Malësia e Madhe, ndonëse po të nisesh nga përmasat e saj truallësore jo gjithaq të mëdha, as sot as më parë, nuk di me se do ta përligjte cilësimin “ e madhe”, përveçse me bëmat e saj të hershme e deri në kohët e reja, bëma gjithmonë të mëdha, heroike dhe, sidomos, me shpirtin e zemrën e madhe, të hapët e bujare, që kanë pasur malësorët tanë, burrat e gratë, tek të cilët shquan mikpritja dhe gatishmëria për ta qasur e strehuar si mikun e kresë, ashtu edhe shtegtarin e panjohur që e sjell Zoti te dera. “Shtëpia e shqiptarit asht e mikut dhe e shtegtarit”, kjo thënie e moçme, besojmë, askund tjetër nuk ka pasur vend e zbatim sa në Malësinë e Mbishkodrës. E madhe, sigurisht ka qenë Malësia jonë për trimërinë dhe atdhetarinë e saj, së cilës i kanë bërë vlerësimet më të larta poeti Gjergj Fishta në kryeveprën “Lahuta e Malcis”. Jemi rritur me tharmin atdhedashës që përmbajnë vargjet e pakundshoqe të Ndre Mjedës, i cili i ngazëllyer nga atdhedashuria e malësorëve te soneti “Liria” ka shkruar “nanat e Hotit, që ndër djepa rrisin djelmëninë ushtore e hidhnim n’anmikun nëpër gji u qesin”, prandaj, jam i bindur se secili bir i Malësisë sonë të Madhe “Nderi i Kombit”, është ndier krenar që kemi pasur aso nënash, që kanë lindur “piramida të Shqipërisë etnike, heronj të lirisë e të shqiptarisë”, si Ded Gjon Luli, Çun Mula, Prek Cali, Baca Kurti etj
Në kohët e reja, qysh nga gjysma e shekullit XX, mbase edhe disa shumë më përpara, Malësia e Madhe ka edhe “diasporën” e vet, ka shumë malësorë në Shkodër e në qytete të tjera, sidomos në Tiranë e Durrës, po edhe në Lezhë etj. sikundër janë të shumtë edhe ata që kanë gjetur vend e punësim në metropolet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikë, Kanada e deri në Australi etj. Kudo që gjenden, malësorët i ruajnë traditat e veta atdhetare, ruajnë gjuhën shqipe, mbajnë gjallë këngët e valle shqiptare dhe e duan shumë vendlindjen,dhurojnë dhe japin edhe kontribute të rëndësishme financiare për institucione e veprimtari kulturore e artistike.
Vitet e fundit, sidomos mbas ndërrimit të sistemeve dhe vendosje së pluralizmit politik në Shqipëri, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe të ndryshme të vendit, madje edhe në diasporë janë krijuar shoqëri (shoqata) atdhetare kulturore sipas krahinave prej nga e kanë zanafillën shumë prej qytetarëve të sotëm.
Në fakt, qysh në kohët më të hershme,shtegtimi i njerëzve nga një vend më i vogël në qytete a qendra të mëdha e të largëta, ka qenë i shoqëruar edhe me përhapjen e etnonimeve që fiksojnë pikërisht origjinën e ardhësve. Të tillë kanë qenë e janë etnonimet e patronimet Hoti, Gruda, Kastrati, Kelmendi, Shkreli, Rrjolli, Repishti, Lohja, Reçi, Boga, Shiroka, Kraja, Dibra etj. në qytetin e Shkodrës po edhe gjetiu. Madje, dikur edhe lagjet e qyteteve kanë pasur një farë ndarjeje sipas prejardhjes krahinore të banorëve,si p.sh. lagja e Dibranëve në Tiranë etj. E tillë, në një farë mënyre, është edhe lagjja e Koplikasve në qytetin e Shkodrës. Sikundër të mbetet në mendje si tregues i rrallë, kur duke kaluar nëpër rrugët e lagjes rezisdenciale Skarsdale-s në Nju Jork të bie në sy emërtimi “Dedvukaj Konstraction”, si dhe aq shumë emra ndërmarrjesh e biznesesh të suksesshme që kanë emra malësorësh,si Gojçaj, Marinaj, Sinishtaj, Prelvukaj,Lulgjuraj etj.
