VOAL

VOAL

Maqedoni: Tërhiqen nga qarkullimi tekstet me albanofobi dhe seksizëm

April 1, 2018

Komentet

Zv/ministri i Jashtëm i RMV në Korçë: Nuk preket gjuha shqipe as marrëveshja e Ohrit!

Zv/ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Zoran Dimitrevski ka vizituar këtë të enjten Korçën, nga ku ka folur rreth debatit të krijuar në Shkup për ligjin e gjuhëve që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

Ai u shpreh se asnjë nismë nuk do të prekë vendimet e përbashkëta, siç janë marrëveshjen e Ohrit e firmosur me shqiptarët, apo ajo e Prespës, e firmosur me Greqinë.

“Ka iniciativa për të riparë disa nga çështjet dhe ligjet e gjuhëve të ndryshme në Maqedoni, siç është gjuha shqipe. Këto vendime e rishikime nuk kanë qëllim të ndikojnë përdorimin e gjuhës shqipe. Janë çështje të specifikimeve të gjuhëve, uniformimin, ushtrinë, bankat. Është ende në gjykatë, por nuk do të ketë vendime antikushtetuese qe do të prekë përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Ne duam që shqiptarët të ndihen të lirë e të sigurtë, por është e rëndësishme që gjuha maqedonase të vlerësohet nga gjithë shtetasit në Maqedoni”, u shpreh Dimitrevski.

Zv/ministri i Jashtëm i RMV ndodhet në Korçë me rastin e 80-vjetorit të mësimit të gjuhës maqedonase në Shqipëri. Ai i shprehet mirënjohës Tiranës zyrtare, që ka lejuar komunitetin maqedonas të mësojnë dhe flasin pa problem gjuhën e tyre mëmë.

“Është mundësi historike sepse jemi fqinje të ngushtë dhe e vlerësojmë që Shqipëria ka lejuar maqedonasit të shprehin gjuhën e tyre. Ka ura bashkëpunimi midis dy vendeve dhe të dyja vendet duan të bëhen vende të BE dhe punojnë në çështjet gjuhësore dhe kulturore”, nënvizoi ai.  sn

Shkup, ish-zvkryeministri Artan Grubi shpallet në kërkim ndërkombëtar

VOA Isak Ramadani

Autoritetet policore në Maqedoninë e Veriut publikuan sot në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme njoftimin për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-zv/kryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorin e “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami.

Kërkesa për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-zyrtarit të lartë është lëshuar nga Prokuroria publike në Shkup, pasi Gjykata Themelore e miratoi të martën në mbrëmje kërkesën për caktimin e masës me paraburgim për zotin Grubi dhe Bajrami.

Ata dyshohen për përfshirje në manipulim me prokurimet publike për Lotarinë dhe ndarjen e jashtëligjshme të licencave për kompanitë e lojërave të fatit dhe kazinotë.

Tetë persona dyshohen si të përfshirë në këtë vepër penale. Sipas prokurorisë, ata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm mbi tetë milionë euro.

Autoritetet në Shkup thonë se ish-zëvendëskryeministri ndodhet në Kosovë, ku u arratis të dielën, ndërsa ish-drejtori Bajrami është strehuar po në Kosovë disa muaj më parë, sipas policisë.

Mediat lokale raportojnë se zoti Grubi ka angazhuar një avokat dhe se “do të kthehej në vend nëse gjykohet në gjendje të lirë”.

Vetë ish-zëvendëskryeministri nuk është prononcuar publikisht që nga e diela në mbrëmje kur shkruante në rrjetin social Facebook se ndodhej “jashtë shtetit për vizitë private dhe se do të kthehej sapo të kryente detyrimet”.

Artan Grubi u përcaktua nga Departamenti i Shtetit pak ditë më parë së bashku me gjykatësin Enver Bexheti si të përfshirë në korrupsion dhe u shpallën si “persona të padëshiruar”.

Akuza për korrupsion- Gjykata i cakton masën e paraburgimit ish-zvkryeministrit Artan Grubi

VOA

 

Prokuroria maqedonase i kërkoi të martën Gjykatës Themelore në Shkup që të vendosë masën e parburgimit për ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe gjykata e miratoi kërkesën.

Zoti Grubi dhe shtatë persona të tjerë dyshohen për manipulime në “Lotarinë Shtetërore” gjatë kohës kur ai mbante postin e lartë qeveritar. Zoti Grubi ndodhet jashtë shtetit.

