(Duke lexuar vëllimin poetik “Mali i Hënës” të Rexhep Shahut)
Ndër herët e rralla kur e shoh të pranueshme, të nevojshme, madje e shoh të domosdoshme, një parathënie në librat me poezi të sotme shqiptare…
Rexhep Shahu paska shkruar e synuar prej kohësh të botojë (me botuesin shtet!) nuk i ka përpuqur dot vijat e fatit të tij me ato të poezisë së tij , dhe ja më në fund (se ja, çdo gjë e paska një fund, një fat, pra). Shtëpia e mirënjohur botuese “ Koha” ja ka mundësuar këtë gjë. Izet Duraku, që ka marrë përsipër “marrëzi”-në këtë rast, ndër rastet e rralla, mirësinë të shkruajë një parathënie poetike për poezinë , na bën të ditur se “vargjet e para janë tretur shpateve të fëmijërisë si larat e borës “.
Por…Rexhep Shahu i ka shkruar vjershat përpara se përcjellësi i tij të shkruante parathënien dhe ne ç’të bëjmë ne, ne jemi të detyruar të lexojmë poezitë e të mbetemi në to:
“Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm
Që rreket të kalbë fajet e tij,
Por faji në varr është si në serë
Që rritet e rritet në shëmti …”, shkruan Shahu në “Pa krye”.
E ç’rëndësi na paskërka që autori na qenka 38 e nuk qenka 28 apo 18 apo 58 vjeçar! Edhe sikur mos të kishte shkruar, edhe sikur të kishte arritur të merrej vesh me botuesin –shtet, edhe sikur … të gjitha sikuret do të përmbylleshin, gjithsesi me pyetjen: Poezi,a ka shkruar poezi?
“Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë
Dhe zëri im s’bën më për fjalë…”
Është kjo një vjershë e tërë, kaq e tëra pra, pa titull. Mund të lexohet gjithsesi ne mënyra e në kontekste të ndryshme: për të dashurën, për poezinë, muzën, për… E, merret vesh, kur arrin të lexohet ndyshe, mu këtu është thelbi i të qenit art.
Pastaj, në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit(!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarish: Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?! Është tjetër se në këtë truallin tonë; që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra:
“Unë qorri me dy sy endem nëpër ferr
Në këtë ferr që s’lashë lavde pa i thënë…!”
E ca më poshtë në këtë libër:
“Ajri që thithim kutërbon coftinë
………………………………………………
Ti trembesh prej vetes prej botës
Dhe rri në mes.
E s’ngopesh me frymë..”(bëj sikur fle”)
Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar të tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne “të poezisë së sotme shqipe; së paku nuk joshet e nuk mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj. Ka një varg poetësh që përkëdhelen e vetpërkëdhelen, për bartës të poezisë moderne, poezisë së mendimit të pakuptuar, për vjershërim jashtë të gjitha qëllimeve për t’u lexuar nga tjetërkush. Në kuadër të kthimit të të gjithëve në “të pavarur” (siç janë për shembull shumica e gazetave tona!), po kërkohet pavarësimi i artit dhe i letërsisë nga jeta. Madje, së fundi, në TV, dikush mori përsipër të shprehte si vlerë superiore të tij, ndarjen e veprimit të jetës së përditshme të tij nga akti i të krijuarit! Atëherë?!
Rexhep Shahu e vendos veten aty ku është: Qoftë edhe i kërcënuar.
“Thonj të pistë të zi gërvishtin sonte
Xhamat e dritares time,
Gishta , as duar, as krahë s’shoh
Zgavra sysh shoh tek më shohin sonte
Përtej xhamave të dritares
Por nuk shoh as sy as kokë as trup…
Ulërimën s’e shoh, e ndjej, s’e prek
S’di kush e pisket…” (Thonj të pistë)
Të jesh është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri mbase është më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë.
“Rrugës eci, kurrë i qetë
S’më tregon askush me gisht
I futur në arkivol eci
S’më shikon askush.
Të gjitha ritet e të gjallëve bëj,
Hyj në kafe e kudo me arkivol
Asnjë të gjallë mes të vdekurve nuk gjej…”
I mbërthyer në arkivol, të kërkoj mes njerëzve
S’di a jam mes të gjallëve
A të vdekurve…”
Pas këtyre vargjeve asgjë më nuk ka rëndësi: Se nuk i ke pas botuar ca vjersha të mëparshme, se nuk është marrë kritika me poezitë e tua, se nuk e ke akoma triskën e Lidhjes së Shkrimtarëve, se po e botoke librin e parë kur ndodhesh në mesin e jetës…! Të gjitha këto janë aq të parëndësishme sa vlersohen nga njeriu i përgjegjshëm rrobet që ke veshur në rininë e hershme, sa yjet (S-të) që mund të kesh fituar në aksione po aq të kota sa kujtimet për luftrat e herëshme kur njerëzimi ndeshej me ushta dhe hobe! Tërë ato të shkruarat e hershme mund të të ishin shndërruar në një gur në qafë e të të merrnin më qafë…! Më mirë, mbase që të qenkan kthyer e tretur në larat e borës shpatullave të maleve.
Pastaj më kot rreket parathënësi i librit; autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar:
“Kush beson dhe flet për shuarjen e ndjenjës së dashurisë mashtron edhe jeton me ¼ e qënies së tij,
¾ e jetës së njeriut që ka dashuruar janë lëngim.
Është e tmerrshme të ecësh gjith jetën mbi shina… të shohësh burra
Gjithmonë me pantallona, me model të njëjtë kostumi.
Është e tmerrshme, që duhet përgjithësisht të bëhesh i moshuar
Dhe pastaj të vdesësh…
Është e tmerrshme të mos jemi sado pak të ndershëm,
Me veten tonë të padukshme…!”
Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte,t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!
Komentet