Një numër përherë e më i madh ardhësish nga viset e ndryshme të Shqipërisë janë sot në qytetin e Tiranës,porse tashmë, as që mund të imagjinohet vendosja e strehimi i tyre sipas lagjeve, për arsye se ata kanë ardhur e vijnë në kohë të ndryshme, me modalitete e kushte të ndryshme familjare e shoqërore,si dhe me profesione e detyra të ndryshme,por,sidoqoftë, një pikë referimi sipas prejardhjes mesa duket mbetet kurdoherë e rëndësishme. Sikundër e kanë treguar edhe sociologët të shquar të Evropës,si Amin Malouf në librin “Identitete vrastare”për emigrantët nga Afrika që janë shpërngulur në Francë e gjetiu në Evropë, të gjithë, me kalimin e kohës, edhe pse tashmë të përfshirë në rrjedhat urbane e të jetesës qytetare, e ndiejnë nevojën e një pike referimi sipas zanafillës. Kështu, edhe mbas shumë e shumë vitesh në Amerikë e në kontinente të tjera, vazhdojnë të dallohen si entitete më vete italianët, që mërguan aq të shumtë në Amerikë në fillim të shekullit XX, të cilët gjithandej kanë qenë e janë të organizuar edhe në shoqëri atdhetare e kulturore të shumta e sipas krahinave prej nga janë shpërngulur.
Kjo ka ndodhur edhe me diasporën e hershme arbëreshe në Greqi, në Itali, në Zarë (Dalmaci), me shqiptarët në Ukrainë dhe në shumë vende të tjera të Evropës,sidomos në Turqi, Bullgari etj. Kjo po ndodh edhe sot me shqiptarët që janë shpërngulur në qytete e metropole të Evropës e të Amerikës, deri në Toronto etj. të Kanadasë e në Australi.
Për të njëjtat motive atdhetare e kulturore janë krijuar edhe shoqëritë e reja kulturore në qytetin e Tiranës, prej të cilave, mesa duket, më veprueset kanë qenë ato të Labërisë, të Dibrës, Devollit etj. Në atë rrymë hyn edhe krijimi i Shoqërisë (shoqatës) “Sofra e Malësisë së Madhe”, me qendër kryesore në Tiranë,po edhe me bijëza (a shoqata-bija) në disa qytete të tjera,si në Lezhë, Durrës, Koplik dhe deri në diasporë, si p.sh.në Italinë e Veriut, në Francë, në Belgjikë etj. Të shumtë e të mirënjohur për veprimtaritë sidomos në SHBA, ku qytete si Miçigani, Detroidi, Nju Jorku etj. janë plot me malësorë të mbledhur atje nga Malësia jonë e Madhe ose nga viset të tjera të banuara me malësorë. Një sasi të konsiderueshme në sasi dhe në cilësinë e ruajtjes së traditave atdhetare e kulturore shqiptare në Amerikë përbëjnë malësorët e shpërngulur në fundshekullin e kaluar nga trojet shqiptare në Mal të Zi, nga Rapsha e Hotit, Gruda, Trieshi.
Kryetari i Shoqatës “Sofra e Malësisë së Madhe ” z.Xhemal Brahja, në shënimet e tij në faqen përkatëse on-line,si dhe në dokumentacionin përkatës për krijimin e kësaj shoqate ka bërë të njohura të dhëna me interes për njohjen e saj,të cilave, natyrisht, do t’u referohemi edhe në këtë shkrim përmbledhës e, gjithsesi përnjohës.
Shoqata“Sofra e Malësisë së Madhe” në qytetin Tiranës ka qendrën në Njësinë Adinistrative 5, Tiranë: Rr. Irfan Tomini.