Artan Grubi, sipas prokurorisë, ka urdhëruar në mënyrë të jashtëligjshme dhënien e licencave për disa kompani të lojërave të fatit dhe kazino dhe është përfshirë së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë, Përparim Bajrami në prokurimin e manipuluar të paisjeve për Lotarinë. Dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit është mbi 8 milonë euro, sipas njoftimeve të organeve të rendit.

Burime policore në Shkup thonë se zoti Grubi pak para bastisjes në banesën e tij të dielën është larguar në drejtim të Kosovës, duke shfrytëzuar një biznesmen dhe konsull nderi të Maqedonisë së Veriut në Kosovë për ta kaluar kufirin e vendit fqinj me një automjet me targa diplomatike.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski pas ardhjes në pushtet akuzoi “Lotarinë shtetërore” për veprimtari të jashtëligjshme, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të viheshin para drejtësisë, ndërsa zyrtarët e koaliciont qeverisës “Vlen” kanë akuzuar prej javësh zotin Grubi për përfshirje në korrupsion.

Një ditë më parë, përmes rrjetit Facebook, Artan Grubi bëri të ditur se ndodhej jashtë shtetit në një udhëtim privat, me dokumente të rregullta dhe se do të kthehej në Maqedoninë e Veriut, sapo të përfundonte detyrimet që kishte. Ai bëri thirrje që të mos spekulohej se ishte arratisur.

Hetimet ndaj tij filluan shumë shpejt pasi ish-zëvendëskryeministri Grubi dhe gjykatësi Enver Bexheti u përcaktuan nga Departamenti amerikan i Shtetit për përfshirje në korrupsion

Policia në Maqedoninë e Veriut bastis shtëpitë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, gjenden 50 mijë franga zvicerane

Sot në mëngjes, policia ka kryer kontrolle në shtëpitë e ish-zv kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV, Përparim Bajrami.

Burime pranë MPB i kanë thënë mediave maqedonase se bastisjet janë bërë për dyshimet për krim në Lotarinë Kombëtare. Artan Grubi nuk është gjendur në banesë dhe mësohet se ai ndodhet në Kosovë. Ai ka thënë se ndodhet në Kosovë në një vizitë private dhe se do rikthehet në RMV.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e ish-drejtorit të Lotarisë në Maqedonisë, Përparim Bajrami, edhe ai nuk është gjendur në banesë. Dyshohet se Bajrami ka ikur jashtë vendit disa muaj më parë, ndërsa familjarët kanë deklaruar se ai do kthehet sërish.

Burime nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut kanë thënë se në shtëpinë e ish-drejtorit Përparim Bajrami janë gjetur 50 mijë franga zvicerane.

(Balkanweb)

Artan Grubi tërhiqet nga politika

Enis Shaqiri

Tri ditë pas futjes në listën e zezë amerikane, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka njoftuar të mërkurën vonë, se ka vendosur të tërhiqet nga politika dhe jeta publike.

Në një reagim përmes Facebook-ut, Grubi, nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), në opozitë, bëri të ditur se për këtë vendim ka informuar edhe kryetarin e partisë së tij, Ali Ahmeti, “që nga dita e parë”.

“Unë, përpara Zotit, familjes dhe miqve jam i pastër si loti, por me synimin për të zbardhur të vërtetën, të cilën shumë prej jush e shoh që tashmë e dini, dhe për të mos qenë barrë politike, kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike dhe për këtë e kam njoftuar kryetarin Ahmeti qysh ditën e parë”, shkroi Grubi.

Ai theksoi, gjithashtu, se “sulmet e mëdha ndër vite, keqinterpretimet dhe goditjet e padrejta” e kanë shtyrë të marrë një vendim të këtillë.

“Ky është një vendim i vështirë, por i nevojshëm për të kursyer familjen dhe ruajtur integritetin tim personal dhe politik, si dhe për të mbështetur vazhdimësinë e punës dhe përkushtimit të liderit tonë, Ali Ahmeti”.

Ali Ahmeti tha të mërkurën në Shkup se partia e tij nuk ka për qëllim të kontestojë vendimet e Departamentit amerikan të Shtetit.

Ahmeti e vlerësoi Grubin si një person të “ përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm” dhe shtoi se nuk ka nevojë për përjashtimin e tij nga partia, pasi “ai do të tërhiqet vetë nga të gjitha funksionet e partisë”.

Ndërkohë, Prokuroria Publike në Shkup bëri të ditur të mërkurën se ka nisur një hetim kundër ish-zëvendëskryeministrit Grubi, njëherazi ish-shef i kabinetit të Ahmetit, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, për dyshime mbi përfshirjen e tyre në “korrupsion të lartë”.

