Flet për “Koha Jonë”, ish-eksponentja e njohur e Partisë Socialiste, Majlinda Keta
“Shqipëria nuk kishte vdekur që duhet të rilindte. Të vetmit që ishin në agoni 8- vjeçare ishin liderët socialistë në opozitë…”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Koha Jonë”, ish-eksponentja e njohur e Partisë Socialiste, Majlinda Keta, sipas të cilës, “mbase kur e quajtën Rilindje nënkuptuan vdekjen e historisë dhe simboleve të PS-së së para 2005-ës”. Duke besuar gjithsesi, se socialistët edhe pse janë në ditët më kritike të qenësisë së tyre të majtë, nuk do të vdesin e do gjejnë rrugëdalje. Sepse sipas saj, “ata e dinë që historia e prodhuar prej tyre mbetet më sfidantja mes partive të tjera në këto 25 vite…”
Intervistoi: Eglantina Nasi
Zonja Keta, si një ish-eksponente e njohur e Partisë Socialiste, si i vlerësoni nga jashtë zhvillimet aktuale të saj? Ç’po ndodh realisht me të sipas jush?
Po shkon drejt fundit procesi i metamorfozës që PS e pos 2005-ës kishte nisur, ai i shuarjes së identitetit të saj qasur ideologjisë, programit, funksionalizmit dhe institucionalizmit të një partie të majtë. Të them të drejtën, Rama në këtë histori është komod pasi është koherent me deklarimet e tij publike për një parti përtej së majtës e së djathtës dhe me cilësinë funksionale të saj shumë-ngjyrëshe dhe shumëplanëshe. Për mua do jetë finalizimi i një rruge politike alla-Rama që do shkruhet në historinë e pluralizmit politik të pos ‘90-tës, ku lideri hyrjen në rrugëtim e pati në të djathtë si antikomunist i deklaruar, procesin e pati duke përdorur motorët e vjetër dhe me karburant plot plumb të PS-së së ‘91-shit dhe finalen e ka si një kompozim që artisti mjaft mirë e ka dëshmuar në albumin e tij me piktura që po shëtit botën. Psikologët dhe kërkuesit shkencorë në fushën e psikologjisë, jam e bindur që gjithçka do e vlerësonin si gjetje të goditura për t’u shprehur vetë autori, sikurse edhe për t’u lexuar nga publiku. Instrumenti kongresor i radhës do t’i vendosë kurorën e patriarkut të partisë alla-Rama. Kërkoni në arshivën tuaj tekstin e dorëheqjes sime në cilësinë e Kryetares së Forumit të Gruas, shihni dhe vlerësoni tekstin që Mark Nikolli apo Zamira Caka ka bërë për dorëheqjen e tyre nga Garancitë Statutore të PS dhe do të kuptoni lehtë që ka qenë një lëvizje 10- vjeçare inteligjente e Ramës politik, deri në kapjen e karriges së Kryeministrit të vendit. PS-ja në po kaq vite i ka shërbyer kësaj historie suksesi të Ramës. Tani është radha se PS-së së rraskapitur se ç’do bëjë me VETEN socialiste. Mbase ky kongres mund të jetë edhe mundësia për rilindur shpresa e rijetësimit të profilit të majtë të PS-së së krijuar në 1991-in.
Referuar zgjedhjeve të fundit në kuadër të Kongresit, si i vlerësoni ato? A po zhvillohen konform rregullave statutore, apo ka një korruptim të tyre?
Për mua nuk ka proces zgjedhor, se nëse do ishte i tillë ju e njihni detyrimin që kanë organizatorët e zgjedhjeve për të informuar votuesit mbi ekzistencën e tyre në lista zgjedhore, për vendvotimin e për udhëzime metodike dhe etike statutore për procesin. Nëse ju njihni një të tillë si procedurë, po e tërheq unë gjykimin tim. Kandidati i deklaruar për konkurrim për vendin e lirë të Kryetarit të Partisë nuk njoftohet për të tilla detaje në cilësitë e një anëtari të PS-së, ndërkohë konkurrenti i tij ende publikisht dhe funksionalisht mban postin e kryetarit që vijon anëtarëson të rinj në parti. Për të mos folur pastaj për njoftimet në FB “I nderuar mik i Partisë Socialiste!. Si një pjesë e rëndësishme e kësaj partie ju ftojmë nesër nga ora 08:00 deri në 16:00 që me votën tuaj të përzgjidhni delegatët për kongres. Vota juaj është e rëndësishme për të pasur përfaqësuesin më dinjitoz në Kongres për njësinë tonë. Ju mirëpresim nesër në qendrën e votimit bashkë me dokumentin personal identifikues, zyra e partisë tek njësia X.”!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!”.
