Përktheu nga origjinali anglisht Maniela Sota
BOTIMET TOENA Tiranë, 2018
1
KEJT Donovani rrotulloi stolin e vjetër, ku dikur ulej zakonisht babai i saj, dhe u bë gati të dilte nga O’Malley’s Pub, kur Stejsi i tha: – Kam bërë diçka që nuk do të të pëlqejë. Toni i saj e bëri Kejtin të ndalonte në mes të hapit. – Çfarë? O’Malley’s ishte një bar që frekuentohej nga policë të kohës së vjetër. Gjyshi i Kejtit rrinte atje. Ashtu kishte bërë i ati dhe shokët e tij, kolegë të NYPD-së (Departamenti i Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut), ndërsa tani ai ishte kthyer në një bar që frekuentohej nga të rinjtë e pasur, zotër të universit, një bar me budallenj pozantë, i mbushur me djem që vishnin bluza sportive të freskëta, të bardha nën kostumet e zeza, me qimet e mjekrës të parruar prej dy ditësh, të depiluar deri në maksimum dhe që ngjanin të padepiluar. Ata vazhdimisht buzëqeshnin të vetëkënaqur. Buzëqeshnin të vetëkënaqur, këta njerëz me fytyra të pudrosura, me flokët e llangosur me shkumë, dhe që porosisnin vodka Ketel One në vend të vodkës Grey Goose, sepse kishin parë disa reklama televizive ku iu tregonin se çfarë pinë burrat e vërtetë. Sytë e Stejsit filluan të lëviznin me shpejtësi nëpër bar. Ajo po i shmangej. Kejtit nuk i pëlqeu kjo gjë. – Çfarë ke bërë? – pyeti Kejti. – Hëm, – tha Stejsi. – Çfarë? – Një kaqol, ora pesë. Kejti u kthye djathtas që të shikonte vjedhurazi. – E pe atë? – pyeti Stejsi. – Oh, po! Me një dekor të përshtatshëm, O’Malley’s në të vërtetë nuk kishte ndryshuar shumë gjatë viteve. Sigurisht, televizorët e vjetër me mbështetëse ishin zëvendësuar nga një mori me ekrane të sheshta, që transmetonin të gjitha garat sportive të mundshme dhe të imagjinueshme – e kush pyet për performancën e Edmonton Oilersit? – por, pa e marrë këtë parasysh, O’Malley’s e kishte ruajtur atmosferën e dikurshme dhe ishte pikërisht kjo që i ndillte këta pozantë, autenticiteti i imituar, ecejaket e përhershme, gumëzhima, duke e kthyer atë që kishte qenë njëherë e një kohë në një version të Disney Epcot-it. Kejti ishte policja e vetme që kishte mbetur. Të tjerët tani shkonin në shtëpi pas turneve të tyre ose në takime AA, të Alkolizuarit Anonimë.
Kejti vinte ende këtu dhe përpiqej të ulej qetësisht në stolin e vjetër të babait të saj, në shoqërinë e fantazmave të tij. Veçanërisht sonte, ku kujtonte vrasjen e babait të saj, që kishte filluar ta përndiqte përsëri. Donte vetëm që të ishte këtu, të ndiente praninë e babait të saj, si mund të duket e rëndomtë, të merrte forcë prej tij. Por idiotët nuk do ta linin rehat, apo jo? Kaqoli kishte bërë një gabim tipik të sojit të tij. Ai mbante syze dielli. Në orën njëmbëdhjetë të natës. Në një bar me ndriçim të dobët. Ndër atributet e tjera të një kaqoli të vërtetë gjeje zinxhirin që i varej te portofoli, shaminë e kokës, këmishën prej mëndafshi të zbërthyer, tatuazhet e shumta (kategori e veçantë për ata që praktikonin simbole tribush), medaljone qensh, pllakëzën e identifikimit, ndërkohë që s’kishte asnjë lidhje me ushtrinë dhe një orë dore të madhe, me zinxhir të bardhë. Syzja e diellit buzëqeshi i vetëkënaqur dhe ngriti gotën në drejtim të Kejtit dhe Stejsit. – Po i pëlqyekemi, – tha Stejsi. – Mjaft erdhe rrotull. Çfarë ishte ajo që nuk do ta pëlqeja unë? Kur Stejsi u kthye mbrapsht, drejt saj, Kejti mundi të shihte mbi shpatulla zhgënjimin e fytyrës së ndritshme të lyer me locion shumë të shtrenjtë të kaqolit. Kejti e kishte parë atë pamje një milion herë të tjera. Meshkujt e pëlqenin Stejsin. Kjo ndoshta ishte diçka e thënë me rezerva. Stejsi të linte pa frymë, të bënte të të këputeshin gjunjët.
Kontakti me të mund të shkrinte metalin, dhëmbët e kockat. Meshkujt bëheshin si të mpirë dhe në të njëjtë kohë si budallenj pas Stejsit. Shumë budallenj. Me të vërtetë, shumë budallenj. Ishte pa dyshim e gabuar të dilje me dikë si Stejsi – djemtë shpesh arrinin në përfundimin se nuk kishin më fjalë kur shikonin një femër të tillë. Ajo dukej e paarritshme. Kejti nuk ishte ashtu. Syzja e diellit u vardis pas Kejtit dhe filloi të bëjë lëvizjen e tij të parë. Eci paksa drejt saj, sikur po rrëshqiste mbi jargët e veta. Stejsi me zor e mbajti të qeshurën. – Kjo ka për të qenë e bukur. Duke shpresuar ta dekurajojë, Kejti i hodhi një vështrim të zbrazët dhe i mblodhi vetullat me mospërfillje. Syzja e diellit nuk u përmbajt. Ai kërceu përpjetë, duke u lëkundur sipas një ritmi muzikor që luhej vetëm në kokën e tij. – Hej zogu, – tha Syzja e diellit, – mos e ke gjë emrin Wi-Fi? Kejti po priste. – Sepse po ndiej njëfarë lidhjeje. Stejsi ia plasi së qeshurës. Kejti vetëm po e shikonte ftohtë. Ai vazhdonte. – Të dua shumë moj zoçkë e vogël, e di? Je e adhurueshme. Je një flutur, e gjeta? E di ti se çfarë do të më shkonte mua për shtat? Ti. – Punojnë ndonjëherë këto linjat? – e pyeti Kejti.
– Nuk kam mbaruar ende, – Syzja e diellit u kollit në grushtin e tij, nxori telefonin iPhone dhe e mbajti lart, drejt Kejtit. – Hej, zogu, bravo, urime, sapo kalove në krye të listës së gjërave që kam për të bërë. Stejsi po kënaqej. Kejti i tha: – Si e ke emrin? Ai ngriti njërën vetull. – Si të të pëlqejë ty, zogu. – Si të duket emri, Kodosh? – Kejti hapi xhaketën e saj duke treguar armën që kishte në rrip. – Tani do të nxjerr pistoletën time, Kodosh. – Të marrtë dreqi, grua, mos je gjë shefi im i ri? – ai tregoi me gisht pjesën mes kofshëve. – Sepse sapo ma ngrite. – Zhduku! – Dashuria ime për ty është si diarreja, – tha Syzja e diellit. – Nuk e mbaj dot. Kejti e pa ftohtë, e tmerruar. – Shkova shumë larg? – tha ai. – Oh, shoku, është shumë e neveritshme! – Po, por unë vë bast se ti s’ia ke dëgjuar zërin asnjëherë më parë këtij. Bast i fituar. – Ik. Tani. – Vërtet?! Stejsi ishte pothuajse e shtrirë në dysheme nga të qeshurat. Syzja e diellit filloi të largohet. – Prit. Testim është ky? Kjo fjala, Kodosh, është ndonjë lloj komplimenti, a diçka e tillë? – Qërohu!