Nisma për krijimin e Shoqërisë (shoqatës) “Sofra e Malësisë së Madhe” u mor këtu e njëzet vjet më parë dhe për të kanë vepruar e bashkëpunuar një numër veprimtarësh të njohur me origjinë nga Malësia,si mjeku Zija Jacaj, gazetari Tom Therçaj, Gjovalin Shkurtaj, Gjergj Permalaj, Nikoll Bunjaj, Ymer Hoti, Shaqir Vukaj, Zymer Kurtaj, Perlat Kurti, Shyqyri Dashi, Fran Figuri,Nikoll Baba,Prek Staka, Lumturi Jonuzi (Semani).
Mbledhja themeluese e shtator të vitit 1998.Në rrjedhë të viteve, veprimtaria e Shoqërisë “Sofra e Malësisë së Madhe” ka ardhur duke u zgjeruar dhe janë bërë disa mbledhje me pjesëmarrje gjithmonë e më të gjerë,prej të cilave mund të përmenden:Takimi zgjedhor më 1998 në Bar “Kalaja”, kurse më 1999 në klubin e Shoqatës “Devolli”, takimi përurues shoqëruar e veprimtari artistike në SHQUP më 1999, kurse (2003) mbledhja e takimi përcjellës i dr.Zija Jacajt për në Kanada; mbledhja në mjedisin “Shtëpia e Birrës” te Kodrat e Liqenit (2019) dhe, së mbrami, takimi në prag të festave të fundvitit në restorant “Firence”(2019).
Dikur, për të bashkuar një sasi njerëzish në një tubim duhej të dërgohej “thirrci” derë më derë,ose të dilte kasneci në majë të kodrave e të kumtonte me zë të lartë: “O fjalë për tel, thuaj Gjakovës çou e del…”
Tashti kohët kanë ndryshuar: kanë dalë mjete të reja kumtimi, jo vetëm telefoni i shtëpisë,që gati ka dalë në pension,po janë celulari e faqet “on-line” që kumtojnë,si p.sh.:
“Njoftim!
Njoftohen të gjithë anëtarët e shoqatës kulturore atdhetare e patriotike “Sofra e Malësisë se Madhe” se: me miratimin e kryesisë se shoqatës ditën e shtune me dt 14.12.2019 ora 11:00 do te zhvillohet takimi koktej i fundvitit, ku do te trajtohen disa probleme organizative si dhe te festojmë se bashku disa ore ne prag te Vitit te Ri. Aktiviteti do te zhvillohet në një ambient ne rrugën “Dr.Ibrahim Dervishi” , pranë shkollës 9-vjeçare “Atë Zef Pëllumbi”, ne lokalin 04 (Zero katër), mbrapa godinës së KESH-së Tiranë. Jeni të lutur të merrni pjesë në këtë aktivitet si dhe konfirmoni pjesëmarrjen brenda dt. 11.12.2019 në nr. e tel. 0682998282, 0692145669. Faleminderit”
Këtij kumti modern e të mirëpritur iu përgjigjëm me kënaqësi dhe, pikërisht më datën 14 dhjetor në vendin e caktuar Piceri “Firence”, sipas parafrazimit “ra ky gëzim e u pamë”u përqafuam dhe shkëmbyem mall e dashamirësi me miq e bashkëvendës të hershëm, anëtarë të vjetër ose të rinj të Shoqatës, po gjithsesi malësorë me zanafillë me doke e krenari malësore.
Kishin ardhur aty, pa dallim përkatësish politike, edhe të majtë si Pavlin Sterkaj, Tonin Marina, Shaqir Vukaj, po edhe të djathtë si Ramiz Çobaj; kanë ardhur miq e kolegë të dikurshëm me të cilët kemi qenë shokë shkolle si dr.Zymer Kurti, shoku i vjetër i Shkollës Pedagogjike Gani Kurti, shkrimtari Ramiz Lika dhe e motra Xhemile Zykaj, studiuese dhe përkthyese e njohur, sikundër ishin aty burra e gra të njohura si veprimtarë të shoqatës,si Zina Bunjaj dhe i shoqi Nikolla, inxhinieri Gjokë Bracaj, si dhe një yjësi figurash të dalluara të shoqatës si Bajram Ibraj, Luigj Turmalaj,Ymer Hoti, Gjergj Permalaj, Perlat Kurti, Shyqyri Dashi,Qazim Brahaj, Deli Bishja etj.