Kryeprokurori Lupço Kocevski njoftoi se synimi i hetimit është të vërtetojë nëse ka përgjegjësi penale për Grubin dhe Bexhetin, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).

Grubi e ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.

Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin vjen rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi për zgjerimin e listës së zezë me persona tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë këtij viti, përveç Grubit, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Enver Bexheti, në listën e zezë amerikane janë përfshirë edhe ish-prokurorja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva dhe kryetari i Karposhit, Stevço Jakimovski.

Ndërsa, në vitit 2023, SHBA zgjeroi listën e zezë, duke futur në të kryetarin e Komunës së Strugës, Ramis Merkon, ish – zëvendëskryeministrin, Koço Angjushev, biznesmenin, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre “në korrupsion të profilit të lartë”.

Po ashtu, në listën e zezë janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Lube Boshkovski, dhe disa figura të tjera. REL

Shtyhet seanca për Ligjin për gjuhët në Maqedoninë e Veriut

Seanca e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve, 11 dhjetor 2024.

 

Enis Shaqiri

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.

Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.

Propozimi për shtyrjen e seancës u bë nga gjykatësja e Gjykatës Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.

Në hapjen e seancës të mërkurën, gjykatësi Fatmir Skënderi propozoi shtyrjen e seancës për dy javë, me qëllim që të sigurohej prania e dy gjykatësve shqiptarë dhe plotësimi i përbërjes së gjykatës. Propozimi u hodh poshtë me votim, dhe pas kësaj gjykatësi Skënderi lëshoi seancën.

Seanca e së mërkurës filloi me mungesën e dy gjykatësve shqiptarë, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, që bojkotuan procesin.

Nëpërmjet bojkotit, Kadriu dhe Ajdari synojnë të bllokojnë nisjen e procedurës për këtë ligj. Kjo lidhet me një konkluzion të miratuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë viteve 2022 dhe 2023, që kërkon pjesëmarrjen unanime të të gjithë anëtarëve për procedurat që kanë të bëjnë me Ligjin për gjuhët, Marrëveshjen e Prespës dhe Ligjin për komunikime elektronike.

Bojkotin nga ana e gjyqtarëve shqiptarë e kishte përmendur më herët, Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i Maqedonisë së Veriut që vjen nga radhët e VLEN-it. Me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.

“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor duke siguruar se “ligji nuk do të preket”.

Njerëzit embledhur para Gjykatës Kushtetuese në Shkup ku ishte paraparë të mbahej seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Njerëzit embledhur para Gjykatës Kushtetuese në Shkup ku ishte paraparë të mbahej seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ndërkohë, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, që udhëheq me Frontin Evropian, deklaroi para njerëzve të mbledhur se data e 11 dhjetorit 2024 i rikujton periudhën e vitit 1989, kur, sipas tij, “Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës”.

“Të punojmë së bashku. Ne kurrë nuk e kemi kontestuar gjuhën apo kulturën e tyre. Gjithmonë kemi qenë përkrah tyre, duke kërkuar mënyra për të mbrojtur së bashku vlerat tona dhe ato të bashkëqytetarëve tanë maqedonas. Në fund të fundit, jetojmë nën të njëjtin qiell dhe na ngroh i njëjti diell. Ne dëshirojmë që vendi ynë të jetë në paqe dhe i integruar në Bashkimin Evropian”, tha Ahmeti, pas vendimit, duke shtuar se paqja nuk duhet të cenohet, dhe vendimet e Kushtetueses nuk duhet të merren në mënyrë të njëanshme.

BDI-ja edhe më herët ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë ai mund të bëhet i pazbatueshëm.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Para Gjykatës Kushtetueses në Shkup të pranishëm janë edhe liderë të tjerë të Frontit Evropian në opozitë, si Zijadin Sela, lider i njërit fraksion të Aleancës për Shqiptarë, si dhe një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh partiakë.

Çfarë është Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene.

Ky ligj hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, Ligji për gjuhët u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.

Sikurse presidenti Ivanov, edhe opozita e cilësoi ligjin si antikushtetues.

Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Pas miratimit, ligji u kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre ishte edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të bënte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.

Megjithëse VMRO DPMNE-ja e kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij, tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, theksoi se “nuk do të ndodhë asgjë” dhe siguroi se situata është “nën kontroll”.

“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë. E gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll, të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi të martën Mickoski.

Më herët, ai kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”.

Çka po kontestohet?