Ai ngriti supet, u kthye, vuri re Stejsin, mendoi me vete, pse jo. Pa trupin e saj të gjatë nga lart-poshtë dhe tha: – Fjala e ditës është këmbë. Shkojmë në shtëpinë tënde dhe të shohim nëse i hapim. Stejsi po vazhdonte të argëtohej ende. – Më merr mua, Kodosh. Këtu. Tani. – Vërtet e ke? – Jo. Kodoshi e ktheu vështrimin te Kejti. Kejti vuri dorën në qytën e armës së saj. Ai i ngriti duart lart dhe iku vjedhurazi. – Stejsi? – tha Kejti. – Hëm? – Pse këta djem vazhdojnë të mendojnë se mund të kenë ndonjë shans me mua? – Sepse ti dukesh tërheqëse dhe plot gjallëri. – Nuk jam plot gjallëri. – Jo, por dukesh plot gjallëri. – Seriozisht, dukem shumë si humbameno? – Ti dukesh e lënduar, – tha Stejsi. – S’e dua veten që po ta them këtë. Por lëndimi… çlirohet nga ti si ndonjë lloj feromoni, të cilit trapat s’mund t’i rezistojnë. Të dyja pinë nga një gllënjkë pije. – Atëherë, çfarë ishte ajo gjëja që nuk do të më pëlqente mua? – pyeti Kejti. Stejsi hodhi vështrimin pas, në drejtim të Kodoshit. – Tani po më vjen keq për të. Ndoshta do të më duhet t’i propozoj të bëjmë ndonjë të shpejtë. – Mos e bëj.
– Çfarë? – Stejsi kryqëzoi këmbët e saj të gjata që binin në sy dhe i buzëqeshi Kodoshit. Ai e bëri fytyrën në një mënyrë të tillë që i kujtoi Kejtit një qen të lënë në makinë për shumë kohë. – Mendon se këtë fundin e kam shumë të shkurtër? – Fund? – tha Kejti. – Unë mendova se ishte rrip. Stejsit i pëlqeu kjo. Asaj i pëlqente të tërhiqte vëmendjen. Vdiste të gjuante burra, sepse mendonte që po të kalonin një natë me të, do të ishte në njëfarë mënyre ndryshim i jetës për ta. Edhe kjo ishte pjesë e punës së saj. Stejsi kishte një kompani private hetimi me dy gra të tjera shumë të bukura. Specialiteti i tyre? Të gjuanin (në fakt, të fusnin në grackë) bashkëshortë që tradhtonin. – Stejsi? – Hëm? – Çfarë nuk do të më pëlqente mua? – Kjo. Duke vazhduar të tallej me Kodoshin, Stejsi i zgjati Kejtit një copë letër. Kejti e pa letrën dhe shfryu e vrenjtur:
KD8115 HottestSexEvah
– Ç’është kjo? – KD8115 është emri i përdoruesit për ty. Inicialet e saj dhe numri i fletëhyrjes. – HottestSexEvah është fjalëkalimi yt. Oh, edhe ki parasysh që ke germa të vogla dhe të mëdha. – Po këto, për çfarë janë?
– Është një faqe në internet. YouAreJustMyType.com. – Çfarë? – Është një shërbim për takime online. Kejti shtrembëroi fytyrën. – Të lutem më thuaj që po bën shaka. – Është e rangut të lartë. – Kështu thonë ata kur flasin për klubet e striptizmit. – Të kam bërë një abonim, – tha Stejsi. – Është i vlefshëm për një vit. – Po bën shaka, apo jo? – Nuk bëj shaka unë. Bëj disa gjëra për këtë kompani. Janë të mirë. Dhe s’ka përse ta mashtrojmë veten. Ti ke nevojë për dikë. Ty të duhet dikush. Dhe nuk ke për ta gjetur këtu atë që të duhet. Kejti psherëtiu, u ngrit dhe i bëri shenjë me kokë banakierit, një djali që quhej Pete dhe që dukej si një aktor figurant, i cili luante gjithmonë rolin e banakierit irlandez – gjë që në fakt, ishte e vërtetë. Pete u përgjigj me një të tundur të kokës, duke treguar se do t’i vendoste pijet në llogarinë e saj. – Kushedi? – tha Stejsi. – Mund të të vejë mbarë të gjesh Zotërinë e Duhur. Kejti u nis drejt derës. – Po, më shumë, ka të ngjarë të gjej Zotërinë Kodosh.
KEJTI shtypi në tastierë adresën YouAreJustMyType. com, i ra butonit RETURN dhe vuri emrin e vet dhe fjalëkalimin shumë të sikletshëm. Psherëtiu kur e pa nofkën në krye të profilit që i kishte zgjedhur Stejsi:
E këndshme dhe plot gjallëri!
– Ka harruar e lënduar, – mërmëriti Kejti nën zë. Kishte kaluar mesi i natës, por Kejti nuk ishte shumë e dhënë pas gjumit. Jetonte në një zonë të nivelit shumë të lartë për të, West 67th Street off Central Park West, në një ndërtesë të mbiquajtur Atelier. Njëqind vite më parë, kjo dhe ndërtesat ngjitur me të, përfshirë të famshmin “Hôtel des Artistes” (Hoteli i Artistëve) kishin strehuar shkrimtarë, piktorë, intelektualë, artistë. Apartamentet e bollshme të botës së vjetër shikonin nga rruga, studiot më të vogla të artistëve ishin nga mbrapa. Më vonë, studiot e vjetra të artit ishin kthyer në apartamente me një dhomë gjumi. Babai i Kejtit, një polic, i cili i shikonte shokët e vet që po bëheshin të pasur duke mos bërë asgjë tjetër veç shitblerjes së pasurive të paluajtshme, u përpoq ta gjente veten aty. Një djalë, të cilit i ati i kishte shpëtuar jetën, ia shiti këtë vend me çmim të lirë. Kejti e kishte përdorur atë fillimisht kur ishte studente në “Columbia University”. E kishte paguar shkollimin e saj në “Ivy League” me një bursë të NYPD-së. Sipas planit, që kishte për jetën, supozohej që më vonë të vazhdonte shkollën për juridik dhe të fillonte punë në ndonjë nga studiot e mëdha të avokatëve, këpucëve të bardha, në qytetin e NjuJorkut, duke u shkëputur njëherë e mirë nga tradita familjare e mallkuar e punës së policit. Mjerisht, nuk kishte ndodhur kështu.
Një gotë me verë të kuqe rrinte pas tastierës së saj. Kejti pinte shumë. E dinte që kjo ishte klishe – një polic që pinte shumë – por ndonjëherë klishetë kanë arsye. Ajo e përmbante veten shumë mirë. Nuk pinte në punë. Kjo gjë, në fakt, nuk ndikonte në jetën e saj të dukshme, por në qoftë se Kejti bënte telefonata ose merrte vendime natën vonë, ato kishte të ngjarë që të ishin të paqarta. Gjatë viteve kishte mësuar të fikte celularin dhe të qëndronte larg email-eve pas orës dhjetë të natës. Por, ja ku ishte tani, natën vonë, duke kontrolluar për ndonjë tip të rastësishëm në një faqe interneti për takime. Stejsi kishte hedhur katër fotografi në faqen e Kejtit. Fotografia e profilit të Kejtit, që të binte në kokë, ishte prerë nga fotografia e grupit të shoqërueseve të nuses në një dasmë të vitit të kaluar. Kejti provoi ta shihte veten me objektivitet, por ishte e pamundur. E urrente atë fotografi. Gruaja në fotografi dukej e pasigurt për veten, me një buzëqeshje të vakët, pothuajse sikur po priste t’i jepnin një shuplakë. Çdo fotografi – tani që ajo kishte hyrë në ritualin e dhimbshëm të shikimit të tyre – ishte prerë nga fotografi të bëra në grup dhe në secilën prej tyre Kejti dukej sikur ishte e prerë në mes. Okej, mjaft me fotografitë e profilit të saj. Në punë, burrat e vetëm që takonte ajo ishin policë. Ajo nuk donte një polic. Policët ishin njerëz të mirë dhe bashkëshortë të tmerrshëm. E dinte shumë mirë këtë.