“Po zgjedhim delegatët dhe jo kryetarin”, akuzoi një deputete socialiste rreth këtij procesi. Si e vlerësoni këtë qëndrim? A ka sipas jush një garë reale për zgjedhjet në PS?
Koncepti i garës në politikë është relativ dhe e keqja është se për fatin e keq në ekzistencë të oligarkisë politikë, ai përjashtohet totalisht. Mesa duket, kjo deputetja socialiste që ju i referoheni, ose është përfaqësuese e oligarkëve, ose ka njohuri kritike për efektet dhe korrelimet në trinomin demokraci në politikë- zgjedhje-oligarki politike. Për të filluar, zonja të kuptojë pak mbi to, i sugjeroj analizën e tekstit të funksionarit “të lartë” të mësipërm të Tiranës drejtuar “Mik i Partisë Socialiste” !!!!!!! Këtu as fjalor politik nuk njihet, jo më të përdoret e të ndërtohen marrëdhënie publike për procesin apo të pranohet se do zhvillohet garë!!!! Për të vazhduar që në krye të këtij procesi janë ato figura që të huaj e të vendit i quajnë pjesë e një parlamenti të kriminalizuar dhe që pret të dekriminalizohet. Ky është momenti më i paduhur, që të bën të mos besosh në moralitetin politik, drejtësinë statutore politike dhe ndikimin publik në pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri ky Kongres i kryetarit dhe i ndryshimeve në statut. Kjo lloj klase politike nuk po ka kufij në imoralitetin politik.
Çfarë konotacioni paraqesin për ju qëndrimet e guximshme të socialistit Ben Blushi kundrejt asaj çka po ndodh vërtet në Partinë Socialiste dhe qeverisje? Në cilat prej tyre bashkoheni me të?
Guximi tani, në kushtet e një deputeti pjesë e grupit parlamentar socialist i vlen vetëm për t’u quajtur një “i penduar”. Siç e dimë, “të penduarit” kanë edhe status të veçantë në drejtësi dhe mbi të gjitha mbrohen nga shteti. Uroj që Blushi të bindë socialistët e bazës që është një i tillë dhe të sigurojë mbrojtjen nga “shteti” i socialistëve. Nuk ka rëndësi se ku bashkohemi me njëri-tjetrin, kam pritur shumë më herët këtë “guxim”, qysh atëherë kur dhe disa të tjerë denonconim këtë lloj rrugëtimi të përbindshëm të PS nën drejtimin e Ramës. Më mirë vonë se kurrë, të paktën nuk do jetë pjesë e pranimit zyrtar të certifikatës së vdekjes” së PS-së themeluar në 1991. Në diskurs publik politik është ekselent. Ka plot veprime që Blushi mund të bëjë për t’u bërë i besueshëm në çdo frazë që ndërton dhe projektim që bën. Vullneti politik kërkon edhe veprimin politik me vendimmarrje me risk e kosto.
Ai kërkon shfrytëzim të çdo institucioni e forumi brenda organizimit përkatës politik. Unë pëlqej jo largimet pasi “pëson” nga loja ku besove, por dorëheqjet publike dhe institucionale ndonëse mund të kesh pozitën si eksponent politik, mund ta kesh ofiqe në forume, kryesi apo deputetllëk.
A e shihni Blushin si kryetar potencial të ardhshëm të Partisë Socialiste dhe pse? Çfarë mund t’i sillte ai sipas jush kësaj force politike, ndryshe nga lidershipi aktual që gjithsesi, mban në dorë “trofeun” e sjelljes së saj në pushtet?