Në atë sofër të shtuar me bujari e hijeshi, nën tingujt e këngëve malësore që përjetësojnë në vargje e me tingujt e përmallshëm të lahutës figurat e mëdha të historisë së malësisë,si Çun Mulën, Ded Gjo Lulin,Prek Calin, Baca Kurtin etj. kryetari i Shoqatës z.Xhemal Brahja, përpos referimit për veprimtarinë e kryer gjatë vitit 2019, herë pas here, ngrihet dhe thërret anëtarë të shoqatës që Kryesia ka vendosur t’u japë certifikata si “anëtar nderi” ose dhurata të thjeshta simbolike me stemën e Shoqatës.
Me certifikatën “Anëtar nderi” u nderuan : Gjokë Bracaj, Xhemile Zykaj, Bajram Ibraj, Sitki Ndreaj, Sabri Jacaj, Vehbi Bushati, Tom Therçaj, Nosh Naçaj, Hasan Dusha, Gjeto Çutaj, Sokol Volaj, Armir Arbëria.Dhuratën simbolike “Bluzë me stemën e Shoqatës”e morën: Ramiz Çobaj, Selaudin Zogu, Ramiz Lika etj.
Gjatë takimit, sipas rregullave të “sofrave” u bënë edhe dolli e shëndete, të cilat, ashtu si është në traditën e shoqatave të tilla, në radhë të parë u përmendën ato ngjarje dhe ata presona që kanë merituar t’u thuhet ”Pirolla u qoftë”dhe që,mbi bazën e kontributit të tyre Malësia e Madhe është nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe u kënduan këngët patriotike “Prej ka vjen more Çun Mula”, “Ded Gjo Luli shkruen nji letër”, Kënga “Bash ku rrinë shqipet e malit, ka pas ken kulla e Prek Calit”dhe plot të tjera, ndërsa të gjithë me radhë duke “cakërruar” gotat shprehin vlerësime e mirësi për shumëçka që Malësia e ka bërë,po edhe për çfarë mund (dhe duhet) të bëjë në të ardhshme.
Më të moshuarit,po edhe ata që kanë pasur edhe detyra të rëndësishme në jetën politike e shoqërore,si deputet, kryetarë bashkish, rektorë e drejtues katedrash universitare, studiues dhe shkrimtarë të njohur, përmendin në “shëndetet “ e “mirësitë e tyre” faqe të ndritura të historisë shqiptare,sidomos beteja në të cilat kanë marrë pjesë dhe janë dalluar atdhetarë nga Malësia e Madhe,si:
Qëndresa shekullore e Malësisë duke mos iu nënshtruar asnjëherë as Turqisë, që kurrë nuk i kaloi dot me ushtrinë e vet qafat e Hotit e të Kelmendit, duke u dalluar sidomos Nora e Kelmendit dhe malësorët që, vranë Vuça Pashën dhe nuk e dorëzuan Kelmendin e që aq madhërisht i ka rrëfyer Pjetër Budi prozën e tij.
Betejat për pavarësi në rrjedhë të shekujve e sidomos në vitet 1910-1912, me emra të shquar si: Mul Delia, duke kujtuar edhe vargjet e një këngë që thotë: “Mul Delija ka çua fjalë,mos u shkruani vullnetarë,se Turkia lyp ushtar”, Ded Gjo Luli, i fiksuar aq bukur në këngët e kënduara nga i madhërishmi Bik Ndoja dhe nga cilësimi që i pat bërë Ismail Qemali kur shkroi: ”Ded Gjo Luli është pushkë e krehur për Atdhe në Malësi”; përmendet i paharrueshmi Çun Mula dhe, krejt natyrshëm krenarohen teksa ia këndojnë këngën disa prej të pranishmëve që janë stërnipa të tij: “Prej ka vjen more Çun Mula, prej Kelmendit sot u ula, kam marrë vesh se m’asht zanë rruga…”
Nuk harron dollia as Marash Ucin e Uc Mehmetit, që me aq epitete e ka veshur edhe poeti i madh At Gjergj Fishta në vargjet e “Lahutës”, sikundër përmenden me nderim edhe Kol Marash Vata, Nik Gjelosh Luli, Zef Hoti etj. heronj të luftërave që sollën Pavarësinë e Shqipërisë, sikundër vargu i këngëve me lahutë mbyllet me këngën kushtuar Prek Calit, të cilin udhëpërshkrues të shquar nga Evropa e kanë quajtur me të drejtë e Robin Hudi i Shqipërisë.