Kur gjyshja e saj u sëmur rëndë, gjyshi, i cili nuk mundi ta përballonte dot sëmundjen e saj, u largua dhe nuk ia fali kurrë vetes këtë veprim. Megjithatë, kjo ishte teoria e Kejtit. Ishte i vetmuar dhe ndërkohë kishte qenë hero për shumë njerëz. Gjyshi doli në pension atëherë kur puna i duhej më shumë dhe pa të cilën nuk mund të jetonte. Pistoleta e tij e shërbimit rrinte atje, në majë të të njëjtit raft në kuzhinë, ku ai e kishte mbajtur gjithmonë dhe kështu, një natë gjyshi i Kejtit e kapi dhe e mori copën e hekurit nga rafti, u ul i vetëm në tavolinën e kuzhinës dhe… Bu-uum. Në atë kohë edhe babai i saj donte të shkonte të bëhej tapë e të zhdukej për ditë me radhë. Mamaja gëzohej shumë kur ndodhte kjo, gjë e cila e bënte situatën gjithnjë e më të frikshme dhe të mërzitshme. Ajo pretendonte se babai ishte në një mision të pazbuluar ose e shpërfillte plotësisht zhdukjen e tij, në kuptimin e plotë të fjalës larg syve larg mendjes, dhe, më pas, ndoshta edhe një javë më vonë, babai do të vinte duke vallëzuar, i rruar taze, duke buzëqeshur, me një duzinë trëndafila për mamanë dhe të gjithë do të silleshin sikur kjo të ishte normale. YouAreJustMyType.com. Ajo, Kejt Donovani, e këndshme dhe plot gjallëri, ishte në një faqe takimesh në internet. Edhe tani miku im, le të flasim për planet tona më të mira. Ajo ngriti gotën e verës, duke bërë me gjest një dolli drejt ekranit të kompjuterit dhe gëlltiti një gllënjkë të madhe. Për fat të keq, bota nuk ishte më vendi i favorshëm për të takuar shokun e jetës.
Seksi, nuk ishte problem. Në fakt të gjithë e kërkonin pa e pohuar, por Kejti, megjithatë, nuk bënte të ndershmen, dhe e dinte se kur shkon shpejt në shtrat me dikë, mundësia për një marrëdhënie afatgjatë merr një goditje të fortë. Nuk ishte një gjykim moral. Ishte tamam kështu, asgjë më shumë. Kompjuteri i saj tringëlliu. Një mesazh u shfaq:
Kemi gjetur dikë që të përshtatet! Kliko këtu për të parë dikë që mund të jetë i përsosur për ty!
Kejti mbaroi gotën e verës. Po bluante në mendje që të pinte edhe një tjetër, por më mirë mjaft. Zuri vend, u rehatua dhe po mendonte për një të vërtetë të qartë, që s’ia kishte thënë vetes ende: kishte nevojë për dikë në jetën e saj. Ki kurajën t’ia pohosh vetes këtë gjë, dakord? Po aq shumë sa përpiqej të ishte e pavarur, Kejti donte të kishte një mashkull, një partner, dikë për të ndarë shtratin netëve. Ajo nuk ishte e djegur për burrë, dhe as nuk detyronte njeri, apo të bënte ndonjë përpjekje të madhe. Por, në të vërtetë, nuk ishte tipi i lindur për të jetuar e vetme. Filloi të klikonte nëpër profile. Duhet të hysh në lojë që të fitosh, apo jo? Për të qarë hallin. Disa burra duheshin eliminuar që me shikimin e parë të fotografisë së tyre të profilit. Kjo ishte pikë kyçe kur mendoje për të. Fotografia e profilit, që çdo burrë e kishte përzgjedhur me shumë kujdes, në shumicën e rasteve ishte përshtypja e parë (shumë e kontrolluar). Ajo fliste aq sa për të mbushur vëllime të tëra. Prandaj, nëse zgjidhje të mbaje me ndërgjegje një kapelë republikë, ishte një përgjigje automatike jo. Nëse zgjidhje një fotografi ku ke dalë me gjoksin jashtë, pavarësisht se sa trup të rregullt mund të kishe, automatikisht jo. Në qoftë se kishe një Bluetooth në vesh – heej, nuk je i rëndësishëm ti? – automatikisht jo. Në qoftë se kishe një cullufe të parruar nën buzën e poshtme ose një jelek sportiv, apo nëse shkelje syrin ose bëje gjeste me duar, apo nëse kishe një këmishë ngjyrëmandarine (paragjykim personal) ose po t’i kishe vënë syzet e diellit në majë të kokës, automatikisht jo, jo, jo. Në qoftë se emri i profilit tënd ishte Mashkull-Hamshor, Buzëqeshje Seksi, Bukurosh i Pasur, Përmbushës i Zonjave, e ke të qartë kuptimin. Kejti hapi profilet duke klikuar disa nga ato ku djali dukej… i pranueshëm, siç e mendonte ajo. Të gjitha prezantimet kishin një ngjashmëri depresive, të trishtuar. Çdo personi në atë faqe interneti, i pëlqente të shëtiste në breg të detit, të hante darkë jashtë, të bënte gjimnastikë, udhëtime ekzotike, të shijonte verërat, teatrot e muzetë, të ishte aktiv dhe të merrte rrezikun në sy e të bënte aventura të mëdha, për më tepër, ata ishin njësoj të kënaqur duke ndenjur në shtëpi e duke parë filma në televizor, duke pirë kafé e duke biseduar, duke gatuar, duke lexuar libra e duke u kënaqur me gjëra të thjeshta. Të gjithë djemtë pretendonin se cilësia më e madhe, të cilën ata kërkonin te një grua, ishte sensi i humorit, pra dakord, patjetër sipas hamendësimeve të Kejtit “sensi i humorit” ishte një eufemizëm për “cica të mëdha”. Sigurisht, çdo mashkull i vinte me radhë edhe llojet e trupit që pëlqente, si atletike, elegante dhe me forma të lakuara. Kjo dukej si më e sakta, nëse nuk ishte dëshirë e çiltër. Profilet asnjëherë nuk pasqyronin realitetin. Në vend që të ishin ashtu siç jeni në të vërtetë, ato ishin një ushtrim i mrekullueshëm, nëse jo i kotë, në atë që mendoni se jeni ose çfarë doni ju që të mendojë një partner i mundshëm se jeni ose, ka më shumë të ngjarë, profilet (dhe, shoku, që ta bësh shkurtimisht, të duhet një ditë e tërë) vetëm sa pasqyrojnë atë çka dëshironi të jeni. Deklarata personale kishte gjithandej, por në qoftë se ajo do të donte t’i përmblidhte vetëm me një fjalë, ndoshta ajo fjalë do të ishte të sheqerosura. Leximi i parë, “Çdo mëngjes, jeta është një kanavacë e bardhë që pret të pikturohet”, klik. Disa përpiqeshin të tregoheshin të ndershëm duke e thënë disa herë që ishin të ndershëm. Një sinqeritet i shtirë. Disa ishin pompozë, njerëz që kërkonin të binin në sy, të pasigurt ose varfanjakë. Njësoj si në jetën reale, kur Kejti mendonte për ta. Një pjesë e mirë prej tyre ishin me të vërtetë duke u përpjekur shumë. Duhma e ndyrë e dëshpërimit vinte që nga ekrani me aromën e çuditshme të një kolonje të keqe. Biseda konstante për shpirtin binjak, ishte, në rastin më të mirë, e pavend.