“Iniciatorët kundërshtojnë tërësinë e Ligjit nga aspekti i Amendamentit V të Kushtetutës, sepse zgjeronte kornizën kushtetuese të dhënë në këtë amendament në lidhje me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve joshumicë dhe përcaktonte barazinë e një gjuhe tjetër që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, thuhet në raportin përmbledhës të Gjykatës Kushtetuese për atë që është objekt i kundërshtimit të 13 nismave.

Rrjedhimisht, nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë, janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Cilat janë këto vërejtje?

Në vitin 2019, Komisioni i Venecias kishte dhënë vlerësim për Ligjin për gjuhët, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.

Komisioni kërkoi:

Rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë.

Masa për zbatimin efikas të kërkesave gjuhësore, bazuar në dispozitat e Ligjit të mëparshëm të vitit 2008, për të garantuar zbatueshmërinë e tyre pa krijuar konfuzione, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.

Revidimin e nenit 3 të Ligjit për gjuhët, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë.

Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses

Ngjashëm sikurse 13 inicativat e lartpërmendura, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapur, cila i drejtohet Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse, siç thuhet, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”.

Ata përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Balancuesi, tashmë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut.

Cili do të jetë fati i Ligjit për gjuhët në Maqedoninë e Veriut?

Tabelë në Shkup, në gjuhën maqedonase, angleze dhe shqipe, që tregon drejtimin e qytetit.

 

Enis Shaqiri

Në një atmosferë të tensionuar politike, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut do të mblidhen të mërkurën, më 11 dhjetor, për ta shqyrtuar kushtetutshmërinë e disa dispozitave të Ligjit për gjuhët, i cili u miratua në vitin 2018 dhe hyri në fuqi një vit më vonë.

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mxhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, siguroi gjatë një konference për shtyp të martën se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.

“Ne si VLEN thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeminsitri, si dhe kryetarja e shtetit”, tha Mexhiti.

Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti njoftoi se gjyqtarët shqiptarë në gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, me çka pohoi se “vendimi nuk mund të ketë legjitimitet”.

“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, tha Mexhiti më gjashtë dhjetor.

Për cilin dokument bëhet fjalë?

Sipas një dokumenti të publikuar së fundmi, i përgatitur nga një gjyqtar kushtetues, thuhet se “Gjykata Kushtetuese nuk duhet të iniciojë procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”.

Dokumenti thekson se më 11 dhjetor nuk do të fillojë procedura për të vlerësuar kushtetutshmërinë e ligjit, pasi ai është i mbështetur në Kushtetutën e vendit.

“Përmbajtja e Ligjit të kontestuar për përdorimin e gjuhëve në tërësi ka bazën dhe arsyetimin e vet kushtetues në Amendamentin V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Prandaj, besojmë se kushtetutshmëria e tij nuk mund të vihet në pikëpyetje as me këtë amendament, as me nenin 51 paragrafët 1 dhe 2, nenin 8 paragrafi 1, siç thuhet në nismë”, thuhet në dokument.

Megjithatë, dokumenti sugjeron që të iniciohet procedura për disa formulime të përgjithshme dhe dy dispozita specifike të ligjit, që lidhen me përdorimin e simboleve në monedha dhe proceset gjyqësore. Kjo nënkupton se seanca e së mërkurës nuk do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e të gjithë ligjit, por vetëm disa dispozita.

Gjykata Kushtetuese, nga ana e saj, ka njoftuar se nuk do të komentojë shpërndarjet mediatike, besueshmërinë e dokumenteve të publikuar, si dhe deklaratat dhe reagimet politike që vijnë në prag të seancës së caktuar.

Ligji i Gjuhëve

Ligji për përdorimin e gjuhëve përbëhet nga 25 nene.

Ky ligj, hyri në procedurë parlamentare më 5 shtator 2017. Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, refuzoi ta dekretonte, duke argumentuar se ligji ishte antikushtetues. Megjithatë, më 11 janar 2018, ligji u miratua me 69 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Opozita, e udhëhequr asokohe nga VMRO-DPMNE-ja, nuk mori pjesë në seancë.

Si presidenti Ivanov, edhe ata e cilësuan ligjin si antikushtetues.

Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.

Ndryshimet kryesore që solli ligji i ri ishin: “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Pas miratimit, ligjiu kundërshtua nga 13 iniciativa të paraqitura nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme. Mes këtyre, edhe partia më e madhe maqedonase VMRO-DPMNE, e cila në atë kohë ishte në opozitë dhe ishte angazhuar se do të realizonte “korrigjime” pasi të kthehej në pushtet.