Deri tani ka shprehur vullnetin dhe vizionin e tij. Që të zgjidhet si Kryetar, do më dukej sikur pohoj se po kalove ylberin, ndodh ajo çudia. Më pëlqen se është një zhvillim i ri në pluralizmin shqiptar, të majtën shqiptare, në vizionimin e një “gare” me ide dhe analiza shumëplanëshe për Kryetar të PS-së, me tendencën për një sjellje tjetër në parti dhe qeverisje.
Tashmë kabineti “Rama” po i afrohet vitit të tretë të mandatit. Si e gjykoni punën e tij? Ku ka gabuar dhe ku meriton vërtet vlerësim?
Kur themi kabineti “Rama”, duhet të ndajmë ato që Ramës ia ka ofruar Meta nga LSI-ja dhe ato që Rama zgjodhi për të shprehur veten. Midis dy grupimeve, ka diferencë sikurse dhe midis grupit “Rama “ ka diferenca të ndjeshme. Sigurisht në kushtet e një defiçit buxhetor të Berishës në 2013, të krizës ekonomike të përbotshme që po vazhdon rrisqet ishin të mëdha. Qeverisja e pos 2013-tës duhet të ishte shumë inteligjente dhe e kryesuar nga ekspertiza e mbështetja publike tek ekspertët që do drejtonin. Në përgjithësi pretendohen reforma në çdo sektor, por nuk kemi finalizim në asnjërën prej tyre. Në shumë prej tyre kemi kthime mbrapsht apo pranime edhe të alternativës në të kundërt. Reformat paraprihen nga një fushatë denigruese për burimet njerëzore të fushës (mësues të korruptuar të paaftë, mjekë të korruptuar e të paaftë, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar dhe të paaftë, të rinj të shkolluar të paaftë…) nihiliste për historitë sektoriale përkatëse, po aq sa frikë për të pohuar arritjet e socialistëve para 2005-ës. Kjo lloj sjellje politike nuk mund të motivojë mbështetje publike dhe profesionale për reformat sektoriale, që bashkuar me mediokritetin e titullarëve të dikastereve nuk kanë dhënë shans për t’u shpallur edhe si “reforma”. Më së shumti janë mballoma, thjesht ndryshime pa efekt në mirëqenie nën trumbeta publicitare. Pika më kritike më duket cilësia e diskursit publik të Kryeministrit që tenton “të imponojë” pranimin e suksesit për këto reforma. Populli nuk është dele dhe nuk ka vdekur memoria e ekspertëve në vite. Është fare lehtë të dëgjosh “Mjekësi bëri…”, “Arsim bëri….”, “Mbrojtja ishte dinjitoze kur ishte…”, “Kultura bëri histori kur…”, dhe të gjithë këta emra janë socialistë publikisht e mbështetës të së majtës, por asnjëri në cilësi titullari apo këshilltari për rishtarët apo jashtëprofilësit në drejtim sot me Ramën. Kësaj i thonë të zgjedhësh dështimin dhe ta mbulosh me propagandë së cilës i ka vdekur koha në 1990-ën. Ajo që vërej me kënaqësi është që ka një koherencë dhe siguri reformatore në reformën për konceptimin e Mirëqenies dhe edukimit profesional të shqiptarëve në Ministrinë përkatëse. Më pëlqen sjellja dhe komunikimi i përmirësuar nën etikë e punonjësve të policisë së rendit. Vlerësoj reformën territoriale, që besoj do finalizohet me kompetenca të detajuara dhe funksionale të pushtetit vendor. Ne mbetemi tek suksesi i institucioneve në varësi të cilësive dhe vullnetit të 1-shit, pasi me administratën vijon shkatërrim, ndërtim, rindërtim, të njëjtë me kohën kur Noli diskutonte për Ligjin e Nëpunësit në kohën e vet dhe sëmundjet që ai duhet të shëronte në administratën shqiptare.
Çfarë note do t’i vinit ju personalisht “kartës” së Rilindjes? A po e justifikon ajo sipas jush bindjen e elektoratit që i dha votën në 2013-ën?
