Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, nënshkruan të dielën marrëveshjen për ndryshimin e emrit të ish Republikës Jugosllave në “Republikën e Maqedonisë Veriore”.
Marrëveshja historike u nënshkrua pas dekadave të bisedimeve, të cilat kishin përkeqësuar marrëdhëniet midis dy vendeve dhe penguan pranimin e shtetit ballkanik në Bashkimin Evropian dhe në NATO, anëtare e të cilave është Greqia.
Marrëveshja duhet të miratohet nga parlamentet e të dyja vendeve dhe do të hidhet në referendum në Maqedoni.
“Ne kemi një përgjegjësi historike që marrëveshja të mos mbetet pezull dhe jam i bindur se do të arrijmë këtë”, tha kryeministri grek, Alexis Tsipras, derisa ai dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, u duartrokitën gjatë në ceremoninë e nënshkrimit në liqenin e Prespës.
Kryeministri Tsipras mbijetoi një mocion mosbesimi të shtunën të ngritur nga opozita greke, por emocionet kundër marrëveshjes në opinion grek mbeten të thella.
Sipas një ankete të gazetës Proto Thema që u publikua të shtunën, mbi 70 për qind e grekëve kundërshtojnë kompromisin.
Sipas marrëveshjes, Greqia do të heqë dorë nga kundërshtimi i saj për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Vendet tona duhet të heqin dorë nga e kaluar dhe t’i kthehen të ardhmes”, tha kryeministri Zaev. “Ne ishim mjaft të guximshëm për të hedhur një hap përpara.”
Greqia ka qenë në mosmarrëveshje me Maqedoninë që nga viti 1991 për emrin e ish republikës jugosllave, duke argumentuar se ai mund të nënkuptojë pretendime territoriale mbi krahinën greke të Maqedonisë dhe një përvetësim të kulturës dhe qytetërimit të lashtë grek.
Çështja është emocionale për shumë nga grekët. Të shtunën mijëra protestues jashtë ndërtesës së parlamentit brohoritën “tradhtar, tradhtar”, derisa”, derisa po debatohej mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë greke.
Komentet