Megjithëse kjo parti kontestonte thuajse çdo aspekt, që nga mënyra e miratimit të ligjit deri te përmbajtja e tij.

Tani kryeministri Hristijan Mickoski, i cili vjen nga kjo parti, ka theksuar se “nuk do të ndodhë asgjë” dhe ka siguruar se situata është “nën kontroll”.

“I lus bashkëqytetarët shqiptarë, maqedonas të gjithë, të jenë të qetë, e gjithë puna është nën kontroll, gjithçka është nën kontroll të mos lejojmë të biem pre e provokimeve të këtyre njerëzve”, deklaroi të martën Mickoski.

Më herët, ai kishte thënë se nuk po kontestohet i gjithë ligji, por “vetëm dy a tri dispozita”.

Partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) të cilët po bëjnë “roje” para Gjykatës Kushtetuese, mendojnë të kundërtën.

BDI-ja ka shprehur shqetësim se nëse neni 23, paragrafi 5 i Ligjit për gjuhët abrogohet, atëherë i njëjti mund të bëhet i pazbatueshëm.

Deputeti Arbër Ademi nga BDI-ja të martën tha se “18 dispozita janë në rrezik”.

“Një presje po të ndryshojë pavarsisht kontekstit mund ta zhvlerësoi në tërësi ligjin e lërë më 18 dispozita. Lexojeni Neni 23 paragrafi 5 tentohet të abrogohet është propozim pët tu abrogu, atëherë asnjë institucion nuk do ta zbatojnë ligjin për gjuhën shqipe”, tha Arbër Ademi gjatë një debati në TV21.

Çka po kontestohet?

“Iniciatorët kundërshtojnë tërësinë e Ligjit nga aspekti i Amendamentit V të Kushtetutës sepse zgjeronte kornizën kushtetuese të dhënë në këtë amendament në lidhje me përdorimin e gjuhëve të komuniteteve jo-shumicë dhe përcaktonte barazinë e një gjuhe tjetër që flitet nga të paktën 20% e qytetarëve, me gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare”, thuhet në raportin përmbledhës të Gjykatës Kushtetuese për atë që është objekt i kundërshtimit të 13 nismave.

Rrjedhimisht, nenet apo pjesët e neneve për të cilat propozohet nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë janë gjithashtu pjesë e vërejtjeve të Komisionit të Venecias.

Cilat janë këto vërejtje?

Në vitin 2019, Komisioni i Venecias kishte dhënë vlerësim për Ligjin e Gjuhëve, duke thënë se disa dispozita të tij tejkalonin standardet ndërkombëtare për gjuhët rajonale dhe të pakicave.

Komisioni kërkoi:

Rishikimin e dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë.

Masa për zbatimin e efikas të kërkesave gjuhësore, bazuar në dispozitat e Ligjit të mëparshëm të vitit 2008, për të garantuar zbatueshmërinë e tyre pa krijuar konfuzione, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë.

Revidimin e nenit 3 të Ligjit, i cili parashikon përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimet institucionale dhe fusha të tjera, duke kërkuar një përcaktim më të qartë të fushës së zbatimit për të shmangur keqkuptimet dhe konfliktet në praktikë.

Çka mund të ndodhë?

Ekspert të Kushtetuteses, thonë se ajo që mund të bëjë gjykata më 11 dhjetor është ta hedhë poshtë inicativën, të vendosë të fillojë një procedurë për ligjin ose vetëm për disa dispozita, ta ndalë përkohësisht zbatimin, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, apo edhe ta kthejë në Kuvend për përmirësim.

Akademikët shqiptarë me letër ndaj Kushtetueses

Ngjashëm si 13 inicativat e lartëpërmendura, mbi 250 intelektualë shqiptarë kanë nënshkruar një letër të hapure, cila i drejtohet Gjykatës Kushtetueseqë të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse siç thonë, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”.

Ata përkujtojnë se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Balancuesi, tanimë i shfuqizuar, dhe Ligji i gjuhëve u përfshinë në rendin e ditës pak muaj pasi VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut. REL

Maqedoni e Veriut, nesër shqyrtohet Ligji për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe

Ligji për gjuhët që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të shqyrtohet nesër në një seancë te Gjykatës Kushtetuese në orën 09:30.

Ligji i shumë përfolur muajt e fundit, për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e kësaj gjykate ndërsa lënda që lidhet me kundërshtimin e tij, përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019,një vit pas miratimit, më 2018.