Unë jam kritikuese e emërtimit të kësaj karte. Shqipëria nuk kishte vdekur që duhet të rilindte. Të vetmit që ishin në agoni 8- vjeçare ishin liderët socialistë në opozitë. Ata vetë zgjodhën atë rrugë agonike se mbase Berisha u zotëronte shumë pos pushtetit 8-vjeçar. Edhe një përpjekje që konceptua si publike në 21 janar, për pak sa nuk u vetëvranë. 2013-ta në rezultate elektorale ishte një qëndrim i shqiptarëve ndaj mënyrës se si qeverisi Berisha, sidomos në 4-vjeçarin e dytë. Mbase kur e quajtën Rilindje nënkuptuan vdekjen e historisë dhe simboleve të PS-së së para 2005-ës, ndërkohë që unë them e besoj se socialistët edhe pse janë në ditët më kritike të qenësisë së tyre të majtë, socialistët nuk do të vdesin dhe do gjejnë rrugëdalje pasi e dinë se historia e prodhuar prej tyre mbetet më sfidantja mes partive të tjera në këto 25 vite. Ata nuk prodhuan në qeverisjen e tyre as piramida financiare dhe as Gërdecomani financiaro-politike, por nuk duhet të lejojnë me çdo kusht koncensionimin e partisë dhe të vendit. Rilindësve do t’ju ofroja programin e edukimit “Shansi i dytë” si një mundësi për të shëruar analfabetizmin funksional politik dhe qeverisës. Kush e njeh dhe pulson mendërisht me arsimin, e njeh këtë element reforme të para 2005-ës dhe që flet shumë i përqasur në politikë.
Para disa ditësh u zhvillua Forumi i Gruas Socialiste. Si ish-kryetare e këtij organizmi, përtej shifrave që u komunikuan me bujë në këtë event, a mendoni se gruaja socialiste është realisht e përfaqësuar në qeveri dhe administratë? Çfarë i mungon sot asaj?
Thelbin e gjithçkaje të asaj ngjarje e perceptuam publikisht me batutën ‘jam feminist se jam socialist’ dhe lojëra fjalësh me të tjerë në sallë. Gruaja socialiste në mision qeverisës apo politik nuk është ajo sallë që qeshte me batuta dhe qeverisjen e forumeve apo të vendit ta bëjë me batuta. Për më tepër që Kongresi është nën një atmosferë publike ku një nga përfaqësuesit e lartë të zgjedhur në PS e Parlament, Ben Blushi dhe të mbështetur edhe nga një zonjë deputete apo të tjerë, po akuzon për shkelje të rënda, të përsëritura të demokracisë dhe statutit në PS dhe inekzistencë të Forumeve para Kongresit. Midis batutave dhe gajasjeve e problematikës kritike do kisha preferuar të dëgjoja dhe besoja lirinë dhe pavarësinë e Forumit nga udhëheqja. Nëse flasim për barazi a shanse të barabarta në familje politike duhet të ishte ndjerë edhe përfaqësimi apo mbrojtja e shqetësimeve të Blushit. Unë njoh shumë zonja socialiste që flasin edhe më rëndë se Blushi për humbjen e lirisë dhe mendimit ndryshe në parti. Gratë socialiste duhet të vrasin frikën në emër të një mbyllje me sukses të mandatit të parë dhe rifitimit të një mandate të dytë qeverisës në 2017-ën. Deri tani jemi në risk me mirëqeverisjen. Ngasja nga batuta për të harruar pohimin e së vërtetës publikisht nuk shkon në 2016-ën dhe për këto cilësi zhvillimesh për të majtën dhe socialistët shqiptarë. Gratë e Forumit duhet të jenë një shkollë edukimi për politikën shqiptare dhe publikisht janë edhe një shkollë edukimi për fëmijët e tyre, për të rinjtë shqiptarë. Këtyre grave aktiviste, krahas mësueseve të nderuara, duhet t’ju njohim misionin e edukimit të fëmijëve të tyre sipas moralit të mëposhtëm: “Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh. Mësojeni atë si të humbë hijshëm dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton. Mundohuni t`i mësoni birit tim forcën për të mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit”. (Letra që Abraham Linkoln i dërgoi mësuesit të të birit në 1830).
A e realizuan gratë socialiste në atë sallë këtë mision? Le t’ia lëmë ndërgjegjes së tyre dhe gjykimit të publikut ndikimin e këtij aktiviteti të radhës, përkundrejt misionit që unë u njoh grave dhe vetes, edhe kur bëjmë politikë apo shprehemi për të.
Komentet