Rinia nuk është turmë
është alfa dhe beta
është nisja dhe fillimi
pa fund
pa cak
pa kufi
pa limit
turma jemi ne
brezi i asgjësë së re
nga fronti i tranzicionit
brezi i kotësisë
i uniformitetit
i mendimeve njëngjyrëshe
njëshkolonë gatitu
që pranojmë shëmtimin
në emër të idealeve
si pritmëtarët
e përhershëm
të barbarëve
turma jemi ne
rinia është e kundërta jonë
rinia është lëvizja
tronditja
rebelimi
për hir të së bukurës
rinia është vetë Big-Bangu
është grimca e Zotit
është ekzistenca
materia
është kozmosi
universi
është e hëna
deri tek e diela
teoria e relativitetit
është antimonotonia
ikja nga e bardha
nga klisheja
nga banaliteti
i shëmtimit
ikja nga metoda
e realizmit socialist
nga heroi zemërçelik
që ia fali jetën kuçedrës parti
nga heroina zemërakull
që fundin e lumturisë
e gjeti në gjirin proletariatit
rinia nuk është turma
turma jemi ne
që vazhdojmë të brohorasim
e të ngrihemi
në standing ovation
për hiçin e hiçit
dhe hiçit i japin fytyrën
e ëndërrave tona
turma jemi ne
që vazhdojmë e flasim
me eufemizma
që tjetër flasim
e tjetër mendojmë
që flasim
krejt të kundërtën
e asaj që mendojmë
që i ngremë
përmendore
cinizmit dhe hipokrizisë
që ia shesim shpirtin
djallit
ne banorët e cirklandit
shqiptar
me një shpirt cinik
të vogël sa një gogël
dhe pastaj
krenohemi
se jemi vazhduesit
biologjikë
të Nënës Terezë!
mjerë Nëna Terezë
për bijat e bijtë e saj
rinia nuk është turmë
turma jemi ne
rinia është e gjitha
dhe gjithçkaja
është
barka e Noes
që Zoti
e shpëtoi
nga Apokalipsi
e fajit
për të rilindur jetën
është frymëzimi
dhe gllënjka
e frymës të fundit
për t’ia filluar nga e para
nga hiçi
është thelbi
që i ka rezistuar
të gjithë tërmeteve të kohës
inkuicizionit
diktaturave
dhe tranzicioneve
rinia është jepi
paqes një shans
dhe jeto sa një jetë të tërë
çdo të mijtë të sekondës
rinia është harmonia
është rezonanca
është mentori ynë
Skënderbeu
flamuri
emëruesi i përbashkët
që na bashkon të gjithëve
rinia është bota që shohim
sa hapim sytë
në zanafillë
është drita për të parë
gjithçka sa dalim nga tuneli
i territ kur njeriu beson
verbërisht
rinia është e bukura
e mira
e drejta
e vërteta
e dlira
e pastra
shpresa
e pacënueshmja
e paprekëshmja
është kushtetuta
e një vendi demokratik
ku qytetarët
jetojnë të lumtur
me djersën e ballit
është shteti i së drejtës
i barabartë
për çdo qytetar të tij
rinia nuk është turmë
turma jemi ne
rinia është e kundërta jonë
antiteza jonë
që e lamë fatin në duar eunukësh
dhe të shpirtujqëve
si thotë populli
për ata që kanë zift
në vend të shpirtit
rinia vuan për ata që vuajnë
rinia nuk pran së vuajturi
për t’i dhënë fund
vuajtjes
në emër të botës
më të mirë
rinia nuk është turmë
rinia është pranverë
përherë që i shkrin ngricat
e indiferencës njerëzore
rinia të ngre zemrën peshë
rinia të bën të besosh prapë
të ngrihesh prapë
në këmbë
që t’ia rinisësh nga e para
rinia të merr me vete
kudo që ajo shkon
sepse e ka me vete lirinë
shikoni se me çfarë asonance
magjike tigëllon rini-liri
sepse liria është vetë ajo
rinia
rinia është fati i një kombi
është fatthënësi dhe fatbërësi
i tij!
ELIDA BUÇPAPAJ
Marrë nga libri poetik i autores “Cirkland”, Onufri 2013