Përmenden edhe pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare, Heronj e dëshmorë, nga Malësia,si: Jonuz Naçi (nga Bajza e Kastratit), Elez Tal Muslia (Aliaj-Kastrat), Rifat Nuzi (Zagorë-Shkrel); veteranë të Luftës Nacionalçirimtare dhe veprimtarë shoqërorë nga Malësia: Bejto Faslia (Reç), Çun Jonuzi (Bajzë-Kastrat), Life Jonuzi (Zagorë-Shkrel), Gjyste Nikolla (Pjetroshan-Kastrat), Palok Luni (Bajzë-Kastrat), Col Cufi (Polvar-Koplik), Cen Arif Dushkaj (Zagorë) etj.Përkujtohen me nderim pjesëmarrës në Luftën e Spanjës (me forcat internacionale): Gjeto Keqi (nga Ndrecaj-Bajzë), Muho Smajli (nga Kopliku).
Nga Malësia e Madhe ka psur e ka artistë të njohur,si: Lluk Kaçaj këngëtar i famshëm lirik i formuar në Konservatorin e Moskës, i quajtur me nderim nga kritika e kohës “Shaljapini shqiptar”, Angjelin Prelocaj, valltari me famë ndërkombëtare që ka tashmë edhe shkollën e vet të baletit bashkëkohor në Paris të Francës; Gjelosh Gjoka, akademik e piktor i shquar e me famë evropiane, i cili ka ekspozuar në Romë e në kryeqytetet më të mëdha të Evropës e në Amerikë; Mikel Gjoka piktor e grafist i shquar që jeton e vepron në Romë; Shtjefën Ivezaj forografi i shquar nga Tuzi, fama e të cilit e ka kaluar edhe oqeanin deri në Amerikë; Leonrado Voci, piktor ekstrovers (nga Bajza e Kastratit); malësorë janë edhe të tjerë artistë të njohur si Shaqir Rexhvelaj nga Grizha (flautist, ish-orkestrant në Orkestërn e RTSH-së), Rudina Dembacaj (aktore dhe shougëll nga Bregu i Matës, me oigjinë në Kelmendi), Emina Çunmulaj (fotomodele e famshme me origjinë nga Hoti); si dhe një yjësi këngëtarësh të shquar si Nikoll Nikprelaj, Gjyste Vulaj, Arben Delaj, Vida Kunora etj.Në këtë varg mund të përmenden edhe rapsodë të njohur të hershëm e të ditëve tona,si: Gjon Nikoll Sokoli e Ndue Lulashi (kelmendas me banim në Breg të Matës), Llesh Prekushi lahutar e rapsod nga Shkreli (banues në Balldren të Lezhës), Sali Mani (nga Kopliku), Jonuz Delaj (nga Broja e Kelmendit), Pretash Nilaj, Pjetër Matusha,vëllezërit Kolë e Biq Buçi nga Bajza e Kastratit etj.