Para Gjykatës Kushtetuese edhe sot po qëndrojnë anëtarë të koalicionit Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim në opozitë. Ata më 8 dhjetor njoftuan  nisjen e iniciativës “Roja e gjuhës”, një veprim që sipas tyre synon të ndalojë tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit. sn

Ambasadorja amerikane paralajmëron sërish zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut

Enis Shaqiri

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka paralajmëruar për herë të dytë brenda javësh se Uashingtoni po shqyrton mundësi të reja për të vendosur sanksione ndaj personave të tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Aggeler e bëri këtë paralajmërim të martën, një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se ka vendosur ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.

“Ka një sërë sanksionesh në dispozicion nga Qeveria amerikane, siç e dini. Ka sanksione të Thesarit. Ka sanksione të zgjeruara të mundshme për anëtarët e tjerë të familjes së atyre që janë emëruar. Pra, në këtë pikë, të gjitha ato shqyrtime janë ende në proces”, tha Aggeler gjatë një konference për shtyp në Shkup.

Ajo nuk përmendi emra ose afate kohore, por shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës “aktorët e korruptuar”.

“[Futja në listën e zezë] e individëve që janë përfshirë në korrupsion kriminal, është një proces që vazhdon. Ka një listë shumë dinamike, në kuptimin që ajo vazhdimisht shtohet, dhe provat shqyrtohen shumë me kujdes në Uashington”, theksoi Aggeler.

Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Bexheti, sipas DASH-it, “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.

Aggeler, në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët, nuk dha hollësi specifike për rolin e Grubit në këtë çështjen e Mijalkovit, por theksoi se provat shqyrtohen me kujdes të veçantë para se të publikohen.

“Dhe vetëm pasi ka prova të qarta dhe të dukshme për shkelje, individët sanksinohen”, shtoi ajo.

Në listën e zezë janë përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit.

Në një reagim në Facebook të hënën vonë, Grubi tha se u njoftua për vendimin e DASH-it nga mediat dhe e mohoi të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.

BDI-ja tha të martën, përmes një komunikate të shkurtër, se e respekton vendimin e DASH-it për anëtarin e saj. Ajo tha “mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-në”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit shqiptar VLEN në Qeveri, vlerësoi se vendimi i DASH-it për vendosjen e Artan Grubit në listën e zezë është “konfirmim për angazhimet e drejta të koalicionit”.

Mexhiti i bëri thirrje anëtarësisë së BDI-së që ta braktisin, siç e quajti ai, “anijen që po fundoset”.

Ndërkohë, partia maqedonase VMRO-DPMNE, e kryeministrit Hristijan Mickoski, e quajti sanksionimin e Grubit dhe Bexhetit “një turp të madh për shtetin”.

Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja tha se ai mbante në sirtarë rastin e Sasho Mijalkovit, i cili, sipas saj, dëshmon për “partizimin” e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja, dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve, së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në komunikatën e VMRO-së.

Mijalkovi është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022.

Ai u dënua në korrik të vitit 2022 me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit). Përveç në rastin “Perandoria”, Mijallkov u dënua edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.

Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Ai u dënua me tri vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.

Rasti i Sasho Mijalkovit ka bërë që gjyqësori në Maqedoninë e Veriut të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Vendimi i DASH-it për Grubin dhe Bexhetin erdhi rreth një muaj pasi ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e listës së zezë edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Në listën e zezë amerikane janë edhe ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, biznesmeni Orce Kamçev, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, ish-deputeti Xhevat Ademi, ish-ministri i Punëve të Brendshme Lube Boshkovski dhe të tjerë. REL

DASH-i shpall persona të padëshiruar ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi dhe gjykatësin Enver Bexheti për përfshirje në korrupsion

Artan Grubi

 

VOA

UASHINGTON – Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të hënën se ka përcaktuar ish Zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit Enver Bexhetin si persona të padëshiruar për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion.

Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se zoti Grubi dhe zoti Bexheti “morën ryshfet duke minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin e Sasha Mijalkovit, drejtor i Agjencisë për Sigurinë dhe Zbulimin të Maqedonisë së Veriut”.

Si pjesë e këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara përcaktuan si persona të padëshiruar edhe anëtarët e familjes së zotit Grubi, ish zyrtar i lartë nga radhët e partisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Ish drejtori i zbulimit Mijalkov ishte shpallur person i padëshiruar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2022 për korrupsion.

Përcaktimet u bënë sot në kuadër të shënimit të Ditës Kundër Korrupsionit. DASH njoftoi përcaktimin për 14 individë dhe familjarë të tyre nga një sërë vendesh, për përfshirje në korrupsion dhe në një rast për shkelje të të drejtave të njeriut.