Në jetën reale, Kejti mendonte se askush nuk mund të gjente dikë me të cilin të kishte dëshirë të dilte më shumë se një herë, pale të besoje se, në njëfarë mënyre, në faqen YouAreJustMyType.com mund të gjeje menjëherë një person me të cilin do të doje të zgjoheshe nga gjumi pjesën tjetër të jetës. Zhgënjyese, apo ka shpresë për pranverë të përjetshme? Kjo ishte ana tjetër e medaljes. Ishte shumë e thjeshtë të ishe cinike dhe thumbuese, por kur ndaloi për një moment, Kejti pati ndjesinë e diçkaje që e shpoi drejt e në zemër: çdo profil ishte një jetë. E thjeshtë, po, por pas çdo klisheje të kaluar, profili “të lutem, më pëlqe mua” ishte një qenie njerëzore, me ëndrra, me aspirata dhe me dëshira. Këta njerëz nuk ishin regjistruar, nuk kishin paguar tarifën, apo plotësuar këtë informacion, kot së koti. Pa mendo pak për këtë gjë: cilido nga këta njerëz të vetmuar ka ardhur në këtë faqe interneti, duke u futur aty dhe duke klikuar nëpër profile, duke shpresuar se këtë herë do të ishte ndryshe, duke shpresuar kundër çdo shprese se më në fund ata do të mund të takonin personin e vetëm, i cili, përfundimisht, do të ishte personi më i rëndësishëm në jetët e tyre. Uau. Vetëm lëreni këtë ndjesi të sillet përqark jush për një moment. Kejti kishte humbur në mendimet e saj, duke klikuar nëpër profile me një shpejtësi që sa vinte e rritej, në fytyrat e këtyre burrave, burra që kishin ardhur këtu me shpresën për të gjetur “njërën”, kur, e turbulluar nëpër rrëmujën e trupave, papritur, ajo dalloi fytyrën e tij. Për një sekondë, ndoshta për dy, truri i saj nuk po e besonte atë që po i shikonin sytë. Iu desh edhe një sekondë tjetër që gishti të ndalonte së shtypuri butonin e mausit, edhe një tjetër që fotografitë e profilit, që po binin, të ngadalësoheshin dhe më në fund të ndalonin. Kejti ndaloi dhe mori frymë thellë. Nuk mund të ishte ai. Ajo ishte duke u endur me një ritëm të shpejtë, duke menduar për meshkujt mbrapa fotografive, jetët e tyre, dëshirat e tyre, shpresat e tyre. Mendja e saj, që ishte forca dhe dobësia e Kejtit si police, kishte qenë e përhumbur, jo duke u përqendruar domosdo në atë që ishte përballë saj, por që të krijonte një përshtypje për fotografinë e madhe, atë të realitetit. Në zbatimin e ligjit, kjo do të thoshte se ajo ishte në gjendje t’i shikonte të gjitha mundësitë, rrugët e shpëtimit, planet alternative të veprimit, figurat e fshehura mbrapa pengesave, shkëputjen e ndërlidhjes, bllokimet dhe mashtrimet. Por kjo do të thoshte gjithashtu se, ndonjëherë, Kejti nuk ishte e qartë. Ngadalë filloi të klikojë me shigjetën e kthimit mbrapa.
Nuk kishte mundësi të ishte ai. Imazhi nuk ishte asgjë më shumë se një flakërimë. Gjithë ato mendime për dashurinë e vërtetë, për shpirtin binjak, për personin e vetëm me të cilin ajo do mund të donte të kalonte jetën, kush mund ta fajësonte fantazinë e saj për të shkuar nëpër mend gjërat më të bukura? Kishin kaluar tetëmbëdhjetë vjet. Ajo e kishte kërkuar në Google disa herë, kur kishte qenë e dehur, por atje kishte gjetur vetëm pak artikuj të vjetër që kishte shkruar ai. Asgjë aktuale. Ajo që e kishte befasuar, i kishte ndezur kureshtjen. Xhefi kishte qenë një gazetar shumë i mirë, por çfarë mund të bënte ajo më shumë? Kejti kishte tentuar të fillonte një hetim më të hollësishëm për të. Nuk do të ishte një gjë shumë e ndërlikuar, por asaj nuk i pëlqente të përdorte për nevoja personale lidhjet që kishte në zbatim të ligjit. Ajo edhe mund ta kishte pyetur Stejsin, por përsëri, cila do të ishte arsyeja? Xhefi kishte ikur. Ndjekja, apo qoftë edhe kërkimi në Google i një ishtë dashuri, ishte përtej patetizmit. Okej, Xhefi kishte qenë më shumë se kaq. Shumë më shumë. Kejti, pa e pasur mendjen preku gishtin e majtë të unazës me gishtin e madh. Bosh. Por nuk kishte qenë gjithnjë ashtu. Xhefi i kishte propozuar, duke e bërë çdo gjë si duhej. I ulur mbi njërin gju. Kishte marrë edhe leje nga babai i saj. Asgjë e pakëndshme. Ai nuk e kishte fshehur unazën në ndonjë ëmbëlsirë apo t’i propozonte asaj duke shkarravitur në tabelën e pikëve në Madison Square Garden. Kishte qenë klasik, romantik dhe tradicional, sepse e dinte që ashtu ishte tamam si do ta donte ajo.
Lotët filluan t’i rridhnin nga sytë. Kejti klikoi shigjetën e kthimit nëpër një potpuri fytyrash dhe modele flokësh, ku gjendeshin beqarë të pranueshëm nga të gjitha kombet e bashkuara të vërteta beqarësh, derisa gishti i saj ndaloi. Për një moment, mbeti e habitur, pati frikë të lëvizte; mbajti frymën. Pastaj i shpëtoi nga buzët një britmë e vogël. Brenga e vjetër e zemrës iu kthye me shpejtësi. Sëmbimi i thellë i dhimbjes u ndje i freskët, a thua se Xhefi sapo kishte dalë nga dera, tani, në këtë sekondë dhe jo tetëmbëdhjetë vjet më parë. I dridhej dora duke e zgjatur në drejtim të ekranit dhe e preku fytyrën e tij. Xhefi. Vazhdonte të ishte po aq i pashëm. Ishte plakur paksa, sigurisht, flokët te tëmthat kishin filluar t’i zbardheshin, por, shoku, i shkonin shumë. Kejti duhet ta kishte marrë me mend këtë gjë. Xhefi do të ketë qenë një nga ata burra që me kalimin e moshës sa vinë e bëhen më të mirë. E përkëdheli fytyrën e tij. Në cepin e njërit sy i shkëlqeu një lot i vetmuar. – Oh, Zot, – mendoi ajo. Kejti u mundua ta kujtonte veten bashkë me të, u përpoq të kthehet një hap prapa për të menduar në njëfarë perspektive, por dhoma po i rrotullohej dhe nuk kishte asnjë mënyrë për ta ndaluar atë. Dora e saj, që vazhdonte të tundej, u kthye mbrapa te mausi dhe klikoi te fotografia e profilit, e zmadhoi. Ekrani kaloi në faqen tjetër. Atje Xhefi qëndronte në këmbë, i veshur me një triko dhe me xhinse, me duart në xhepa, me sytë aq blu, sa do të kërkoje kot për të gjetur ndonjë shenjë të lenteve të kontaktit. Kaq i pashëm. E marrtë dreqi, sa i bukur ishte.
Dukej i rregulluar dhe sportiv edhe tani, pavarësisht të gjithave, një trazim tjetër filloi thellë brenda saj. Për më pak se një sekondë, Kejti hodhi një vështrim vjedhurazi në dhomën e saj të gjumit. Kishte jetuar në këtë apartament kur kishin qenë bashkë. Pas tij, në atë dhomë gjumi, kishin qenë edhe meshkuj të tjerë, por asnjëherë dhe askush nuk kishte mundur të afrohej aq sa ajo ishte afruar dhe kishte përjetuar me ish-të fejuarin e saj. Ajo e dinte si dukej kjo tani, por kur kishte qenë me Xhefin, ai e kishte bërë çdo pjesë të saj të gumëzhinte dhe të këndonte. Nuk ishte as teknika, as madhësia dhe asgjë tjetër e tillë që përbënte ndryshimin. Nuk ishte çështje eksperience erotike, ishte çështje besimi. Kjo gjë e kishte bërë seksin që të të luanin mendtë e kokës. Kejti ishte ndier e sigurt me të. Ishte ndier e sigurt, e bukur, e patrembur dhe e lirë. Ai e ngacmonte ndonjëherë, e kontrollonte, bënte ç’t’i donte qejfi me të, por ai asnjëherë nuk e kishte bërë të ndihej e rrezikuar apo e turpëruar. Kejti nuk kishte qenë më në gjendje të kalonte situata të tilla me ndonjë burrë tjetër. Ajo u gëlltit dhe klikoi linkun e profilit të plotë. Përshkrimi ishte i shkurtër, shumë mirë, mendoi Kejti. Bëj atë që duhet të bësh. Pa presion. Pa plane madhështore. Pa kushte paraprake, pa garanci apo pritshmëri të egra. Bëj atë që duhet të bësh. Ajo rrëshqiti në drejtim të seksionit të statusit. Gjatë tetëmbëdhjetë viteve të shkuara, Kejti kishte imagjinuar pafundësisht se ç’drejtim kishte marrë
jeta e tij, prandaj, pyetja e parë ishte ajo më e qarta: çfarë kishte ndodhur me jetën e Xhefit, që ai kishte përfunduar në një faqe interneti për beqarët? Edhe njëherë, çfarë po i ndodhte asaj? Në status shkruhej: I ve.
