Ne besojmë në fuqinë e dijes e të drejtësisë.
Ne besojmë në aftësitë dhe në talentet e popullit shqiptar.
Ne besojmë te brezi i ri i këtij vendi.
Ne besojmë se Shqipërisë nuk i mungon asgjë—as pasuritë natyrore, as kapitali njerëzor—për t’u bërë ai vend i begatë që të gjithë e dëshirojmë.
Ne besojmë se nuk ka probleme të cilëve të mos u gjenden zgjidhje të përshtatshme për të mirën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve.
Ne duam të jetojmë në një shoqëri më të mirë se kjo që kemi krijuar deri më sot, në një shoqëri më të drejtë, më të sigurt, më të zhvilluar e më tolerante, që të jetë në paqe me veten dhe me fqinjët e saj.
Ne duam të ndihmojmë në transformimin e mëtejshëm ekonomik, shoqëror e kulturor të vendit tonë.
Ne duam të ndihmojmë në krijimin e një imazhi më të denjë për popullin tonë, vlerat dhe virtytet më të mira të të cilit t’i bëjmë të njohura e të çmuara ndërkombëtarisht.
Ne e dimë se asnjë ndryshim i rëndësishëm në shoqëri nuk ndodh rastësisht e vetvetiu, në mënyrë të pavarur nga idetë dhe veprimet e njerëzve. Progresi shoqëror nuk është një forcë natyrore; ai është bërë dhe bëhet i mundur vetëm prej njerëzve që mendojnë e veprojnë në ato mënyra që i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë.
***
Ne vlerësojmë se dija është produkti ynë më i rëndësishëm. Suksesi i pothuajse të gjitha produkteve dhe industrive të tjera varet prej saj, por vlera e saj nuk është vetëm ekonomike. Krijimi, përhapja, zbatimi dhe ruajtja e dijes janë aktivitetet kryesorë të çdo qytetërimi.
Ne vlerësojmë se dija nuk është vetëm kujtesë sociale, një lidhje me të shkuarën; ajo është edhe shpresë sociale, një investim për të ardhmen. Aftësia për të krijuar dije dhe për ta përdorur atë është karakteristika adaptuese e qenieve njerëzore dhe e çdo organizimi shoqëror. Është përmes dijes që ne, si qenie humane, riprodhojmë vetveten dhe përsosemi gjithnjë e më shumë, si individë dhe si shoqëri.
Ne udhëhiqemi nga ideali demokratik se prodhimi i dijes duhet të jetë i pakufizuar dhe aksesi ndaj saj duhet të jetë universal. Ne nuk besojmë se ka gjëra, të cilat do të ishte më mirë të mos i dinim, ose gjëra, të cilat duhet t’i dinë vetëm disa njerëz, njëlloj siç nuk besojmë se ka pikëpamje, të cilat nuk duhen shprehur. Sa më shumë ide dhe informacion që ne prodhojmë, aq më të mëdha janë mundësitë që të marrim vendime të drejta për të përmirësuar kushtet e ekzistencës, të mirëqenies e të përsosjes sonë si individë dhe si shoqëri.
***
Sa parashtruam më sipër—si dhe anomalitë e vështirësitë e shkaktuara nga politika voluntariste e të gabuara të qeverive shqiptare, të cilat, në vend që të krijonin një sistem meritokratik, e kanë proletarizuar e vulgarizuar universitetin dhe shkencën në funksion të interesave partiake dhe jo të interesave e të aspiratave kombëtare—janë arsyeja pse ne kërkojmë që shoqëria dhe shteti shqiptar t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe dhe të investojnë më shumë në ato institucione, qëllimi i të cilave është pikërisht prodhimi dhe përhapja e dijes, pra, kërkimi shkencor dhe mësimdhënia në shkolla e në universitete, për të mundësuar zbatimin e tyre praktik në shërbim të shoqërisë.
Shoqëria shqiptare, si çdo shoqëri tjetër, pret shumë nga shkollat dhe nga universitetet e saj dhe është krejt e natyrshme të shqetësohemi kur sistemi ynë arsimor, sidomos arsimi i lartë, nuk funksionon ashtu siç të gjithë ne dëshirojmë që ai të funksionojë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se jo të gjitha pritshmëritë tona për arsimin e lartë janë realiste, siç nuk janë të tilla edhe disa nga pritshmëritë tona për demokracinë. Ne, po kështu, nuk presim që arsimi i lartë të japë rezultate në tremujorin e ardhshëm, as në dy ose në pesë vite. Për më tepër, arsimi i lartë nuk ka vetëm përgjegjësinë dhe misionin që të shërbejë si burim i zhvillimit ekonomik të një vendi; universitetet janë, gjithashtu, kritikët dhe ndërgjegjja e shoqërisë.