“Shtetet e Bashkuara po i marrin këto veprime për të nxitur llogaridhënien për personat e përfshirë në korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut në rang botëror”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Reagime në Shkup

Zoti Grubi në një postim në Facebook tha se “si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”.

Ai tha se do të punojë me “miqtë dhe partnerët” për të zbardhur plotësisht këtë çështje, ndërsa nënvizoi se “transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”.

Partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski e quajti përcaktimin e zotit Grubi dhe zotit Bexheti “një turp të madh për shtetin”. Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja thotë se ai mbante në sirtarë rastin e (ish-kreut të shërbimit sekret Sasho) Mijalkovit që dëshmon, sipas saj, partizimin e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në një komunikatë të VMRO-së.

Arben Taravari, drejtues i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët dhe Ministër i Shëndetësisë duket se e ka pritur me kënaqësi lajmin ndërsa shkruan në Facebook se “ka një lajm për ata të cilët po protestojnë nën çadra (para Gjykatës Kushtetuese lidhur me paralajmërimet për degradimin e gjuhës shqipe) se Artan Grubi sapo u shpall persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Ndërkohë, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëkohësisht kryetar i komunës së Tetovës shkruan po në Facebook se “sot u vulos edhe nga partnerët tanë strategjik se shumë funksionarë të BDI-së janë të zhytur në korrupsion. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Artan Grubin persona non-grata. Kjo edhe një dëshmi që kemi thënë vazhdimisht se BDI-ja po bën shou për të shpëtuar veten e tyre në çdo rast, edhe së fundi me tendat ata po mundohen të mbulojnë korrupsionin dhe aspak nuk ju bëhet vonë për gjuhën shqipe!”, shkruan ai.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët në opozitë, krahu i zotit Ziadin Sela thotë se në vazhdimësi ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë. “Partia përshëndetë vendimin e fundit të SHBA-ve, partnerit më të rëndësishëm strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe popullit shqiptar”, thuhet në një reagim të lëshuar nga kreu i ASH-së, Ziadin Sela.

“Lufta kundër korrupsionit shënon një hap të rëndsishëm në sendërtimin e shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë sonë. Ftojmë të apostrofuarit, të tërhiqën nga jeta institucionale dhe politike, e si qytetarë të lirë të përballen me akuzat.
Përgjegjësia individuale është gurthemeli i një shteti modern, i paanshëm dhe demokratik” thuhet më tej në reagimin e zotit Sela.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërsa ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, shkroi në rrjetet sociale se përcaktimi i sotëm i është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet.

“SHBA-ja do të vazhdojë të përcaktojë ata që përfshihen në korrupsionin e lartë që dëmton institucionet demokratike dhe gërryen besimin e publikut. Askush nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësia është thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ambasadorja amerikane.

VLEN: Fronti Evropian me skenarë të kopjuar nga Gruevski, shqiptarët të jenë të qetë, shqipja do të mbrohet

Koalicioni VLEN në një deklaratë për media, kanë njoftuar se Trupi koordinues ka mbajtur mbledhje, ku, sipas tyre, është diskutuar mbi ngjarjet e fundit dhe retorikën përçarëse të opozitës, e cila, kinse në emër të mbrojtjes së gjuhës shqipe, mundohet të manipulojë opinionin publik, madje edhe me skenare të kopjuara nga Nikolla Gruevski të para 8 viteve me tenda para KSHZ-së.

“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq. Korrupsioni mbi 20-vjeçar ka faturën e vet! Ai të

zhvesh nga çdo ndjenjë përgjegjësie dhe të bën të papërshtatshëm për mbrojtjen e vlerave kombëtare. Prandaj, nuk mundet një i korruptuar të mbrojë diçka aq të

rëndësishme sa është gjuha shqipe. Nuk mundet një parti që ka individë në lista të zeza ndërkombëtare të pretendojë se mbron kauzën shqiptare! Njëra me tjetrën nuk

shkon! Të nderuar Kjo parti së pari miratoi Ligj për gjuhët me anomali. Së dyti, e dërguan ligjin në Komisionin e Venecias, i cili e kontestoi ligjshmërinë e tri neneve kyçe.