Edhe një uau tjetër. Ajo u përpoq të përfytyronte se Xhefi ishte martuar me një grua, kishte jetuar me të, e kishte dashur dhe, më pas, ajo kishte vdekur. Këtë nuk e llogariste dot. Ende jo. Ishte e bllokuar. Kjo ishte në rregull. Vazhdo ende. Nuk kishte arsye pse të kërkonte akoma aty. I ve. Poshtë kësaj, një e shkundur tjetër: Një fëmijë. Nuk jepej mosha ose seksi dhe, sigurisht, kjo nuk kishte rëndësi. Çdo zbulim, çdo fakt i ri për burrin, të cilin e kishte dashur me gjithë forcën e shpirtit, e bënte botën të lëkundej sërish. Ai kishte jetuar një jetë të tërë pa të. Pse duhej të ishte e papritur tani? Çfarë kishte pritur ajo? Prishja e tyre kishte qenë e menjëhershme dhe e pashmangshme. Mund të ishte ai që ishte larguar, por sidoqoftë kjo kishte ndodhur për faj të saj. Ai kishte ikur, ishte zhdukur, si gjithë jeta që ajo kishte bërë dhe planifikuar të bënte. Tani ai ishte kthyer, ishte një nga njëqind, ndoshta dyqind, meshkujt në profilet e të cilëve ajo kishte klikuar. Pyetja ishte: çfarë do të bënte ajo tani?!
PAK orë para se Gerard Remingtoni t’i kërkonte dorën për martesë Vanesa Morautit, bota e tij u përmbys. Propozimi, njësoj si shumë gjëra në jetën e Gerard Remingtonit, ishte i planifikuar me kujdes. Hapi i parë: pas kërkimeve të shumta, Gerardi kishte blerë një unazë fejese, 2.93 karat, model princeshe, me qartësi VVS1, ngjyrë F, platin në formë rrethi me diamante të vogla përqark. E kishte blerë atë nga një argjendar i famshëm te Rrethi i Diamanteve të Manhatanit, në rrugën West 47th Street, jo në ndonjë nga dyqanet e mëdha me çmime të kripura, por në një kioskë nga mbrapa, afër qoshes së rrugës Sixth Avenue. Hapi i dytë: fluturimi i tyre sot duhej të niste nga aeroporti Logan i Bostonit, me fluturimin JetBlu 267 në orën 7:30 të mëngjesit, për t’u ulur në St. Maarten në orën 11:31 paradite, ku bashkë me Vanesën do të
shkonin me një aeroplan të vogël në Anguilla, ku do të mbërrinin në orën 12:45 pasdite. Hapat tre-katër etj.: ata do të çlodheshin në vilën dykatëshe në Viceroy me pamje nga Meads Bay, do të zhyteshin në pishinën e stërmadhe, do të bënin dashuri, do të laheshin e do të visheshin dhe do të dilnin për darkë në restorantin Blanchard’s. Rezervimi i darkës ishte bërë për në orën shtatë pasdite. Gerardi kishte telefonuar më përpara dhe kishte porositur të merrte një shishe nga vera e preferuar e Vanesës, një Château Haut-Bailly Grand Cru Classé 2005, nga zona me emrin Pessac-Leognan, çdo gjë gati. Pas darkës, Gerardi dhe Vanesa do të ecnin zbathur në plazh, të kapur për dore. Ai kishte kontrolluar kalendarin e fazës hënore dhe e dinte se hëna do të ishte pothuajse e plotë në atë kohë. Afërsisht 200 metra përgjatë plazhit, ishte një barakë e mbuluar me kashtë, që përdorej gjatë ditës për të dhënë me qira maska për zhytje dhe ski uji. Gjatë natës, aty s’kishte njeri. Një luleshitës vendas kishte bërë përpara hyrjes një vijë me njëzet e një, aq sa numri i javëve që ata ishin njohur me njëri-tjetrin, zambakë të bardhë, lulja e preferuar e Vanesës. Atje duhet të ishte edhe një kuartet harqesh, gjithashtu. Me sugjerimin e Gerardit kuarteti do të luante këngën Some where Only We Know (Diku ku vetëm ne e dimë) nga Keane, këngë për të cilën ai dhe Vanesa kishin vendosur se do të ishte përgjithmonë e tyrja. Pastaj, meqë të dy i pëlqenin gjërat tradicionale, Gerardi do të përkulej në njërin gju.
Me sytë e mendjes, Gerardi pothuajse e shikonte reagimin e Vanesës. Ajo do të hapte gojën e befasuar. Sytë e saj do të njomeshin nga lotët. Ajo do ta fshihte fytyrën me duar nga mahnitja dhe gëzimi. – Ti hyre në botën time dhe e ndryshove përgjithmonë, – do t’i thoshte Gerardi. – Si katalizatori më mahnitës, ti e more këtë copë balte të zakonshme dhe e shndërrove në diçka shumë më të fuqishme, shumë më të lumtur dhe të mbushur plot me jetë, aq sa unë nuk e kisha imagjinuar kurrë. Të dua. Të dashuroj me gjithë qenien time. Dashuroj çdo gjë që ka të bëjë me ty. E qeshura jote i jep ngjyrë dhe formë jetës sime. Ti je gruaja më e bukur dhe më e pasionuar në botë. Të lutem, do që të më bësh burrin më të lumtur në botë dhe të martohesh me mua? Gerardi ishte ende duke përpunuar formulimin e saktë, sepse donte që të ishte gjëja e duhur, kur papritur bota e tij u nxi. Por çdo fjalë ishte e vërtetë. Ai e dashuronte Vanesën. E dashuronte me gjithë zemër. Gerardi asnjëherë nuk kishte qenë kaq shumë romantik. Gjatë gjithë jetës së tij njerëzit kishin qenë të prirë për ta zhgënjyer. Shkenca nuk ishte kështu. Për hir të së vërtetës, ai gjithmonë kishte qenë më i kënaqur të jetonte vetëm, duke luftuar me mikrobet, duke punuar për ilaçe dhe antiserume të reja, të cilat do ta lejonin t’i fitonte ato beteja. Kishte qenë shumë i kënaqur në laboratorin e tij, në Benesti Pharmaceuticals, kur kishte zbuluar një ekuacion ose formulë në dërrasën e zezë. Ai ishte, si do të thoshin kolegët e tij më të rinj, me mënyrat e shkollës së vjetër. I pëlqente dërrasa e zezë. Ajo e ndihmonte që të mendohej, i pëlqente aroma e shkumësit, pluhuri, mënyra se si bëheshin pis gishtat, lehtësia e fshirjes, sepse në shkencë, në fakt, asgjë nuk zgjat me të vërtetë përgjithmonë. Po, dërrasa e zezë ishte atje në ato momente të humbura vetmie, kur Gerardi ndihej më i kënaqur. Shumë i kënaqur, por jo i lumtur. Vanesa kishte qenë gjëja e parë në jetën e tij që e kishte bërë të lumtur. Gerardi i hapi sytë dhe po mendonte për të. Çdo gjë ishte ngritur në fuqi të dhjetë me Vanesën. Asnjë grua tjetër nuk e kishte prekur atë ndonjëherë mendërisht, emocionalisht dhe po, patjetër, fizikisht si Vanesa. Asnjë grua tjetër, që ai kishte njohur, nuk kishte mundur. Ai i hapi sytë dhe ende kishte mbetur errësira. Në fillim mendoi se ishte diku në shtëpinë e vet, por ishte shumë më ftohtë. E mbante termostatin digjital në një temperaturë afërsisht 22o C.