***
Ne bëjmë thirrje që të mos ngurrojmë ta shohim të vërtetën në sy dhe ta pohojmë atë: Nëse në shekullin e 21-të, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas vendeve të tjerë europianë apo do të zhvillohet si ata, kjo, në një masë të madhe, do të varet nga cilësia e arsimit që do t’u ofrojnë nxënësve dhe studentëve shqiptarë shkollat dhe universitetet tona.
Sot, në Shqipëri ka disa dhjetëra universitete, mbi njëqindmijë studentë dhe mijëra pedagogë dhe ne nuk jemi aq të paarsyeshëm sa të presim që të gjithë këta studentë do të marrin arsimin e duhur, ose do të përfundojnë studimet universitare duke u specializuar më së miri në profesionin e tyre, ashtu sikurse nuk mund të presim që të gjithë ata mijëra pedagogë që japin mësim në universitetet tona, ose ata dhjetëra e qindra pedagogë që fitojnë çdo vit grada e tituj shkencorë të kryejnë studime origjinale dhe me vlerë. Por, ne kërkojmë dhe presim që sistemi të funksionojë, që ai të punojë për ne, si shoqëri, dhe jo kundër nesh. Ne duam që sistemi i arsimit të lartë t’i aftësojë studentët të marrin ato dije dhe ato shprehi kërkimi e pune, të cilat janë të domosdoshme që ata të kenë sukses në shekullin e 21-të. Që kjo të ndodhë, arsimi i lartë duhet të jetë në gjendje të përballojë sfidat e këtij shekulli.
Një ndër sfidat më të mëdha është që t’i gjejmë përgjigjen e duhur pyetjes: Universitet për çfarë? Çfarë duhet të presë shoqëria shqiptare nga universitetet e saj? Çfarë duam ne të jenë të aftë të bëjnë ata dhjetëra e mijëra djem e vajza të reja që diplomohen çdo vit nga universitetet tona? Pse duam që dy të tretat e të rinjve që mbarojnë shkollat e mesme të regjistrohen në universitete? Thjesht që t’i mbajmë ata në shkollë edhe 3 ose 5 vite më shumë apo, përkundrazi, kërkojmë dhe presim prej tyre shumë më tepër se kaq. Çfarë mund dhe duhet t’u ofrojë universiteti të rinjve që këta nuk mund ta fitojnë në rrugë tjetër? Të gjitha këto çështje kërkojnë një debat mbarëpopullor, analiza të thelluara dhe konsensus sa më të gjerë.
***
Ne nuk besojmë se qëllimi i arsimit të lartë është thjesht që t’u krijojë të rinjve mundësi më të mëdha për karrierë profesionale dhe për mirëqenie ekonomike. Puna, sigurisht, është baza e ekzistencës dhe i zhvillimit të individit e të shoqërisë dhe çdo familje dëshiron që djali apo vajza e saj të kenë një punë sapo ata mbarojnë studimet universitare. Por gjetja e një vendi pune, ose e një pune që paguhet mirë, nuk është një qëllim në vetvete dhe as e vetmja arsye pse njerëzit kërkojnë të marrin arsim të lartë.
Ne besojmë se, ashtu siç vendi i punës nuk është gjithçka në jetën e një njeriu, edhe kualifikimi për një punë të caktuar nuk është e s’mund të jetë e gjithë përvoja që ai fiton në universitet. Përtej supozimit se arsimi i lartë të siguron një vend pune, ajo që, gjithashtu, shpreh thelbin e qëllimit, të shpresës e të besimit tek arsimi i lartë është ideja e zhvillimit tonë pozitiv intelektual dhe moral, si dhe mundësia për të përballuar sfida personale dhe intelektuale në jetë, për të zgjeruar shkallën e lirisë dhe për të testuar kufijtë e njohjes e të veprimit tonë njerëzor. Qeniet njerëzore, përveçse kanë nevojë për punë, kanë nevojë edhe për një qëllim, për një kuptim mbi jetën dhe për një perspektivë. Dhe çështja nuk shtrohet nëse ne, në kushtet e vështira të shoqërisë së sotme shqiptare, mundemi ose jo të investojmë për këto qëllime; çështja shtrohet nëse ne mund të bëjmë dot pa investuar për to.
Ne jemi të ndërgjegjshëm për atë kontradiktë dhe marrëdhënie të tensionuar që gjithmonë ka ekzistuar dhe ekziston mes dijes dhe sistemit në të cilin kryhen realisht prodhimi, transmetimi dhe mësimi i saj. Dija ndryshon dhe zhvillohet shumë më shpejt sesa sistemi, ndërsa “tendencat gjenetike” të sistemit të arsimit të lartë janë shumë rezistente. Sidoqoftë, ne këmbëngulim në idenë se praktikat e vjetëruara duhen zëvendësuar me praktika të reja, më të mira, të përshtatshme për kushtet dhe nevojat e kohës sonë. Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga rregulla dhe rregulla e përgjithshme është se universiteti ndryshon për t’iu përgjigjur nevojave dhe oportuniteteve të reja.
