Shtohen zërat në të majtën shqiptare pro zbatimit të normave statutore të Partisë Socialiste, për zgjedhjen e kryetarit një herë në katër vjet, sipas parimit një anëtar, një votë. Majlinda Keta, një nga personalitetet e PS, ish-kryetare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste, gjatë një prononcimi për gazetën SOT, ka theksuar se Edi Rama po korrupton normat statutore, duke kapur forumet e larta të partisë politike më të madhe në vend. “Një parti demokratike shquhet për zbatimin rigoroz dhe pa luhatje të statutit të partisë, në opozitë a qeverisje qoftë. Të dy situatat, si qeverisja po ashtu dhe të qenit në opozitë kërkon “ligjërimin” e çdo statusi dhe funksioni që kanë në parti, nga anëtari i thjeshtë deri tek kryetari, nga anëtarët e forumeve lokale në ato qendrore. Mbi të gjithë këto duhet të zbatohet rregulli i votimit 1 herë në 4 vjet i kryetarit të partisë. Korruptimi i kësaj norme statutore nga ana e lidershipit politik me në krye Ramën si edhe nga strukturat që përgjigjen për zbatimin e statutit dhe ligjërimin e mandateve në parti është në vazhdë të procesit të fuqizimit të autoritarizmit të kryetarit, që nuk pyet për asnjë normë statutore po aq sa edhe i “kapjes” së Kryesisë, Asamblesë Socialiste të pos 2007”, ka theksuar zonja Keta.
Rrëzimi në gjykatë
Për herë të parë, zonja Keta ka hedhur idenë e një padie në gjykatë, për të shpallur të pavlefshëm mandatin e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste. Ajo tha se nëse gjendet qoftë edhe një socialist i vetëm, duhet të vërë në lëvizje gjykatën. “Uroj që mes socialistëve të gjendet 1 i vetëm që ta çojë këtë çështje në Gjykatë dhe do të shohim se me çfarë shpejtësie vendi i kryetarit të partisë do shpallet vakant dhe hapet gara për konkurim ashtu siç e ka të shkruar Statuti i PS. Kryesia dhe Asambleja Kombëtare e socialistëve janë shumë herë më përgjegjëse për këtë paradoks të organizimit dhe statutit që po ndodh në PS. Nuk ka si mos të ndodhë ndryshe ndërsa përbërja e tyre është një miksim interesash korruptive larg ideologjisë, programit dhe normave statutore të një partie të majtë. Këto nuk janë përralla nga e kaluara, por janë tragji komedi të së sotmes ylberiane mavi të një partie që nuk ka asnjë precedent të tillë në të kaluarën e saj para 2005, as në qeverisje as në opozitë. Turp për të gjithë ato që me veprimin edhe mosveprimin e tyre e çuan demokracinë e brendshme të partisë në pika shumë më kritike sa nuk i gjen qasje në të majtën e Internacionales Socialiste”, ka theksuar zonja Keta.
Mandati i kryetarit
Majlinda Keta ka theksuar se statuti i Partisë Socialiste është i qartë sa i takon parashikimit për mandatin e kryetarit. “Votimi për kryetarin e partisë është normë statutore dhe nuk ka të bëjë fare nëse është apo nuk është partia në qeverisje. Formulat e suksesit të maxhorancës socialiste në qeverisjen socialiste 1997-2005 kanë njohur jo vetëm respektime totale të kësaj norme, por edhe zhvillime ku për kohezion të brendshëm apo rritje të dinamikës qeverisëse kryetari lëshon pushtet në emër të shtetit që ka mision për të bërë partia fituese. Gjithkush njeh realitetin e 5 kompozimeve socialiste ndonëse në krye të partisë, dhe nën konfirmim votimesh(në një rast ka qenë edhe Rama konkurrent) qëndronte Kryetari Partisë”, tha Keta.
Adriatik Doçi
Komentet