Vanesa shpeshherë e ngacmonte për përpikërinë e tij. Gjatë jetës së tij, disa njerëz e kishin konsideruar nevojën e Gerardit për rregullsi pothuajse si fiksim ose edhe si OCD (Obsessive Compulsive Disorder). Vanesa, gjithsesi e kuptonte dhe e vlerësonte atë gjë, po e konsideronte edhe si bonus. “Kjo është ajo që të bën një shkencëtar të madh dhe një njeri të dashur”, i kishte shkruar njëherë Vanesa. Ajo ia shpjegoi atij teorinë e vet, se njerëzit, që sot konsiderohen si të prekur nga shqetësimet e spektrit autistitik, në të kaluarën kanë qenë gjeni të artit, shkencës dhe literaturës, ndërsa tani, mjekimet dhe diagnozat kanë tendencë të fshijnë veçoritë e tyre, duke i bërë ata më të njëtrajtshëm, duke mpirë shqisat e tyre. – Gjenitë vijnë nga e pazakonta, – i kishte shpjeguar Vanesa. – Dhe unë jam i pazakontë? – Në mënyrën më të mirë të mundshme, i dashur. Por, ndërkohë që zemra e tij mbushej nga kujtimet, Gerardi nuk kishte sesi të mos e ndiente aromën e çuditshme. Diçka të lagësht, të vjetër, të mykur dhe si… Si të qelbur. Si dhé i freskët. Menjëherë e kapi paniku. Ende në mes të errësirës, Gerardi u përpoq ta ngrinte dorën në fytyrë. Nuk e bënte dot. Kishte diçka që ia kishte lidhur kyçet e duarve. Dukej si litar apo, jo, diçka më e imët. Ndoshta ishte tel. Ai u përpoq t’i lëvizte këmbët. Ato ishin të lidhura bashkë. Ai mblodhi muskujt e barkut dhe u përpoq të lëvizte të dyja këmbët në ajër, por ato goditën diçka. Diçka të drunjtë. Tamam sipër tyre. Sikur ai të ishte në… Trupi i tij filloi të hidhej nga frika. Ku ishte ai? Ku ishte Vanesa? – Ej? – bërtiti ai. – Ej? Gerardi u përpoq të ngrihej, por edhe përqark kraharorit të tij ishte një rrip. Ai nuk mund të lëvizte. Po priste që sytë t’i mësoheshin me errësirën, por kjo gjë nuk po ndodhte aq shpejt sa duhej. – Ej? Ka njeri? Ju lutem, më ndihmoni!
HARLAN COBEN30 Tani ai dëgjoi një zhurmë. Tamam sipër vetes. Dëgjohej si gërryerje a zvarritje këmbësh ose… Ose zhurmë hapash? Zhurmë hapash tamam sipër tij. Gerardi po mendonte për errësirën. Po mendonte për aromën e dheut të freskët. Përgjigjja u bë menjëherë e qartë, por ajo nuk kishte kuptim. Jam nën tokë, mendonte ai, jam nën tokë. Dhe pastaj filloi të bërtasë.
KEJTI doli jashtë më shumë se e përgjumur. Ashtu si bënte çdo ditë të javës, alarmi i iPod-it të saj e ngriti me një këngë të rastësishme nga ato të preferuarat e saj, këtë mëngjes, në orën gjashtë, ishte Bulletproof Weeks (Javë Antiplumb) nga Matt Nathanson. Nuk i kishte dalë nga mendja që kishte rënë në gjumë në krevatin ku kishte fjetur me Xhefin gjithë ato vite të shkuara. Dhoma e kishte ende veshjen me dërrasa të errëta. Pronari i mëparshëm kishte qenë violinist në Filarmoninë e Nju-Jorkut. Ai kishte vendosur ta bënte gjithë apartamentin, afërsisht 56 m2, të dukej si brendia e një anijeje të vjetër. Ishte i gjithi me dru të errët dhe me frëngji në vend të dritareve. Ajo dhe Xhefi kishin qeshur, duke luajtur si budallenj, me nënkuptime, duke bërë sikur anija lëkundej, përmbysej apo thërrisnin për një varkë shpëtimi; si t’u vinte për mbarë.
Dashuria e bënte mërzitjen disi pikante. – Ky vend, – do të thoshte Xhefi, – nuk ka asnjë lidhje me ty. Sigurisht, ai e shikonte të fejuarën e tij studente si më të çelur dhe më të hareshme nga mjedisi që e rrethonte, por tani, tetëmbëdhjetë vjet më vonë, kushdo që hynte në banesën e saj mendonte se ai vend i përshtatej Kejtit më së miri. Ashtu si dy bashkëshortë që me kalimin e viteve fillojnë të ngjasin me njëritjetrin, ajo kishte filluar t’i ngjante këtij apartamenti. Kejti hezitoi të qëndronte akoma në shtrat dhe të merrte një sy gjumë, por kursi do të fillonte pas pesëmbëdhjetë minutash. Instruktori i saj, Akua, një transvestit i imët me çrregullim skizofrenik të personalitetit, për mungesat në kurs, nuk pranonte asgjë tjetër përveç justifikimeve për kërcënimin e jetës. Përveç kësaj, Stejsi mund të ishte atje dhe Kejti shpresonte që të fliste me të për historinë e Xhefit, që e rigjeti në atë faqen e internetit. Kejti veshi pantallonat e saj të jogës dhe kanotierën, rrëmbeu një shishe ujë dhe u drejtua për nga dera. Vështrimi i saj u tërhoq nga kompjuteri që ishte mbi tavolinë. Ah, ç’të keqe kishte, po t’i hidhte një sy të shpejtë? Faqja e hyrjes së YouAreJustMyType.com, ishte ende e hapur, megjithëse llogaria e saj ishte mbyllur pas dy orësh mosaktivizimi. Ata kishin nxjerrë një “ofertë interesante hyrëse” për “Të porsaardhurit” (kush tjetër do të ishte i përshtatshëm për një ofertë hyrëse?), një muaj akses të pakufizuar për çfarëdolloj gjëje vetëm për 5.74 dollarë “të faturuar në fshehtësi” hë?) në kartën tuaj të kreditit. Për fatin e mirë të Kejtit, Stejsi tashmë i kishte blerë asaj një vit të tërë. Urraaa! Kejti vendosi emrin dhe fjalëkalimin e saj përsëri në fushat e duhura dhe shtypi RETURN.
Aty ishin mesazhet e tanishme nga meshkuj. Ajo i shpërfilli. E gjeti faqen e Xhefit, sigurisht që e kishte bërë bookmark. Klikoi butonin REPLY. Gishtat i mbetën mbi tastierë. Çfarë duhet t’i thoshte? Asgjë. Gjithsesi, jo tani. Duhet të mendohej për të. Koha po ikte. Kursi ishte duke filluar. Kejti shkundi kokën, u ngrit dhe u drejtua për te dera. Njësoj si bënte çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, Kejti vrapoi përmes Rrugës 72 dhe hyri në Central Park. Kryetari i bashkisë së Strawberry Fields-it, një artist performues, që jetonte me bakshishet e turistëve, tashmë i kishte vendosur lulet e tij në mozaikun e përmendores Imagine në nder të Xhon Lenonit (John Lennon). E bënte këtë pothuajse çdo ditë, por rrallëherë dilte kaq shpejt. – Hej, Kejt, – tha ai duke i dhënë asaj një trëndafil. Ajo e mori. – Mirëmëngjesi, Geri. Kaloi me nxitim tarracën e sipërme të Bethesda-s. Liqeni ishte ende i qetë, s’kishte dalë asnjë varkë, por uji që rridhte nga shatërvani ndriçonte si një perde me rruaza. Kejti dredhoi në rrugicën nga e majta, duke shkuar pranë statujës gjigante të Hans Kristian Andersenit (Hans Christian Andersen).
