Evropian, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, deri te sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe deri te partnerët strategjik, presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, në të cilën sqaron gjendjen aktuale në vend.
Mes tjerash, në letrën presidenti Ivanov konsideron se dënimi dhe hedhja poshtë e platformës apo deklaratës së partive politike shqiptare është mënyra e vetme për gjendjen pa rrugëdalje në të cilën gjendet Maqedonia.
Trysnia diplomatike për shkak të vendimit të Ivanovit
Pas vendimit të Ivanovit që të mos i japë mandatin liderit të LSDM-së, vijuan një varg reagimesh nga opinion vendor i ekspertëve, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Një pjesë e opinionit të ekspertëve konsideron se presidenti Ivanov duhet t’ia ndajë mandatin Zaevit sepse ai ka shumicën e nevojshme, ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo nuk duhet të ndodh sepse nuk janë plotësuar kushtet që i ka përmendur Ivanov.
Në këtë kontekst, me reagime të veta dolën edhe ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së në Maqedoni, si dhe komisari për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim të BE-së, Johanes Hahn, duke kërkuar nga presidenti Ivanov që ta ndajë mandatin. Pas zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor, Hahn e vizitoi Maqedoninë dy herë. Në fillim të shkurtit në Shkup kishte takime me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov dhe me liderët e partive të përfaqësuara në Parlament.
Pas takimeve të atëhershme, Hahn porositi se pret që nga liderët politikë të demonstrojnë pjekuri demokratike dhe të marrin vendim në interes të qytetarëve dhe perspektivës evropiane në vend.
Eurokomisari Hahn qëndroi për vizitë në Maqedoni edhe më 21 mars, ku pas takimeve me liderët politik porositi se e inkurajon presidentin e Maqedonisë që “urgjentisht të rishqyrtojë qëndrimin e tij” dhe se “nuk ka kohë për të humbur”.
“Qartazi përsëritëm qëndrimin se liderët në vend, duke përfshirë edhe presidentin, doemos duhet të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Në një demokraci, secili duhet të respektojë shumicën parlamentare”, ishte porosia në deklaratën e Eurokomisarit Hahn dhe të tre eurodeputetëve, në të cilën bën thirrje për formimin e shpejtë të Qeverisë së re të përkushtuar në zbatimin e “reformave të ngecura”.
Përveç të lartëpërmendurve, formimin e Qeverisë së re në Maqedoni e kërkoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili këkoi që të ndahet mandati sepse është siguruar shumica e nevojshme. Po ashtu, edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini e cila qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoni, pas takimit me presidentin Ivanov dhe me liderët politik në vend, theksoi se ka kërkuar nga presidenti Ivanov që të ndryshojë vendimin për ndarjen e mandatit për formimin e Qeverisë dhe shprehu shqetësim se kriza politike mund të kalojë në ndëretnike, madje edhe në gjeopolitike.
Para do kohe, po ashtu për vizitë në Maqedoni ishte edhe Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zanier i cili pas përfundimit të takimeve me liderët politikë shprehu shqetësim për gjendjen në vend dhe u bëri thirrje liderëve politikë që t’i japin fund krizës në interest ë të gjithë qytetarëve të shtetit.
Për shkak të krizës disavjeçare në Maqedoni e cila ende nuk ka përfunduar, në opinion fitohet perceptimi se BE-ja me përpjekjet e deritanishme nuk arriti të ushtrojë ndikim të konsiderueshëm për të ardhur deri te zbatimi më i shpejtë i reformave të kërkuara të cilat do të sillnin daljen përfundimtare nga kriza.
Nga ana tjetër, ndonëse BE-ja dhe NATO janë qëllime strategjike të Maqedonisë, kohë pas kohe, po bëhet një retorikë negative drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, para se gjithash BE-së, si dhe një pjese të ambasadorëve të vendeve të huaja në Maqedoni, për të cilët një pjesë e politikanëve kërkuan “që të mos përzihen në punët e brendshme të vendit”.
Protesta kundër platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni
Të gjitha këto ndodhi në mënyrë shtesë nxehen me protestat të cilat nga fundi i muajit shkurt, nisma qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët” së bashku me mijëra mbështetës në orët e pasditës marshon nëpër rrugët e Shkupit por edhe në qytetet tjera në Maqedoni duke protestuar kundër platformës së partive politike shqiptare në Maqedoni.
Ata shprehin mbështetjen e tyre për presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, që të mos ia ndajnë mandatin presidentit të LSDM-së Zoran Zaev për të formuar Qeverinë e ardhshme.
Protestuesit janë kundër dygjuhësisë në shtet dhe paralajmërojnë se do të protestojnë çdo ditë, derisa nuk hidhet poshtë platforma. Ata thonë se janë kundër ridefinimit dhe se protestojnë kundër ndryshimit të Kushtetutës, emrit dhe rrënjëve të shtetit.
Përfaqësuesit e nismës qytetare “Për Maqedoni të Përbashkët”, kërkuan takim me Eurokomisarin Hahn, i cili ishte për vizitë në Maqedoni, por ai tha se nuk ka kohë për takime me organizatat qytetare. Për këtë shkak presidenti Ivanov, terminin e paraparë për takim me eurokomisarin Hahn ia liroi nismës qytetare, por megjithatë takimi nuk u realizua.
Po ashtu, në protestat para Kuvendit të Maqedonisë, e cila mbahej në të njëjtën kohë derisa Eurokomisari Hahn kishte takime me liderët politike në Kuvend, një pjesë e folësve drejtuan kritika në adresë të Hahn, për shkak të, siç theksuan, publikimit të tij në rrjetet sociale në të cilën, siç theksuan, eurokomisioneri Hahn shkroi se “Rruga deri në BE mbetet e hapur për Shkupin”.
Çka më tej?
Për shkak të konstalacionit të tillë të marrëdhënieve mes aktorëve politikë në Maqedoni, sundon një pasiguri, ndërsa në opinion përflitet për skenarë të mundshëm të caktuar për dalje nga kriza politike, e cila u shndërrua në institucionale.
Ajo që momentalisht po ndodh janë takimet mes përfaqësuesve të partive politike në të cilat mbahen konsultime, e të cilat do të duhet të sjellin deri te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe vazhdimi i punës së tij.
Ndërkohë liderët politik dalin me qëndrime për dalje nga kriza institucionale.
Nga njëra anë VMRO-DPMNE thekson se dalja nga kriza politike është hedhja poshtë e platformës së partive shqiptare dhe zgjedhje të reja parlamentare të cilat do të mbaheshin së bashku me ato lokale, ndërsa nga ana tjetër LSDM bën thirrje që t’i jepet mandate dhe të formohet Qeveria e re.
BDI kërkoi përgjegjësi më të madhe politike të partive më të mëdha dhe zgjidhje që çojnë drejt daljes nga kriza në vend, ndërsa nga Lëvizja BESA theksojnë se nëse shpejtë nuk ka zgjidhje të krizës institucionale, ekziston rrezik nga kriza interetnike.
Komentet