Një brez i tërë krijuesish malësorë janë duke krijuar sidomos në këta tridhjetë vjetët e fundit, prej të cilëve ka edhe emra të tillë që gëzojnë pëlqimin e lexuesve e vlerësime të kritikës, si poeti Nokë Sinishtaj nga Ksheva e Grudës,me banim në Lucern të Zvicrës, shkrimtari e publicisti i njohur Nikolla Spathari, krijues prodhimtar që kohëve të fundit jeton e krijon në qytetin e Durrësit; poeti Sokol Zeka, që pas disa vëllimeve poetike të suksesshme e të pëlqyera nga kritika, edhe ai ka ardhur në kryeqytet, si dhe romancieri Ramiz Likaj; i ndjeri Dodë Kaçaj dhe i vëllai Tonini, dy zëra të vjershërisë fjalëbukur e të pazhurmshme, por plot ndjenjë e mendim; Dakë Keqaj, ish-sportist i dalluar për kërcim së gjati, me të cilin dikur krenohej krejt Shkodra, në moshë të pjekur u zbulua si poet dhe, nga të paktët që nuk është larguar prej vendlindjes, nga Bajza e Kastratit u jep lexuesve vargje e vëllime poetike që të mahnisin me bukurinë ligjërimore dhe me vlerat ideoartistike që përmbajnë. Në anët e Malësisë, së paku deri sot, vijojnë të qëndrojnë e të shkruajnë edhe disa të tjerë, si Marash Mirashi Isuf Heba, Life Cafi, Pjetër Gilaj, Fran Camaj, Anton Gojçaj, Mark Lucgjonaj, etj., që shtohen e botojnë këndej dhe përtej kufijve. Nga diaspora malësore e re e Amerikës, kohëve të fundit, ka dalë shpesh e më shpesh në fushën e letrave edhe Gjekë Marinaj, nga Bruti i Kastratit dhe që ka bërë botime interesante në Amerikë, ku edhe drejton ndërmarrjen botuese ” Marinaj Publisching”. Gjithashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur historianin Gjergj Nikprelaj dhe veprën e tij madhore kushtuar kryengritjeve të Malësisë Madhe në prag të pavarësisë së Shqipërisë, si dhe jo pak shkrimtarë të tjerë të trevës së Malësisë përtej kufirit të Republikës.Në mënyrë të veçantë, meriton të vihet në dukje shkrimtaria dhe publicistika e Gjek Gjonajt, penës së të cilit, këto vitet e fundit, përveç qindra artikujve në shtyp, i përkasin edhe dy vepra me rëndësi të madhe: monografia kushtuar Prek Calit dhe një vëllim me intervista të njerëzve të shquar të ditëve tona.
Gazetarë nga Malësia: Alkesandër Frangaj (me zanafillë nga Hoti),Gjekë Gjonaj (nga Trieshi me banim në qyetin Ulqinit), Fran Shkreli (ish-drejtor i “Zërit të Amerikës”), Nik Gashaj (nga Tuzi,drejtor i revistës kulturore-shkencore “Malësia”), Tom Therçaj (nga Kastrati,gazetar i njohur në RTSh), Marash Mirashi (nga Bregu i Matës, ideua dhe realizuesi ciklit të emisioneve “hapësirë e blertë’ në RTSh), Gjovalin Gjeloshi (me origjinë nga Kelmendi, me banim në Lezhë), Rrok Lelçaj (nga Kastrati i Epërm, me banim në qytetin e Lezhës), etj.si dhe grupin e gazetarëve të Televizionit Kopliku dhe të revistës “Fjala” ku dallohet Gëzim Vuçaj.