Tajrëlli dhe Billi, të njëjtët burra, të pastrehë (se sa të pastrehë ishin ata, ajo e dinte më mirë nga kushdo, ata jetonin në San Remo dhe iu pëlqente të visheshin kështu), të cilët të ulur këtu çdo mëngjes, ishin, si gjithmonë, duke luajtur një lloj pokeri, gin rummy. – Nga prapanicat dukesh mirë, vajzë, – tha Tajrëlli. – Edhe ti, gjithashtu, – iu përgjigj Kejti. Tajrëlli vdiste për këtë. Ai u ngrit në këmbë, i përdrodhi pak bythët, ia futi Billit me shuplakë dhe i hodhi letrat e tij në rrugicën ku ecte ajo. Billi e qortoi. – Ngriji ato! – bërtiti Billi. – Qetësohu, dakord? – Kurs sot që në mëngjes? – iu drejtua Kejtit. – Po. – Sa veta? – Tetë. Akoma s’ka kaluar Stejsi? Sapo u përmend emri i saj, të dy burrat i hoqën kapelat dhe i vunë mbi zemrat e tyre me respekt. Billi pëshpëriti: – Zot, ki mëshirë. Kejti rrudhi vetullat. Tajrëlli tha: – Akoma jo. Ajo vazhdoi djathtas dhe u rrotullua përqark pellgut Conservatory Water. Disa lloje varkash po bënin gara. Mbrapa hangarit të varkave Kerbs, ajo gjeti Akuan të ulur këmbëkryq. Sytë e tij ishin të mbyllur. Akuas, produkt i një babai afro-amerikan dhe një mamaje hebre, i pëlqente ta përshkruante lëkurën e tij si kafe moka me qumësht, me shllak sipër. Ai ishte i imët dhe i zhdërvjellët dhe, pikërisht tani, i ulur në qetësi të plotë, kaq shumë i kundërt me djaloshin maniak me të cilin ajo ishte miqësuar shumë vite më parë. – Je me vonesë, – tha Akua pa i hapur sytë. – Si e bën këtë gjë? – Çfarë? Të të shikoj ty me sy mbyllur? – Po. – Është një sekret i veçantë i mjeshtërve të jogës, – tha Akua, – quhet përgjim. Ulu. Ajo u ul. Një minutë më vonë, Stejsi u bashkua me grupin. Akua nuk i bëri asaj asnjë qortim. Më parë kursi zhvillohej në Great Lawn… para, domethënë, se të zbarkonte Stejsi dhe të fillonte të demonstronte zhdërvjelltësinë e saj publikisht. Papritmas, burrat u bënë jashtëzakonisht të interesuar për jogën në mjedis të hapur. Akua nuk e pëlqente këtë, prandaj e bënte kursin e mëngjesit vetëm me femra dhe tani po i mbante femrat në këtë vend të fshehtë mbrapa hangarit të varkave. Vendi “i rezervuar” i Stejsit ishte ngjitur me murin, me qëllim që ata që donin të gjuanin me vështrime nga larg, e kishin të zënë rrezen e shikimit. Akua i drejtoi ato në një seri pozicionesh qëndrimi në joga. Çdo mëngjes, me shi, të kthjellët ose me dëborë, Akua drejtonte kursin e tij në këtë lloj vendi. Ai nuk i ngarkonte me ndonjë tarifë të veçantë. Ti i jepje çfarëdo që mendoje se ishte e përshtatshme. Ai ishte një mësues i mrekullueshëm, udhëzues, i këndshëm, motivues, i sinqertë, gazmor. Arrinte ta rregullonte pozicionin e qëndrimit Downward Dog ose Warrior Two me prekje të lehtë, pa lëvizur asgjë brenda teje.
Shumicën e ditëve, Kejti përhumbej pas pozicioneve të qëndrimit. Trupi i saj punonte shumë. Frymëmarrja e saj ngadalësohej. Mendja e saj dorëzohej. Në jetën e përditshme, Kejti pinte alkool, me raste edhe cigare dhe nuk hante rregullisht. Puna e saj mund të ishte një goditje e pastër, e pandërprerë toksinash. Por këtu, me zërin qetësues të Akuas, të gjitha ato davariteshin përgjithësisht. Jo sot. Ajo u përpoq ta largonte nga mendja, u përpoq të përqendrohej dhe të gjitha gjërat i dukeshin pa kuptim, madje dhe ato që thoshte Akua, por fytyra e Xhefit, ajo fytyrë që kishte njohur dhe ajo që sapo kishte parë nuk po i shqiteshin nga mendja. Akua e pa përhumbjen e saj. Ia hodhi sytë me vëmendje dhe kaloi pak më shumë kohë për të rregulluar pozicionet e saja të qëndrimit dhe nuk i tha asgjë. Në fund të çdo kursi, kur kursantët rrinin në pozicionin Corpse, Akua të vinte plotësisht nën magjinë e fjalëve të tij relaksuese. Çdo pjesë e jotja dorëzohej. Ti do të lëvizje. Ai pastaj do të të kërkonte të kaloje një ditë të bekuar, të veçantë. Ti do të shtriheshe atje edhe disa momente të tjera, duke marrë frymë thellë, me mollëzat e gishtave që të shponin. Me ngadalë, sytë e tu do të hapeshin duke u kapsallitur, ashtu siç po bënte Kejti tani, dhe Akua do të kishte ikur. Kejti me ngadalë u rikthye në jetë. Të njëjtën gjë bënë edhe kursantet e tjera. Ato mblodhën me qetësi shtrojat e tyre, pothuajse të paafta për të folur.
Stejsi u bashkua me të. Ato ecën për disa minuta duke kaluar Conservatory Water-in. – E mban mend atë djalin me të cilin takohesha? – pyeti Stejsi. – Patrikun? – Po, atë. – Ai m’u duk vërtet i ëmbël, – tha Kejti. – Po, pra, më duhet ta heq qafe. Pasi zbulova se ai ka bërë diçka shumë të keqe. – Çfarë? – Bën biçikletë në palestër, – tha Stejsi. Kejti ngriti sytë drejt qiellit. – Jo, por imagjino, Kejt. Djali bën biçikletë në palestër. Po pastaj, ushtrimet e Kegelit? Ishte e këndshme të ecje me Stejsin. Pas njëfarë kohe, nuk i vije re nguljet e syve dhe fishkëllimat. Nuk ishe e fyer dhe as nuk i shpërfillje ato. Ato thjesht nuk ekzistonin më. Të ecje në krah të Stejsit ishte gjëja më e përshtatshme që kishte mësuar ndonjëherë Kejti për t’u maskuar. – Kejt? – Po? – Do të më thuash se ç’është e gabuar? Një djalë trupmadh, me muskuj të palestruar, nga ai lloji ku i dallohen damarët dhe me flokë të lëpirë pas kokës, ndaloi përpara Stejsit dhe i hodhi sytë mbi gjoksin e saj. – Uau, çfarë ballkoni paska kjo! Stejsi gjithashtu ndaloi dhe i hodhi sytë mes kofshëve të tij.
– Uau, ai po që është kar i vogël. Ato filluan të ecin përsëri. Në varësi të mënyrës së përqasjes, Stejsi e trajtonte vëmendjen në forma të ndryshme. Ajo e urrente kapadaillëkun që bie në sy, fishkëllimat ngacmuese, ato të pasjellshmet. Djemtë e druajtur, ata që thjesht admironin dhe pëlqenin atë që shikonin, këta po, Stejsi i pëlqente gjithashtu. Ndonjëherë, ajo do t’u buzëqeshte ose madje edhe do t’u tundej, pothuajse si një njeri i famshëm, i cili jepte diçka nga vetja, sepse ajo ishte një gjë e vogël dhe i bënte të tjerët të lumtur. – Dje në mbrëmje hyra në atë faqen e internetit, – tha Kejti. Kjo e bëri Stejsin të qeshë. – Vërtet? – Po. – Uau. Ajo nuk do shumë kohë. U lidhe me ndonjë? – Jo tamam. – Çfarë ka ndodhur? – Pashë ish-të fejuarin tim. Stejsi u zgjat me sytë e hapur fort. – Ma thuaj përsëri? – Ai quhet Xhef Rejni. – Prit pak, ke qenë e fejuar? – Shumë kohë përpara. – Por, e fejuar? Ti? Me unazë dhe me të gjitha gjërat e tjera? – Pse çuditesh kaq shumë?! – S’e di. Dua të them, sa kohë ka që jemi shoqe? – Dhjetë vjet.
