Policia malazeze njoftoi të dielën se i ka identifikuar tre nga tetë personat e dyshuar për sulmin ndaj tre shtetasve shqiptarë, të cilët të shtunën u dhunuan në Mal të Zi, gjatë rrugës për në Gjermani.
Policia tha në një njoftim se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se janë identifikuar tre persona nga Herceg Novi si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve është përcaktuar më pas.
“Për ngjarjen është njoftuar prokurori kompetent, i cili do të deklarojë kualifikimin e tij ligjor pas ndërmarrjes së masave dhe veprimeve të mëtejshme të urdhëruara në lidhje me këta persona, si dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm,” thuhet në njoftimin e policisë.
Në një postim në platformën X, ka reaguar edhe kryeministri malazez, Milojko Spajiq i cili ka shprehur keqardhje për ngjarjen e ndodhur.
“Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oazë paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen”, tha kryeministri Spajiq.
Të rinjtë shqiptarë që ishin nisur për në Gjermani janë dhunuar brutalisht sapo kanë zbritur nga trageti në Kotorr.
Lajmi fillimisht u denoncua përmes reagimeve të forcave politike shqiptare në Malin e Zi dhe përmes rrjeteve sociale nga familjarët e tyre.
Ata thanë se grupi prej disa personash ka ngacmuar pa asnjë shkak të rinjtë shqiptarë, duke u goditur fillimisht makinën dhe pas daljes se dy shtetasve shqiptarë nga mjeti, ata janë sulmuar fizikisht duke mbetur të plagosur në pjesë të ndryshme të trupit.