***
Globalizimi gjithnjë më i madh i shoqërisë imponon ndryshime të shumta e të rëndësishme në jetën e secilit prej nesh dhe të institucioneve përmes të cilave ne realizojmë veprimtarinë tonë. Varësia jonë ndaj zhvillimit shkencor e teknologjik është bërë më e madhe se kurrë. Lidhjet tona me individë të tjerë dhe me botën që na rrethon, gjithashtu, janë bërë shumë më komplekse. Një informacion gjithnjë e më i madh, edhe pse mjaft herë i një cilësie të dyshimtë, është i disponueshëm për këdo përmes Internetit. Kulturat e ndryshme po deterritorializohen dhe konvergjohen. Një masë gjithnjë e më madhe njerëzish, ndër ta edhe qindra e mijëra shqiptarë, udhëtojnë dhe zhvendosen nga një rajon i globit, në një tjetër, duke krijuar marrëdhënie të reja me shoqëri të tjera dhe, shpesh herë, edhe me vet kulturën e tyre.
Kjo është një botë e re. Të gjitha këto zhvillime, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë ndryshuar te çdonjëri nga ne—dhe te të gjithë ne së bashku, si shoqëri—mënyrën e të kuptuarit të botës, si edhe marrëdhënien tonë me të. Këto ndryshime kanë bërë të domosdoshëm transformimin thuajse të të gjitha institucioneve dhe sferave të jetës e të veprimtarisë njerëzore, në të cilat bën pjesë edhe arsimi, duke nisur nga arsimi parashkollor dhe ai fillor, deri te arsimi universitar dhe ai pasuniversitar.
Në ditët tona, funksionin tradicional të shkollës si një agjent kryesor për përhapjen e dijes, në një masë të madhe e kryen Interneti. Interneti është bërë pjesë integrale e jetës në shekullin e 21-të, një hapësirë në të cilën individi i sotëm punon, luan, komunikon dhe mëson. Kufiri që ndan jetën tonë fizike nga ajo digjitale po bëhet i padukshëm. Shkurt, bota e sotme dhe jetët tona janë digjitalizuar në një mënyrë e në një masë të tillë sa mund të thuhet se s’ka kthim prapa.
Teknologjitë e reja të informimit e të komunikimit i rivalizojnë dhe i sfidojnë gjithnjë e më shumë sistemin e arsimit të lartë dhe metodat e vjetëruara të mësimdhënies në shkolla e në universitete, madje edhe e kërcënojnë status quo-në e këtyre të fundit. Ne mendojmë se, pa u vonuar më tej, metodat e mësimdhënies për adoleshentët dhe të rinjtë edhe në shkollat e në universitetet tona duhet të transformohen duke marrë parasysh mundësitë e të mësuarit informal që tashmë ekzistojnë thuajse për këdo. Ne besojmë se një ndër sfidat më të mëdha për arsimin e lartë (jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë), ka të bëjë me faktin që brezi i sotëm i studentëve është rritur dhe jeton në kushte shumë të ndryshme nga brezat e mëparshëm. Për fat të keq, ne vazhdojmë ta injorojmë, ose nuk duam ta pranojmë këtë realitet të ri, sepse shumica prej nesh e kanë të vështirë ta përballojnë atë.
***
Në arsimin e lartë, objektivat që duam të arrijmë si shoqëri për të formuar njerëz të aftë, me dije dhe shprehi praktike për shekullin e 21-të, kanë të bëjnë me specifikimet e sistemit që duam të krijojmë. Që kjo të ndodhë, ne gjykojmë se është e domosdoshme që, më parë, të biem dakord e të vendosim, konsensualisht, si shoqëri, se cilët objektiva duhet të synojmë të realizojmë përmes sistemit të arsimit, në mënyrë të veçantë sistemit të arsimit të lartë dhe, pastaj—apo njëherësh me këtë—pa humbur kohë, të mendojmë se si duhet t’ia përshtasim sistemin objektivave që duam të arrijmë. Si në çdo sipërmarrje të madhe të inxhinierisë sociale, edhe në reformimin e sistemit të arsimit të lartë, ajo çka përbën sfidën e vërtetë është që të përcaktosh se ç’duhet ndryshuar, si dhe rrugët përmes të cilave ndryshimet e dëshiruara mund të realizohen praktikisht e në mënyrë efektive.