Së treti, pasi kuptuan që do të jenë në opozitë, përmes instalimeve në Gjykatën Kushtetuese dëshiruan të shkaktojnë tensione ndëretnike për të shmangur përgjegjësinë për ish-funksionarët e tyre të korruptuar. Dhe tani, me tenda duan të paraqiten si shpëtimtarë të gjuhës shqipe. Koalicioni VLEN ka muaj që punon për heqjen e grackave dhe korrigjimin e gabimeve të regjimit të BDI-së”, kanë deklaruar nga VLEN. sn

Shkup: Fronti Evropian shpall nismën ‘Roja e Gjuhës’

Mural me motive shqiptare në Shkup – Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Enis Shaqiri

Koalicioni Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, më 8 dhjetor ka njoftuar nisjen e iniciativës “Roja e Gjuhës”, një veprim që, sipas organizatorëve, synon të ndalojë “tendencat politike që minojnë Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit”.

Nga ky koalicion deklaruan se do të qëndrojnë para Gjykatës Kushtetuese në Shkup, deri në shqyrtimin e Ligjit për gjuhët, ligj i cili është në qendër të debateve të vazhdueshme.

Kushtetuesja pritet ta shqyrtojë Ligjin e shumëpërfolur për gjuhët gjatë një seance më 11 dhjetor.

“Ky ligj nuk është thjesht një akt juridik. Është simbol i Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që i dha fund periudhës së errët të margjinalizimit, përjashtimit dhe diskriminimit, që çoi në luftën e vitit 2001 dhe hapi rrugën për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë. Çdo përpjekje për ta shfuqizuar këtë ligj është një sulm ndaj arritjeve tona historike dhe një goditje ndaj bashkëjetesës ndëretnike”, tha deputeti Arbër Ademi të dielën, në një paraqitje për shtyp para Gjykatës Kushtetuese.

Ademi komentoi edhe deklaratat e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Ai i bëri thirrje Mickoskit që të heqë dorë nga platforma “Maqedonia sërish e jotja”, e cila u përdorur gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare nga partia e tij, VMRO-DPMNE.

“Një kryeministër që është në krye të pushtetit ekzekutiv, duhet të jetë i të gjithë qytetarëve, dhe jo i një etnie”, shtoi Ademi.

Në anën tjetër, kryeministri Mickoski, më herët, gjatë ditës, tha se të mërkurën (11 dhjetor), “nuk do të ndodhë asgjë”.

Ai akuzoi BDI-në për krijimin e tensioneve ndëretnike.

“Kemi një situatë ku askush nuk mund të ndërhyjë në Gjykatën Kushtetuese… Tema e vetme përmes së cilës BDI-ja është e pranishme në publik është krijimi i ndasive mbi baza etnike. Ata i trajtojnë vetëm çështjet etnike, pasi nuk mund të imponojnë tema të tjera ose të tërheqin njerëz që t’i mbështesin”, tha Mickoski gjatë një konference shtypi, të dielën në Qeveri.

Ndërsa zëvendëskryeministri i parë, Izet Mxhiti, nga koalicioni shqiptar VLEN, pjesë e Qeverisë, tha se gjuha shqipe nuk është cenuar, por shtoi se “pasuritë e paligjshme të BDI-së, po”.

“Për të gjithë ata që këtyre ditëve kanë ulëritur si të tërbuar për të frikësuar shqiptarët dhe për të kërcënuar me destabilizim kam një përgjigje: Loja u dogj. Rrini rehat. Gjuha shqipe nuk do të kontestohet”, shkroi Mexhiti të dielën në Facebook.

Vendimi për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit ka shkaktuar reagime të forta politike, veçanërisht pas shfuqizimit të mekanizmit të Balancuesit më 9 tetor, një instrument që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve në institucione shtetërore.

BDI, ditë më parë, u dërgoi sërish letra ndërkombëtarëve, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke kërkuar që si garantues të Marrëveshjes së Ohrit të ndërhyjnë për të parandaluar çdo vendim të mundshëm për shfuqizimin e neneve të Ligjit për gjuhët.

Në të njëjtën kohë, më 7 dhjetor, mbi 250 intelektualë shqiptarë nënshkruan një letër të hapur drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që kjo e fundit të veprojë me profesionalizëm dhe të shmangë vendime të motivuara politikisht. Sipas tyre, çdo vendim arbitrar mund të sjellë pasoja të rënda për marrëdhëniet ndëretnike në vend.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ky Ligj, i cili nisi të diskutohet qysh më 2017 dhe u miratua më 2018, parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe. Lënda që lidhet me kundërshtimin e këtij ligji, përfshin 13 iniciativa të parashtruara nga qytetarë, parti politike dhe shoqata të ndryshme që prej vitit 2019. REL


Send this to a friend