– E saktë, dhe gjatë gjithë kësaj kohe, ti asnjëherë nuk ke qenë brenda kufirit nuhatës të dashurisë. Kejti mblodhi supet përgjysmë. – Kam qenë njëzet e dy vjeçe. – Më ke lënë pa fjalë, – tha Stejsi. – Ti. E fejuar. – Mund ta kalojmë atë pjesë? – Ke të drejtë, dakord, më fal. Dhe mbrëmë pe profilin e tij në atë faqen e internetit? – Po. – Çfarë i the ti? – Kujt t’i them? – Atij, – tha Stejsi. – Çfarë? – T’i them atij, jo kujt t’i them. – Do të doja të kisha armën me vete, – tha Kejti. – Eh, çfarë i shkrove, Xhefit? – Nuk e bëra. – Më fal? – Nuk i shkrova. – E pse jo? – Ai më la. – Një i fejuar, – Stejsi e tundi kokën përsëri. – Dhe ti nuk më ke folur kurrë për të më përpara? Më duket sikur e kam ngrënë. – Çfarë është kjo? – Nuk e di. Dua të them, kur bëhet fjalë për dashurinë, unë gjithnjë mendoj se ti je cinike, si unë. Kejti vazhdonte të ecte: – Si mendon ti se jam bërë cinike? – Të lumtë, e gjete!
Ato gjetën një tryezë në restorantin Le Pain Quotidien, brenda në Central Park, pranë Rrugës 69 në perëndim dhe porositën kafé. – Më vjen me të vërtetë keq, – tha Stejsi. Kejti ia bëri me dorë. – Unë të regjistrova në atë faqe që ti të lidheshe. Zoti e di nëse ti do që të lidhesh. Dua të them, ti ke nevojë të lidhesh më pak nga kushdo tjetër që njoh unë. – Kjo është njëfarë apologjie, – tha Kejti. – Nuk doja të të sjell në mendje kujtime të këqija. – Nuk është ndonjë gjë e madhe. Stejsit nuk iu mbush mendja. – Do që të flasim për atë? Sigurisht që do. Dhe unë jam kureshtare sa s’ka ku të shkojë më shumë. Më trego çdo gjë. E kështu, Kejti ia tregoi asaj të gjithë historinë me Xhefin. I tregoi si u takuan në “Columbia”, si ranë në dashuri, si iu duk asaj se dashuria do të zgjaste përgjithnjë, si i dukej e lehtë dhe e drejtë gjithçka, si i kishte propozuar Xhefi, si ndryshoi çdo gjë kur u vra babai i saj, si ajo u bë më e tërhequr, si iku Xhefi përfundimisht, si ishte bërë ajo shumë e dobët ose shumë krenare, për t’i shkuar atij nga mbrapa. Kur Kejti mbaroi, Stejsi tha: – Uau. Kejti gjerbi pak kafé. – Dhe tani, pothuajse njëzet vjet më vonë, ti e shikon të fejuarin tënd në një faqe interneti për takime? – Po. – Beqar?
Kejti rrudhi vetullat. – Ka shumë pak njerëz të martuar në atë faqe. – Po, sigurisht. Atëherë, si është puna? Është i divorcuar? Ka ndenjur gjithë ditën në shtëpi, duke u përvëluar, si puna jote? – Unë nuk po përvëlohem më, – tha Kejti e, më pas, vazhdoi: – Ai është i ve. – Uau. – Mos e thuaj më këtë “uau”. Çfarë je ti, vajzë shtatë vjeçe? Stejsi e shpërfilli minishpërthimin e saj. – Quhet Xhef, apo jo? – Po. – Po kur Xhefi e prishi muhabetin, e doje më? Kejti u gëlltit. – Po, sigurisht. – Mendon se ai vazhdon të të dojë? – Me sa duket jo. – Mjaft me këtë. Mendo për pyetjen. Harroje për një sekondë që ai të ka lënë. – Poo, por është pak e vështirë për t’u harruar. Unë jam një vajzë, që “veprimet i flasin më shumë sesa fjalët”. Stejsi u përkul më afër. – Të them të drejtën ka pak njerëz, të cilët e shikojnë anën tjetër të dashurisë dhe të martesës më qartë sesa ti. Ne që të dyja e dimë këtë, apo jo? – Po. – Ti mëson shumë për marrëdhëniet, ndërsa puna jote, në njëfarë mënyre, pothuajse i shkatërron ato.
Por, e vërteta është se pothuajse çdo marrëdhënie ka momente të vështira. Çdo marrëdhënie ka plasaritje dhe të çara. Kjo nuk do të thotë që ajo është pa kuptim apo e keqe, ose qoftë edhe e gabuar. Ne e dimë që çdo gjë në jetët tona është e ndërlikuar dhe gri. Megjithatë, ne presim në njëfarë mënyre që marrëdhënia jonë të mos jetë asgjë më shumë sesa e thjeshtë dhe e pastër. – Shumë e vërtetë, – tha Kejti, – por nuk po kuptoj se ku po e hedh fjalën. Stejsi u përkul më afër. – Kur u ndave ti me Xhefin, të donte ai? Mos më thuaj gjëra të tipit “veprimet flasin më shumë sesa fjalët”. Të donte ende ai ty? Dhe pastaj, pa menduar shumë për të, Kejti tha: – Po. Stejsi u ul aty, duke ia ngulur sytë shoqes së saj. – Kejt? – Çfarë? – Ti e di njëqind herë që unë nuk jam besimtare, – tha Stejsi, – por kjo duket një çikë si, nuk e di, fat apo ndonjë gjë e tillë. Kejti piu një gllënjkë tjetër me kafé. – Ti dhe Xhefi jeni që të dy beqarë. Jeni që të dy të lirë. Keni qenë pothuajse duke vënë unazat. – Është prishur, – tha Kejti. Stejsi e mendoi këtë. – Jo, nuk është ajo që unë… Dakord, po, një pjesë e saj, sigurisht. Por jo edhe aq e prishur sa… realiste. Stejsi qeshi dhe hodhi vështrimin larg. – Oh! Shoku.
– Çfarë? Stejsi ndeshi në vështrimin e saj, buzëqeshja ishte ende aty. – Kjo mund të jetë një përrallë. E kupton? Kejti nuk tha asgjë. – Madje akoma më mirë. Ti dhe Xhefi ishit mirë më përpara, apo jo? Kejti përsëri nuk tha gjë. – Nuk e shikon? Këtë herë, ju mund të filloni përsëri, por me sytë më të hapur. Mund të jetë një përrallë, por e vërtetë. Ti i shikon plasaritjet dhe të çarat. Tashmë ti mund ta fillosh me një ngarkesë emocionale tjetër dhe me një përvojë e pritshmëri të ndershme. Një vlerësim për atë rrëmujën që keni bërë bashkë shumë kohë përpara. Kejt, dëgjomë mua, – Stejsi zgjati dorën e saj mbi tavolinë dhe kapi të Kejtit. Në sytë e saj kishte lot, – kështu mund të jetë me të vërtetë, me të vërtetë shumë mirë. Kejti vazhdonte të mos përgjigjej. Ajo nuk i besonte zërit të vet, madje, nuk po e linte veten që të mendonte për atë gjë. Por ajo e dinte. E dinte me saktësi çfarë donte të thoshte Stejsi. – Kejt? – Kur të kthehem në apartament do t’i dërgoj një mesazh Xhefit
Komentet