Male, pyje plot me fletë
Të mbëdhenj e të përpjetë,
pa pushoni e më dëgjoni,
ejani më ngushëlloni,
për hatanë, për belanë,
për qederin, për sevdanë,
që më shthuri anembanë,
këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
për largimin nga Dylqinja
e Tobozës.
Te ky vend më solli fati,
fat’ i zi e taksirati,
se si unë s’ka ashik,
dhe si unë s’ka besnik,
dhe kështu më mori djalli,
më svarnis për kapistalli,
pra nga halli e nga malli
këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
për largimin nga Dylqinja
e Tobozës.
Duke ndjekur aventyra,
te ky mal i shkretë hyra,
por më ndje’k nga pas sevdaja
më qëllon, më ndjek murtaja
me shigjetën e helmuar
dhe jam djegur, përvëluar,
dhe kështu i dëshpëruar,
këtu qan trim Don Kishoti te dëllinja
për largimin nga Dylqinja
e Tobozës.
Komentet