Studiues nga Malësia,si: Mirash Gojçaj (folklorist nga Rapsha e Hotit), Gjergj Nikprelaj (historian), Lulash Palushaj (shkrimtar dhe studiues nga Trieshi me banim në Detroid), Gjovalin Shkurtaj (gjuhëtar, akademik Emeritus), Gjovalin Gruda (gjeograf i shquar,ish-rektor në Universitetin e Shkodrës dhe dekan Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë), Mark Vuji (punonjës i shquar në fushën e arsimit të mesmë, nga Hoti i Ri, me banim në qytetin Lezhë), Mahir Hoti (gjeograf,profesor e ish-rektor i Universitetti të Shkdrës); Pjetër Gjuravçaj (studiues e përkthyes i njohur), Gjergj Gjuravçaj (etnofolklorit), Kolec Traboini (kineast dhe shkrimtar), Prek Uli (shkrimtar), Fran Luli (studiues nga Hoti i Ri), Ndue Bacaj (studiues i historisë), Gjokë Luli (studiues nga Hoti), Nikolin Marku (historian i ri në Akademinë Albanologjike); Zija Vukaj (shkodran me origjinë nga Reçi), Fadil Hasmuçaj, Kadri Ujkaj nga Kopliku Qendër,Edmond Malaj (historian me origjinë nga Bajza,punonjës shkencor në Akademinë albanologjike, Tiranë) etj. Po ashtu arsimtarë, gazetarë dhe artistë të njohur të vendeve shqiptare në të Malit të Zi, si Gjergj Gjoka, Mark Ujkiqi, Zake Prelvukaj, Seida Belgoviq; Nikollë Camaj,Angjell Gojçaj (nga Tuzi), Palokë Gjelosh Berisha, Mark Junçaj, Marjan Lulgjuraj etj.
Nga Malësia e Madhe ka pasur edhe figura të mëdha nga radhët e klerit shqiptar të anëve të Malësisë,si Dom Ndoc Nikaj, njëri nga romancierët e parë shqiptar,si dhe historian me vepra të rëndësishme të botuara e postume; Dom Simon Filipaj, njeriu që realizoi botimin e plotë të Biblës në gjuhën letrare shqipe dhe Atë Vinçenc Malaj, figurë poliedrike e kulturës dhe e historisë shqiptare; Atë Kolë Berisha (etnofolklorit, autor i vëllimeve etnofolklorike me titullin emblematik e domethënës “Nder e burrni ndër malet tona”),Atë Zef Pllumi nga Mali i Rrencit (Lezhë), autor i librit dokumentar “Rrno vetëm për me kujtue”.
Politikanë dhe shtetarë nga Malësia,duke nisur me për bëmat e bijve të mëdhenj që ka nxjerrë Trieshi në rrjedhë të shekujve. Përmendim, p.sh. “Nikollë Ivanaj-personalitet i shquar i shtetit dhe i Pavarësisë shqiptare” i cili ka dhënë kontributi të në shtypin shqiptar”,si dhe eruditin e madh Mirash Ivanaj. Po ashtu, edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si Çun Jonuzi (nga Bajza e Kastratit), Luigj Pepaj (nga Kelmendi), Shaqir Vukaj (nga Reçi), Gjok Uldedaj (nga Kastrati), Pavlin Sterkaj (nga Shkreli),Tom Doshi (nga Kelmendi); kryetar bashkish të mëdha si Tonin Marina (nga Kastrati i Epërm), funksionarë të njohur të pushtetit në rrethe si Marash Ndoka (Lezhë), Rexhep Dembacaj (Lezhë), Llesh Doku (Lezhë, ambasador), Mark Gjoni (nga Reçi i Ulqinit, senator në Nju Jork-SHBA).
Sportistë të dalluar nga Malësia si: Selaudin Zogu, Dakë Keqaj, Pavlin Sterkaj, Rudi Vata (nga Bajza e Kastratit), Elsajed Hysaj, Bekim Balaj etj.
Mjekë të njohur nga Malësia: Llesh Rroku (kardiolog i njohur nga Ishulli i Lezhës), Zymer Kurti, Vneshti.
Një grup studiuesish që veprojnë në gjirin e kësaj shoqate janë duke punuar edhe për realizimin e një botimi enciklopedik e me karakter përnjohës me titullin : “Malësia e Madhe “Nderi i Kombit” dhe bijtë e saj në rrjedhë të shekujve”.
Ndermarrje e nevojshme kjo qe permendet n e paragrafin e fundit, por kujdes, sepse ne kete shkrim jane disa emra qe nuk jane as tani e as me origjine nga Malesia e Madhe, k,urse disa, qe i njoh personalisht. dhe jane nga Malesia nuk permenden.
Mark K. Shkreli
Kryeredaktor i revistes “Jeta Katolike”, N ew York