Kjo përgjegjësi e madhe kombëtare e historike u duhet besuar njerëzve më të ditur të kombit, profesorëve dhe specialistëve më të mirë, të cilët, ndryshe nga politikanët e teknokratët, kanë jo vetëm njohuritë dhe përvojën e duhur, por dhe një koncept e një vështrim holistik mbi sistemin arsimor.
Ne mendojmë se Ligji i ri për Arsimin e Lartë krijoi premisat ligjore për një reformim cilësor të sistemit, madje, në disa aspekte, ai është më i përparuar sesa është e përgatitur shoqëria shqiptare për një ndryshim të tillë. Por, ky ligj nuk u shpjegua dhe nuk u kuptua si duhet; për më tepër, ai nuk u mundësua të zbatohet tërësisht për shkak të mungesës së akteve nënligjore që parashikon vetë ligji. Rrethanat e krijuara nga protestat studentore të dhjetorit të vitit të kaluar kanë krijuar një situatë kritike dhe ne mendojmë se qeveria duhet ta vlerësojë këtë situatë me seriozitetin më të madh.
Ne besojmë se, në një vështrim afatmesëm e afatgjatë, reformimi i sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri nuk mund të ketë sukses nëse ai nuk paraprihet, ose nuk shoqërohet nga reformimi i tërë sistemit piramidal të arsimit.
***
Ne gjykojmë se është një përgjegjësi historike e brezit të rritur që të krijojë dhe t’u lërë brezave të rinj një sistem arsimor dhe një sistem universitar modern, në të cilin ata të formohen me njohuritë dhe me shprehitë më të nevojshme për dekadat e ardhshme. Nëse e lëmë pasdore këtë detyrim ndaj brezave të rinj, ne jo vetëm s’do të kemi përmbushur misionin tonë intelektual ndaj shoqërisë sonë, por edhe do të gjykohemi rëndë nga brezat që do të vijnë. Pasi ne jemi përgjegjës jo vetëm për atë çfarë bëjmë, por edhe për atë çfarë nuk bëjmë.
Është e padrejtë, por një “padrejtësi e domosdoshme”, pra edhe e paevitueshme që, për sistemin arsimor (përfshirë edhe arsimin e lartë) dhe për politikat arsimore që do të përcaktojnë arsimimin dhe zhvillimin profesional të brezit të ri, na duhet të mendojmë e të vendosim ne, brezi i rritur. Sado të mençur e të informuar të jemi ne, madje edhe ata më të shquarit nga ne, përgjegjësia jonë ndaj arsimimit dhe edukimit të brezit te ri do të mund të përmbushet me sukses vetëm nëse i njohim mirë aftësitë, kërkesat dhe nevojat e nxënësve e të studentëve, çka mund të arrihet duke i dëgjuar këto më me vëmendje dhe vazhdimisht prej tyre.
Idetë që parashtrohen e argumentohen në këtë dokument mendojmë se janë të dobishme jo vetëm për Shqipërinë, por për tërë hapësirën shqiptare, kudo ku vepron shkolla dhe arsimi shqip, veçanërisht ai universitar, edhe për Republikën e Kosovës si shtet.
Si anëtarë të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, shumica e të cilëve kanë qenë ose janë pjesë e profesoratit të universiteteve shqiptare, ne ofrojmë ndihmesën tonë në shqyrtimin racional kritik të problemeve të kohës në ato fusha ku është akumuluar ekspertiza jonë profesionale dhe në gjetjen e zgjidhjeve të informuara e racionale për to.
Për Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Prof. Dr. Alajdin ABAZI, Prof. Dr. Arben BABOÇI, Prof. Dr. Abdylmenaf BEXHETI, Prof. Dr. Panajot BOGA, Prof. Dr. Luljeta BOZO, Prof. Dr. Pandeli ÇINA, Prof. Dr. Alqi ÇULLAJ, Prof. Dr. Artan HOXHA, Prof. Dr. Gëzim HOXHA, Prof. Dr. Shefkije ISLAMAJ, Prof. Dr. Isuf KALO, Prof. Dr. Ksenofon KRISAFI, Prof. Dr. Eno KOÇO, Prof. Dr. Emil LAFE, Prof. Dr. Xhevat LLOSHI, Prof. Dr. Mina NAQO, Prof. Dr. Anila PAPARISTO, Prof. Dr. Edvin PRIFTI, Prof. Dr. Evan RROÇO, Prof. Dr. Sokol SADUSHI, Prof. Dr. Marenglen SPIRO, Prof. Dr. Fatos TARIFA, Prof. Dr. Agim VINCA, Prof. Dr. Pëllumb XHUFI, Prof. Dr. Aleksandër XHUVANI, Dr. Moikom ZEQO
Komentet