Kanë mbërritur në Shqipëri eshtrat e personalitetit të shquar të kulturës e të letrave shqipe, Mid’hat Frashëri, ndërsa ceremonia e homazheve po mbahet në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Në një intervistë për News 24, Maks Velo u shpreh se kishte shkuar në këtë ceremoni pikërisht për anën intelektuale të Mid’hat Frashërit, ndërsa theksoi se ai nuk i ka përçarë shqiptarët por shqiptarët janë përçare disa herë, por për arsye të tjera dhe janë përçarë vetë.
“Më duket se ai nuk i ka përçarë shqiptarët por shqiptarët janë përçarë shumë herë por vetë. Fakti që ka kaq shumë njerëz sot, tregon respektin e madh që njerëzit kanë për Mid’hat Frashërin.
Ai ka disa vlera, ajo që unë vlerësoj shumë dhe për të cilën dhe kam ardhur, është ana intelektuale, ana shkencore, dëshira e tij për t’u bërë një institut albanologjik, që është pararendës i Akademisë së Shkencave.
Ana politike është shumë e diskutueshme. Ka dy pika që e mbrojnë atë, faktin që ishte antikomunist dhe që qeveria amerikane nuk e arrestoi. Po të ishte ky kundër botës demokratike, amerikanët do ta kishin gjykuar, por ata e lejuar veprimtarinë e tij, tregon se ai ishte një njeri pro-perëndimorë. Ai ishte një njeri me shumë dije… qeveria ka bërë një veprim shumë të drejtë me kthimin e eshtrave.
Unë mendoj se në jemi përçarë për shumë probleme dhe ky nuk është faji i Mid’hat Frashërit. Unë mendoj se sjellja e eshtrave të tij i bashkon shqiptarët”, u shpreh Maks Velo.
Ndërkohë nga ana tjetër Artur Roshi, Kreu i Partisë Balli Kombëtar, tha se përtej një dorë kockash, Mid’hat Frashëri është një mit, ndërsa theksoi se partia e tij do të mundohet që ashtu siç është lartësuar figura e tij intelektuale dhe kulturore, të lartësojnë edhe atë politike të tij.
Ndër të tjera Roshi tha se vendimi i qeverisë për të sjellë eshtrat e tij në atdhe, ishte një ndjesë që i kërkohet Frashërit nga të gjitha qeveritë, edhe ato të kaluarat, përveç asaj të Ismail Qemalit.
“Përtej një dorë kockash ai është një mit. Nga porta kryesore e historisë, dhe nuk mund ta ndajmë në dy pjesë. Ne Balli Kombëtar Demokrat, do të punojmë që edhe profilin politik ta lartësojmë. Sjellja e eshtrave nga qeveria është një ndjesë që i bëhet atij nga të gjitha qeveritë, veç asaj të Ismail Qemalit.
Ashtu si sot kundërshtarët tanë, qeveria, pranoi profilin e tij kulturor e intelektual, ne do të punojmë që ata të pranojnë edhe profilin politik”, u shpreh Roshi.
Panorama
Komentet